Guvernatori Sejko merr pjesë në konferencën e organizuar nga Banka Qendrore e Bosnje Hercegovinës

September 22, 2017 17:58

Guvernatori Sejko merr pjesë në konferencën e organizuar nga Banka Qendrore e Bosnje Hercegovinës

Më datë 22 shtator 2017, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Banka Qendrore e Bosnje Hercegovinës me temë “20 Vitet e Stabilitetit”, në Sarajevë. Kjo konferencë u organizua  me rastin e 20-vjetorit të themelimit të bankës qendrore të Bosnje Hercegovinës.

Pjesëmarrës në konferencë ishin zyrtarë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë, guvernatorë dhe përfaqësues të tjerë të bankave qendrore nga Evropa dhe rajoni, si dhe politikëbërës dhe ekspertë nga Bashkimi Evropian dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Punimet e konferencës u çelën me fjalën përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Bosnje Hercegovinës, z. Senad Softić, i cili pasi falënderoi të pranishmit, prezantoi programin e konferencës, duke theksuar se qëllimi i këtij aktiviteti ishte shkëmbimi i mendimeve dhe eksperiencave me kolegët e vendeve të ndryshme.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko ishte i ftuar në një ndër panelet kryesore me temë “Sfidat e bankave qendrore gjatë procesit të integrimit të vendeve në Bashkimin Evropian”, së bashku me guvernatorë dhe përfaqësues të tjerë të bankave qendrore të rajonit. Diskutimet e këtij paneli u fokusuan në sfidat e reja të bankave qendrore në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe ndikimet e zhvillimeve aktuale në Eurozonë dhe rajon për këto vende.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko prezantoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian duke nxjerrë në pah disa momente kryesore të konvergjencës, si dhe trajtoi sfidat me të cilat përballet vendi ynë në të ardhmen.

Guvernatori Sejko theksoi se e ardhmja politike dhe ekonomike e vendeve të rajonit të Evropës Juglindore është e lidhur drejtpërdrejt me procesin e integrimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian. Ai gjithashtu nënvizoi se një treg financiar i shëndetshëm dhe efikas është një parakusht i domosdoshëm për një rritje afatgjatë, si dhe një faktor i rëndësishëm në procesin e konvergjencës.

Ai vlerësoi se bankat qendrore kanë një rol mjaft të rëndësishëm në avancimin e procesit, nëpërmjet ruajtjes së parametrave makroekonomikë dhe forcimit të stabilitetit financiar, duke veçuar se, si politikëbërës, duhet të vazhdojmë të kontribuojmë në drejtim të forcimit të mëtejshëm te bashkëpunimit rajonal.

September 22, 2017 17:58
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*