Hakmarrja e virtytit (tregim i jetuar)

January 14, 2018 11:32

Hakmarrja e virtytit (tregim i jetuar)

 

Nasho Jorgaqi

Memo Skëndi kishte shumë kohë që ishte ndarë për së gjalli nga shokët e luftës. Vite të shkuara, ai kishte pësuar për shkak të disa mendimeve liberale që kish shprehur në mbledhjen e organizatës. Pas kësaj, kishte nisur e tatëpjeta e pakthyeshme e jetës së tij, sepse, pasi e kishin shkarkuar nga detyra që kryente në një dikaster, e kishin degdisur në një qytet të humbur. Përpara se të ndodhte kjo, disa nga shokët e ngushtë qenë përpjekur t’ia kthenin mendjen. Të paktën, të kapërcente rrezikun që e kërcënonte seriozisht me një autokritikë të fortë. Po ai u qe përgjigjur rreptë dhe prerë siç e kishte zakon: “Në qoftë se një ideal nëpërkëmb lirinë e mendimit, atëherë s’është më ideal, po një fjalë e mjerë!“ Ishte nisur pastaj pa e zgjatur për atje ku e kishin caktuar.

Të gjitha këto tani i takonin një të kaluare të largët. Më pas, Memo Skëndi nuk u ndje më. Me kohë ai i kish humbur të gjitha lidhjet me shokët e luftës, për të mos thënë se këta të fundit qenë shkëputur prej tij. E vetmja gjë që dihej për të qe se Memo Skëndi jetonte diku dhe kryente një punë të thjeshtë, se më në fund qe martuar dhe bënte një jetë të tërhequr. Me sa duket e kishte mbledhur mendjen dhe shikonte hallet e tij.

Kështu i kaluan vitet e jetës Memo Skëndit derisa doli në pension. I lënë në harresë e krejt i shpërfillur, ky burrë dikur i dëgjuar shfaqej nëpër qytetin e vogël me pamjen e një njeriu fisnik, flokëbardhë, me një shenjë plage në anën e djathtë të ballit, me ca sy të menduar dhe ecje të qetë. Të paktën qenë ata që e dinin kush kishte qenë ai. Për Memon, kjo rrethanë ishte e vetmja gjë e mirë që çmonte nga pozita e tij e rëndomtë. Bile, kur ishte i ri, nuk i kishte shkuar ndër mend se fjalën e lashtë “Jeto pa u dukur”, do ta bënte një ditë divizë të vetën. Pas daljes në pension, Memo Skëndo e ndjeu veten të vetmuar. I dukej se kishte rënë në një zbrazëti prej të cilës nuk do të dilte më kurrë. Sipas logjikës së tij, po afrohej fundi dhe vdekja ishte vetëm çështje kohe. Në të vërtetë, kjo nuk e trembte. Ai qe ndeshur kushedi sa herë me të në kohën e luftës dhe e njihte mirë fytyrën e saj.

Megjithatë, tjetër ishte atmosfera e ndezur e asaj kohe, tjetër atmosfera e viteve të mëpasme. Prandaj nuk ishte për t’u habitur që dalëngadalë në arsyetimet e tij hynë tinëzisht ndjenjat. Memo Skëndi duke u plakur filloi dalëngadalë të bëhej sentimental dhe sado që e mbante veten, e tradhtonte zëri, i rrëmbusheshin sytë dhe atëherë nuk rrinte pa i thënë të shoqes tërë mllef: “Ta hajë dreqi, ta hajë, po kthehem në një shtëpi kujtimesh!”. Gruas i vinte mirë që në fund natyra aq e fortë e të shoqit po zbutej, po akoma më shumë gëzohej i biri që i ati pas kaq vitesh po i hapej. Zuri të fliste diçka për veten, sidomos për ato vite që i kishte mbyllur në kyç.

Po koha e rrëfimeve, edhe pse shumë e kursyer, nuk zgjati shumë. Memo Skëndo papritur u sëmur rëndë. Filluan halle të tjera. Një atmosferë brengosëse me dyshime të dhimbshme e pllakosi shtëpinë. Brenda një kohe të shkurtër, i sëmuri hyri dhe doli disa herë nga spitali derisa mjekët i humbën shpresat dhe e shoqja me të birin e morën në shtëpi.

Pas kthimit nga spitali, Memo Skëndi u bë prapë i heshtur, u mbyll në vetvete si kurrë ndonjëherë. Fliste pak, ankohej dhe përpiqej të mos shqetësonte askënd. E vetmja gjë që e tërhiqte ishte muzika dhe tërë kohën, madje edhe kur e kapnin dhimbjet, rrinte me radiolinën te veshi. Gjendja sa vinte e përkeqësohej. E shoqja drithërohej nga kjo, por nuk e jepte veten para tij. I biri i mbante sytë ulur sa herë hynte tek i ati.

-Shiko këtu, Vojo! – i tha të birit një mbrëmje. – Do të nisesh nesër për në Tiranë dhe do të takosh shokët e mi të luftës për të cilët të kam folur. Do t’u thuash se nuk jam mirë me shëndet. Do t’ua di për nder, do t’u thuash, në qoftë se vijnë të më shikojnë.

Pas disa ditëve, shokët arritën në shtëpi, me përjashtim të njërit. Ishin katër, që të gjithë shokë të luftës, me të cilët  kishte qenë në Spanjë e më vonë kishin drejtuar së toku një prej brigadave të njohura të Luftës Nacionalçlirimtare.

Memua, sapo i kishte parë në derë, ishte prekur aq shumë, sa qe orvatur menjëherë te ngrihej ndenjur. Por s’kish mundur. Ashtu shtrirë, s’i kish mbetur vetëm t’i vështronte dhe të ndjente dorën e tij të drobitur në duart e tyre të shtrënguara. Nga muri përballë u vinte drita e syve të një shoku të vjetër, pushkatuar nga fashistët, fotografinë e të cilit i zoti i shtëpisë e mbante në krye të dhomës.

Memo Skëndi që ndërkaq i kishte mbyllur sytë përgjysmë, i hapi dhe mori t’i shikonte prapë shokët e dikurshëm, por kësaj here një nga një, duke i pëshpëritur emrin. Në vend të qortimeve që ata prisnin,dëgjuan një zë të ngrohtë, gati përgjërues. Ishin tërë ato vite ndarjeje dhe heshtjeje që e kishin munduar keq shokun e tyre. Ata e ndjenin tani këtë dhe ishin të emocionuar sa vetëm jo i hidhnin sytë njëri tjetrit me kujdes, po askush nuk guxonte të merrte fjalën i pari. Përse duhet të kishin pritur ditët e fundit të jetës së tij që të vinin ta takonin?

– Sa mirë që erdhët! – i shkëputi nga mendimet e trazuara shokët zëri i Memos. – Nuk dyshoja se do të vinit dhe më besoni, se nuk doja të ikja pa ju parë dhe njëherë.

Për një çast zërin e Memos e mbyti mallëngjimi. Ai priti të kalojë dhe pastaj shtoi: S’dua t’ua fsheh, më kish marrë malli…

– Edhe ne, o Memo – ia ktheu menjëherë një nga shokët – kishim mall pa erdhëm!

Ra një qetësi e pa dëshiruar. I sëmuri rrinte me qepallat ulur përgjysmë. Të ardhurve sikur që lidhur gjuha dhe kjo i hutonte. Ndjeheshin fare të pambrojtur, sidomos nga fjalët e tij. Askush nuk ishte në gjendje të fliste aq hapur sa ai. Të tregonte me zë të lartë arsyet e këtij takimi tepër të vonuar. Sigurisht, Memo Skëndi as që ua kërkonte këtë, por ata e kuptonin se burrëria e tyre në këto çaste ishte para një prove të vështirë.

I sëmuri hapi  sytë dhe u mundua rishtas të ngrihej ndenjur, por e lëshuan fuqitë menjëherë. Atëherë erdhi e shoqja dhe i vuri edhe një jastëk tjetër pas shpine. Fytyra sado që tepër e ligur, iu gjallërua dhe sytë i morën një shkëlqim jo të zakontë. Duke lëvizur ngadalë gjymtyrët nën çarçaf, ai u mundua të ngopej me frymë dhe zuri rishtas të fliste:

– Para se të iki, kam një dëshirë, o shokë…

Ishte një zë që tingëlloi në mes thirrjes dhe lutjes.

– Ç’ është kjo fjalë, o Memo? – ia pritën së bashku dy nga të ardhurit. I sëmuri, sikur të mos kish dëgjuar gjë, shtoi duke u munduar t’i shqiptojë fjalët qartë:

– Them, me që u mblodhëm, të këndojmë njëherë…

Dhe puliti sytë. Të ardhurit gati sa nuk u stepën dhe shikuan nga njeri tjetri. Heshtja u bë e thellë, një heshtje përgjuese. E çuditshme kjo dëshirë e Memos! Askush nuk e kish marrë me mend një dëshirë të tillë. Ndoshta, kur i vjen fundi njeriut … Memua e ndjeu turbull shqetësimin e shokëve dhe prapë nuk vonoi të thoshte me zë solemn:

– Të këndojmë himnin e luftës sonë, “Internacionalen”!

Kënga që kërkonte të këndonin erdhi aq e papritur,sa gjendja u rëndua më shumë. Pas kësaj, të ardhurit nuk mundnin as ta shikonin njeri- tjetrin në sy se mbi ta binte vështrimi i të zotit të shtëpisë.

Akoma Memo Skëndi me këto gjëra!? Nuk kishin mjaftuar gjithë ato vite që ai të kish mësuar disa të vërteta praktike nga jeta? Mirë ata që po e dëgjonin me veshët e tyre dhe besonin në sinqeritetin e tij, por kush u garantonte se po të merrej vesh kjo gjë nga të tjerët, nuk do të keqkuptohej? Ç’mund të thoshin më lart, kur t’u shkonte fjala për çka kish ndodhur: “ Vajtën të shohin Memo Skëndin, u mblodhën kokë më kokë si dikur ilegalisht dhe kënduan “Internacionalen”. Ç’është kjo nostalgji me një të përjashtuar nga Partia? Dreq o punë! S’mjaftonte që kishin ardhur me pesëqind halle dhe kishin  vënë pozitën e tyre në rrezik, po u duhej të gjenin dhe mënyrën për t’i dhënë të kuptohej Memos që të mos u nxirrte telashe me këto dëshira tepër të çuditshme.

– Ne kemi ardhur të çmallemi dhe jo të këndojmë – tha me një ton të ngritur, ai që ishte me pozitë më të lartë.

Të tjerët nuk u ndjenë fare. I sëmuri uli qepallat dhe përsëriti si me vete: “Të çmallemi!” Pastaj me zë gati të sforcuar tha:

– Po a ka gjë më të bukur se të çmallemi duke kënduar si një herë?

Në vend të përgjigjes pllakosi përsëri heshtja. Shikimi i Memos nuk po i linte kurrsesi të qetë. Secili priste shpëtim nga njeri tjetri, por asnjeri nuk qe në gjendje të bënte ndonjë gjë.

– Mirë, o shokë, – u dëgjua pas pak Memua me njëfarë mllefi të përmbajtur- në qoftë se e keni harruar këngën, fajin nuk ua kam unë. Po në qoftë se mendoni që unë nuk jam i denjë ta këndojmë së toku, atëherë ndryshon puna….

– Nuk arsyetohet kështu, o Memo – e kundërshtoi ai më autoritari – Si mund të harrohet gjithë ajo luftë që kemi bërë së bashku, gjithë ato sakrifica e kujtime?

I sëmuri sikur të mos i kish dëgjuar këto fjalë, vijoi më tej në mendimin e tij:

– Nëse prej vitesh nuk jam më shoku juaj i kauzës, vëllai juaj jam. Se edhe unë, si ju, gjak shqiptari kam në deje. Prandaj, ejani të këndojmë “Himnin e Flamurit”. Flamuri s’besoj të nxjerrë telashe.

Ai që rrinte afër derës, u mat t’i thoshte: “Kur s’është rasti, çdo gjë mund të kthehet në telash …”, por u përmbajt, si vuri re të tjerët që rrinin kokulur. Në atë kohë, e zonja e shtëpisë solli kafetë dhe dhoma sikur u gjallërua për një valë herë. Por me të dalë e shoqja e Memos, burrat mbetën prapë vetëm dhe u duk se s’kishte mbetur asgjë për të thënë. Bile, miqtë pandehën se i sëmuri më në fund po kuptonte që ata kishin ardhur thjesht për t’u çmallur dhe jo për të kënduar. Por, për çudi e si për inat të tyre, Memo Skëndi kurrsesi nuk desh të hiqte dorë nga e vetja.

– Edhe nga flamuri të druhemi? – pyeti qortueshëm ai, duke i shqiptuar fjalët me mundim. – Flamuri është i çdo shqiptari, nën të kemi lindur dhe nën të do të vdesim! Po s’ka gajle, se asgjë s’bëhet me zor.

– S’është punë zori, o shoku Memo – foli rëndë, gati i prekur më autoritari i mysafirëve. – Ne e çmojmë lart sinqeritetin tënd. Përherë e kemi çmuar. Gjithë puna është të shërohesh sa më parë, pa do të vijë koha dhe do të këndojmë.

Edhe të tjerët se ç’thanë diçka nëpër dhëmbë, me një pamje pak si të trembur, pa mundur të shkëpusnin shikimin nga krevati i të sëmurit. Ndoshta, Memo Skëndi më në fund do t’i kuptonte drejt. Se, në të vërtetë, fytyra e tij se vinte rrudhej me shumë dhe sytë i mbante mbyllur, aq sa atyre u dukej sikur ai po tregohej krejt shpërfillës.

– Ah, more vëllezër – psherëtiti me zë të mpakur Memua. – Edhe tani kur s’do të ngrihem më në këmbë, kërkoni ta ruani veten?

Pyetja e Memos qëlloi si një shuplakë e fortë. Pas shkrehjes së këtij dufi, i sëmuri papritur hapi sytë dhe përpiqej t’i vështronte ballazi shokët e tij të dikurshëm. Por kjo i kushtonte, se ata qëndronin të nemitur e të shushatur, duke iu përvjedhur shikimit të tij. Askush nuk guxonte të përgjigjej. Mbetën kështu një copë herë sikush pa u ndjerë, kur befas i sëmuri ia pat me një zë të dridhur e të ndërprerë:

– Atëherë… kush … do të ma… mbajë ison?

Pas kësaj pyetjeje që mbeti pa përgjigje, gjendja u ndërlikua më keq. Të ardhurit e hutuar shikonin nga i zoti i shtëpisë dhe s’dinin ç’të bënin. Fytyra e tij sa vinte e zbehej dhe frymëmarrja i shpeshtohej. Tanimë ishte jashtë çdo dyshimi se ajo që kërkonte shoku i tyre s’ish kapriço aq më tepër ndonjë gjë e qëllimshme. Bile, ata u stepën kur mes frymëmarrjes së rënduar u dëgjua regëtima e këngës që Memua mori të këndonte vetë:

– Mbeç… more… shokë… mbeç… te U…r…a…Qaa….beese…

Një nga shokët që ish më pranë krevatit u orvat t’i mbante ison, po zëri i doli i zvargur, me një tingëllimë të shtrembër. Megjithatë Memo Skëndi, me atë çikë frymë që i kish mbetur, nuk desh ta linte këngën në mes. Por pas vargut të parë që arriti të thoshte, fjalët e vargjeve të tjera iu ngatërruan, aq sa nuk merreshin më vesh. Vetëm fjalën “shokë” arrinte ta thoshte qartë dhe kjo falë dufit të fundit që kish mbetur brenda tij.

Pastaj Memua thua se nuk u ndje më. Në dhomën e vogël ra një heshtje e rendë. Mbi të ardhurit dhimbja qëndronte si një peshë e papërballueshme, shtypëse dhe cfilitëse. Tanimë ata e ndjenin se ishin ndarë prej tij. Memo Skëndi nuk ish më në mes tyre- Bile, kish kohë që ai kish mbetur përtej Urës së Qabesë. Kish  kohë që thërriste që andej shokët të cilët e kishin lënë vetëm.- Ata kuptonin si në jerm se përtej Urës që kish përmendur Memua niste kufiri i heshtjes, i harresës, i braktisjes. Ky ishte kufiri i vendosur prej vitesh në mes jetës së tyre dhe jetës së tij. Këtë gjë këta burra po e kuptonin më mirë se kurrë në këto çaste. Memo Skëndi kish mbetur ai që kish qenë dhe ishin ata që nuk kishin arritur të këndonin së bashku një këngë lufte kur shoku i tyre ua kërkonte atë në ah të vdekjes!

Tani çdo gjë ishte e kotë. Burrëria lyp çastin e vet. Vërtet Memo Skëndi lëvizte në heshtje buzët, por ç’kuptim kish tani që ata të këndonin?! Çdo gjë që ata mund ta bënin nuk kish asnjë kuptim. Kuptimin e vërtetë, kuptimin e jetës së denjë të njeriut Memo Skëndi e kish marrë me vete. Atyre u kish mbetur vetëm vetja, e mbërthyer nga pengu, që nuk kishin ditur të tregoheshin burra. Mbi ta sikur kish rënë hakmarrja e virtytit.

 

 

January 14, 2018 11:32
Komento

15 Komente

  1. gjermani i fundit January 14, 13:39

    keshtu eshte ndare kjo bote. Me nje çike legenllek dhe shpatulla plasteline i pershtatesh kohes dhe ambjentit dhe ia del te ushqehesh mire. Te paret qe sulmuan socializmin shqiptar qene saliberishat dhe gramozpashkot dhe azemhajdaret, lakejte e pushtetit te djeshem qe vrisnin e prisnin me dogma dhe spiunlleqe. Provoi dhe i ndjeri Hysni Milloshi ti qendronte “shkerdhatokracise”, por nga fundi e prishi dhe ai rregullin. P.S. Nese do beja shaka per rrethanat e tregimit, i bie qe shoku i peste, ai qe nuk erdhi te jete nje ismailkadare.

    Reply to this comment
  2. Gjeneral Telini January 14, 22:59

    Erdhi kohe rrufjanve, o Nasho. jo se ajo kohe skishte rrufjane, po sot eshte kuje m’è drek. Ku tè falin Katovicaret, pardesybardhe qe la pas , ramiz shkodrani, me nexh dibranen.edhe ne ate kohe, te drejtet dhe idealistet, sulmoheshin ,shkarkoeshin , internoheshin, edhe pse kishin luftuar, dhe punonin me tè drejte.

    Reply to this comment
  3. shvejku January 15, 00:02

    E drodhe edhe ti o Nasho!
    Tere jeten shkrove per diversantet dhe spiunet,ndersa tani pas 27 vjet kapitalizem,qe e coi popullin ne vdekje,ne vend qe te akuzosh krimet e sotme,merresh me perrallat e para 70 vjeteve!
    Ke mbetur pa buke,sic duket,o Nasho dhe po e prish tani ne pleqeri!
    Turp tekesh,por keto vite ke patur aq tema sa te shkruash 100 romane e te grish pordhe si tani!
    Lere Memon,se atehere nuk te linte njeri pa buke,kurse sot ngordh si qen,po nuk qe hajdut ose kriminel!

    Reply to this comment
  4. erion January 15, 00:02

    shume interesante

    Reply to this comment
  5. ´´ sy ne erresire ... January 15, 09:21

    ka shume tregime Romanesh ose esse-sh ,tregime te shkurtra etj si kto ,qe nenkuptohen ne vetvehte ,si me then nji art Autobiografi e shkrimtarit ,si me then sequenca te jetes se tij ,pra shkrime siedhe ky i te mirenjohurit Shkrimtarit Nasho Jorgaqi ,qe duken si storie paralele,te asaj cfar ndodh sot ne ate shoqeri.
    (Virtyti thon;pra diku kam lexuar ,qendron ne nji raport te zhdrejte te Vesit te Teprimit mbi ate te Mangesise -duket pak komplex per ne shqipot )
    Sidoqofte eshte nji shkrim qe troket ne porten e duhur .Se degjon dikush ,pas asaj Porte ,kjo mbetet nji enigem e kohes .
    Lexon shkrime te tilla ,e te krijohet pershtypja se nji shkendije ka depertuar ne ate ambjent te erret ,ku qendron i burgosur Ndergjegja e Shqiptarit e ben qe papritur ta zgjoje ate, nga ajo gjendje Komme por njikohesishte edhe ate memorje , qe era e kohes duket ta ket shtyr me force diku ne harrese . E ti ,ndjen ,se akoma dicka jeton ke ty ,brenda teje ,se eshte gjall ala ajo shprese …si ato thengjilla /kongjilla fshehur posht ,hirit qe le pas Zjarri .
    Pra kemi te bejme me nji shkrim /nji perpjekje e shkrimtarit ,per te sjelle qartesi ne trurin e shqiptarit ,e asaj shoqerie zhytur thell ne mjergullen e asaj Bote .

    Reply to this comment
  6. vasili January 15, 14:13

    Shkrim thellesisht jetesor.qe e ndryshon kursin e vleres se burses se kesaj gazete,nga falimentimi,ne nje trajektore te vertete besimi dhe autoriteti,ne masen e gjere dhe te vuajtur qytetare te ketij vendi.
    Shkrim krejt ne te kundert te atyre shkaravinave-parulla te perditeshme,te mullaqemedhenjeve,setra-kthyemeve,qe komentojne,sipas midese se tyre ulerimat e ´´politikaneve´´,nga ekranet e panumerta.
    Shkrim,qe eshte nje flakurime reale,qe u dalin shkendija nga syte,shkarravitsave intervistues dhe brohoritsave pa tru dhe pa zemer,te ish bllokmeneve.
    Memo Skendi,eshte virtuti real monumental njerzor,ashtu i thjeshte dhe i pa ndjere,qe nuk zhgenjen dhe ahere kur komunizmi djallezor fillon ti fute thiken e pabesise mbrapa dhe para gjoksit.
    Shoket e Memos,te llojit tarifra,minxhozra etj,qe vazhduan te jene koburja e diktatures, ishin nga lloji,qe u pelqente ky lloj kanibalizmi fizik dhe shpirteror,gje qe e vazhdojne me fjale,se nuk mund te bejne gje tjeter,dhe sot e kesaj dite.
    Dhe nje pjese tjeter frikacake, apo te vetdijshem,per pasoja tragjike ne familjet e tyre,vazhduan te brohorasin pa zemer,vecse per tu ushqyer dhe per te marre fryme dhe tani jetojne me nje heshtje qe mund te respektohet..
    Shpresoj dhe uroj,qe Dita,te vazhdoj te bej kete lloj transfuzioni demokratik rringjalles me keto shkrime.

    Reply to this comment
  7. Claus January 15, 15:52

    Tregim plot mbereselenie i Nasho Jorgaqit. Tregim qe te ve ne mendime, meditime dhe nepermjet nje lloj lupe merr ne kqyrje te aferm dhe te larget, te njohur dhe te panjohur.
    Tregim me plot detaje psiko-sociologjike, aq me shume kur koheret ne te cilat jetojme njeriu eshte kthyer tashme ne nje qenie fizike ku i vetmi program qe funksionon eshte vetem ana materiale ose „pershtatja shoqerore“.
    Sot me 15 Janar 2018 eshte 99 vjetori i vrasjes ne Berlin te njerezve revolucionare qe enderronin per nje bote me te mire, gjermanes, anetare te Levizjes „Spartacus“ Rosa Luxemburg.
    Deh kjo me beri te ulem dhe te shkruaj kete koment pasi lexova tregimin e Nasho Jorgaqit.
    Ka plot shembuj te tjere ku njerezit para cdo sfide kane ruajtur dhe mbrojtur virtytet dhe idealet e tyre, por pak raste te tille gjen ne boten shqiptare. Duhet nje tundje e forte e sites qe ne mes nje mali plot krunde te gjesh pak miell per te bere vetem nje kulac te vogel.
    Gjithmone vras mendjen se cfare njerezish prodhoi dhe perpunoi ai regjim nga i cili doli me shume krunde se drithe me vlere?
    Cfare ndikoi tek shumica e ketyre njerezve, si ata qe pershkruhen ne buze te shtratit te Memos, qe nuk kane guximin te kendojne qofte edhe nje rresht te „Internacionales“, asaj kenge qe eshte bere e perbotshme e perkthyer sipas kushteve te cdo vendi, por ne thelb titanike?
    Nuk dyshoj ne asnje rast se dikush nga ata shoket e Memos dikur pjesetare ne Lufte te jete bere oligark dhe te kete alergji te kendoje „Ngrihuni ju o te munduar“.
    Nuk dyshoj ne asnje rast qe dikush nga ata qe jane betuar para flamurit te mos kene ze dhe te kendojne „Perreth flamurit te perbashkuar“.
    Nuk dyshoj!
    Po atehere cfare kane qene ata faktore qe i bejne tu bllokohen kordat e zerit per te mos nxjerre asnje vokacion kur shoku i tyre i luftes dhe i punes dergjet ne shtartit e vdekjes dhe u lutet te kendojne vetem nje kenge?
    Ndoshta shpirti tkurrur, ndoshta „mospershtatja me kohen“, ndoshta tmerri nga epiteti „,marksist“ a „komunist“, ndoshta shoqeria „moderne“ qe ka misherruar tek ata nje autocensure te ndergjegjes, ndoshta….nga t`a di une.
    Sa pak ka sot kjo Shqiperi njerez te lire ne shpirt, qe te besojne ne ate qe duan ne nje shoqeri materialiste. Por per nje gje jam i sigurte se kam njohur njerez qe ne cdo sistem dhe shoqeri nuk e kane tradhetuar shpirtin e tyre. Ata kane qene gjithmone te heshtur, te padukshem, por ne nje dite, ne nje moment te vetem ata kujtohen dhe lartesohen pary syve tane si nje vegim i ardhur nga qielli per ate qe kane bere ne jeten e tyre.
    Me ate „padukshmerine“ e tyre ata na mbeten dhe na nguliten ne mendjet tona si kujtime plot vlera dhe virtyte te cilat zor se na veniten ne vite.
    Ai, Memo, qe perfaqeson ata dinjitare te heshtur nder kohera nuk kishte marre as dekorata dhe as medalje plot mirenjohje dhe lavdi nga kjo ose ajo qeveri. Jo, ai i beri ata, noshta te dekoruar, qe te turperohen para lutjes se tij te fundit per te kenduar vetem nje kenge me nje rresht vizionar „per te ndertuar nje botet e re“.
    I beri te turperohen dhe te nxjerrin zerat e tyre te zvargur per kengen:
    Mbece more shoke, mbece
    pertje ures se Qabese“
    Po, ata kishin mbetur „pertej ures se Qabese“ si hije me shpirtera te ndrydhur dhe te vdekur mbi kete toke, kur ai vete mori fluturimin drejt perjetesise.
    Si shpirtera ku virtyti dhe qenia e te qenit njeri me bote dhe zemer te madhe kishte avulluar nder vite.
    Ata mbeten ne „shkretetirat e Qabese“ ndoshta me gjokse te mbushura plot me dekorata fallco te marra nga paria e krundeve te shoqerise shqiptare.

    Ishte nje tregim, sigurisht i dale nga nje zemer myzeqare si e Nasho Jorgaqit.

    Reply to this comment
  8. Niku January 15, 21:20

    Me bene pershtypje me shume komentet se sa shkrimi i Jorgaqit. Ne qe kemi jetuar ate kohe, e dime se kishte pervec censures edhe autocensure si ne kete shkrim, e cila ishte me e theksuar tek ai grupim njerezish qe i vilnin frutet atij sistemi dhe e ndruan lekuren te paret ne sistemin kapitalist. A nuk ishte Berisha nje i tille? Po keshtu edhe Kadareja? Une e kuptoj shkrimin e Jorgaqit jo per shumicen e asaj kohe por per pakicen qe mund ta shohesh qarte sot se kush jane. Pra sot ata jane te fuqishem politikisht dhe oligarkisht dhe te bejne gjemen. Virtyti i shumices ishte shume me lart se ky i sotmi ku ka humbur kuptimin e kesaj fjale dhe eshte zevendesuar me fjalen shkerdhatokraci.

    Reply to this comment
  9. Biri i Partizanit January 16, 00:13

    Ky tregim zhvlehteson tre gjitha sa ka shkruar ky njeri ne kohen e socializmit!
    O do kete mbetur troke,o dio jetre shtreguar ta beje me zor!
    Nuk ke kohe te korigjohesh,o Nasho,se je pleqeri!
    E ke dhjere,o Nasho me ketre palo shkrim!
    U bere edhe ti analist shtypi me pagese!
    A te kujtohet gje Migjeni i madh,o Nasho?
    ja,AI ishte shkrimtar qe i beri radiograsfine satrapit Zogolli sa qe gjalle tradhetari,ndersa ti e drodhge,prandaj do harrohesh shpejt!
    Po LUFTEN E KLASAVE te swotme a nuk e ke paree,zotrote apo te kane plasur syte nga pleqeria?
    A nuk te bejne pershtypje ty qe ky sistem i krijoi mundesine nje grushti horrash te behen miliardere,ndersa shumica e popullit nuk ushqejne dot femijet?

    Reply to this comment
  10. alphade January 16, 00:22

    Nasho, sa per “vetmine” e Memos, mos na fol. Ju perso-
    nalisht jetoni pothuajse ne qender te Tiranes dhe perdite
    ju shoh fillikat te vetem . Rralle here ju shoh t’i buzeqesh-
    ni ndonje te njohuri dhe vetem kaq. “Enahenacionin” e ta-
    nishem nuk ka burre nene,e jo me shkrimtar qe ta per-
    shkruaj, qe une do ta krahasoja me “vetmine e Kamusit”
    ne varrimin e nenes se tij,ku dritat e zbeta, tymi i duhanit
    dhe njerezit si hije “belbezonin” me ze te ulet ne ate fune-
    ral . Any way ! Po nuk na thate : zoti Nasho,sepse paske
    pushuar se qenuri shok,me sa duket, nuk the se me cfare
    gastareje e ka “krojtur” Ai personazhi yt sepse ajo kohe
    vertete ishte teper e eger ne “Luften e klasave” ,por jo pa
    shkak i kopanoste ata qe “kapercenin shume hunj” ,sido-
    mos ne rastin konkret qe ju e pershkruani si “luftetar te
    Spanjes ” dhe “partizan” te LNCL. nuk hudheshin kaq ko-
    llaj ne “garbage”..! Edhe Ti Nasho paske “dale nga rruga e zotit”! Fraza e fundit eshte per humor…….!

    Reply to this comment
    • interesant ! January 16, 12:27

      si mundet ti buzeqeshet ,
      asaj kasapane njerezore ,
      asaj pamje apokaliptike te jetes shqiptare
      ku injoranca pellet maje plehut nga mengjezi e deri ne darke ,kur ti qytetari atij vendi ,
      befasohesh ne cdo zgjim ,zhgenjehesh ne cdo veshtrim vs asaj Bote ,ku gjithcka tingellon absurde e pajete !

      Reply to this comment
  11. alphade January 16, 01:53

    Komenti im……

    Reply to this comment
  12. halleluja... January 16, 10:56

    Shqiptaret kane aq shume nevoje si shoqeri ,
    te konfrontohen me difektet ,te metat e ksaj shoqerie ,
    nqs duam qe ato ti riparojme ne jete ,nqs duam qe te ndryshojme dicka ne jeten tone ,ashtusi ka vepruar cdo shoqri e botes se civilizuar .
    Dhe i nderuari Shkrimtari Nasho Jorgaqi ,pikerishte kte tenton ,provokon nji debate qytetare , godet nji te mete te shoqerise tone shqiptare ,nji ves,qe i ka kushtuar jopak shoqerise shqiptare .Edhe kur dikush ,heq ose mundohet te heqi ,nji dru te shtrember nga stiva e ksaj shoqerie ,dalin te ashtuquajtur Kritik dhe jo vetem kundershtojne shkrimin ,por i kerkojne te mos shkruaj sipas tyre gjera pavlere ! Kush jeni ju mor ? Cfar do te thto ky mentalitet ,i te bllokuarit ,se diskutuari ,si qytetare nji problem qe demton mentalitetin ne ate shoqeri ,ne nji kohe ,kur si shoqeri kemi aq shume nevoje te diskutojme ne kto nivele ,kto tematike . -Shkruaj pra Ti, qe i del kundr ktij shkrimi .Kjo jete konsiston ne levizje ,qe do te thote jete Kte tenton e ben Shkrimtari .Te ver dicka ne levizje . Keni 28-vjet si ata qe i keni hip ati zisit (makines se kohes komunizmit) si me qen thase hibrite ,i X-kooperative ,qe udhetoni mbas politikes me idiote qe kjo Bote mundet te ket pare ndonjiher .Kudo Bota konfrontohet me realitetin ,por edhe me te metat e shoqerise ,qe i takojne se kaluares . Njeri duhet te shkruaj ,e kerkoj debat mbi X -teme dhe kte po ben shkrimtari . Kush duhet ta bej tjeter ? Aty duket sikur ka vdekur cdo shpirt qytetari . Mos vall duhet te heshtim e shpresojme qe Neser,mbasi gjithcka te ket marre fund ne shoqerine Shqiptare (sepse drejt saj eshte duke shkuar) te ngrihen nga varri inteligjenca “e fjetur tashme” shqiptare (Noli,Fishta,Cajupi,Migjeni,Ali Asllani etj) dhe te shkruajne e formojne ashtusi ne duam shoqerine dhe shtetin e fantazmave ?!
    Shkruani pra ,flisni,debatoni per problemet qe mbajne larg shoqerise njerezore kte vend ? Kritikoni ,e jepni mendimin tuaj ashtusi ju mendoni ,por jo te bllokoni iniciativen e debatit . Nji mentalitet i stilit Taliban duhet te perjashtohet nga shoqeria jone ,perndryshe injoranca triumfon mbi gjithcka.
    ——————————————————
    Sinqerishte eshte mjafzt befasuese nji mental i tille .
    Si mundet te zhvillohet ajo shoqeri ,si mundet te ndryshojme ne ,nqs nuk shkruhet ,nuk debatohet ,per problemet ne kte shoqeri qe i kemi aq te medha ,por mbeshtetemi e rehatohemi mbi ate Mullar problemesh ,si te ndjehemi ok ne ate pozicion dembeli te talentuar .
    Kjo eshte marrezi .Ajo ska brire .Saher shkel ne te tilla hapsira /boshlliqe te trurit atij mentaliteti , pyes vehten me cilen semundje te asaj bote do konfrontohemi perseri e perseri e perseri ,pa fund !!!
    Por pyetja me absurde qe vjen nga gjithe kjo kakofoni mentale eshte akoma me e trishtushme ,eshte nji Dileme shume shqetesuse ,qe do te thote ; S’duam ne shqiptaret ,te diskutojme si njerez te civilizuar ,apo s’e lejojme vehten te hyjme ne ato hapesira te arsyeshme mendimi ?! – Un e kuptoj se mundet te ket edhe nga ata ,qe ndihen komode ne ate marrezi ku ka dekantuar ajo shoqeri ,por jo te gjithe mundet te jetome e behemi te padukshem ne kte jete mbuluar nga ajo perde ,ajo mjergull e absurditetit .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*