Shkodra gdhihet nën pushtetin e ujit, 4900 ha tokë e pëmbytur

Redaksia Online March 15, 2013 16:06

Shkodra gdhihet nën pushtetin e ujit, 4900 ha tokë e pëmbytur

Të paktën 2000 hektarë tokë janë gdhirë nën ujë mëngjesin e sotëm, si pasojë e reshjeve të dendura dhe hapjes së portave shkarkuese të katër HEC-eve. Situata më e vështirë paraqitet në Shkodër, Vlorë, Fier, Elbasan e Krujë.

Në Shkodër, aktualisht janë 315 shtëpi janë të izoluara krejtësisht nga uji, ndërsa sipas raportimeve të fundit, të paktën 120 familje janë evakuuar. Në zonat periferike të Shkodrës, si në Ajasën mësohet se janë evakuuar rreth 20 familje, ndërsa në Bërdicë janë evakuuar 55 të tjera. Edhe në Bahçallëk janë evakuuar 20 familje, ndërsa 25 të tjera në Kuç. Fshati Obot është tërësisht i izoluar nga uji.

Probleme janë shfaqur edhe në tokat e Trushit të Poshtëm, si dhe pranë urës së Gjo Lulit. Po kështu zona tek fshati i ri në Bushat ka prani të konsiderueshme uji. Reshjet e shiut kanë sjellë problem dhe në rrethin e Pukës dhe atë të Malësisë së Madhe.

Në lagjen “Culaj” në Koplik dhe në fshatin Gruemirë në komunën e Gruemirës ka gërryerje dheu dhe rrëshqitje toke duke rrezikuar banesa. Shaqir Hasmujaj, banor në këtë lagje thotë se shirat kanë sjellë rrëshqitje toke dhe shtëpia e tij është bërë e pabanueshme.

 

Berat

Prurjet e shumta të lumit Osum kanë rrëzuar rrëzojnë 5 shtylla të nënstacionit elektrik, duke lënë pa energji 1800 familje në fshatrat Valabisht, Starovë, Palikisht e Gjarovë.


Bulqizë

Shembja e urës Kamerjet në komunën Zerqan ka izoluar katër fshatra.

 

Përmet

Një rrëshqitje dheu e ndodhur gjatë orëve të natës bllokoi qarkullimin në aksin rrugor që lidh Këlcyrën me Përmetin. Sipas informacioneve të autoriteteve lokale, bllokimi ka ndodhur në vendin e quajtur Kuqar, ku kalimi u bë i pamundur, ndërsa dy fadroma punuan për hapjen e aksit që të çon në pikën doganore të Tre Urave. Shkak për këtë rrëshqitje jo të vogël janë bërë reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin, të cilat në disa zona kanë qenë me intensitet të madh.
Krujë

Dalja nga shtrati i lumit Ishëm ka përmbytur tokat në Bubq e Thumanë. 30 familje në këto zona janë izoluar brenda shtëpive të tyre. Niveli i ujit në këto zona është rreth 50 cm. Ndërsa në Morqinë, Bilaj, Mallkuc, Mazhë sipërfaqja e përmbytur është rreth 400 ha tokë, për shkak të mosfunksionimit të hidrovoreve.

Elbasan

Dalja nga shtrati e lumit Devoll ka bërë të pakalueshëm aksin rrugor që lidhe Elbasanin me Gramshin. Qarkullimi në këtë aks bëhet vetëm nëpërmjet rrugës së vjetër.

Fier

Dalja nga shtrati e lumit Vjosë ka përmbytur të paktën 100 hektarë tokë në fshatrat Hekal dhe Kutë të Mallakastrës. Përmbytje si pasojë e daljes së Vjosës ka pasur edhe në fshatrat Tojkan dhe Cerven të komunës Frakull. Afrimi i nivelit të ujit drejt pikës kritike ka bërë që policia të vërë në gatishmëri barkat e shpëtimit.

Vlorë

Dhjetarë shtëpi janë përmbytur nga ujërat e lumit Vjosë në fshatin Fitore.  Gjithashtu, përmbytje ka pasur në fshatrat Poro, Bishan, Delisuf, Dellinj.

Tiranë

Ndërsa Dita e Verës ka qenë thjesht një festë në kalendar për shkak të reshjeve të shumta të shiut, zona të ndryshme të Tiranës janë përballur me mungesën e energjisë elektrike për orë të zgjatura dhe duke mos ditur se kur do të bëhej rikthimi. Ndërkohë që qarkullimi nuk ka qenë i rënduar për shkak se si ditë pushimi, njerëzit kanë zgjedhur shumica të qëndrojnë në shtëpi, por nga ana tjetër rrugët dhe trotuaret kanë pasur një rritje të nivelit të ujit duke krijuar probleme dhe për lëvizjen e këmbësorëve.

Reshjet dhe bllokimi i kanalizimeve kanë shkaktuar përmbytje në Kamzë. Mësohet se janë janë të shumta banesat dhe bizneset të cilave uji u ka hyrë në katet e para, duke dëmtuar orendi, si dhe mallra. Problematike ka qenë situata edhe në zonën e Laknasit, ku fryrja e lumit të Lanës ka dalë nga shtrati duke përmbytur disa biznese

 

Pukë

Në zonën e Pukës ka pasur rrëshqitje toke nga reshjet në fshatin Gojan i Vogël në komunën Gjegjan ku është bllokuar tuneli i rrugës që e lidh këtë komunë me Fushë-Arrësin.

Burrel

Ndërkohë reshjet kanë dëmtuar mëngjesin e së enjtes rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike që furnizon qytetin e Burrelit. Për shkak të lëvizjes së tokës nga sasitë e mëdha të shiut dhe erës së fortë janë dëmtuar dy shtylla të tensionit të mesëm në vendin e quajtur Muzhakë të Komunës Komsi, pranë varrezave të dëshmorëve. Ka pasur ndërhyrje nga njësia e shpërndarjes në zonë për rivendosjet e dy shtyllave dhe bërjen e mundur të rikthimit të energjisë.

 

Durrës

Rreth 200 banesa janë përmbytur në Durrës, ndërkohë që vetëm në Porto Romano janë rreth 80 banesa të përmbytyra për shkak të bllokimeve të kanaleve të ujërave të larta, të cilat pasi janë tejmbushur janë çarë duke shkarkuar në të gjithë zonën dhe duke hyrë në banesa të ndryshme. banorët janë shprehur se përmbytjet i kanë dëmtuar jashtë mase, ndërkohë që të zemëruar kanë dekluar se ende nuk kanë marrë dëmshpërblim për përmbytjet e mëparshme.

Ndërkohë në rrugët e qytetit kanë ngelur në ujë rreth 600 mjete, të cilave mësohet se u janë prishur motorët. Situata vazhdon të jetë e rëndë.

 

Lushnjë

Ndërkohë moti me stuhi ka shënuar edhe një viktimë. 50-vjeçari Jorgo Goga nga Krutja e Lushnjës ka gjetur vdekjen si pasojë e një rrufeje. Mësohet se rrufeja është shkarkuar përmes tubit të sobës së zjarrit që familja e 50-vjeçarit përdorte për ngrohje.

 

 

 

Redaksia Online March 15, 2013 16:06
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*