Halili karikon skuadrën, pezullon pa afat Frashërin

March 18, 2015 10:34

Halili karikon skuadrën, pezullon pa afat Frashërin

42 minuta mbledhje për të ridizenjuar piketat për pjesën e mbetur të sezonit. Ka ndodhur në zyrat e klubit bardheblu, aty ku presidenti Halili, stafi teknik dhe futbollistët kanë diskutuar për problematikën e ditëve të fundit dhe pritshmëritë për të ardhmen e afërt. Mungesa e madhe ka qenë ajo e Stivi Frashërit, 24-vjeçari që në harkun e 72 orëve e ka nxjerrë nga binarët karrierën e tij, fillimisht me gafën në derbi dhe më pas me polemikat tronditëse të shpërthyera në faqen e tij në facebook.

Për këtë rast, edhe njëherë presidenti Halili ka zgjedhur një mënyrë të tijën, duke deklaruar futbollistëve që kjo çështje do të ketë një zgjidhje ekskluzive nga ana e tij, më konkretisht pezullim pa afat për të dhe një gjobë 3 muaj rrogë.

Përsa i përket të ardhmes së stafit teknik, gjithçka është kaluar me një fjali të vetme të presidentit Halili, i cili ka ritheksuar besimin për trajnerin Magani, si dhe synimin e tij që kjo marrëveshje të mos hapet deri në fundin e sezonit. Ndërsa përsa i takon distancës së krijuar me kryesuesit, disa nga senatorët e skuadrës janë justifikuar me faktin se në këtë garë janë të vetmit që po luajnë ndershëm dhe pa asnjë aleat. Një fakt të tille e ka pranuar edhe presidenti Halili, që për të mbyllur çdo alibi ka theksuar se Tirana do të jetë e tillë deri në ndeshjen e fundit dhe se gjithsecili duhet ta shikojë një zgjedhje të tillë si një detyrim për ngjyrat që përfaqësojnë dhe respekti për tifozerinë.

Nga ana tjetër, në këtë mbledhje ka patur një kërkesë nga ana e golashënuesit më të mirë të skuadrës, Eis Bakajt, për t’u larguar për disa ditë drejt Gjermanisë, ku pritet t’i nënshtrohet një trajtimi më të specializuar mjekësor për dëmtimin e pësuar në ndeshjen me Skënderbeun në gju. Mungesa e tij konsiderohet një humbje e madhe për objektivat e skuadrës bardheblu, por në klubin 24 herë kampion shpresat për ta mbyllur me sukses këtë edicion, edhe me këtë reagim të fundit, duket se nuk janë shuar.

March 18, 2015 10:34
Komento

1 Koment

  1. Xhimi March 18, 18:17

    Tirona, per fat te keq, eshte krejtesisht jashte objektivit, pavaresisht se matematikisht eshte ne loje per titull! Menyra e lojes, mos shfaqja e grintes ne fushe, pamjaftueshmeria e forces fizike, ulja e rendimentit ne loje dhe harxhimi i mjaft energjive, duke mos dale te goli, si dhe plot te tjera, mjaftojne qe te besosh se tashme ekipi, thjeshte do te vazhdoje lojrat sa per rutine. Ky eshte mendimi im.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*