Hakmarrja, Hamdi Haklaj i çon ‘mesazh’ Berishës, i vret mikun Ram Hasan Hoxha

Artan Hoxha June 30, 2013 20:22

Hakmarrja, Hamdi Haklaj i çon ‘mesazh’ Berishës, i vret mikun Ram Hasan Hoxha

11

 

Speciale nga gazetari investigativ Artan Hoxha, Dosja ‘Tropoja’. Vrasja e Ram Hoxhës, mik i Berishës, mesazh i Haklajve për bashkëqytetarin e tyre Sali Ram Berisha. Arratisja e Hamdi Haklajt pas riardhjes së Berishës në pushtet dhe arrestimi më 12 mars 2007 nga agjentët e Interpolit në Goteborg të Suedisë. Shkatërrimi i kullës me tritol, hakmarrja e radhës ndaj familjes Haklaj.

 

Artan Hoxha: Më 19 shtator 2005, vetëm katër ditë pasi qeveria Berisha bëri betimin, 80-vjeçari Muharrem Haklaj, përballë hasmëve që tashmë ishin në pushtet, mori arratinë jashtë vendit.

Plaku i Haklajve mori nipat dhe mbesat jetime të djemve të tij të vrarë dhe iku nga Shqipëria, duke u betuar për marrjen e hakut të fëmijëve të vrarë.

 

(vijon nga numri i kaluar)

 

Emri i Hamdi Haklajt gati ishte harruar fare deri më 10 qershor 2004, kur ai u rishfaq sërish për të treguar se ishte ende gjallë. Vëllai i madh i Haklajve, Hamdiu, u hakmorr për vrasjen e vëllait të vogël të tij, Ylli Haklajt. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:45 në vendin e quajtur Qafa e Rumikut, pranë lagjes Hoxhaj të fshatit Kërnajë. Viktimë e kësaj prite ishte Ram Hasan Hoxha, ndërkohë që u plagos rëndë me një plumb në kokë, mbesa e tij, Fatmira Zenel Hoxha, e cila vdiq tre ditë më pas në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ram Hoxha 69 vjeç, së bashku me gruan dhe disa të afërm të tij, ishin nisur për ngushëllim në një vdekje që kishte ndodhur dy ditë më parë në lagjen Hoxhaj të fshatit Kërnajë, ku banon edhe familja e Haklajve. Këta të fundit duket se e kanë pritur këtë rast dhe nuk e kanë lënë t’u ikë nga duart.

 

PRITA

Viktima dhe familjarët e tij lanë fshatin dhe iu drejtuan një rruge këmbësorësh, por në vendin e quajtur Qafa e Rumikut, atyre ua ka prerë rrugën një person me shtat të fuqishëm dhe i veshur me uniformë ushtarake (kamuflazhi). Personi i veshur me uniformë ushtarake nuk e ka zgjatur, por ka qëlluar me të vetmin qëllim, për të vrarë Ram Hoxhën që ka vdekur menjëherë nga plumbat e shumtë që ka marrë. Në këtë ngjarje u plagos aksidentalisht me një plumb në kokë edhe Fatmira Zenel Hoxha, mbesa e viktimës dhe vajza e vëllait të tij. Policia lokale e mbështetur edhe nga dy grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që ndodheshin të stacionuara në Tropojë, nisën një operacion kërkimi menjëherë sapo morën informacionin për ngjarjen. Sipas policisë vendore rezultoi se, në vendngjarje përveç dy viktimave ishin dhe Rexhep Hoxha, Valmira Hoxha, Servete Hoxha, Zenel Hoxha, Nafie Hoxha dhe Adem Sadiku. Policia pasi mori deklarimet e dëshmitarëve okularë, arriti në përfundimin se objektiv i kësaj prite ishte vetëm Ram Hoxha, ndërsa mbesa e tij u plagos aksidentalisht. Në vendngjarje u bllokuan në cilësinë e provës materiale 15 gëzhoja model 56, identike me ato që përdoren për automatikun tip Kallashnikov.

 

MESAZHI

Disa orë më vonë u shpall në kërkim Hamdi Haklaj. Ram Hoxha kishte lidhje farefisnore me Rasim Lumneshin, i ekzekutuar gjatë atentatit të kryer nga motra e vogël e Haklajve. Me vrasjen e Hoxhës, Hamdiu i kishte çuar një mesazh ish-presidentit Berisha, pasi viktima ishte njëkohësisht dhe mik i familjes së tij. Hamdiu e akuzonte Hoxhën se kishte ndihmuar komandon e cila vrau me snajper Ylli Haklajn dhe ndërmori disa sulme të tjera ndaj kullës së tij. Qysh nga kjo ngjarje silueta e Hamdi Haklajt nuk u shfaq më, deri më 12 mars 2007 kur u arrestua nga agjentët e Interpolit në Goteborg të Suedisë. Urdhri i arrestit në mungesë për Hamdiun, u lëshua nga gjykata më 17 maj 2005, gati një vit pas vrasjes së Qafës së Rumikut. Vëllai i madh i Haklajve është duke u gjykuar në mungesë, ashtu si e motra, Zylfija, në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë dhe ende nuk është provuar autorësia e tij për vrasjen e Ram dhe Fatmira Hoxhës. Drejtësia suedeze ka refuzuar kërkesën për ekstradim të Hamdi Haklajt të bërë nga shteti shqiptar me motivin se atij i rrezikohet jeta nëse kthehet në atdhe, ku për më tepër është akuzuar politikisht pa u cilësuar fajtor nga gjykata. Pas kësaj ngjarje, policia e Tropojës mori disa denoncime për tentativa që u bënë nga persona të armatosur, të cilët synonin të godisnin motrën e madhe të Haklajve, Aishen, drejtoreshë shkolle në Bujan, si dhe familjen e saj. E detyruar nga këto denoncime Ministria e Brendshme urdhëroi policinë e Tropojës të merrte masa për të siguruar jetën e Aishe Bashës dhe familjes së saj që banonin në fshatin Dojan.

 

KËRCËNIMI

Ndërrimi i pushtetit më 3 korrik 2005 dhe ardhja në krye të vendit e opozitës që drejtohej nga ish-presidenti Berisha, u kthye në një ogur të keq për të mbijetuarit e Haklajve. Muharrem Haklaj e kishte akuzuar vazhdimisht Berishën si njeriun që qëndronte pas komandove vrasëse të djemve të tij. Më 19 shtator 2005, vetëm katër ditë pasi qeveria Berisha bëri betimin para presidentit Alfred Moisiu, Muharrem Haklaj nxitoi të merrte arratinë për tu larguar së bashku me familjen nga kulla e fortifikuar në fshatin Kërnajë të Tropojës. Pavarësisht moshës së thyer, afër të 80-tave dhe sëmundjes së bashkëshortes së tij, plaku i Haklajve mori nipat dhe mbesat jetimë të djemve të tij të vrarë dhe iku një orë e më parë prej Shqipërisë. Ai e motivoi këtë largim, të detyruar, për t’i mbijetuar eliminimit fizik që i kërcënohej jo vetëm atij por dhe fëmijëve të familjes. Ngjarjet që rrodhën pas largimit të Haklajve nga Shqipëria i dhanë plotësisht të drejtë për zgjidhjen që kishte bërë. Plaku i familjes Haklaj tha për medien se u largua menjëherë pas formimit të qeverisë Berisha në mes shtatorin e vitit 2005. “E dija se çfarë më priste, jo vetëm mua, por të gjithë, deri dhe nipat e mbesat e vogla, jetimët e djemve të vrarë. Duke mos parë rrugëzgjidhje tjetër, vendosa ta braktisja kullën në pleqëri”, tregon Muharremi.

 

SULMET

Pak javë pas largimit të pjesës së mbijetuar të familjes Haklaj nga kulla e fortifikuar rrëzë të Shkëlzenit, nisën një seri atentatesh me snajperë dhe mitraloz të rëndë që synonin të godisnin, personin i cili u la në ruajtje të kullës bashkë me familjen e tij. Më 19 shtator 2005, plaku i Haklajve nënshkroi një kontratë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e kullës me një të afërm të tij, Manush Selivradën, nga fshati Bradushnicë. Selivrada u vendos në kullë së bashku me familjen, nënën në moshë të thyer, gruan dhe katër fëmijët e vegjël. Pasi u njoftuan për largimin e Haklajve, kundërshtarët e tyre tashmë të mbrojtur dhe nga të sapoardhurit në pushtet, u hodhën në veprim. Fillimisht ata goditën njerëzit e afërt të Haklajve, që i kishin furnizuar me ushqime apo që kujdeseshin për pronat e tyre për të pastruar terrenin para se t’i jepnin dorën e fundit kullës së fortifikuar.

 

ANTITANKU

Të enjten e 20 tetorit 2005, një furgon i dy tregtarëve të vegjël që udhëtonte në rrugën Bajram Curri-Qafë Morinë u qëllua me antitank dhe mitraloz të lehtë. Ngjarja ndodhi në mbrëmje rreth orës 22:00. Autorët ishin të fshehur pas një bunkeri, në krah të rrugës që të çon për Qafë Morinë, afër fshatit Ahmataj. Ata kishin si objektiv një nga nipat e Haklajve pasi e përzgjodhën pikërisht furgonin e tij, nga tre mjete që po ecnin në autokolonë njëri pas tjetrit. Për fat të mirë predha e antitankut që goditi furgonin, u zhyt poshtë ngarkesës me gështenja, duke u shpëtuar jetën dy tregtarëve. Më pas, autorët e pritës hapën zjarr me mitroloz të lehtë, por pa ia arritur qëllimit. Lirim Nukshiqi 32 vjeç, u plagos rëndë dhe u dërgua me urgjencë në spitalin e Prishtinës, ndërsa nipi i Haklajve, Blerim Lanaj pati vetëm plagosje të lehtë. Pas këtij atentati nipat e Haklajve u larguan nga Tropoja për t’i shpëtuar vdekjes së sigurt, pasi policia as që e mori mundimin të zbulonte autorët. Përkundrazi, u dha versioni se poshtë gështenjave, pronarët e mjetit kishin shpërthyer aksidentalisht një bombël gazi.

ATENTATI

Gjashtë javë nga ky atentat u krye një tjetër pritë, këtë radhë në mes të ditës dhe vetëm dy kilometra nga qyteti i Bajram Currit. Më 7 dhjetor 2005, rreth orës 15.30, fuoristrada tip Toyota “Land Kruisser”, me karroceri e ngjyrë të bardhë, ish-pronë e Ylli Haklajt, u godit me breshëri kallashnikovi sapo del nga qyteti i Bajram Currit në drejtim të fshatit Markaj. Atentatori ishte fshehur brenda një tuneli që ndodhet pranë urës së Shudenicës. Në Toyotën e Ylli Haklajt, udhëtonin vjehrri i tij, Gani Zeneli 70 vjeç, me dy djemtë. Në timon ishte djali i madh i Ganiut, Besnik Zeneli, ish-polic i komisariatit të Tropojës, që punonte në zjarrfikëse dhe djali i vogël, 18-vjeçar që kthehej nga gjimnazi. Gani Zeneli ishte administrator i “Bingo Gashi” në qytetin e Bajram Currit, pronë e plakut të familjes, Muharrem Haklaj dhe Petrit Brahës. Atentatori ka qëlluar një breshëri të tërë mbi Toyotën duke e bërë shosh nga plumbat, por manovrimi i shpejtë i Besnik Zenelit dhe fati bëri që të mos ketë asnjë viktimë. Atentatori ia ka dalë të çajë njërën gomë të Toyotës, por nuk ka mundur t’i afrohet asaj, pasi plaku Gani Zeneli, i është kundërpërgjigjur me një breshëri kallashnikovi nga ndenjësja e pasagjerit.

 

ÇARMATOSJA 

Pa u zbardhur 9 prilli i vitit 2006, trupat RENEA të mbështetura nga mjete të blinduara rrethuan kullën e Haklajve. Ata hynë në ambientet e brendshme të kullës shekullore me një informacion se në banesë ndodheshin Hamdi e Zylfije Haklaj të shpallur në kërkim me vendim të gjykatës. Në banesë ndodhej vetëm Manush Selivrada dhe familja e tij. Gjatë kontrollit trupat RENEA gjetën një arsenal të tërë armësh dhe paisjesh luftarake të djemve të vrarë të familjes Haklaj. Ata bastisën çdo cep të kullës për ta çarmatosur tërësisht atë. Muharrem Haklaj akuzoi nga jashtë vendit kryeministrin Berisha dhe njerëzit e tij se po kërkonin të hakmerreshin edhe ndaj kullës së braktisur. Disa ditë pas kontrollit në Kullë, u përjashtua nga radhët e policisë së kryeqytetit vajza e motrës së madhe të Haklajve, Arlinda Basha, vetëm pse ishte mbesa e Hamdi e Zylfie Haklajt. Fakti që ajo kishte qenë gjithnjë korrekte në punë, madje sapo kishte fitur testimin për një detyrë më të lartë, nuk i duhej askujt.

SULM KULLËS SË HAKLAJVE

E çarmatosur nga forcat RENEA kulla e Haklajve mbeti thjeshtë një objekt po mbrojtje. Por kundërshtarët e tyre e donin atë tërësisht të rrafshuar. Për tia arritur këtij qëllimi ata duhej të largonin më parë Manush Selivradën dhe familjen e tij nga Kulla. Tani ata nuk kishin me frikë se mund të goditeshin nga rojet e kullës, pasi policia u kishte marrë çdo armë që kishte gjetur. Fillimisht Manush Selivrada 46-vjeç, u kërcënua me telefonata anonime të largohej nga kulla se do ta vrisnin. Më pas u qëllua dy herë me snajper. Paraditen e 18 qershorit 2006, rreth orës 10:30 ai u qëllua me snajper nga kodra me pisha pranë kullës. Objektivi i autorëve të sulmit nuk ishte ta vrisnin, por ta trembnin të largohej. Një muaj më vonë më 18 korrik, Manushi u qëllua serish me snajper, në orën 8.00 të mëngjesit. Këtë radhë plumbat i vërshëllyen më afër se herën e parë. Duke parë këmbënguljen e tij për të mos u larguar nga kulla, komando e panjohur vendosi të sulmonte me armë kundërtanke duke rrezikuar seriozisht shfarosjen e të gjithë familjes Selivrada.

Mesnatën e 24 korrikut 2006, Kulla e Haklajve u godit tre herë me antitank duke i shkaktuar dëme serioze në çatinë e saj.

Për fat të mirë nuk pati viktima në njerëz, pasi në momentin që u bë sulmi, ndodheshin tetë persona në banesë dhe mes tyre ishin katër fëmijë. Pas këtij sulmi Manush Selivrada u largua nga kulla duke e lënë atë në mëshirë të fatit, pasi në të kundërt rrezikonte të gjithë familjen e tij.

 

AISHE HAKLAJ

Një javë pas sulmit me antitank, motra e madhe, Aishja, e vetmja pjeswtare e familjes Haklaj që vazhdonte të lëviste lirisht, mori disa ustallarë dhe e riparoi çatinë e kullës. Por ky veprim vetëm sa i irritoi njerëzit e komandos që donin ta fshihnin nga faqja e dheut banesën shekullore. Mbrëmjen e të dielës së 13 gushtit 2006 rreth orës 22.00, pesë persona të armatosur dogjën kullën shekullore të familjes Haklaj në fshatin Kërnajë të Tropojës. Ata iu afruan kullës së fortifikuar nga pjesa lindore e saj dhe më pas u ngjitën në murin rrethues duke prerë telin me gjëmba. Të informuar mirë se në kullë nuk ndodhej askush, zjarrvënësit kanë pasur problem vetëm rezistencën e katër qenve të cilët i kanë neutralizuar me mjete rrethanore. Kulla e Haklajve është spërkatur me lëndë djegëse nga themelet deri në çati dhe më pas i është vënë zjarri. Ndërhyrja e zjarrfikëses dy orë më pas ka shpëtuar vetëm odën e pritjes, e cila ndodhej në një godinë njëkatëshe ngjitur me kullën, ndërtuar vitet e fundit. Kjo ishte hera e dytë që digjej kulla 200 vjeçare e Haklajve. Për herë të parë ajo ishte djegur nga ushtria Austro-Hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore

 

SHKATËRRIMI I KULLËS

Pas këtij sulmi Aishe Basha foli për mediet duke thënë se personat që i vunë zjarrin kullës ishin të mbrojtur nga policia. Ajo fajësoi kryeministrin Berisha se vrasësit e vëllezërve të saj ishin shpërblyer duke u graduar në detyra të rëndësishme në radhët e Policisë së Shtetit. Kundërpërgjigja erdhi flakë për flakë. Më 16 shtator 2006, e njëjta komando vendosi që ta mësynte dhe njëherë kullën e Haklajve, këtë radhë për ti larë hesapet përfundimisht me të. Autorët, që gjithmonë mbetën “të panjohur” për policinë, edhe pse vepronin haptazi, nuk u kursyen kur e minuan atë me 70 kilogram eksploziv. Nuk dihet sa orë i është dashur xhenierit që të realizojë lidhjet e eksplozivit, por nëse e gjithë sasia prej 70 kilogramësh do të ishte ndezur, atëherë nuk dihej çfarë pasojash mund të kishte sjellë për gjithë fshatin e zonën përreth. Vatrat e eksplozivit ishin lidhur në seri por në momentin e shpërthimit disa nga lidhjet janë shkëputur prej tronditjes, duke lënë pa aktivizuar afro 40 kilogram lëndë plasëse. Këtë radhë u rrafshua më shumë se 70 për qind e kullës shekullore dhe fortifikimeve të saj, madje u dëmtua keq dhe kulla e ish-deputetit demokrat Azgan Haklaj që ndodhet pranë saj. Plaku i Haklajve u përgjigj në media, se ai apo nipat e tij, do të ktheheshin serish një ditë, për ta rindërtuar dhe me të fortë se më parë kullën e gurtë në Kërnajë.

 

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI:

-Kush dhe pse u paralajmërua Azem Hajdari që të mos shkonte në Tropojë, angazhimi i SHIK-ut e policisë për t’i mbrojtur jetën.

-Çfarë ndodhi mesnatën e 12 janarit duke u zbardhur data 13 janar në grabitjen e 480 mln lekëve në Bankën e Kursimeve të Tropojës ku u mor peng drejtori. Cilët ishin personat e implikuar në këtë grabitje.

-Atentati io 4 qershorit ndaj Azem Hajdarit dhe plagosja e gazetarit të Televizionit Shtetëror Bardhyl Pollo.

 

Katër djemëve të vrarë të Haklajve u dhunuan dhe varret pas vdekjes

Pas çdo rasti policia vetëm bënte matje dhe mundohej ta kalonte ngjarjen pa bujë duke u përpjekur për ti servirur medies versione nga më të pabesueshmet. Reagimi i qeverisë dhe strukturave të shtetit për sulmet e njëpasnjëshme që ndodhnin në Tropojë ishte njëlloj sikur ato të ndodhnin diku në Lindjen e Mesme apo në Afrikë. Asnjëherë të vetme, drejtuesit e Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme, prokurorisë apo qeverisë nuk u prononcuan publikisht për këto akte të rënda kriminale. Çështja Haklaj ishte kthyer në një tabu, dhe gjithkush që mbante këtë mbiemër duhej të fshihej nga faqja e dheut. Duke përfituar nga indiferenca e çuditshme e qeverisë Berisha dhe strukturave ligj zbatuese të kontrolluara prej saj, komando e kundërshtarëve të Haklajve vendosi ti shkonte deri në fund punës që kishte nisur. Natën e 12 dhjetorit 2006, u sulmuan dhe u dhunuan varret e katër djemve të vrarë të familjes Haklaj, Shkëlqimit, Fatmirit, Halilit dhe Yllit. Ky akt i pashembullt dëshmon qartë se sa thellë ka shkuar urrejtja në Tropojë. Strukturat e shtetit duke përfshirë deri dhe politikanët më të lartë të dekadës së fundit, të majtë a të djathtë, në mos janë fajtorët kryesorë në atë që ka ndodhur me 150 të vrarët e “Dosjes Tropoja”, janë përgjegjës për mosndëshkimin e vrasësve. Dhjetëra e mbase qindra fëmijë të mbetur jetimë nga atentatet në Tropojë, më shumë sesa nëvojë për përkujdesje, duan drejtësi për prindërit e tyre të vrarë, që seriali i hakmarrjes të mos shkaktojë më viktima të tjera. A do të ndëshkohen ndonjëherë përgjegjësit e vërtetë të “Dosjes Tropoja”? Për momentin duket e pamundur që kjo pyetje të marrë një përgjigje konkrete.

Artan Hoxha June 30, 2013 20:22
Komento

12 Komente

  1. Maja e Hekurave June 30, 20:55

    Lufta civile ne Shqiperi e shperthyer per pushtet personal dhe pasuri nga Sali Berishaduhet te marrë fund duke cuar para drejtesise te pakten njeriun kryesor,Sali Berishën!Italia nepermjet kryeministrit Letta e deklaroi të perfunduar luften civile,megjithse qeveria italiane nuk ka vrare asnje qytetar te fajshëm a te pafajshëm!Eshte detyre e Rilindjes,të nderprese këtë zjarr vellavrasës duke cuar Berishën para drejtesise se vertet!Po presim!…

    Reply to this comment
  2. tim June 30, 21:54

    berisha duhet te paguaj per krimet dhe demet e medha qei ka shkaktuar shqiperise

    Reply to this comment
  3. SETKI July 1, 07:25

    -Per 20 vjet ne shqiperi jane bere vrasje e krime nga me mizoret me te keqia se ne Irak apo Avganistan dhe per cudi nuk eshte kapur apo ndeshkuar asnje njeri.perse…?-sepse autori eshte vetem nje pa as me te voglin dyshim satrapi SALI RAME BERISHA

    Reply to this comment
  4. liri a vdekje July 1, 08:02

    berisha dhe familja e tij sdo gjejn vrime ku te futen nga burrat trima te haklajve po edhe nga grate trime te saj ,pushka top o fisi haklaj dhe ngushellimet per te keqijat e sali serbit ndaj jush

    Reply to this comment
  5. BESNIK July 1, 11:05

    GJAKU NUK HARROHET

    Reply to this comment
  6. erion September 10, 16:44

    sali korleone

    Reply to this comment
  7. Pëllumb zaimi September 10, 19:15

    Krimineli sali berisha e ka mbytur ne gjak tropojën! Me gjak duhet ta paguaje dhe ky kriminel. Vazhdo z. Artan qe nëpërmjet dossierit tuaj te demaskoni ligjin e xhungles që instaloi saliu kunder bashkékrahinorëve te vet. Ke merita te veçanta artan ne investigimin dhe zbërthimin e dosjes banditeske te berishes. Kamera juaj me 21 janar e kapi kete bandit me presh ne duar. Jepi tani? Je gazetari me mbreselenes ne historine pluraliste te shqiperise! Nuk e di pse nuk je nderuar me ndonje çmim a dekorim deri tani!? Xhelozi,egoizem profesional,smire apo çfarë eshtë deri tani ky qendrim? Shoqata e gazetareve duhet të flasë! Nderime!

    Reply to this comment
  8. Pëllumb zaimi September 10, 19:17

    VR!!! Krimineli sali berisha e ka mbytur ne gjak tropojën! Me gjak duhet ta paguaje dhe ky kriminel. Vazhdo z. Artan qe nëpërmjet dossierit tuaj te demaskoni ligjin e xhungles që instaloi saliu kunder bashkékrahinorëve te vet. Ke merita te veçanta artan ne investigimin dhe zbërthimin e dosjes banditeske te berishes. Kamera juaj me 21 janar e kapi kete bandit me presh ne duar. Jepi tani? Je gazetari me mbreselenes ne historine pluraliste te shqiperise! Nuk e di pse nuk je nderuar me ndonje çmim a dekorim deri tani!? Xhelozi,egoizem profesional,smire apo çfarë eshtë deri tani ky qendrim? Shoqata e gazetareve duhet të flasë! Nderime!

    Reply to this comment
  9. fatmir October 12, 15:57

    ata jan ka pergatiten per finalen e madhe

    Reply to this comment
  10. A M kosov September 16, 23:02

    Respekt families Hallam

    Reply to this comment
  11. A M Kosov October 18, 19:54

    Respekt ffamiljes haklaj mashqit e haklajv ndihmuan Uqk ne tana mnyrat me Shpirt e Zemer Ishin Perkras Te uqk zoti i shperbleft ne Parajs Respekt muharrem haklaj me Famillje .

    Reply to this comment
  12. A M Topilla ks October 18, 20:05

    Respekt ffamiljes haklaj mashqit e haklajv ndihmuan Uqk ne tana mnyrat me Shpirt e Zemer Ishin Perkras Te uqk zoti i shperbleft ne Parajs Respekt muharrem haklaj me Famillje .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*