Bandat e 97-ës në Burrel, prokuroria kërkon 20 vite burg për Gentian Dodën

July 24, 2016 19:37

Bandat e 97-ës në Burrel, prokuroria kërkon 20 vite burg për Gentian Dodën

Prokuroria e Matit kërkon dënimin me 20 vjet burgim për Gentian Dodën, i akuzuar për vrasjen e Gazmir Dedjes dhe Asllan Gjokës, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 1997.

Autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja kanë qenë anëtarë të grupeve rivale në Burrel, konflikti ndërmjet të cilëve ka vijuar për shumë vite dhe me shumë viktima. Përplasjet e ashpra ndërmjet dy grupeve rivale janë shtrirë edhe në qytete të tjera. Në vitin 2010, në Tiranë është vrarë edhe vëllai i viktimës, Halil Dedja, i cili u gjet i vdekur në hyrje të pallatit ku banonte, raporton BW.

Ditën e ngjarjes së vitit 1997, autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja janë konfliktuar verbalisht dhe më pas, i pandehuri e ka qëlluar me automatik, duke e plagosur të rëndë. Nga plumbat ka mbetur i vdekur aksidentalisht Asllan Gjoka. I plagosuri ka mundur të mbijetojë vetëm dy ditë për shkak të plagëve të marra, por ka arritur t’u tregojë familjarëve se kush e kishte qëlluar, duke identifikuar Gentian Dodën.

Menjëherë pas krimit, i pandehuri është larguar jashtë Shqipërisë dhe është arrestuar në vitin 2012 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare. Pas ekstradimit, i akuzuari kërkoi rivendosjen në afat dhe rishikim të dënimit të dhënë më parë ndaj tij për këtë vepër penale. Çështja ndaj tij u shqyrtua edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi që gjykimi ndaj tij të zhvillohej sërish në gjykatën e shkallës së parë të Matit.

Në përfundim të hetimit, Prokuroria e Matit kërkon dënimin e tij me 20 vjet burgim, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”. Prokuroria nuk e ka akuzuar të pandehurin edhe për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”, për faktin se autoritetet amerikane e lejuan ekstradimin e tij vetëm për veprën e vrasjes.

July 24, 2016 19:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*