“Hapja e dosjeve” po shtyhet se qeveria tallet me programin e vet

June 16, 2016 21:57

“Hapja e dosjeve” po shtyhet se qeveria tallet me programin e vet

Publicisti dhe një nga njerëzit që mëtohet se do jetë në Autoritetin e Hapjes së Dosjeve shprehet hidhur për vonesën e shtyrjes së këtij procesi dhe që nuk figuron përfundimisht në këtë sesion parlamenti. Cilët e pengojnë dhe cilat janë arsyet themelore, sipas tij, që asnjë qeveri nuk është e interesuar t’i shkojë në fund këtij procesi…

Intervistoi Ben Andoni

Javët e fundit Daut Gumeni ka sjellë për publikun një monodramë, e cila tregon individin përballë mjedisit të sotëm ku jeton. Anipse edhe pse gjuha teatrore i flet një publiku, duket se impaktin më të madh e ka e folura direkt. Dhe, këtë ka bërë për Javaneës, duke treguar realisht sepse po vonohet Ligji për Hapjen e Dosjeve, por edhe mungesën e vullnetit: duke e quajtur tallje të qeverisë me programin e vet.

Politika shqiptare ka kohë që ka treguar një mungesë totale vëmendje ndaj Hapjes së Dosjeve. Arsyeja duket e qartë për disa personalitete, por krejt konfuze për publikun e thjeshtë. Po pse vallë edhe pas 25 viteve nuk hapen dosjet?

Ditët e fundit me publikimin e programit të kalendarit të punimeve të Kuvendit u pa se nuk ekzistonte data e konstituimit të komisionit të Hapjes së Dosjeve. Deri më tani, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka verifikuar dhe pajisur me certifikata sigurie 9 kandidatë nga 11-syresh, që do punojnë në këtë Komision. Është mëtuar se puna më e vështirë ka qenë verifikimi i figurave, por realisht nuk duket fare kjo. “Duket sheshit që qenka vërtetë e vështirë hapja e dosjeve të zullumeve dhe zullumqareve të diktaturës, sepse nuk ka asnjë shpjegim tjetër vonesa e gjatë kohore për miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë i Autoritetit përkatës për zbatimin e ligjit të miratuar prej kohe. Them vonesë e gjatë, sepse pas miratimit të Autoritetit, do kohën e vet edhe ngritja e Sekretariatit të nevojshëm për zbatimin e duhur të Ligjit mbi Hapjen e Dosjeve. Fakti që nuk është ngritur ende Autoriteti i parashikuar në ligjin e miratuar prej gati një viti, dëshmon se një gjë e tillë nuk ka marrë dot vëmendjen e nevojshme nga instancat e ngarkuara me ligj për të vendosur hyrjen në fuqi të ligjit përkatës”, shprehet Daut Gumeni te Javaneës.

Në fakt, Ligji për Hapjen e Dosjeve është shkelur sistematikisht nga dy partitë kryesore. Në fillim të mandatit të tij, qeveria Rama u investua bashkë me vetë kryeministrin, por për hir të së vërtetës, e gjitha ka dalë fiasko. Konform ligjit, Kuvendi duhej të zgjidhte anëtarët e Autoritetit, kurse Këshilli i Ministrave duhej t’i përgjigjej me përgatitjen e akteve nënligjore për procedurën e kalimit në administrim të Autoritetit të materialeve arkivore, parashikuar nga nenet 14 dhe 15, por edhe modalitetet e ruajtjes së tyre. Me rradhë duhej të vihej në punë rregullorja e organizimit dhe funksionimit dhe kështu me rradhë. Pak individë janë investuar realisht veç Gumenit, kurse një punë të mundimshme duke investuar të gjithë staturën e vet e bëri dhe ish-zv/ministria Gentiana Sula, madje specifikisht për kërkimin e të zhdukurve, një proces, që megjithë sinjalet pozitive (është gjetur një grant), duket se ka mbetur edhe ajo.

“Ndarja e politikës nga krimi duhet të nisë me hapjen e dosjeve të zullumeve të politikës, të drejtësisë, të diplomacisë, të medias, të arsimit, të shoqërisë civile, e cila tek ne është një repart paraushtarak i pushtetit të radhës, me hapjen e dosjeve të përndjekësve të djeshëm e të vetë të përndjekurve të diktaturës”, insiston Gumeni.

Pse është kaq e vështirë ngritja e strukturës për hapjen e Dosjeve?

“Duket sheshit që qenka vërtetë e vështirë hapja e dosjeve të zullumeve dhe zullumqareve të diktaturës, sepse nuk ka asnjë shpjegim tjetër vonesa e gjatë kohore për miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë i Autoritetit përkatës për zbatimin e ligjit të miratuar prej kohe. Them vonesë e gjatë, sepse pas miratimit të Autoritetit, do kohën e vet edhe ngritja e Sekretariatit të nevojshëm për zbatimin e duhur të Ligjit mbi Hapjen e Dosjeve. Fakti që nuk është ngritur ende Autoriteti i parashikuar në ligjin e miratuar prej gati një viti, dëshmon se një gjë e tillë nuk ka marrë dot vëmendjen e nevojshme nga instancat e ngarkuara me ligj për të vendosur hyrjen në fuqi të ligjit përkatës”.

Atëherë duke e menduar këtë kohë të gjatë, që duhet të procedohet pse nuk po konkludohet?!

“Po, është e vërtetë që duan doemos kohën e vet edhe instanca të tilla, por, përveç kohës së nevojshme, mbase duhet të kenë edhe vullnetin politik, i cila medoemos gjen gjithnjë kohën e radhën e punëve. Duket që zbatimi në praktikë i ligjit për hapjen e dosjeve të diktaturës nuk ka gjetur dot deri tani as kohën e as vullnetin e duhur të instancave të ngarkuara nga ligji. Dhe kjo vështirësi për të gjetur kohen e vullnetin e nevojshëm për zbatimin praktik të zotimeve politike e, pas tyre, të zbatimit praktik të ligjeve përkatëse, nuk shihet vetëm në rastin e këtij ligji. Mjafton të shohësh se si vijon dhe sot e këto ditë katrahura e djeshme lidhur me zbatimin e ligjit për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë të diktaturës. Vijon dhe sot e këtë ditë ajo tallja e djeshme me “dokumente të padorëzuara, me dokumente të përditësuara për çdo këst e me kërkesa të reja të noterizuara” nga ana e po atyre zyrtarëve që u bënë të pasur me dëmshpërblimet e të vuajturve të burgjeve të diktaturës, palo zyrtarë që thonë dhe duke u gajasur gazit nëpër zyrat ku duhet të zbatohen ligjet e Kuvendit: “Ende nuk paskan vdekur dhe këta të burgosurit e të përndjekurit politike?”!…Dhe mbase kanë të drejtë dhe këta kapso zyrtarë të përjetshëm të talljes me ligjin, që nxjerrin eprorët e tyre në Kuvend, sepse duket që janë lodhur duke u pasuruar dhe me kacidhet që u jep ligji të burgosurve politike të diktaturës. Kur tallet me programin e vet dhe partia në pushtet, pse të mos tallen aparatçikët që i shohin vendet në zyrat e shtetit si burime pasurimi?”

Po pse duhet të miratohen ligjet atëherë?!

“Dhe ata që marrin vendimet politike për zbatimin në praktike të ligjeve që nxjerrin vetë me sa duket nuk kanë as kohë e as dëshirë të zbatojnë thjesht ligjin. Sepse iu mjaftojnë gazetat që mbushen përditë me lista të dënuarish që “marrin dëmshpërblime”, kur dhe aktivistët e djeshëm të Frontit e të Degës ankohen nëpër ekranet televizive se: “‘Ç’janë gjithë këto para që na marrin të dënuarit e të përndjekurit politike të diktaturës?”…Merret me mend sa ankesa do të dëgjohen nëpër ekrane nga kjo lloj armatë “ndihmëse e Partisë” , po qe se zbatohet në kohë e me rreptësi ligji për hapjen e dosjeve, edhe ashtu aq i lëmuar e i zbutur siç është miratuar nga Kuvendi ynë”.

A ka paramendim për ta fshehur po thjesht, ajo kohë nuk u bën përshtypje spiunëve që me sa duket duhet të jenë të shumtë në administratën tonë?

“E gjithë kjo zvarritje nuk besoj dot se vjen ngaqë politika jonë është si shumë e zënë me Reformën në Drejtësi. Mjafton të vihet re se si e sa bubullinë për “rrezikun e kapjes” vetë kapësit profesionistë të asaj drejtësie çyryke të tranzicionit tonë e pastaj nuk ke pse pyet fare nëse ka apo jo paramendim në vonesën e gjatë për zbatimin e ligjit të hapjes se dosjeve të zullumeve të kohës së diktaturës. Sikurse mjafton të vihet re se ç’punon politika jonë me të ashtuquajturin ligj të Dekriminalizimit, kur bërtet hajduti me sa ka në kokë: “Kapeni hajdutin!”…

Dhe është kaq e vështirë që të hapen Dosjet?!

“Dhe, unë e përsëris: A vërtetë paskemi nëpër këmbë kaq shumë zullumqarë të diktaturës, sa të mos lejojnë dhe zbatimin në kohë të një ligji, që e kanë miratuar vetë? Këtë përgjigje po e le ta japin vetë lexuesit tuaj, i nderuar zotëri. Sepse kam bindjen që gjërat o bëhen si duhet, o nuk përfliten fare?! Se nuk bëhet dot gallatë me plagët e rënda të këtij populli e të këtij vendi.

Sepse dhe “dekriminalizimi” i bujshëm, apo me thjesht prishja e simbiozës sonë mes krimit dhe politikës, nuk bëhet dot duke e përdorur si kal gërdallë për t’iu qasur pushtetit. Ndarja e politikës nga krimi duhet të nisë me hapjen e dosjeve të zullumeve të politikës, të drejtësisë, të diplomacisë, të medias, të arsimit, të shoqërisë civile, e cila tek ne është një repart paraushtarak i pushtetit të radhës, me hapjen e dosjeve të përndjekësve të djeshëm e të vetë të përndjekurve të diktaturës.

Për të mos e lodhur lexuesin tuaj me gjera që i kanë dëgjuar shumë herë, besoj se këto janë dhe arsyet pse po vonohet zbatimi i ligjit për hapjen e dosjeve të diktaturës e pse po gjëmohet aq tepër për “dekriminalizimin” e politikës nga politika aq keq e sëmurë nga inkriminimi dhe, më në fund, pse i trembet aq shumë Reformës në Drejtësi ajo aradhë e punësuar në politikë për të mbajtur gjallë trashëgiminë e diktaturës komuniste dhe jo për të hapur udhën e përparimit e të begatimit të vendit”. (Javanews)

June 16, 2016 21:57
Komento

4 Komente

  1. Arber June 17, 02:37

    Daut, kur te shkosh ne Autoritetin e Dosjeve, ti ke per t’u bindur se ne administraten e sotme ka shume pak persona per t’u hequr nga puna. Ne jemi popull i vogel dhe i dime se kush ka qene e kush nuk ka qene. Larg hakmarrjes, sepse kemi dy armiq fqinje shume te rrezikshem per kombin: serbet dhe grekerit.

    Reply to this comment
  2. Mark uk June 17, 09:00

    Edhe po te hapen dosjet tani nuk kan vlere.Ato duhej hapur sapo u ndrrue sistemi e jo ti mbanim ne shpine perseri tash 25 vite.Fitorja ne zgjedhjet e para te komunistve mundesuan pastrimin e tyre.Fitorja e Pd pastroj ata qe ishin futur ne kete parti,gjoja si demokrat.Ata qe ndrruan emrin ne vitin 1991 infektuan edhe te rinjet edhe pse ishin bijt e niperit e bllokmeneve muaren pushtetin e parave e tani bajn ligjin,blejn votat me parat e vjedhura kti populli qe besoj se jena populli ma i pa vendor ne bote se ne Europe nuk diskutohet.Pes shekuj sundoj turku,kerkush nuk e luftoj sa shqiptart po kurr nuk baheshin bashk.Biles do ishin perseri,po iken vete kur u munden keqas nga perandoria Ruse.Iken po na lan nje gja te keqe,per ket Europa na ndau ne pes shtete.Komunizmi qendroj ma gjat se as nje vend ne Europe.Iken si emer se prap i kemi neper kambe.Aq sa zgjati ozurpimi i tyre aq do baj per te ikur era e ndyte e tyre per tu hequr.

    Reply to this comment
  3. Amb....amerik...LU_dv June 17, 12:35

    Dauti kerkon te peshkoi ne uje te turbullte…!
    Hajde Daut! Hajde!
    Po shkele ligjin edhe ne Amerike te futin ne burg…
    Protesto pa leje e ta shikosh ç’te ben polici!

    Reply to this comment
  4. Arben June 17, 14:12

    AMAN TE KEQEN O VELLA,

    ME THUAJ NJE NE PARLAMENT QE NUK KA PSEUDONIM.

    DOSJET DUHET TE HAPE POPULLI SHQIPETAR, TRIM DHE HEROIK, POR QE PER MOMENTIN PRET PER NDONJE THES ME MIELL.

    RROFTE POPULLI SHQIPETAR, TRIM DHE HEROIK.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*