Guvernatori Sejko takim me Drejtorin e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit pranë Sekretariatit të Shtetit Zvicerian

September 14, 2017 17:50

Guvernatori Sejko takim me Drejtorin e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit pranë Sekretariatit të Shtetit Zvicerian

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim në ambientet e Bankës së Shqipërisë, me Drejtorin e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit pranë Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike, Ambasador Raymund Furrer.

Në këtë takim ishin të pranishëm dhe Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Christoph Graf, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë nga institucionet përkatëse.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko, falënderoi Qeverinë Zvicerane për mbështetjen dhe bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm si dhe shprehu vlerësimet e tij mjaft pozitive ndaj projekteve dhe aktiviteteve të organizuara si pjesë e këtij bashkëpunimi.

Në këtë drejtim, Guvernatori Sejko theksoi se ky bashkëpunim i ka ofruar asistencë Bankës së Shqipërisë si në procesin kërkimor, ashtu dhe në procesin e vendimmarrjes, duke zhvilluar modelet e analizës dhe të parashikimit, përmes implementimit të modeleve të reja dhe përmirësimit të politikëbërjes.

Më konkretisht, që prej vitit 2013, janë organizuar mbi 20 aktivitete trajnuese, nga të cilat kanë përfituar rreth 290 punonjës të Bankës së Shqipërisë.

Gjatë takimit, Guvernatori theksoi se rritja e kapaciteteve teknike dhe profesionale të Bankës së Shqipërisë forcon besueshmërinë dhe mbështet forcimin e mëtejshëm të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë.

Gjithashtu,  Sejko bëri një ekspoze të situatës së ekonomisë dhe financave shqiptare, si dhe të punës dhe të rezultateve të Bankës së Shqipërisë. Gjatë kësaj ekspozeje, ai theksoi qëndrueshmërinë që shfaqi ekonomia dhe sistemi financiar shqiptar në përballje me krizën dhe kontributin e Bankës së Shqipërisë në të, nëpërmjet politikës së saj monetare stimuluese dhe nëpërmjet mbikëqyrjes dhe rregullimit të kujdesshëm të sistemit bankar.

Sejko nënvizoi trendin pozitiv të zhvillimit të vendit, si dhe theksoi rëndësinë e reformave të mëtejshme për të përmirësuar modelin e zhvillimit të vendit, për të përmirësuar ambientin e biznesit dhe klimën e kreditimit, si dhe për të ecur përpara në procesin e integrimit dhe në tërheqjen e investimeve të huaja.

Në veçanti, Guvernatori theksoi se ka ardhur koha që diaspora shqiptare të mos shihet më vetëm si burim remitancash, por edhe si burim kapitali financiar dhe burim energjie dhe ekspertize menaxheriale.

Në vijim, përfaqësuesit e SECO-s falënderuan Bankën e Shqipërisë për mbështetjen e saj përmes pjesëmarrjes aktive dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta, si dhe e vlerësuan programin e tyre me Bankën e Shqipërisë si një nga programet e tyre më të mira dhe të suksesshme.

Më tej, Ambasadori Raymund Furrer, Drejtori i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit të SECO-s, i njoftoi të pranishmit se parlamenti zviceran ka miratuar fondin për vazhdimin e programit të mbështetjes së bankave qendrore dhe se Shqipëria do të vazhdojë të jetë pjesë e programit të SECO-s.

Nëpërmjet këtij programi, gjatë viteve të ardhshme do të vijojë mbështetja për Bankën e Shqipërisë, me anë të një numri të madh iniciativash dhe aktivitetesh për projekte jetësore të bashkëpunimit teknik.

Ambasadori Furrer u shpreh se vazhdimi i projekteve të përbashkëta të zhvillimit bazohej dhe inkurajohej nga rezultatet pozitive të arritura prej programit aktual dhe aftësive të larta absorbuese të shfaqura nga Banka e Shqipërisë.

Diskutimet dypalëshe vijuan lidhur me bashkëpunimin e ardhshëm dhe mundësitë e zhvillimit të projekteve të reja në fusha me rëndësi të veçantë për Bankën e Shqipërisë.

September 14, 2017 17:50