Halil Hasani, “Mic Sokoli i Malziut”

June 3, 2018 10:19

Halil Hasani, “Mic Sokoli i Malziut”

 

Një histori e rrallë e trimërisë shqiptare

Ali Hasani

Pista e Malziut është një perlë natyrore e minierë thesaresh, është dheu i kapedanëve, i lirisë e patriotizmit, por edhe një kështjellë qëndrestare në mbrojtjen shekullore nga sulmet e pushtuesve osmanë, austriakë, serbë, malazezë, italianë etj. Pista ka bërë pjesë në njërin nga 7 bajrakët e Pukës dhe është quajtur Nahija e Spasit, por që nga fundi i shekullit të 17-të ka marrë emrin Dheu i Malziut ose Malziu, emërtim i cili sipas studiuesit K. Ulqini, i është vënë për shkak të pyjeve të shumta, kryesisht me pishë të zezë (pinus nigra).

Mendohet se banorët e parë në Pistë të Malziut, kanë ardhur aty nga fundi i shekullit XIV nga Berisha e Mërturit të Pukës. Ato ishin katër vëllezër: Nik Pali, Kurt Pali, Brah Pali dhe Ahmet Pali, që ndër shekuj ata u shtuan dhe u bën një fshat i madh që krahas punës kanë mbajtur mbi supe pushkën dhe kanë bërë histori. Ngjarja më kulmore e historisë së Pistës e pistorëve të Malziut është qëndresa e tyre në luftën për liri e pavarësi në vitet 1912-1913 si dhe akti heroik i Halil Hasanit, njeriut që projektoi, ndërtoi dhe luftoi me top druri, duke goditur tri herë pushtuesit serbë, një histori e veçantë e trimërisë shqiptare.

Halil Mustaf Hasani ka lindur në Pistë të Malziut më 1884 në një familje me origjinë patriote dhe klerikale. Babai i tij quhej Mustafë, ndërsa e ëma Zarife. Halili ka pasur edhe tre vëllezër të tjerë, Imerin, Maliqin dhe Hysenin. Dy nga vëllezërit e tij, Maliqi dhe Ymeri qenë shkolluar si klerik mysliman dhe kanë shërbyer si imam njëri në Pistë dhe tjetri në Mamushë të Prizrenit. Ndërsa vëllai i fundit është marrë me bujqësi, blegtori si edhe me punët e shtëpisë. I ati, që në moshë të re konstatoi se Halili kishte aftësi të veçanta, prandaj e mbante gjithnjë afër vetes si në punët e shtëpisë, në gjueti, në dasma e lojëra popullore, në oda apo në kuvende burrash ku tregoheshin histori shqiptare apo këndoheshin këngë patriotike, epike e majëkrahut. Halili në atë kohë ishte edhe një djalë i zgjuar e plot shëndet, këmbëngulës dhe i prirur për të ndërtuar me duart e tij objekte praktike, çka kishte rënë në sy të prindërve. Vitet kaluan, Halili u rrit, u burrërua, u martua dhe për grua mori Havë Arifen, motrën e Ismail Arifit, një tjetër luftëtarë lirie që ishte nga derë e madhe në Vaspas. Më pas erdhi momenti kurë Halili Hasani vendosi të shërbente në ushtrinë osmane. Falë inteligjencës dhe aftësive praktike, ai u përzgjodh dhe u përgatit në kompaninë e artilerisë dhe pastaj ka shërbyer në repartet e ushtrisë osmane si komandant artilerie për më shumë se tre vjet. Situata e krijuar me marrjen e pushtetit nga xhonturqit, fillimi i kryengritjeve të përgjithshme shqiptare antiosmane dhe fillimi i Luftës Ballkanike, bënë që si shumë patriot të tjerë shqiptarë edhe komandant Halili të kthehej në Atdhe për të mbrojtur trojet amtare nga një plan tepër djallëzor, pushtimi e copëtimi nga aleanca serbo – malazezo – bullgaro – greko – ruse. Lufta ballkanike filloi.

Më 30 tetor 1912 Mali i Zi me 30 mijë trupa, i mbështetur nga Serbia, u fut në Shkodër. Brenda një jave serbët dhe malazezët filluan pushtimin e tokave të Shqipërisë së Veriut, me pikësynimin final daljen në Adriatik. Në këtë situatë 24 mijë forca turke nën komandën e Hasan R. Pashës dhe 15 mijë rezervistëve shqiptarë nën komandën e Esat Pashës, mbrojtën heroikisht me armë në dorë për 6 muaj rresht Kalanë dhe qytetin e Shkodrës. Në këtë luftë morën pjesë edhe 60 malzias midis të cilëve edhe artiljeri Halil Hasani nga Pista i cili sapo ishte kthyer në Atdhe. Ai luftoi trimërisht kundër Malit të Zi e serbëve dhe në betejë e sipër u plagos në Shtoj të Shkodrës, çka e detyroi të mjekohej nga mjekët popullorë. Për këtë akt heroik Halili është dekoruar nga Presidenti i Republikës Z. Sali Berisha me urdhrin “ Për veprimtari patriotike të klasit dytë “, me motivacion “Luftëtar i shquar në mbrojtjen e qytetit të Shkodrës nga pushtuesit serbo-malazez në vitet 1912-1913, Tiranë 3.6.1993, Dekret Nr. 547 “

Por sa mbërriti në Pistë, Halili u gjend përpara një situate të re. Më 10 nëntor 1912 Ministria serbe e luftës urdhëroi divizionin “ Drina 2 “ të armatës së III të dislokuar në Gjakovë që të sulmonte Shqipërinë…(shkruante Boris Ratkovic) dhe përmes luginës së Drinit të mbërrinte në Shëngjin. “Drina 2” ka pasur një efektiv të përgjithshëm me 9219 trupa ushtarake të pajisur me armatimin më modern të kohës përfshi 7 batalione këmbësorie, 10 topa malorë, 12 mitraloz, 2 eskadronë artilerie, dy çeta të xhenjos etj. Nga Gjakova serbët kaluan në Has, në Qafë Prush, Golaj, Krumë dhe përmes Urës së Vezirit sulmuan të gjitha fshatrat e krahinës. Në përpjekje për të penguar serbët në rrugëtimin e tyre pushtues për në Shëngjin e Adriatik, pistorë e malzias u vetëorganizuan në çeta patriotike antiserbe. Në Pistë ishte ngritur dhe vepronte çeta e Halil Hasanit, një artiljer me përvojë, në Spas ishte ngritur çeta e Ismail Arifit dhe në Shikaj çeta e Beq Hoxhës. Me thirrjen : ” 7 e më 70 të gjithë të mbrojmë Atdheun nga pushtuesit serb“ u ngritën në këmbë burra e gra nga Pista e Malziu. Në ndihmë të tyre shkuan edhe vullnetarë nga bajrakët e Thaçit, Iballes, Kabashit, Lumës e Hasit sipas lidhjeve miqësore, shoqërore e të gjakut, që mbështetën luftëtarët popullorë të Pistës e Malziut, në mbrojtje të trojeve kombëtare. Heroikën e atyre ditëve të stuhishme na e sjellë Znj. Kristina Marku në vargjet e këngës: “Po na vinë si degët e lisit/ Rend e rend burrat e fisit/ 7 bajrakët s’bashku për jetë/ Kanë luftu ata me serbët “ …

Luftëtarët popullorë të Pistës kishin siguruar bashkëpunimin edhe me krerët më në zë e më trima të Malziut. Betejat e ndërmarra prej tyre zgjatën disa muaj dhe kulmuan me luftën heroike e qëndrestare të çetës së Pistës e udhëheqësin e sajë legjendarë Halil Hasanin. Këtu mundë të përmendim shokët kryesor të çetës së tij si : Haxhi Brahimi, Maliq Mustafa, Hasan Alia, Sadik Rama, Hysen Mustafa, Zymer Velia, Rezhep Hyseni, Mustaf Alia, Rrustem Uka, Ymer Mustafa, Isuf Ibra, Muzli Bajrami, Sheqer Elezi, Zeq Tahiri,… Për të përballuar një armik si Serbinë e armatosur me armët më moderne të kohës, në situatën e krijuar Halili Hasani ftoi në një kuvend burrat më të mençur e më trima pistorë pse jo edhe malzias të cilëve u foli për masat urgjente që duheshim marrë, si edhe u propozoi që pushtuesin serb përveçse me kmesa, sakica e petica do ta prisnin edhe me top. Por, shtrohej pyetja kush do ta ndërtonte topin ? Pas shumë konsultimesh kuvendi vendosi që topi të ndërtohej me mjete rrethanore e sipas projektit të hartuar nga komandant Halili dhe konkretisht u zgjodh druri i dardhës së egër si druri më i fortë. Kështu bashkë me 12 pistorë të tjerë, Halil Hasani, ndërtoi “ topin e dardhës “. Sipas projektit, topi u realizua me një gjatësi 1.2 m. dhe u shtërngua me 12 rrathë çeliku, të cilët i përgatiti Preng Kovaçi prej Kryeziut të Pukës i ardhur në Sakat, punë për të cilën u shpërblye me 5 napolona të kohës. Municioni, 3 mushka me barot e dhjetra gjyle për mbushjen e topit i siguroi Bajram Jashari nga Mgulla, që i kishte marrë në Mat.

Halili, “Topin e dardhës” u vendosi në Kodërkuqël të Pistës, në një pozicion që kontrollonte të gjitha lëvizjet e armikut në krahinë. Ishin përgatitur edhe vend fortifikimet për vendosjen e topit si dhe hendeklidhjet për lëvizjen e luftëtarëve në 2 km. gjatësi, që fillonin nga kodrat e Adem Adllahut, në qafë të Kamthiut e deri në livadhet e egra. Nga ai pozicion, pistorët kishin në kontroll lëvizjet e forcave armike që po i afroheshin Pistës. Prandaj në momentin më të favorshëm për të goditur serbët, Komandant Halili tërhoqi litarin dhe shtiu me top kundër tyre në drejtim të Bokave të Rrustem Metës dhe Lakut të Kaprresë. Qitja e parë me top e pistorëve, u dëgjua në gjithë krahinën dhe rezultoi mjaft e suksesshme për luftëtarët e lirisë. Këtë ngjarje populli e ka përjetësuar me vargjet e këngës që këndohet prej 105 vjetësh:

“Halil Hasani, burr’ drague,. “Topin dardhe” e ka mbarue/ Populli i Pistës ka ba gajret / ka luftue me top të vet…..”.

Në vlerësim të kësaj ngjarje dhe vepre historike, Dr. Profesor Shefqet Hoxha, gjuhtarë, historian, albanolog e studiues i spikatur kuksian ka shkruar: “Ndërtimi i një topi prej druri të dardhës për të luftuar pushtuesin serb në Pistë (Malzi) nga Halil Hasani (1913) është një vepër, në mos unike, tejet e rrallë ndër shqiptarë” (Shefqet Hoxha, Vepra “ Malziu “, Tiranë 2013, fq. 8, parag. 1).

Lufta vazhdoi më tej… Edhe goditja e dytë me topin e dardhës pati jehonë të madhe në gjithë krahinën e Malziut e më gjerë, ajo rriti klasin e qëndrestarëve të lirisë. Në kohën që Komandant Halili përgatitej për qitjen e tretë, në momente entuziazmi e gëzimi të pa përmbajtur e mbushi tej mase me barut e saçme “topin“ e tij. Ai piskati me të madhe si në këngët majë e krahut, sa u dëgjua në gjithë krahinën: “Oooooo prite serb Topin e dardhës “, dhe goditi për të tretën herë mbi forcat serbe. Ky ka qenë edhe momenti më kulmorë por që tronditi së tepërmi armikun. Predhat kishin rënë mbi objektiv dhe përpara këtij fakti ushtarët serb kujtuan se aty po luftohej me ”derzhavë” apo shtet tjetër, prandaj filluan tërheqjen.

Ndërsa për palën tonë ndodhi ajo që nuk pritej: Topi i dardhës nga tej mbushja dhe tej nxehja e madhe mori flakë dhe në atë zjarr të madh e përvëlues ai plasi se u hapën edhe rrathët. Si pasojë u dogj së gjalli edhe komandanti ynë legjendar Halil Hasani bashkë me topin “ bumzakun ” e tij të dardhës. Ai ra heroikisht, si bien trimat përballë armikut në mbrojtje të Pavarësisë të sapo shpallur, në mbrojtje të Flamurit dhe të Atdheut, në Kodërkuqël në Pistë të Malziut duke bërë histori, çka për atë kohë përbën një vepër tejet të rrallë për gjithë shqiptarët. Serbët të tronditur dhe të tmerruar nga efekti goditës e gjëmimi i madh i topit, u tërhoqën përkohësisht. Madje në atë moment patën njoftuar edhe eprorët e Beogradit se shqiptarët këtu janë të pajisur edhe me topa. Të nesërmen serbët më të përforcuar, sulmuan përsëri Pistën. Lufta vazhdoi në gjithë fshatin e deri në breg të Goskës tek shtëpia e Ram Ethemit. Serbët pushtuan Pistën, e dogjën, e shkatërruan tërësisht, ata vranë 26 pleq plaka dhe fëmijë midis të cilëve edhe kryeplakun e fshatit Sadik Ramën që pasi e ropën për së gjalli, i prenë edhe kokën të cilën ja ngulën mbi një hu gështenje në vilat e Petkajve. Një nënë burrneshë nga Pista për të mos rënë në duart e serbëve, u hodh nga shkëmbinjtë e malit të Korrilës dhe aty vdiq. Hava e Hysen Ukës fëmijë shumë i vogël, në rrëmujën e ikjes së familjeve, pati ngelë në mes të bjeshkëve të Thaçit. E vetmuar ajo mbijetoi për 17 ditë duke lëpirë gurët ku hidhej kripë dhe duke pirë uji në lugjet e një mrizi bagëtish në mes të bjeshkëve. Të mbijetuarit e Pistës e Malziut, burra, gra, pleq, plaka, fëmijë, të lodhur, të uritur dhe të rraskapitur u bënë pjesë e një udhëtimi biblik që për tu vetëmbrojtur u fshehën në thellësi të bjeshkëve të Thacit, Iballes, Mëziut, Miliskasë dhe Berishës. Ajo ka qenë një lemeri vërtetë, e pa parë dhe e pa dëgjuar më parë. Fëmijë, gra, pleq e plaka që qanin e rënkonin nga plagët e dhimbja për të vrarët e dashur në këtë luftë gjakatare. Ato ishin njerëz të pafajshëm që luftuan për të mbrojtur vatanin por që ajo luftë i vrau, i hodhi në mes të pyjeve, ku për shtrojë kishin vetëm tokën e ftohtë e për mbulojë qiellin e hapur dhe si ushqim vetëm barishte.

E njëjta tragjedi si me Pistën ndodhi në gjithë fshatrat e Malziut. Kujtojmë: Në Spas serbët vranë e masakruan 26 veta, në Shikaj e Dukagjin 22 veta, në Kryemadh 36 veta, në Kalimash 34, prej të cilëve 9 vetëve u prenë kokat, në Mgullë e Gdheshtë u masakruan barbarisht 70 burra, gra, pleq, plaka si edhe fëmijë në djepe të cilët serbët i kanë therë me bojaneta si berret. U plaçkitën shtëpitë, pasuritë, e çdo gjë që gjendej mbi tokë. Malziut ju vu zjarri. Si rrallë në ndonjë krahinë tjetër në Shqipëri u dogjën dhe u bënë shkrumb e hi fshatra të tërë si Pista, Gdheshta, Spasi, Mgulla e Kryemadhi. Çfarë masakre për një krahinë të tërë që luftoi për mbrojtjen e trojeve të veta. Ata që mundën të shpëtonin nga përndjekja, u strehuan tek të parët e tyre në Brigjet e Drinit Zi dhe u kthyen nga “ udhëtimi biblik ” pas 7 javësh me dhimbjen e madhe të vrarëve, masakruarve, shtëpive dhe tokës së djegur.

Prandaj në kuadër të 105 vjetorit të kësaj ngjarjeje historike hodhëm dritë për njërën nga faqet më të shndritshme, kontributin e qëndrestarëve të Pistës e Malziut, me një bilanc të rëndë e tronditës të asaj lufte disa mujore, ku u vranë e masakruan 205 veta, të cilëve u a dimë emrat, atësinë, mbiemrat dhe vendvarrimet e tyre. Këto janë shifra e fakte tronditëse, data e ngjarje, luftëtarë e të vrarë, beteja të humbura a të fituara pse jo edhe një genocid i përgjakshëm që u ushtrua në përballjen heroike të Pistës e Malziut të Pukës me serbët, (sot njësi administrative e Kukësit). Ne duam të vemë në piedestalin e nderit veçanërisht heroizmin e gjithë pistorëve dhe të prijësit të tyre qëndrestarë e popullorë Halil Hasani, komandant çete dhe dëshmor i rënë në luftën për liri dhe pavarësi kundër pushtuesve serb më 1913, dekoruar pas vdekjes nga Presidenti i Republikës Z. Sali Berisha me Urdhrin “ Për Veprimtari Patriotike të klasit të parë ” më 1993. Pista e Malziu u bënë kështjellë qëndrestare në VL. të Shqipërinë së Veriut kundër pushtuesve shovenistë serbomëdhenj. Në muzeun e Topalltasë afër Beogradit është një kupë me dheun e marrë në luginën e Goskës (Malëziut), në të cilën akademiku Çubriloviç ka shkruar: ”Kujtoni golgothanë e Spasit”. Kjo është porosia e gjyshërve serbomëdhenj për nipat e tyre që ata të mos e harrojnë kasaphanën që pësoi ushtria serbe në luginën e Goskës, në Malzi, më 1912–1913. Për heroizmin e Pistës e pistorëve të Malziut, për aktin heroik të kapuçbardhit Halil Hasani, ideuesit, ndërtuesit, dhe autorit të një topi primitiv, kanë shkruar Dr. Prof.,“ Mësues i Popullit ” Shefqet Hoxha, Dr. Vangjel Kasapi, “Mjeshtër i Madh” Xhemal Meçe, dr. i muzeut Kukës Sami Ferizi, Ali Hasani, Ukë Sinani, Hasan Alia, Hysen Shehu, Shaban Hasani, Bajazit Cahani, Bardhyl Mezini etj. Kanë bërë piktura Alaudin Tabaku, Agim Bido, Pjetër Marku, Denisa Meçe, etj. të cilët i falënderojmë për kontributin që kanë dhënë me punimet e tyre. Kjo luftë kundër pushtuesit serb, do të mbetet unike në llojin e vet, për faktin se aty u përtëri tradita e lashtë e luftës çetnike si dhe e ndërtimit dhe goditjes me një top prej druri nga Halil Hasani, që populli e quan “Mic Sokoli i Malziut“.

Ne jemi krenarë që kemi lindur këtu. Këtu janë rrënjët tona dhe në këto troje do të rrojmë. Por kemi edhe të drejtën, madje obligimin që në muzetë tona të vendosim kupën me dheun, ku të parët tanë luftuan e skuqën me gjakun e tyre trojet e veta, duke rënë dëshmorë në luftën për Liri dhe Pavarësi Kombëtare 105 vite më parë!

June 3, 2018 10:19
Komento

3 Komente

  1. demo June 3, 20:13

    Kjo eshte Lufta e Shqiptareve..

    Reply to this comment
  2. Hamdi Tobli June 4, 16:36

    Cfare lidhje ka familja e Dem Rrahman Hasanit nga Pista ,me kete luftetar ?

    Reply to this comment
  3. Luljeta Dino- Corelli June 21, 09:45

    Per kryengritjen e Malsise se Madhe…te 1913…dime ne pergjithesi…por jo episode te vecanta….Kur lexon shkrimin e A. Hasanit … te pasur me detaje nga lufta per liri e malsoreve te Dukagjinit….te ngjethet mishi e njekohesisht te rritet krenaria per shqiptaret …nje popull homerik…qe” nuk e ka nxjerre lokja prej barkut, por huta prej carkut….”

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*