Gunter Grass, njeriu që i kujtoi historinë gjermanëve

Luca Steinmann* April 14, 2015 20:03

Gunter Grass, njeriu që i kujtoi historinë gjermanëve

I dashur dhe i urryer, i kritikuar dhe i vlerësuar, Gunter Grass ka qenë protagonisti kryesor i letërsisë gjermane të shekullit te XX. Proza, poezia, dhe letërsia e tij, ka arritur të zhbirojë historinë gjermane si në madhështinë e saj, ashtu edhe në tragjedinë e vet. Fituesi i çmimit Nobel në vitin 1999, ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare, në një klinikë në qytetin Lubeck.

Në letërsinë e tij, që është në të njëjtën kohë, një pasqyrim i historisë gjermane të shekullit të kaluar, gërshetohen të gjitha ngjarjet më të rëndësishme, ku Gjermani është epiqendra e tragjedisë moderne, herë si vrastare dhe herë si viktimë.

Të lexosh Grass, do të thotë të lexosh tragjedinë e Shoah-s, nga totalitarizmi nazist deri te totalitarizmi sovjetik, nga revolucionet antikomuniste në DDR, deri tek revoltat studentore të ‘68.

Jeta e tij është pasqyruar në librin e tij të titulluar “Duke qëruar qepën” e publikuar në vitin 2006, që pas 50 vjetësh heshtje, bëri publik faktin tronditës, se në moshën 17 vjeçare kishte marrë pjesë vullnetarisht në forcat famkeqe të SS. Në 1944 futet në forcat e divizionit të dhjetë, Uaffen SS. I arrestuar nga amerikanët në 1945, deportohet në burgun a Bad Aibling, ku vuan dënimin bashkë me një të ri tjetër, Joseph Ratzinger.

Pas dënimit një vjeçar, i dedikohet studimit të historisë së arteve, lirikës dhe letërsisë. Shkrimet e tij shoqërojnë hap pas hapi historinë dhe ngjarjet politike të pasluftës. Publikimi i librit “Duke qëruar qepën” do të ishte një sukses i vërtetë, jo vetëm për numrin rekord të shitjeve, por edhe për faktin se zbulonte një anë të errët të historisë së vet, dhe se brenda saj ishte një komb që përballej me fantazmat e të shkuarës,një vend i paaftë të përballej me historinë e vet. Një histori që gjermanët kërkojnë me çdo kusht ta lënë pas krahëve, por që papritur shfaqet më e rëndë se kurrë.

Gunter Grass do të kujtohet gjatë, jo vetëm për veprën e tij, por sepse nëpërmjet saj, na ka treguar distancën që ekziston midis gjermanëve dhe historisë se tyre. Na ka treguar dhimbjen e një kombi që rrënjët e veta i konsideron një peshë të rëndë, për tu përballur me historinë e vet.

Grass në veprën e tij ka pranuar ekzistencë e totalitarizmit gjerman dhe ndjenjën e fajit që karakterizon një komb, por në të njëjtën kohë, na tregon se ajo çmenduri mori fund 70 vjet më parë,dhe se Gjermania nuk përbën më rrezik për njerëzimin.

Me humbjen e tij, Gjermania humbet ndërgjegjen kritike të saj, por “Daullja prej Llamarine” e tij, do te vazhdojë të bjerë gjatë. Përktheu nga Die Welt, Donald Toska/DITA

Luca Steinmann* April 14, 2015 20:03
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*