Halimi: Amendamentet e ‘dekriminalizimit’, atentat ndaj reformës në drejtësi

May 10, 2016 13:54

Halimi: Amendamentet e ‘dekriminalizimit’, atentat ndaj reformës në drejtësi

Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi miratoi pa debate disa nene që lidhen me detyrimet e Shqipërisë pas anëtarësimit në BE, ndërsa pati përplasje për nenin 6/1 të paketës që ka të bëjë me ndryshimin e amendamenteve në ligjin e ‘dekriminalizimit’.

Komisioni, i mbledhur paraditen e sotme pa praninë e mediave, nisi diskutimin nen për nen të paketës së rishikuar të ndryshimeve kushtetuese, propozuar nga ekspertet e OPDAT dhe EURALIUS. Në përfundim të mbledhjes, nënkryetari i komisionit, Eduard Halimi tha se pjesa më e madhe e neneve të diskutuara kishin të bënin me detyrimet e Shqipërisë, pas anëtarësimit në BE.

“Pjesa më e madhe e këtyre neneve kishte të bënte me detyrimet që ka Shqipëria pas anëtarësimit në BE dhe nuk kanë lidhje me reformën në drejtësi. Ekspertët sqaruan të gjithë anëtarët e komisionit se këto norma janë aplikuar edhe në vende të tjera, para se ato të merrnin statusin e kandidatit. Nenet kaluan me disa redaktime të thjeshta”, bëri të ditur Halimi. Ndërkohë, që sipas tij pati debate të forta lidhur me ndryshimin e nenit 6/1 që ka të bëjë me ndyshimin e amendamenteve për dekriminalizimin.

“Qëndrimi i padiskutueshëm dhe i qartë i opozitës ishte se reforma në drejtësi dhe detyra që ka komisioni i posaçëm është që të largojë dhe të dënojë ata persona që kanë kryer krime të tmerrshme dhe që kanë qenë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Futja e këtij neni në axhendën e komisionit ishte ‘një atentat’ që kërkohej t’i bëhej reformës në drejtësi. Pati debate, dhe neni u votua, ku maxhoranca përdori edhe ‘double vote’, me qëllimin që personat që kanë kryer krime të rënda si trafiku i qenieve njerëzore, i prostitucionit apo armëve të mos kishin ‘ndalim përjetë’, por me një kohëzgjatje të caktuar”, sqaroi Halimi.

Ky, sipas Halimit, ishte një qëndrim i papranueshëm për opozitën, ndaj më pas ky nen u tërhoq nga ekspertët e OPDAT. “Neni i propozuar e bënte nul nenin e miratuar pak muaj më parë dhe që parashikonte ndalimin përjetë të personave që kishin kryer krimet e mësipërme. Ky nen u tërhoq nga ekspertët, pra nuk ekziston më.Por, edhe nëse sillet në ndonjë formë tjetër qëndrimi i opozitës është i qartë. Kush nuk është dakord me ligjin t’i drejtohet Kushtetueses. Ligji i dekriminalizimit dhe paketa ligjore në funksion të tij, nuk preket”, theksoi Halimi

May 10, 2016 13:54
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*