Halit Bajrami: “Banda e Xhevdet Mustafës”, si u përgatitën nga CIA para nisjes në Shqipëri

Kujtim Boriçi January 30, 2013 10:34

Halit Bajrami: “Banda e Xhevdet  Mustafës”, si u përgatitën nga CIA para nisjes në Shqipëri

Gjyqi i Kadri Hazbiut. Seanca e 22

 

“Unë isha i infiltruar. Misioni, vrasja e  Enver Hoxhës. Funksionari serb Paviç na porositi: Nëse ndodheni në vështirësi, kontaktoni Kadri Hazbiun!”

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Dëshmitë e ish-oficerit të Sigurimit të Shtetit Halit Bajrami, i cili nga i arratisur kthehet në të infiltruar në ‘Bandën e Xhevdet Mustafës”, kthehen në akuza nga më të rëndat për Kadri Hazbiun në seancën e 22-të të gjyqit maratonë në vjeshtën e vitit 1893. “Unë u arratisa pas një konflikti me Mehmet Shehun, por u riktheva në shërbim të vendit tim. Nga UDB dhe CIA, Xhevdet Mustafa dhe ne katër të tjerët, nën instruktazhin e sekretarit të parë të ambasadës jugosllave në Romë, oficerit Petër Paviç, u stërvitëm disa javë për të zbarkuar në Shqipëri. Misioni jonë ishte terror në udhëheqjen e vendit dhe asgjësimi fizik i Enver Hoxhës. Para nisjes, Paviç që ishte mik i Kadri Hazbiut e Feçor Shehut na porositi para nisjes, na dha një mesazh për Kadriun e na porositi: Nëse ndjeheni në vështirësi, kërkoni e kontaktoni Kadri Hazbiun, është i joni, do t’ju ndihmojë”. Në vazhdim, në faqet e gazetës ‘Dita’, për herë të parë jepen të plota dëshmitë e Halit Bajramit, të vetmit të mbijetuar nga ‘Banda e Xhevdet Mustafës”, që nga krijimi i grupit terrorist, blerja e armëve speciale në Belgjikë, takimet dhe instruksionet me specialistë të zbulimeve të huaja, e deri tek fati i pjesëtarëve të bandës në tokën shqiptare…

Seanca e 22-të.

Kryetari(Aranit Çela):- Të thirret Halit Bajrami, ai i pandehuri. Mbiemrin?

Halit Bajrami:- Bajrami. Emri i babës Riza, i nënës Ismete, datëlindja 1925, i pa dënuar…

Kryetari:- Të kemi thirrur ne ty lidhur me çështjen që po gjykojmë këtu dhe që u përket të pandehurve Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Gani Kodra, Llambi Peçini, Mihallaq Ziçishti, Ali Çeno dhe Xhavit Ismailaga. I njeh këta ti?

Haliti:- Po, unë njoh Kadri Hazbiun, Feçor Shehun dhe Mihallaq Ziçishtin…

Kryetari:- Të kemi thirrur të na japësh shpjegime rreth ardhjes tënde këtu në Shqipëri, nga vjen ti dhe përse vjen? Dakord?

Haliti:- Unë kam ikur nga Shqipëria në vitin 1950, në gusht dhe ika se pata disa mosmarrëveshje me Mehmet Shehun…

Kryetari:- Po ç’pate me Mehmet Shehun?

Haliti:- Po ai më thirri, nga fundi i shkurtit apo fillimi i marsit të vitit 1950. Më thirri nga Korça dhe unë u paraqita në shtëpinë e tij. Sapo hyra në zyrë(kishte zyrën në shtëpi) më lexoi një letër dhe më tha që unë isha elementi që kisha të bëja me njerëz borgjezë, kisha lidhje me njerëz borgjezë në Korçë. Unë i thashë që s’është e vërtetë, mund të kem gabime si çdo njeri tjetër, por që unë të shkoj me klasë borgjeze s’është e vërtetë dhe këto janë rrena. Ai u ngrit në këmbë e duke ulëritur më tha: Unë s’jam gënjeshtar! Unë i thashë të vërtetën që më akuzoni ju si borgjez. I thashë që kam shoqëri me disa njerëz borgjezë… Pas bisedës më tha ik dhe më tha gjithashtu të shkoja në Korçë(ku unë isha shef i Sigurimit në Divizion) deri sa të vijë Kristo Mushi nga Moska, pastaj do të të transferojmë nga Korça. Me mua ishte dhe një major i Sigurimit të Shtetit gjatë bisedës që bëmë me Mehmetin. Kaluan tre muaj, e ende pa ardhur Kristo Mushi, mua më erdhi urdhri për t’u transferuar në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes. Detyrën në Korçë ja dorëzova një kapiteni të ri. I dorëzova agjentët, i dorëzova administratën e gjithçka… U paraqita në Tiranë, ku më priti një major në ministri. Mos u mërzit më tha, do të gjejmë një vend për ty. Unë isha shumë i mërzitur, i dëshpëruar… Njihja një kapiten, Pirro Daçollin nga Korça. I them Pirros, kështu e kështu më ka ngjarë, por nuk kuptova një fjalë, i thashë unë. Çfarë fjale, më tha ai. I thashë: ”Kur unë isha në shtëpinë e Mehmet Shehut, ai Mehmeti më tha mua ‘Halit Bajrami, dua me ta vu samarin’ dhe ‘po ta rregulloj samarin’. Unë nuk e kuptova”. E pyeta Pirron se çfarë fjale është kjo. Më tha që nuk është fjalë e mirë. Mirë, i thashë unë, e natyrisht u mërzita. Në këtë moment vendosa që të ikja, të arratisesha nga Shqipëria. Para se të ikja, desha me i tregu babës por kisha frikë se mos lajmëronte Sigurimin dhe i tregova një shoku, të cilin e kam pasur shok prej fëmijërie. Ai ka pas qenë i lidhur me lëvizjen. E takova në Durrës dhe i thashë…

Kryetari:- Si e quanin atë?

Haliti:- Sabaudin Haznedari. Dhe i thashë Sabaudinit, se po i tregoja një gjë shumë të rëndësishme dhe të lutem i thashë, mos ja trego kujt, vetëm babës tem. “Unë kam vendosur me ik, por në qoftë se më kapin apo më vrasin në kufi, pas një muaji apo si të jetë, ti thuaji babës”- i thashë. Ai më pa drejt në sy e më tha: Unë ka kaq vjet që mendoj me ik e nuk po gjej mënyrën e ikjes. I thashë se nuk kisha mundësi me e marrë… “Do të më marrësh patjetër”- këmbënguli ai. S’kisha çfarë të bëjsha…

Kryetari:- Dhe ikët të dy ju?

Haliti:- Si urdhëron. Ne ikëm të dy, dolëm në Greqi. Ndenjëm tre muaj në burg në Athinë dhe 5 muaj në kamp. Llavrjo, një kamp i refugjatëve ku qëndruam, ishte afër Athinës.  Aty na morën në pyetje anglezë, amerikanë dhe grekë. Dhe secila nga këto agjentura më propozuan që unë të bashkëpunoja me ‘ta, të bëhesha agjent i tyre, të verifikoja informatat që vijshin nga Shqipëria. Duhet të rrijsha në Athinë për të verifikuar informatat edhe do më pagujshin. Anglezët më thoshin të gjitha dhe unë shkova me aeroplan në Gjermaninë Perëndimore. Dhe që andej dola në Gjermaninë Lindore. Aty takova një shok që ishte caktuar në një agjenci avionësh dhe preva dy bileta. Atë shokun, nga Shkodra e njifsha me kohë. Rasim Dedja ishte… Ishte major, një djalë i gjatë.  Megjithatë ai m’u prezantua. I thashë dhe unë se jam Halit Bajrami. Shumë mirë, më tha, këtu do të vinte Kadri Hazbiu të të takonte, por nuk mundi… Ka dërguar një shok tjetër, më tha…  Ai më tha, se po të dëshiroja, me vullnetin tim, mund të vija në Shqipëri… “Vij me gjithë qejf”- i thashë. Rregulluam biletat, siç u thashë dhe shkuam në Moskë. Nga Moska në Tiranë. Unë isha gati për të dalë në gjyq për me i dhënë llogari Partisë dhe shtetit shqiptar. Bëmë muhabet me Kadriun dhe ai më tha: Ty Partia të ka falur, edhe shteti të ka falur. Po ne dëshirojmë që ti të rrish jashtë shtetit, e nëse ne kemi ndonjë nevojë për ju, je gjithmonë në dispozicionin tonë. “Si urdhëron”- i thashë. Rregulluam dokumentet, i firmosëm të gjitha në rregull dhe mua më çuan prapë nga erdha…

Kryetari:- Nga erdhe?

Haliti:- Pasi ndenja në Garibald, në nja dy kurse speciale në Itali, në Bolonja, unë u ktheva në Zelandën e Re, se nuk kisha mundësi financiare për t’u stabilizuar në Itali.  Unë desha me marr një ofiçinë mekanike në Romë, por thashë, u ktheva përsëri në Zelandën e Re… Dhe atje punova nja dy vjet të tjera, e hapa ofiçinën teme, të cilën e kam pasur deri tani kohët e fundit. Edhe mbajsha vazhdimisht korrespodencë me motrën teme, me Sabaudin Haznedarin dhe me ndonjë mik tjetër…

Po në vitin 1981, Sabaudini më telefonoi mua, shkruan edhe një letër e më thotë: Kam një mik jugosllav që ka dëshirë që të bisedojë me ne. Është sekretar i parë i ambasadës në Romë dhe quhet Petër Paviç.” “Shiko. Mos u ngatërro me jugosllavët, ata të lënë në baltë. Ki kujdes se mund të të bëjnë ndonjë dëm, mund të të kompromentojnë”- i thashë.  “Jo, është njeri serioz, ka shumë mendim të mirë. Më ka biseduar për çështjen e organizatës. Donte telefonin tënd. I thashë se nëse janë gjëra me rëndësi, duhet biseduar person me person. Nuk është mirë të bisedohet nëpër telefona e me letra” – i thashë. “Unë do të iki tani në Amerikë të takoj disa shokë të tjerë, më vonë mund të vij të të takoj edhe ty. Është gjëja më e mirë” – më tha.

Nga fundi i tetorit të vitit 1981, Sabaudin Haznedari me një shok tjetër erdhën në Nev Zeland. Ky njeriu tjetër ishte Xhevdet Mustafa prej Durrësi. Ma prezantoi Xhevdetin…. Sabaudini më tha: “Ky njeri është stërvitur nga CIA, është shumë i vendosur, shumë i mirë. Nuk do tjetër gjë, vetëm të vrasë Enver Hoxhën“. Pasi biseduam një kohë të gjatë, më tepër se një javë me Sabaudinin, organizuam grupin, që ishte dëshirë e jugosllavit. Jugosllavi donte që ne të kishim një grup të vogël shqiptarësh, njerëz besnikë, që të mos dekonspironin, e në mes nesh të ishte një njeri atentator. Domethënë vrasës. Edhe këtë e kishte gjetur Sabaudini në Amerikë. Se ai ndenji tre muaj atje duke u stërvitur, tu e pa shokët e vet, miqtë e vet. Këtë, Xhevdetin e njihte për 18 vjet. Dhe unë bisedova nga afër me Xhevdetin dhe për tema të përgjithshme, por ai s’pranonte gjë tjetër. “Ju pleqtë, po të keni mundësi që të më afroni afër me Enver Hoxhën, 100 metra të më afroni afër, çdo gjë do të përfundojë. Unë do ta vras se jam i stërvitur e jam i vendosur për këtë. Ka kohë që kam pasur kontakte e bashkëpunim me CIA-n, agjenturën amerikane”- më thoshte Xhevdet Mustafa. I thashë: ’Jo mo Xhevdet, të gjenden shokët, më vonë do t’i studiojmë, do t’i analizojmë. Janë çështje me rëndësi këto, se po na fut kutinë në qese, në trajsë, nuk po shkojmë në dasmë. Me shku në Shqipëri duhet me pas arsye pse të shkojmë dhe duhet pasur kujdes”- thashë.  “Unë kam biseduar me Sabaudinin gjërë e gjatë” – më tha. Dhe ata ikën të dy në Itali.

E lamë me Sabaudinin që ai do të mbante kontakte me mua. Në prill të vitit 1982 më telefonoi Sabaudini e më pyeti, si je si shkon Halit… Pastaj më tha: ’Sekretari i Parë i ambasadës në Romë, Petër Paviç, dëshiron me u njohur personalisht me ty, e po të kesh mundësi, të vish sa më shpejt” – më tha ai. Unë lashë punën, u përgatita dhe shkova në Romë. Kur shkova në Romë atë ditë, ai (Paviç) nuk ishte aty, kishte shkuar me shërbim jashtë Romës. Do të presim ca ditë, tha Sabaudini. Nejse, gjatë kësaj kohe ne shkuan në Italinë e Jugut për të gjetur një shtëpi afër bregut të detit. Aty, ne grupi 4-5 veta do të bënim stërvitje fizike. Shtëpia ku u vendosëm ishte afër Leshes në bregun Torodelorso. I paguam edhe qiranë e shtëpisë për tre muaj. Sabaudini që e njihte atë, të zotin e shtëpisë, mori çelësat dhe ne u kthyem në Romë. Kur u kthyem në Romë ne, prapë bisedova me Sabaudinin. Sabaudini na tha se Petër Paviçi, nuk është këtu, por unë, tha Sabaudini, po u tregoj se çfarë më ka thënë ai. Petër Paviçi më ka thënë – vazhdoi ai – që është e pamundur t’u jap armë, armatim. Se unë(Haliti) i pata thënë Sabaudinit që ti bisedo me Petër Paviçin dhe i thuaj që ne do të kemi nevojë për armë speciale në rast se do të hyjmë në Shqipëri. Na duhen revole, automatikë e mjete transporti, mjete komunikacioni. Ai më tha që s’ka mundësi që ta bëjmë e shtoi se ‘ne do bëjmë çmos që të gjejmë tjetër ujdi. Mirë – thashë unë, unë kam biseduar me një italian këtu – tha, i cili shet armatim me shumicë edhe kampionë armatimi se merrej me arabët e gjoja do ua shiste atyre.

Pra ishte vështirë në Itali e duhej gjetur tjetër kund. Se po të gjenin një armë të vogël, të dënonin me 20 vite burg. Edhe ky Xhevdet Mustafa, mori telefonin e bisedoi në Bruksel, në Belgjikë. Telefonoi një shokun e vet, i cili është Skënder Basha. I tha atij se, ne po vijmë me një mik në Belgjikë për disa punë. Ai i tha që hajdeni kur të doni. Premë biletat e trenit në Romë dhe u nisëm e shkuam në Bruksel, në Belgjikë. Kur zbritëm atje, na priste Skënder Basha me një mikun e tij, Duraku, i cili kishte marrë për grua motrën e Skënderit. Na pritën aty në stacionin e trenit. Na morën me makinë e na çuan në një hotel të vogël për me fjet. Aty Xhevdeti bisedoi me ‘ta.  Xhevdeti u tha se ‘kemi shumë nevojë për armatim se fatkeqësisht im vëlla këto ditë ka hyrë në burg pasi merrej me armatim dhe ka vrarë një jugosllav’. Skënderi tha se ‘unë do të bëj çmos që tu ndihmoj’.

Pas dy-tre ditësh na gjeti 5 revole katërmbëdhjetëshe belge që i mbante policia e Belgjikës. Na tha se automatik tash për tash nuk ka, e se më vonë mund të ketë, do të gjendet. “Ata punëtorët do i vjedhin nga Belgjika se në treg nuk i blejmë dot, nuk lejohet, është shumë vështirë” – na tha. Pasi ndejtëm dhe tre-katër ditë në pritje, i thashë unë Xhevdetit, më mirë të ikim, se nuk dihej kur do i merrnim automatikët. Po, më tha, se po rrimë ne këtu me Skënderin dhe me atë shokun tjetër, e kur i blejmë po nisemi. Më tha Xhevdeti që para se të shkoja në New Zeland të kaloja nga Roma e Nju Jorku, se do më jepte tri letra. Njërën, më tha, jepja gruas seme në Nju Jork, një Petrit Kupit, djalit të Abaz Kupit dhe tjetrën, një farë Anton Frroku prej Tirane, një i arratisur ky…

Unë e kisha biletën për në Romë, por e ktheva e mora trenin për në Paris. Pra, zbrita nga treni, preva biletë tjetër dhe shkova në Paris. Aty takova shokët dhe fotokopjova gjithë letrat që më kishte dhënë Xhevdet Mustafa. Pastaj erdha në Bolonjë e nga Bolonja, erdha në Romë. Në Romë takova me Sabaudinin. Po sapo mbërrita, më tha se na pret ai miku, më tha, ai i ambasadës jugosllave… Shumë mirë, i thashë unë. Dhe lamë që me Sabaudinin të takonim në orën 8 të mbrëmjes Petër Paviçin…. (Vijon nesër)

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

SOM 1

“Pas konfliktit me Mehmet Shehun dhe shkarkimit nga detyra që kisha në sigurim në Divizionin e Korçës, u arratisa në Greqi. Më propozuan bashkëpunim anglezët, grekët dhe italianët. Në Gjermani, më takon Rasim Dedja nga Shkodra. Ishte major. I thashë se jam Halit Bajrami. Shumë mirë, më tha, këtu do të vinte Kadri Hazbiu të të takonte, por nuk mundi… Më tha, se po të dëshiroja, mund të vija në Shqipëri… Pranova. Rregulluam biletat, e shkuam në Moskë. Nga Moska në Tiranë. Unë isha gati për të dalë në gjyq. Bëmë muhabet me Kadriun dhe ai më tha jam i falur. Po ne dëshirojmë që ti të rrish jashtë shtetit, t’i shërbesh vendit. Rregulluam dokumentet, i firmosëm të gjitha në rregull dhe mua më çuan prapë nga erdha”

 

SOM 2

“Xhevdet Mustafa, mori telefonin e bisedoi në Bruksel, në Belgjikë. Telefonoi një shokun e vet, i cili është Skënder Basha. I tha atij se, ne po vijmë me një mik në Belgjikë për disa punë. Ai i tha që hajdeni kur të doni. Premë biletat e trenit në Romë dhe u nisëm e shkuam në Bruksel, në Belgjikë. Kur zbritëm atje, na priste Skënder Basha me një mikun e tij, Duraku, i cili kishte marrë për grua motrën e Skënderit.  Na pritën në stacionin e trenit. Na morën me makinë e na çuan në një hotel të vogël. Aty Xhevdeti bisedoi me ‘ta.  Xhevdeti u tha se ‘kemi shumë nevojë për armatim se fatkeqësisht im vëlla këto ditë ka hyrë në burg pasi merrej me armatim dhe ka vrarë një jugosllav’. Skënderi tha se ‘unë do të bëj çmos që t’u ndihmoj’. Pas dy-tre ditësh na gjeti 5 revole katërmbëdhjetëshe belge që i mbante policia e Belgjikës”.

 

SOM 3

“Në fund të tetorit të vitit 1981, Sabaudin Haznedari me një shok tjetër erdhën në New Zeland. Ky njeriu tjetër ishte Xhevdet Mustafa nga Durrësi. Ma prezantoi Xhevdetin…. Sabaudini tha: “Ky njeri është stërvitur nga CIA, është shumë i vendosur, shumë i mirë. Nuk do tjetër gjë, vetëm të vrasë Enver Hoxhën“. UDB-ja donte që ne të kishim një grup të vogël ku një të ishte atentator. Domethënë vrasës. Ky ishte Xhevdet Mustafa që Sabaudini e njihte prej 18 vitesh. Dhe unë bisedova nga afër me Xhevdetin.“Ju pleqtë, po të keni mundësi që të më afroni afër me Enver Hoxhën, 100 metra të më afroni afër, çdo gjë do të përfundojë. Unë do ta vras se jam i stërvitur e jam i vendosur për këtë. Ka kohë që kam pasur kontakte e bashkëpunim me CIA-n, agjenturën amerikane” – më thoshte Xhevdet Mustafa”.

 

 NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshmia e Halit Bajramit: Çfarë biseduam në Romë ne pjesëtarët e bandës së Xhevdet Mustafës me funksionarin e UDB-së Petër Paviçi lidhur me misionin tonë në Shqipëri.

-Interesimi i Paviç për miqtë e tij të vjetër Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu. Urdhri i Kreut të UDB-së për Xhevdet Mustafën e anëtarët e saj: Përpiquni të kontaktoni me Kadri Hazbiun që t’u ndihmojë.

-Stërvitja disa javore në bazën sekrete në Itali, përgatitjet dhe nisja e bandës së Xhevdet Mustafës për në Shqipëri. Cili ishte mesazhi agjenturor që do i jepej direkt Kadri Hazbiut nga banda.

Kujtim Boriçi January 30, 2013 10:34
Komento

5 Komente

  1. Agim Gani Hamiti February 2, 16:18

    Shikoni si qëndron e verteta.

    Letër e Hapur drejtuar:
    – Klasës politike të Tiranës e të Prishtinës.
    – Ambasadorit amerikan në Tiranë.
    – Gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen.

    Jam azilant politik në Bruksel, për shkak të një libri me personazhe realë e ngjarje të jetuara: Odiseja e një Detektivi (dy vëllime). Krerët e dy klaneve politike, blu e rozë, e njohin mirë këtë libër, mbasi policia civile e Tiranës ka paguar 100 $ për çdo kopje që u dorëzohej, kur ai u shpërnda në disa fakultete të UT. Nga ana tjetër, eksperti belg, që shqyrtoi imtësisht dosjen time për një kohë të gjatë, ka shkuar dy herë në Tiranë për të verifikuar identitetet e personazheve realë të librit dhe saktësinë e disa ngjarjeve të veçanta, të jetuara. Meqenëse unë këmbëngulja gjatë seancave të intervistës, që të egzaminoheshin patjetër skeletet e dy heronjve që prehen në varrezat e Tiranës – Fatmir Merdari e Afrim Pahia (personazhe të librit) –, eksperti belg u detyrua të pohonte:
    «Nuk është nevoja për asnjë lloj ekspertize. Për vdekjen e atyre të dyve ekzistojnë dosjet përkatëse në Tiranë, ku unë kam parë edhe fotografitë e tyre kur ishin të plagosur rëndë dhe në çastin e vdekjes. Gjithashtu kam verifikuar edhe identitetet e protagonistëve të tjerë të ngjarjeve që trajton libri juaj.»

    Natyrisht, pa autorizimin e qeverisë shqiptare nuk kryhen dot veprime të tilla. Ndërsa në mars të vitit 2009 gazeta SOT botoi në tre pjesë artikullin tim të gjatë me titull: Një zë nga shkretëtira shqiptare, ku trajtohen peripecitë e mia të azilit, të cilat përbëjnë një odisé më vete. Artikulli në fjalë gjendet endé në sajtin e gazetës SOT ; kushdo mund ta lexojë në internet. Me kërkesën e shumë bashkatdhetarëve, të cilët me kohë kishin rënë në gjurmët e vëllimit të parë të librit dhe të artikullit në fjalë, prej një muaji kam publikuar nëpërmjet internetit të dy vëllimet e librit Odiseja e një Detektivi. Vëllimi i dytë i ka bërë edhe më tepër përshtypje opinionit publik me ngjarjet dhe provat që sjell.
    Në mesazhet elektronike që po marr, shumë bashkatdhetarë më bëjnë një vërejtje që më ka preokupuar:
    «Një sekret i rëndësishëm, që lidhet me fatet e kombit e të popullit shqiptar, nuk duhet lënë që ta mbulojë pluhuri i kohës në asnjë rrethanë e për asnjë arsye. Përndryshe edhe ju, si autor i librit, bëheni bashkëfajtor me keqbërësit, në një kohë që edhe Afrika po rilind, ndërsa ne po rrëzohemi gjithmonë e më poshtë.»
    Në fakt të gjithë jemi dëshmitarë se Hosni Mubarak, lideri i një populli 80 milionësh në Afrikë, u detyrua të braktiste postin prej qëndrimit unanim kundër tij të diplomacisë amerikano-evropiane, për shkak të vrasjes së 300 demonstruesve.
    Gjithashtu të gjithë e dimë se në një vend të injoruar evropian me emrin Shqipëri, në vitet 1997-1998 politika vrau mbi 3500 shqiptarë (12-fishin e vrasjeve që kreu regjimi i Mubarakut në një popullsi njëzet herë më të madhe!), plagosi mbi 11 mijë të tjerë, shkatërroi institucionet e brishta shtetërore, hapi depot e municionit për të nxitur tërthorazi një luftë të verbër civile, dogji vendin, dhe po e njëjta diplomaci amerikano-evropiane i la të njëjtët politikanë ish-komunistë në pushtet.

    Rastësi?
    Politika e të mëdhenjve e përjashton kryekëput rastësinë; madjé, ajo vepron me plane afatgjata e të kalkuluara mirë. Politikanët mëkatarë të Tiranës u lanë qëllimisht në pushtet, për tu përdorur prej diplomacisë amerikano-evropiane për punë të mbrapshta antikombëtare, të cilat po i jetojmë përditë. Është utopi e naivitet i skajshëm politik t’iu kërkosh autorëve të tragjedisë së vitit 1997-1998 të gjykojnë me drejtësi dramën e Gërdecit, apo vrasjet e 21 janarit 2011. Edhe sikur krerët e politikës së sotme shqiptare (pozitë-opozitë) të tentonin të gjykonin me drejtësi tragjedinë e Gërdecit, ustallarët e prapaskenave të politikës – ambasadori amerikan në Tiranë dhe të dërguarit e Brukselit atje – do t’iu thoshnin me buzëqeshje diplomatike:
    «Dakord, por më parë duhen gjykuar vrasjet e vitit ’97-’98, mbasi krimet nuk parashkruhen. Pastaj u vjen radha tragjedisë së Gërdecit dhe vrasjeve të 21 janarit 2011.»
    E ç’mund të bëjnë ata atëherë, ndërkohë që dihet mirë se për megakrimin ‘97– ‘98 përgjigjen njësoj të dy klanet blu e rozë? Mëkati i vërtetë i politikanëve të Tiranës (pozitë-opozitë) është pranimi i misionit antikombëtar për hir të karrierës së pameritur; më tej krimi automatizohet. Pasojat merren lehtë me mend dhe janë prezente çdo ditë në faqet e shtypit, i cili gjithashtu është dyngjyrësh në shërbim të dy klaneve politike. Në këto kushte unë i bëj thirrje kryeministrit shqiptar, i cili aktualisht nuk është veçse një skllav rrethanash, të kontribuojë për denoncimin mbi baza dokumentare të aktit antishqiptar e prodiktatorial të CIAs që sabotoi në maj të vitit 1984 komplotin kundër diktaturës, të organizuar prej 22 trimave shqiptarë të Sigurimit të Jashtëm të asaj kohe. Nëpërmjet një veprimi të tillë, kryeministri shqiptar do të shpëtonte në radhë të parë vetveten dhe bashkëfajtorët e tij prej situatës pa rrugëdalje ku gjenden, pastaj gjithë kombin e popullin shqiptar, që janë në zgrip për shkak të politikës së tij regresive. E vërteta e kësaj çështjeje është thjeshtësisht e verifikueshme, mbasi në arkivat e shërbimit sekret gjenden dosjet përkatëse të atyre 22 trimave, disa prej emrave të të cilëve i kam cituar shpesh. Ndërkohë po ju jap edhe adresën dhe numrin e telefonit të njërit prej tyre në Amerikë:

    Dari Meli
    3609 BROADWAY, Apt. 4L,
    NEW YORK, N.Y. 10031
    U. S. A.
    Tel. 00 12 12 – 491 – 12 12

    Numri i cituar i përket një linje telefonike speciale, e cila i filtron telefonatat. Mënyrën sesi komunikohet nëpërmjet një linje të tillë ua shpjegon ish-Drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Jashtëm (DSJ) në atë kohë, Ilir E. Hoxha, të cilin mund ta gjeni në selinë e Partisë së Punës të Riorganizuar në adresën:

    Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar
    Rr. «Hafiz I. Dalliu», Pallati 17/2, kati i parë,
    Tiranë.

    Megjithëse kryeministri shqiptar për njëzet vjet me radhë ka harruar t’ia heqë titujt Hero i Popullit dhe Hero i Punës Socialiste diktatorit Hoxha, besoj se ai nuk do të ngurrojë t’i kërkojë sqarimet e duhura Ilir Hoxhës lidhur me problemin madhor në fjalë.
    Ato ngjarje janë një fragment lavdie i historisë së popullit shqiptar, realizuar nga 22 burra guximtarë të prejardhur prej 22 familjeve të nderuara ish-komuniste nga më të afirmuarat e kohës, siç zgjidheshin detektivët prej diktaturës. Prejardhja ime është nacionaliste e antikomuniste, por kjo nuk më pengoi të lidhja miqësi në burg me ish-detektivin më të shquar të DSJ-së, Hamit Meli, idetë dhe vlera njerëzore e të cilit qëndronin ndjeshëm mbi ideologjitë. Asnjë i burgosur nuk e njihte të kaluarën e tij, mbasi ajo ishte fshehur qëllimisht prej përpiluesve të dosjes penale të ish-detektivit. Ky u hap në mirëbesim tek unë. Miqësia me Hamit Melin u bë shkak që unë të lidhesha më vonë tërthorazi me grupin komplotist të Guri Stretos. Ilir Hoxha i njeh në detaje këto të vërteta të dokumentuara. Ai duhet të tregojë sot se ku gjendet ish-zëvendësi i tij në detyrë, Guri Streto, i cili ishte përkohësisht edhe baxhanak i tij (i martuar ditën e enjte më 26 janar 1984). Ilir Hoxha duhet të tregojë gjithashtu ku gjenden aktualisht dy vëllezërit Hamit e Dari Meli, si edhe të pohojë rrethanat e vërteta të vdekjes së dy heronjve të rënë në prill-maj 1984, të cilët prehen në varrezat e Tiranës. Ata u varrosën me madhështi e të dekoruar si të rënë në krye të detyrës, por e vërteta është krejt tjetër. Përndryshe unë, i burgosur politik në vitin 1984 (qysh prej vitit 1978), nuk kisha nga ta dija se Fatmir Merdari është goditur natën me dy plumba pas shpine prej një distance të afërt, ndërsa Afrim Pahia ka kryer tentativë vetëvrasjeje, duke përplasur fort kokën pas murit në çastin e arrestimit me urdhër të Ilir Hoxhës. Ka vdekur në spital. Nëse u bëhet ekspertiza skeleteve të këtyre dy heronjve (mbasi t’iu jetë bërë më parë analiza e ADNsë), gjithçka bëhet e qartë edhe për më naivin e shqiptarëve. Por, normalisht, nuk lind nevoja të ndjekësh gjurmët, kur ujkun e ke përpara syve. Ilir E. Hoxha di gjithçka dhe e di shumë mirë ku i ka arkivuar dosjet e kësaj ngjarjeje, një substrakt i së cilës i është treguar edhe ekspertit belg që shqyrtoi dosjen time. Është në të mirën e krerëve të korruptuar të politikës shqiptare dhe të vetë Ilir Hoxhës që gjithçka t’i bëhet e ditur sot popullit shqiptar, para se ky t’i detyrojë ata të shprehen kundër dëshirës së tyre për një gjë të tillë. Tekefundit shqiptarët në këtë rast nuk do të kërkojnë asgjë më tepër se hapjen e dosjeve të një ngjarjeje të para 27 vjetësh. Të tjerat vijnë vetë pastaj… Institucionet, dokumentet, historia janë pronë e popullit shqiptar, jo e qiraxhinjve politikanë. Ashtu siç janë edhe heronjtë e atyre ngjarjeve bij të popullit e jo të politikanëve. Ndërkohë normat e demokracisë amerikane, opinioni i shëndetshëm publik amerikan, media e fuqishme amerikane si një pushtet i katërt real, ia bëjnë të pamundur diplomacisë amerikane dhe CIAs fshehjen e mëtutjeshme të një skandali që ndriçohet sadopak. Populli shqiptar është proamerikan nga natyra dhe ky është një virtyt, ndërkohë që po jetojmë epokën e qytetërimit amerikan. Por miqësitë në politikë nuk mbahen symbyllas: ky është një ves fatal, i cili jo vetëm që kushton tepër shtrenjtë, por bëhet shkak të fitosh edhe përbuzjen e mikut të pasinqertë, duke të quajtur të padenjë për miqësinë e tij. Një ndër presidentët më të respektuar amerikanë, Ronald Regan, pas pushtimit të Grenadës së vogël më 1983, deklaroi: «Nuk mund të jemi të pafajshëm në një botë që nuk është e tillë.» Ne duhet t’ua bëjmë të qartë sot me argumente miqve tanë amerikanë fajin që ka bërë CIA dhe dipolmacia e fshehtë amerikane ndaj Shqipërisë në maj 1984, ashtu si dyzetë vjet para kësaj date.

    Ne dëshirojmë me gjithë zemër të jemi miq të amerikanëve, por nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë që trojet tona në jug të Shqipërisë dhe në veri të Kosovës e ndofta më gjerë, t’iu shërbejnë atyre për ujdi politike me Rusinë në Afganistan, Iran, apo në hartën e re gjeopolitike të Afrikës. Ne nuk mund dhe nuk duhet të pranojmë që, për hir të një miqësie fiktive, kombi ynë, tejet i dobësuar e aktualisht në një proces shpërbërjeje të dukshëm, të tretet me kalimin e kohës si kripa në ujë në Unionin Ballkanik – ide kjo e hedhur rishtas prej diplomacisë amerikane në marrëveshje me BE. Të gjitha shenjat janë të qarta se kush do ta dominojë Unionin Ballkanik, ndërkohë që, siç shprehej dikur patrioti i shquar Sali Nivica, Serbia është Rusia prapa kodrës dhe Greqia, Rusia prapa malit. Ende pa u formuar ky Union, Greqia po avancon lirshëm në Shqipërinë e Jugut dhe Serbia është ulur këmbëkryq në veri të Kosovës dhe në enklavat e saj brenda territorit të Kosovës. Ndërkohë Serbia, me ndihmën e Ilir Metës e të kryeministrit, pretendon për minoritet edhe në Shqipëri.

    Politikanët e Tiranës, të cilët janë të gjithë me origjinë komuniste, kanë sot një shanc historik, për të shpëtuar veten e tyre dhe kombin nga baltovina e pështirë ku po fundosen çdo ditë. Njëzet ish-kuadrot e rëndësishëm të DSJ-së, për të cilët bëhet fjalë, rrjedhin nga familje të mirëfillta komuniste; kjo imagjinohet lehtë, gjersa dihet se biografia politike ishte busulla e diktaturës. Më të moshuarit e atyre burrave sypatrembur janë sot 62 vjeç dhe gëzojnë shëndet të shkëlqyer. Shumë prej politikanëve të sotëm të Tiranës ka të ngjarë të kenë miqësi apo njohje të afërta me ata të njëzetë ose me familjarët e tyre, mbasi të dy palët i përkisnin pjesës më të privilegjuar të shoqërisë shqiptare nën diktaturë. Në këto rrethana tejet të favorshme për ta, politikanët e sotëm shqiptarë nuk duhet të ngurrojnë për t’iu mundësuar atyre trimave rikthimin zyrtarisht në atdhe. Ata të njëzetë do të shërbenin si një kontigjent i shkëlqyer për zgjidhjen e situatës kritike shqiptare, mbasi gëzojnë mirëbesimin e plotë të autoriteteve amerikane dhe janë të mbrujtur tashmë me kulturën politike e qytetare të Amerikës demokratike. Si rrjedhojë, ata janë shumë të besueshëm prej autoriteteve të SHBA, mbasi kanë dhënë prova aftësie e guximi në kuota të tilla, ku politikanëve të rëndomtë shqiptarë nuk u shkon dot as fantazia. Ata trima atdhetarë do të mundësonin një fazë të re e të shëndetshme të miqësisë shqiptaro-amerikane dhe një klimë të favorshme mbarëshqiptare për një Lidhje të Tretë.

    Në kasafortat e diplomacive të mëdha ekziston gjithmonë edhe një plan B për çështjet në proces. Politikanë të Prishtinës, Gjithë duke e vlerësuar kontributin amerikan për bombardimin e Serbisë nga NATO, ne nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se politika nuk udhëhiqet kurrë prej bamirësisë, por nga kalkulimet e interesit perspektiv. Dhe kjo është e natyrshme; e kundërta do të ishte utopi. Po nuk kuptuam kaq gjë, Ndërkombëtarët kanë të drejtë të na trajtojnë si një popull naiv, i sapozbritur prej pemëve. Dymbëdhjetë vjet pas bombardimeve të NATOs, realiteti po tregon se SHBA nuk e çliruan Kosovën me qëllim që ta bënin një shtet të fortë e të qëndrueshëm (kur u intereson, ata dinë më mirë se kushdo tjetër në botë ta realizojnë diçka), por për ta pasur si resto hesapesh politike në sirtarët e diplomacisë së tyre të fshehtë. Ndonëse Millosheviçi vdiq në burg, Serbia sot jo vetëm nuk trajtohet si shtet agresor, por dalëngadalë asaj po i krijohen koniuktura të tilla politike që e bëjnë optimiste për rifitimin gradual të Kosovës. Ndërkohë që Veriu i Kosovës është realisht nën zotërimin serb dhe enklavat e manastireve shënojnë plasdarmet e ardhshme të Serbisë ndaj Kosovës së rraskapitur, Greqia po anekson në mes të ditës Jugun e Shqipërisë. 354,3 km² të detit Jon iu falën Athinës nga kryeministri shqiptar. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e pezulloi atë, por kryeministri filogrek, i cili është shqiptar vetëm nga pasaporta, ka autorizuar sërish bisedime të kundërligjshme në heshtje, për ta rivlerësuar paktin antikombëtar të detit. Nuk duhet harruar për asnjë çast se ai det nuk u përket vetëm shqiptarëve të Shqipërisë, por edhe atyre të Kosovës e më gjerë. Mirëpo sipas të gjitha gjasave, kryeministri shqiptar ka ndërmend t’ia bëjë këtë dhuratë Athinës në vjeshtë, me rastin e festës së tyre. Së bashku me regjistrimin e popullsisë sipas besimit fetar.

    Natyrisht, gjersa grekët po u ndërrojnë kombësinë eshtrave të të vdekurve shqiptarë, për t’i përdorur pastaj si sinorë të Vorioepirit në Korçë e gjetkë, pse të mos bëjnë të njëjtën gjë edhe me të gjallët e një populli të braktisur prej kreut të tij?

    Ndërsa para autoriteteve të Athinës kryeministri ynë qëndron kokulur si ndonjë vajzë e ndrojtur, qytetarët paqësorë shqiptarë ai i vret pa gjë të keq në mes të bulevardit, pastaj hedh valle me eunukët e partisë së tij, disa metra matanë pllakave të përgjakura. Dhe për të gjitha këto akte antishqiptare e antinjerëzore, pa llogaritur korrupsionin më të madh në Evropë dhe ngujimet e gjakmarrjes mesjetare të mijëra familjeve, ambasadori amerikan në Tiranë i akordoi titullin burrë shteti. Dihet se për të kryer punë të pisëta në vendet pa zot, nevojiten instrumente të pisët, me etiketë të ndryshuar. Ky është një mësim i lashtë i historisë.

    Natyrshëm lind pyetja: Nëse SHBA do të ishin miq të sinqertë të shqiptarëve (në Kosovë e Shqipëri), a do t’i stimulonin vallë këto veprime kaq të dëmshme në vendet tona respektive? A do të akuzohej aq rëndë kryeministri i Kosovës në prag të dialogut me Serbinë dhe mandej gojët akuzuese të heshtnin si me magji, mbasi të merrte rrugë ky dialog me leverdi të njëanshme?

    Nuk është e nevojshme të jesh politikan, për të kuptuar se gjashtë milionë izraelitë bëjnë ligjin në mes të qindra milionë arabëve, duke mos zbatuar as rezolutat e OKBsë, vetëm pse janë aleatë strategjikë, pra, miq të amerikanëve. Atëherë, si mund të mendojmë ne se amerikanët na vlerësojnë vërtet si miq, ndërkohë që kombi ynë po shkon qartazi në shpërbërje graduale, populli shqiptar në Kosovë e Shqipëri po vuan të zitë e ullirit i nëpërkëmbur prej serbëve e grekëve, dhe amerikanët u thonë kryeministrave tanë “kështu vazhdoni, se e keni mirë” ? «Miqësi» të tilla kanë kosto më të lartë se armiqësitë e shpallura. Jo, angloamerikanët kanë qenë miq të Enver Hoxhës dhe të bëmave të tij antishqiptare qysh prej Luftës së Dytë Botërore, për hir të objektivave të politikës së tyre në rajonin e Ballkanit. Këtë mbështetje të hapur ndaj diktaturës së Enver Hoxhës ata e përsëritën edhe në maj të vitit 1984. CIA vazhdon t’i mbajë edhe sot në Amerikë njëzet komplotistët që rrezikuan jetën në luftë kundër diktaturës (dy prej atyre ranë në atë luftë), ndërsa i biri i diktatorit, Ilir Hoxha, është beniamin i tyre edhe sot. Populli shqiptar duhet ta bëjë të flasë ish-Drejtorin e DSJsë, i cili di shumë për veprimtarinë agjenturore të babait dhe të tijën. Dalja në dritë e të vërtetës së ngjarjeve të majit 1984 është domosdoshmëri jetike për popullin e për kombin shqiptar, nëse duam të kemi vërtet të ardhme të denjë. Ne duhet të bëjmë çmos që autoritetet amerikane ta njohin zyrtarisht padrejtësinë që i kanë bërë popullit e kombit tonë, t’i kompensojnë dëmet e shkaktuara konform ligjeve përkatëse dhe ta korrigjojnë në të ardhmen shënjestrën e diplomacisë së tyre ndaj kombit shqiptar. Në arkivin e shërbimit sekret shqiptar ekzistojnë të gjitha dosjet përkatëse, që mundësojnë zbardhjen e kësaj çështjeje jetike brenda një gjysmë ore. Nuk ka forcë që ta mposhtë të vërtetën. Politikanët e opozitës kosovare janë në pozicion të përshtatshëm për të dhënë një kontribut të çmuar në këtë drejtim, pa u ndikuar as prej pushtetit të Tiranës e as prej atij të Prishtinës. Popullarizimi i këtij problemi madhor do të vinte në lëvizje median e fuqishme amerikane, zëri i së cilës dëgjohet me vëmendje prej institucioneve autoritare të Washingtonit, si Kongresi apo qeveria federale. Është e sigurtë se zbardhja e kësaj çështjeje jetike do të shënonte një erë të re si në marrëdhëniet amerikano-shqiptare edhe për të ardhmen e popullit dhe të kombit shqiptar.

    Zoti Ambasador Arvizu

    Dosja ime si azilant politik në Bruksel ka trajtën e një aktakuze ndaj CIAs. Vetëkuptohet që bëhet fjalë për një aktakuzë të mbështetur në prova të pakundërshtueshme, përndryshe ajo nuk do të pranohej kurrë prej aleatëve tuaj të Brukselit. Depozitimi, pas shumë përpjekjesh, i asaj aktakuze më ka kushtuar shtrenjtë. Jo vetëm që autoritetet belge më lanë shtatë vjet e gjysmë pa dokumentet përkatëse, por gjatë gjithë kohës, edhe tani, jam i privuar nga e drejta e komunikimit me median belge, si edhe nga e drejta për të pasur një avokat. Kam shkuar edhe në Luksemburg, Francë e gjetkë, për të siguruar një avokat. Nuk ka vonuar shumë dhe ata janë tërhequr, të sinjalizuar prej dikujt. Kjo këmbëngulje për të fshehur një të vërtetë dramatike, që po çon drejt një perspektive të zymtë kombin dhe popullin shqiptar, më bënte më të vendosur për të hedhur me çdo kusht dritë mbi të, megjithëse kisha dy fëmijë të vegjël dhe po ballafaqohesha me disa vështirësi të paparashikuara, të organizuara prej atyre që teorikisht i ngrejnë në qiell të drejtat e njeriut. Ju jeni diplomat karriere i një superfuqie dhe i kuptoni më lehtë se kushdo tjetër edhe ato që unë nuk i them dot në këtë shkrim. «Diplomacia është një polici me kostum madhështor», ka thënë Napoleoni. Këto fjalë të gjeniut korsikan m’u kujtuan atë ditë kur ju i akorduat titullin burrë shteti vrasësit gjakftohtë të katër bashkatdhetarëve të mi paqësorë. Ju mund të thoni me të drejtë: «Para se të vriste ata të katër, ai dhe bashkëfajtorët e tij kanë vrarë disa mijëra shqiptarë më 1997–’98, vranë fukarenjtë e Gërdecit e po tallen prej vitesh me dosjen e tyre gjyqësore, po lënë të vriten përditë familjet e ngujuara nga gjakmarrja, pastaj vranë ata të katër më 21 janar 2011. Natyrisht, ekspertët amerikanë, pas një sorollatjeje të gjatë, do të shpallin fajtorë dy-tri koka turku. Ra shi, e piu dheu. Tekefundit gjaku shqiptar dëm ka shkuar përherë.» Po, kjo nuk do të jetë një risi, z. Ambasador. Kështu veprohet në kolonitë e pashpallura, ku ambasadorët amerikanë luajnë rolin e diplomatëve–guvernatorë. Shpresoj se kjo gjendje nuk do të vazhdojë më në trojet shqiptare, mbasi të ndriçohet e vërteta që po mbahet e kyçur në arkivat e shërbimit sekret shqiptar, si edhe në Langley. Do të ishte në të mirë të prestigjit të superfuqisë që përfaqësoni ndërhyrja juaj për ta bindur burrin e shtetit, që të urdhërojë zbardhjen e asaj të vërtete të madhe me hapjen e dosjeve përkatëse. Gjithashtu ju mund t’i sugjeroni edhe mikut të preferuar të CIAs, Ilir Hoxhës, të japë kontributin e tij për zgjidhjen e shpejtë të një çështjeje të qartë si drita e diellit. Ndihmesë mund të japin edhe katër kriminelët e afirmuar të Sigurimit të Shtetit të diktaturës komuniste, të cilët punojnë në ambasadën tuaj prej dy dekadash, së bashku me shumë kolegë të tjerë të sojit të tyre. Në një libër të botuar para një viti në Tiranë me titull Heronjtë e Kotësisë, unë kam publikuar një listë me emrat e 26 Sigurimsave shqiptarë të inkriminuar, të cilët punojnë në ambasadën tuaj kundër rregullave të parashikuara në pikën 35 të formularit të aplikimit për punësim të miratuar nga DASH, i cili ndalon punësimin në atë ambasadë të ish-komunistëve, ish-fashistëve dhe ish-dëshmitarëve në hetuesi ose gjyq të të burgosurve politikë në kohën e diktaturës. Shumica dërrmuese e të punësuarve shqiptarë në ambasadën tuaj i përkasin pikërisht kategorisë të tre «ishave » të lartpërmendur, ndërsa ata të 26 kanë të kaluar kriminale. Për ilustrim po ju citoj vetëm emrin e njërit prej atyre 26 keqbërësve të popullit shqiptar, që ju vazhdoni t’i strehoni e t’i ushqeni në ambasadë. E quajnë Rrapo Hazizi, nga Skrapari. Ka qenë shef i kufirit të Jugut në Shqipëri deri më 1991. Prej datës 3 shkurt 1990 deri në 23 gusht 1990 (pak më shumë se 6 muaj) me urdhër të mysafirit tuaj të nderuar, Rrapo Hazizi, janë vrarë në pika të ndryshme të kufirit të Jugut 23 djem shqiptarë me moshën mesatare 27 vjeç, në një kohë që me ligj arratisja në këtë periudhë nuk cilësohej më “tradhti ndaj atdheut” dhe neni përkatës i Kodit Penal parashikonte si dënim maksimal pesë vjet burg. Në faqen 269 të librit “Heronjtë e Kotësisë” është botuar lista e plotë e 23 viktimave të pafajshme të kryemikut tuaj, Rrapo Hazizi, me emër, mbiemër, rrethi ku ka lindur secili prej tyre, mosha, posta kufitare ku është vrarë dhe data e saktë e vrasjes. Biznesmeni i sukseshëm amerikano-shqiptar, Geri Kokalari, i ka shkruar dy herë DASH-it për 26 kriminelët e Sigurimit të Shtetit diktatorial, që ambasada amerikane në Tiranë po strehon prej dy dekadash, duke abuzuar me nenin 35 të formularit të aplikimit për tu punësuar atje. Mirëpo gjithçka bie në vesh të shurdhër… I citova këto detaje për të treguar se, kur ua kërkojnë interesat e kamufluara, amerikanët i shkelin pa teklif rregullat dhe ligjet e tyre. Ashtu siç kanë shkelur edhe parimet bazë të demokracisë, duke mbështur për gjysmë shekulli një diktator mizor si Enver Hoxha, për hir të synimeve të fshehta në rajonin problematik të Ballkanit. Natyrisht, ju zbatoni udhëzimet që ju jepen dhe kjo është normale. Mirëpo do të jetë diçka krejt anormale, sikur ju të porositni nën zë burrin e shtetit, që të mos lejojë zbardhjen e çështjes për të cilën po ju shqetësoj, ndërkohë që ajo është e vetëzbardhur, veçse duhet pranuar zyrtarisht nga Tirana dhe nga Washingtoni.

    Motra e Vëllezër shqiptarë, kudo që gjendeni

    Në historinë e dhimbshme të popujve të nëpërkëmbur, por mjaft rezistentë ndaj së keqes, ka një çast të papërsëritshëm kur Zoti i shpërblen ata, duke u ofruar mundësinë e shpëtimit të përhershëm me një çmim modest. Ky është sahati i bekuar i historisë së tyre, që vjen si kompensim i gjakut të derdhur pa hesap, i djersës së shkuar lumë në dobi të keqbërësve, i vuajtjeve shekullore të një populli që ka mbijetuar gjithmonë me shpirt ndër dhëmbë, por që nuk ka mundur kurrë të jetojë në mënyrë të denjë. Ky shanc historik nuk u paraqitet të gjithë popujve të vuajtur, por vetëm atyre që kanë vuajtur më shumë se të tjerët dhe kanë rezistuar më shumë se të tjerët. Cili popull i Evropës ka vuajtur më shumë se shqiptarët dhe cili komb evropian është masakruar sa kombi ynë? Sot shqiptarët kanë në duart e tyre mundësinë e zgjidhjes rrënjësore të problemit shoqëror e kombëtar në mënyrë të qytetëruar. Ne jemi në gjendje t’i argumentojmë në mënyrë bindëse shtetit më të fuqishëm të botës – superfuqisë amerikane – se na ka borxh lirinë e sabotuar në favor të diktatorit Hoxha dhe, si rrjedhojë e paevitueshme e këtij veprimi, shkrehjen e kombit, që po shkon gradualisht drejt shpërbërjes përfundimtare. Provat për këtë janë të shumta e të shumëllojshme. Të njëzet e dy komplotistët kanë dosjet e tyre në arkivin e shërbimit sekret shqiptar, si edhe nga një album fotografish, që ilustron misionet e tyre më të rëndësishme të kryera jashtë atdheut. Dosja ime në Bruksel është një akuzë e mirëfilltë ndaj CIAs për ngjarjet e atij komploti të sabotuar. Gjithë përmbajtja e dosjes është verifikuar një për një prej ekspertit belg, që ka shkuar posaçërisht në Tiranë. Si përfundim, asnjë detaj i saj nuk është hedhur dot poshtë. Ajo është vulosur e kyçosur në kasafortë. Përballë provave dokumentare, me protagonistë ngjarjesh të gjallë e të vdekur, me dosje e me albume në arkivat sekrete të Tiranës e në Langley, ato ngjarje nuk mund të mohohen dot më prej kurrkujt. Veçse duhen hedhur hapat e nevojshëm që Tirana vasale dhe Washingtoni padron t’i pranojnë ato zyrtarisht. Nuk është në stilin qeverisës dhe në natyrën e shtetarëve amerikanë që të heshtin e të fshihen si struci, kur një popull u kërkon me zë të lartë që të prononcohen rreth një akuze që bie mbi ta. Veçse vendosmëria në veprim është gjithmonë e domosdoshme për zgjidhjen e problemeve madhore. Ne jemi dëshmitarë të luftës heroike që po bëjnë popujt e Afrikës për lirinë e tyre. Ndërsa shqiptarëve nuk u kërkohet sot një sakrificë e tillë për të fituar lirine dhe dinjitetin kombëtar të nëpërkëmbur. Në këto kushte, le të tregohemi të paktën një herë popull i ndërgjegjësuar e jo turma të çoroditura, të cilave nuk iu bën më përshtypje përçarja e sundimi. Ata të njëzetë duhet t’i çlirojmë ne prej CIAs, mandej është radha e atyre të na çlirojnë prej skllavërisë së dyfishtë. Për të arritur këtë objektiv madhor, duhet të luftojmë të gjithë së bashku, shqiptarë të Kosovës e të Shqipërisë, pa dallim bindjeje politike e ngjyrash partiake – thjesht si SHQIPTARË. Ne duhet t’i detyrojmë patjetër politikanët tanë t’i japin rrugë pa vonesë zgjidhjes së kësaj çështjeje vendimtare, për të cilën disponohet një dokumentacion i pasur, që hedh dritë të plotë mbi të gjitha detajet. Po hoqëm dorë nga zgjidhja e këtij problemi lehtësisht të zgjidhshëm, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se kemi hequr dorë përfundimisht nga liria dhe dinjiteti ynë si popull e si komb. Në këtë mënyrë ne do t’i nënshtrohemi vullnetarisht një skllavërie pa fund në shekullin XXI, duke mbajtur përgjegjësi për të ardhmen e zymtë të fëmijve tanë, të brezave që vijnë, si edhe për kombin e kërcënuar nga shpërbërja graduale.

    Agim Hamiti
    P.S. Kush është i interesuar për të lexuar dy vëllimet e librit “Odiseja e një Detektivi”, për të cilin bëhet fjalë në artikullin e mësipërm, mjafton të dërgojë një kërkesë të thjeshtë në e-mailin tim: [email protected] dhe unë do t’i a nis atë falas në pdf.

    Reply to this comment
    • aldo çami February 3, 21:15

      Nuk behet stan me lepuj. Edhe demokracia nuk behet me spiune e komuniste sic sugjeron zotrote. Ik e ha ndonje luge corbe andej nga Brukseli,se mos ta presin dhe ate

      Reply to this comment
  2. Turi May 13, 23:55

    Ambasada amerikane dhe ajo angleze para se të largoheshin pas 1944 i shërbyen instalimit të komunizmit. Kushdo që shkonte në këto ambasada dhe dorzonte informacione sekrete për terrorin dhe pushkatimet që bënte komunistat mbi njerëz të pafajshëm menjëherë ja dorzonin Ministrisë Brendshme. Radio Londra pas 1944 bënte politikën e mashtrimit se qeveria komuniste do bjerë shpejt dhe shum patriota dolën malit me shpresë se Anglia dhe amerika do t?i ndihmonte kryengritsit antikomunistë. Kjo ishte loja për me i nxit antikomunistat me dalë malit dhe mandej me i dërguar ushtrinë dhe forcat e ndjekjes policore, ku të gjithë këto grupe intelektualësh dhe klerikësh u ekzekutuan dhe trupa anglo-amerikanë nuk ndërhynë kurrë. Mbasi i pastruan malet nga antikomunistët komunistat u larguan anglo-amerikanët sepse misioni i tyre kishte marrë fund në instalimin komunist sipas Traktatit të Jaltës të 1945, ku ishin firmosë nga terroristi stalin dhe protestanti amerikan, presidenti Ruzvelti dhe çifuti Çurçill që të kontribonin në instalimin e komunizmit në gjysmën e Europës sikurse ndodhi. Prandaj si të djathtët ashtu dhe të majtët në amerikë janë të lidhur me socialistët dhe komunistët sepse këta i duhen prapë për t?i përdorë nnëse rigjallërohen atdhetarët dhe klerikët katolik në mbrojtje të Shqipnisë nga çdo ndërhyrje ambasadorësh në punët e shtetit sikurse përzihen ambasadorët amerikanë sikur ta kishin koloni të tyre.

    Reply to this comment
  3. Genc Kol Hoti July 1, 23:45

    Zoti Agim Hamiti që është autori i disa romaneve. në kohën që ka vedekur Enver Hoxha,ndodhej në burg politik.Komanda vendosi që të burgosurit ti nisnin një telegrom nënës Nexhmije që ta ngushllonin për vdekjen e diktatorit një nga të burgosurit ishte Agim Hamiti që firmosi telegramin.Shumë pak të burgosur pranuan të firmosnin.
    Së shpejti ai telegram do botohet ne disa gazeta dhe Agimi do shohi emrin dhe firmën e tij

    Reply to this comment
    • genc kol hoti August 6, 08:24

      Me emrin tim dikush “i panjohur” abuzon. Nuk jam une ai qe e kam shkruar rreshtat e mesiperm dhe kjo e ka nje aresye. Po te lexoni artikullin “Si armiqesohet populli brenda vetes” tek blogu: genchoti.com do te kuptoni aresyen perse sajohen te gjitha keto.

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*