“Grupi i Punës” në Policinë e Shtetit, Veliu: Jemi në proces vettingu të përhershëm

October 9, 2019 11:06

“Grupi i Punës” në Policinë e Shtetit, Veliu: Jemi në proces vettingu të përhershëm

Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit me misionin PAMECA V dhe Qendra e Gjenevës për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF) kanë organizuar konferencën me temë “Qasje moderne për përmirësimin e integritetit në Policinë e Shtetit”.

Në këtë konferencë, ishte i pranishëm edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili ka folur për punën që është bërë vitet e fundit nga policia.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se “Misioni i Asistencës Policore i Bashkimit Evropian në Shqipëri (PAMECA) ka hartuar raportin ‘Metodologjinë për kryerjen e një analize risku dhe identifikimi i praktikave të prirura ndaj korrupsionit në Policinë e Shtetit’, dokument qe iu vu në dispozicion Policisë së Shtetit”.

“Një nga rekomandimet kryesore të kësaj Metodologjie të Vlerësimit të Rrezikut ka të bëjë me krijimin e “Grupit të Punës” për t’u trajnuar mbi analizën e rrezikut të korrupsionit dhe masat e tjera parandaluese, me qëllim përgatitjen e një harte të parë, të plotë dhe të thellë të rreziqeve të korrupsionit në Shqipëri. Përgatitja e një dokumenti konkret, përkatësisht analiza e riskut dhe matrica e rreziqeve të korrupsionit, sipas metodave e standardeve bashkëkohore, të cilat përveç se janë parashtruar në raportin paraprak do të konkretizohen e zhvillohen më tej në trajnimin dy ditor të planifikuar, do të jetë një udhërrëfyes dhe shpresojmë të shërbejë si indikator për të matur nivelin e korrupsionit/integritetit në organizatën e Policisë së Shtetit”, tha Veliu

Korrupsioni është një pikë tjetër në të cilin është ndaluar Drejtori i Policisë, ku tha se janë marrë masa në të gjithë nivelet e Policisë së Shtetit, për të luftuar këtë fenomen.

“Çështja e parandalimit të korrupsionit të policisë është thelbësore për shoqërinë, organizatën policore dhe vetë demokracinë, ndaj masat efektive për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit janë të vendosura në të gjitha nivelet e organizatës së policisë. Policia e Shtetit i ka kushtuar vëmendje parandalimit të korrupsionit në radhët e saj dhe për këtë ka një strukturë të posaçme Drejtorinë e Standardeve Profesionale, me qëllim krijimin e standardeve profesionale të etikës, menaxhimit, administrimit dhe llogaridhënies në të gjithë institucionin. Është thelbësore ndërtimi i mekanizmave që mund të shmangin, zbulojnë dhe ndëshkojnë korrupsionin, si dhe të mbështesin një kulturë integriteti”, u shpreh Veliu.

Në fund, Veliu siguroi qytetarët që vettingu është një proces i përhershëm, dhe do të ndihmojë në pastrimin e Policisë së Shtetit nga personat që janë të korruptuar.

“Policia e Shtetit është në proces vettingu të përhershëm dhe është tërësisht e angazhuar për të luftuar krimin dhe korrupsion edhe brenda radhëve të saj. Aksionet e Policisë kundër korrupsionit synojnë minimizimin e pandëshkueshmërisë dhe rritjen e transparencës. Lufta pa kompromis ndaj rrjeteve kriminale  apo  ndaj  cilitdo zyrtar të korruptuar, tregojnë edhe një herë seriozitetin dhe integritetin e Policisë së Shtetit”, përfundoi Veliu.

j.l./ dita

October 9, 2019 11:06
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*