Gropat e Vatanit dhe Rubairat e Omar Khajamit

Arben Duka May 22, 2016 11:59

Gropat e Vatanit dhe Rubairat e Omar Khajamit

Më thonë se kam shkruar,
dhjetëra mrekullira,
por sot mund t’i shkruaj,
edhe më të mira.

Poeti nuk ndalet,
tek një mrekulli,
kur gjuhën e zemrës,
dhe shpirtit e di.

Kur është një poet,
mjeshtër në lirikë,
që të gjitha vargjet,
i kthen në muzikë.

Nëse një lirike,
do t’i qepësh nota,
një diamant të krisur,
do të shihte bota!

Por sot që po shkruaj,
këtë ligjërim,
kam në mendjen time,
një tjetër qëllim.

Kur sot me miliona,
nuk kanë as bukë,
një vjershë dashurie,
s’i ndihmon – o Dukë!

Them është e pamundur,
ti të dashurosh,
kur shpirtin ke sterrë,
edhe barkun bosh!

Njerëzit s’i ndihmon,
Ylli i Afërditës,
po puna dhe buka,
si refren i ditës.

S’kanë nevojë t’ju them:
“Ç’është dashuria?”
Po padrejtësitë,
që bën qeveria!

Kur shikon çdo çast,
gropat e vatanit,
s’të ngjit as magjia,
e Omar Khajamit!

Nëse njerëzit mbeten,
në një errësirë,
është një këngë për dritën,
kënga më e mirë!

Gozhdë përmbi të ligën,
kur pafund kam ngulur,
më thonë ca “kritikë”,
se pjacën kam ulur!

Shkruaj dashurisë,
ku je i magjishëm!
S’më hyn në punë pjaca,
kur s’jam i dobishëm!

Kur gjithë kjo e keqe,
na ka vënë përfund,
tani nga satira,
s’ka Zot që më tund!

Një në njëqind vjet,
vdes nga dashuria,
por miliona vret,
skamja dhe uria!

Po të them-ky popull,
rron shumë i gëzuar,
do isha i lig,
ose i shkalluar!

Po të them-sistemi,
ngjall besim e shpresë,
do isha i lig,
edhe i pabesë!

Nëse je poet,
s’mund të rrish mënjanë,
as mund ta gënjesh,
popull fukaranë!

Të bëhet si bishë,
përmbi çdo të keqe,
dhe pse asnjë bankë,
s’do t’i japi çeqe!

Po s’u dogj poeti,
tok me vegjëlinë,
askush s’do të digjet,
këtu për lirinë!

Kur ndjek vegjëlia,
një të tillë poet,
që nga themelia,
e rrëzon një shtet!

Një shtet të pashpirt,
të egër-të lik,
ku jo veç liria,
është në rrezik!

Mbase unë misionin,
s’e sos dot vërtetë,
se misioni do,
më shumë se një jetë!

Po revolta ecën,
nuk e sfidon vdekja,
dhe më kryesorja,
në fakt është përpjekja!

Arben Duka May 22, 2016 11:59
Komento

2 Komente

  1. Zyferi May 22, 21:54

    Je madhor e superpatriot, jeta jote nuk shkon kot.

    Reply to this comment
  2. ODISEJA May 23, 09:44

    I SHKELQYER DHE SHUME I VYER PER POPULLIN TONE SHQIPTAR ! HALLALL QUMESHTI I GJIRIT QE TE MEKOI I NDERUARI DHE I PAMPOSHTUR I ZOTI POET ARBEN DUKA !!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*