HAPJA E MADHE / Treg pa kupon, rrobabanje dhe likuidim malli

May 17, 2020 07:09

HAPJA E MADHE / Treg pa kupon, rrobabanje dhe likuidim malli

TIRANË e gjetiu – Lehtësimi dora-dorës i masave shtrënguese anti-koronavirus ditët e fundit, ka ardhur bashkë me disa episode domethënëse nga personazhe e fusha të ndryshme të asaj që, për marrëveshje fjale do ta quajmë ‘jetë’ shoqërore shqiptare.

Të gjitha të dhënat, siç do ta kuptoni edhe vetë, tregojnë se vendi realisht është duke iu rikthyer normalitetit të vet.

 

1) Një personazh shumë i njohur dhe – çuditërisht – aspak fiktiv, u çua herët një mëngjes për të shfrytëzuar sa më mirë orarin e koprifuokos, dhe shkoi në tregun agro-ushqimor për pazare. Atje u pataks nga shitësit batakçinj që nuk jepnin kupon tatimor, që ndërronin çmimin e mallit sipas qejfit dhe talleshin sa me konsumatorët, edhe me fermerët e ndershëm e Divjakës si Vlashi i Kozmait që e shisnin produktin për një copë bukë.

“Pashë me sytë e mi një treg totalisht të paligjshëm dhe hajdut. Përfundimisht këtu nuk ka shtet. Këta duan t’u sjellësh tatimet dhe t’ua numërojnë dhëmbë e dhëmballë, po kush ta bëjë thuaaaj! Këtu jo vetëm peshku e ngjala, por edhe zarzavatet janë qelbur nga koka!”, shkroi i revoltuar personazhi që në kohën e lirë punon zv.kryeministër online.

***

2) Siç shkenca e ka provuar prej vitesh, nëse del në televizor dhe shan, je gazetar. Nëse del në televizor dhe zhvishesh, je gazetare. Nëse di të shash dhe të zhvishesh, atëherë kap një shkallë më lart: Yll mediatik.

Por çdo hap ka rradhën e vet dhe këtë e kuptoi një vajzë për të cilën – edhe faqja më e lodhur online, kur raportoi për lajmin, nuk guxoi t’ja hiqte thonjëzat fjalës “gazetare”. Përgjithësisht e etiketuan si ‘punonjëse në televizion’.

Kjo goca kap me dorë çdo mëngjes mikrofonin dhe del tek emisioni klasik i Aldos. E keni parasysh, është ai transmetimi ku autorët janë lodhur prej vitesh duke tallur muskujt glutealë me telefonuesit e shkretë, dhe tani të njëjtit muskuj i tallin me njëri-tjetrin. Kuptohet, pasi krijohet një varësi nga e cila nuk shkëputesh dot dhe të bëhet ves.

Mirëpo një nga këto mëngjese, mesa duket edhe për shkak të rritjes së temperaturave, vajza e lodhur me mikrofonin, zuri të kapë me dorë edhe rrobat e veta, dhe doli me rroba banje. Një herë te Kryesia e Kuvendit (që të gjithë e ngatërrojnë me Parlamentin, dhe të gjithë sqarohen të lehtësuar kur u thua, tek ish-Komiteti Qëndror), dhe një herë pranë Kryeministrisë.

Disa kolegë investigues kanë nisur menjëherë të hetojnë ligjet e fundit që ka sjellë Gramoz Ruçi në Kuvend, pas kësaj ngjarjeje. Ndërsa efekti tek Kryeministri është i qartë: Menjëherë më pas, Edi Rama njoftoi lehtësimin e madh të shtetrrethimit dhe legalizimin e kanabisit.

Duke e kuptuar se është lodhur kot kaq vite duke punuar në drejtimin e gabuar, ju njoftojmë se redaksia e Gojëve të Liga e ka kuptuar mësimin, ndaj këto rradhë janë shkruar në kilota dhe zhartierë. Sa për fillim.

***

3) Ish drejtori i Policisë së Vlorës, i shpallur në kërkim për dy gramë hashash që iu gjetën në xhep gjimnazistit Sajme Taho, më në fund u dorëzua në polici. Ndërkaq ish-zyrtari ish-i lartë kishte publikuar një listë me arsyet e dorëzimit, por ato që janë botuar nuk po i përmendim, për të kursyer vendin. Arsyet e vërteta janë këto:

 -E para, se siç ka thënë së fundmi edhe një personazh shumë publik nga tregu agro-ushqimor, këtu s’ka shtet dhe nga drejtorët e policisë deri tek zv.kryeministrat, të gjithë janë të përlyer.

-E dyta, unë doja të më vinte shefi i madh i policisë në shtëpi, që të negocionim dorëzimin tim, por ai më tha tekstualisht, “Prit rradhën vëlla, kam dhjetë dashamirës të tjerë të dorëzimit para teje, unë dy duar kam. Jemi duke punuar me kryeministrin për një platformë dorëzimi online, që quhet dorëzimiqëduam.al”.

-E treta, projekti i fundit i kryeministrit tonë për legalizimin e hashashit – që dritëëë iu bëftë atje ku hedh këmbën, jarebi – tregoi vërtetësinë e kauzës sime, pavarësisht se unë s’kam asnjë lidhje me këtë kauzë, se s’jam marrë ndonjëherë. E vërteta vonon, por nuk harron.

-E katërta… Dëgjoni, unë mund të kisha ardhur dhe më parë, po nuk dilja dot për shkak të distancimit social. Po sikur të haja ndonjë gjobë?

***

4) Lajmi vërtet kryesor dhe më i rëndësishëm, është se të gjitha shenjat tregojnë që shqiptarët do t’i rikthehen vrullshëm jetës normale: Së pari, janë shfaqur sërish protestat e naftëtarëve, studentëve dhe teatrorëve, dhe e dyta dhe jetësorja, Po Rihapen Dyqanet!

Siç të gjithë jemi dëshmitarë, sapo u ngritën qepenat e parë, na dolën edhe njëherë para syve tabelat aq të dashura që sikur i kishim harruar: MALLI LIKUIDOHET. DYQANI MBYLLET!

***

Shënim/ Gojët e Liga është rubrikë satirike. Që dmth, gjithçka sa më sipër është reale. 

May 17, 2020 07:09
Komento

2 Komente

  1. S'ka gjo mot'bukut se nji Gazezatre ne bikini lol ! May 21, 18:36

    nji Gazetare vertet s’i fsheh argumentet e saja

    para askujt .

    Juve e doni me jua tregu te verteten ashtu Nudo ,

    por naaaaaaaaaa ncq .. ska ashtu

    y qefllin injorante .

    si mer si boni kush nji kompliment !

    Reply to this comment
  2. Drin May 22, 21:37

    Mos u merzit plako se sic tha vete varza, e para ja boni komplimentin e oma; lum si un per time bije, tha, nje heroine ne kerkim te lajmit

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim