Harresa e pafalshme e Vithkuqit

February 18, 2018 10:07

Harresa e pafalshme e Vithkuqit

Nga Gjikë Kurtiqi

Vështirë të gjesh në Shqipëri një vendbanim tjetër malor me resurset turistike që ka Vithkuqi. Jo më kot, që në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, studiuesi dhe historiani i shquar Ilo Mitkë Qafzezi kur shkruante për vendet turistike të rrethit të Korçës,Vithkuqin e radhiste të parin. A mund të më gjeni një vendbanim me 100 kroje, ku janë ndërtuar 3 kala të lashta, 24 kisha e 3 manastire, duke filluar nga shekulli XIII dhe deri në ditët tona?!…Cili vendbanim ka një bukuri të tillë natyrore, me kaq shumë pyje, livadhe, kodra e kodrina të bleruara, gurra,katarakte, kroje e burime me ujë të kristaltë si Vithkuqi?! Cili vizitor i huaj e ka kaluar verën në Vithkuq dhe nuk është larguar prej tij me bindjen se do të kthehet përsëri?!

Vithkuqi në shekuj

Si qendër banimi Vithkuqi daton me fillimin e shekullit të dytë para Krishtit. Ka qënë vazhdimisht i banuar në të gjitha periudhat historike. Dëshmi për këtë janë kalatë e lashta si: Kalaja e Leshnjës, që vendasit e quajnë “Kodra e Manastirishtës”; Kalaja e Bellovodës; Kalaja e Lubonjës dhe Kalaja e Shën Pjetrit, ndërtuar në majën e kodrës së ish Manastirit të Shën Pjetrit. Shkëlqimin më të madh Vithkuqi e pati sidomos gjatë shekujve XVII dhe XVIII.

Ai ka patur disa lagje, si lagjen Grekas, e cila ekziston edhe sot dhe është nga lagjet më të mëdha të Vithkuqit, dhe që ngjason me lagjen Goricë të qytetit të Beratit, me grupe fisnore shtëpish të vendosura njëra sipër tjetrës; lagjja Shurbas, Strataj, Kaplëkuras, Kovaças etj., të cilave terreni ju ofronte afërsisht të njëjtat kushte. Po këtë stil ka patur edhe lagja Lias, e ndërtuar në rrjedhën e ujrave të Fejasit, lagja Tataç që ishte përtej lumit Osum dhe lagja Bredhas në hyrje të qafës së Bredhit, ku ka patur shtëpinë edhe pioneri Rilindes Shqiptare Naum Bredhi (Veqilharxhi).

Lagja Dukas që ekziston edhe sot, pranë qendrës së Vithkuqit.. Për analogji me lagjen Dukas ka qënë edhe lagja Koligjergjas që shtrihej në kurrizin e kodrës së Shën Gjergjit, poshtë lagjes Grekas, si edhe lagja Xhajmaz që shtrihej në të djathtë të lagjes Saraq deri në Skivan.

Po kështu edhe lagjet e tjera të qytetit të Vithkuqit i janë përshtatur relievit të thyer. Të tilla kanë qënë lagjet Kushtanjka, lagja Skënderas, Qyran e Nano që shtriheshin në të dy anët e lumit Osum, si dhe lagja Borisht në luginën e bukur midis kodrës së Shën Pjetrit dhe kodrës në lindje të tij. Kjo lagje ka qënë nga lagjet më të pasura të qytetit dhe fillonte nga bregu i Osumit, në të hyrë të Leshnjës dhe deri tek Qafa e Ujkut.

Rruga në mes të lagjes Saraq ndahet më pas në lagjet Melas, Miçuç dhe Xhajmas. Vithkuqi ka pësuar tre shkatërrime katastrofike; më i fundit, që u dogj i tëri dhe s’mbeti më këmbë as edhe një kasolle kashte, ishte gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Banesa në Vithkuq

Banesa e Vithkuqit ka qënë tradicionalisht banesë guri. Ndërtimet e banesave janë bërë kryesisht nga zanatçinjtë vithkuqarë, që cilët merreshin edhe me ndërtimin e kishave e manastireve, duke shfaqur një talent të rrallë në skalitjen dhe përdorimin e gurit gëlqeror, çmërs apo edhe të mermerit që gjendet në zonën malore të Vithkuqit. Për mbulesat e banesave janë përdorur kryesisht plloçat (pllaka të holla guri), të cilat janë shumë të rezistueshme ndaj ngricave dhe nuk lejojnë kalimin e të nxehtit apo edhe të të ftohtit.

Kuzhina vithkuqare

Vithkuqarët kanë dhe ruajnë një nivel jetese cilësor. Ky nivel trashëgohet që nga mesjeta, kur Vithkuqi ishte qytet i lulëzuar, por ai është pasuruar dhe përmirësuar veçanërisht nga emigracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në shtetet e Europës e të Ballkanit. E veçantë dhe shumë e pasur është edhe kuzhina në Vithkuq.

Amvisat vithkuqare janë mjeshtre të mbaruara në bërjen e pastërmasë, të kollofaceve, kukurecit, të trahanasë, petkave, të tushive me lakër, me domate, me piperka të mbushura me gjizë, djathë, me tranguj etj., të përgatitjes së likove, të gatimit të brushtullave, bukvaleve, përvëlakëve, zhamrazhikut, të petullave, petëve të fshira, të gjellëve me mish, të supave me perime dhe me erëza, të tavave me qumështorë e perime dhe veçanërisht të lakrorëve, që piqen në saç dhe të krijojnë një ndjesi e kënaqësi të papërsëritshme. Lakrorët ndahen në dy grupe, në lakrorë gruri dhe në lakrorë misri. Ka lakrorë misri të gatuara me gjizë, preshë e gjalpë që ua kalojnë gjithë picave dhe lakrorëve e byrekëve me mjell gruri. Nga ëmbëlsirat veçohen brushtullat që janë të shumllojshme.

Varri i Pagëzimit dhe monumentet e tjera të kulturës së lashtë

Siç thamë më lart Vithkuqi ndoshta është i vetmi qytet në Shqipëri që ka numrin më të madh të kishave dhe manastireve, 24 kisha dhe tre manastire. Këto kisha veç arkitekturës së ndërtimit janë të pasura me ikona, ikonostase dhe afreske (pikturat murale), të punuara nga mjeshtëra të pikturës si vëllezërit Zografi, të David Selenitasit etj. dhe të druskalitjes, që flasin për nivelin ekonomik, kulturor, shoqëror e arsimor që arriti Vithkuqi qytet, gjatë dy shekujve të robërisë feudale e ushtarake otomane. Secila nga kishat e Vithkuqit është një muze i veçantë arti, duke qenë pjesë organike e peizazhit vithkuqar, por dhe dëshmitarë të historisë së tij. Një nga këto objekte kulti me shumë interes është “Varri i pagëzimit”. Sipas tregimit të pleqve vithkuqarë dhe gojdhënës, në këtë varr janë varrosur gjithë pjesëtarët e familjes Thana, nga lagja Dukas e qytetit të Vithkuqit që nuk pranuan të pagëzohej djali i tyre në gjuhën greke..

Ja kush i bën nder Vithkuqit

Nuk është e rastit, por ndër shqiptarët më të shquar dhe më të zgjuar të fundshekullit të 18-të dhe fillimshekullit të 19-të kanë qenë nga Vithkuqi. Madje Rilindja Shqiptare fillon me Evstrat Vithkuqarin ose Jani Stratin, siç quhej ndryshe. Ky pararilindës i shquar ka një jetë akademike të lakmueshme për kohën, që fillon si profesor i Akademisë së Voskopojës, mësues në Përmet, Gjirokastër, Artë e Janinë e që vazhdon me mësimin e gjuhës shqipe që i jep shkencëtarit dhe diplomatit anglez Ëiliam Lik, në oborrin e Ali Pashë Tepelenës. Bashkë me Likun ai fillon edhe disa punime shkencore për hartimin e një gramatike dhe të një fjalori tri gjuhësh, shqip, anglisht, greqisht, Kurse një punim tjetër për rregullat etike dhe logjike ia vjedhin. Në fund të jetës së tij Strati vendoset në Konstandinopojë, duke lënë një sërë veprash gjuhësore, por edhe një punim të pa përfunduar, “Analizën gramatikore të Iliadës së Homerit”.

Një tjetër figurë e shquar jo vetëm e Vithkuqit, por e mbarë kombit tonë është pa dyshim Naum Bredhi -Veqilharxhi, një nga themeluesit më të shquar të Rilindjes Shqiptare. Letra enciklike e Veqilharxhit, është promemoria dhe dokumenti i parë i platformës politike të lëvizjes së re që po lindte në gjirin e intelektualëve shqiptarë në fund të shekullit 19. Ajo tregon largpamësinë e këtij ideologu, i cili me një herë më pas “futi duart në brumin e shqipes”, duke nxjerrë të parën abetare shqiptare. Të lexosh vetë letrën që Veqilharxhi i dërgon nipit të tij student në Vjenë habitesh me kulturën e tij të gjerë, e mbi të gjitha me atdhedashurinë e pamatë. Edhe Spiro Dine i “Valëve të Detit” ishte nga Vithkuqi. Kostë Cepi, Aleksandër Bltadori e shumë figura të tjera atdhetare nxori Vithkuqi më pas.

Në shekullin e 19-të historia e Vithkuqit bëhet më tragjike. Ai pëson tre shkatërrime tragjike dhe vithkuqarët shpërngulen dhe shpërndahen në disa vise të Shqipërisë dhe në shtete të Ballkanit dhe Europës. Shkojnë në Berat, në Bregdet, sin ë Vuno, Himarë, Dukat, Sinjë etj dhe në Greqi, Bullgari, Rumani e deri në Ukrahinë. Midis dy luftërave botërore ai është djegur dy herë. U bëri ballë me sakrifica dhe heroizëm tre sistemeve shoqërore. Përpjekjet e shovinistëve grekë në Luftën e Parë Botërore për ta joshur këtë enklavë krishtere të rrethuar nga popullsi me besim mysliman, se ata, nisur nga besimi ortodoks,i konsideronin grekë, por me qenë se nuk e arritën këtë e dogjën. Dhe, në Luftën e Dytë Botërore Vithkuqi u quajt “Stalingradi shqiptar”, jo vetëm pse aty u përqendrua drejtimi i Luftës, u formuan disa njësi të mëdha partizane si Batalioni “Qamil Panariti”, Komanda e Vendit, Brigada e Parë Sulmuese, Ndërlidhja e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare etj, Jo vetëm se Vithkuqi u martirizua, u dogj dy herë, një herë nga italianët, por edhe herën tjetër nga gjermanët, të cilët bënë hi edhe rrënojat që kishin mbetur, por edhe për një fakt tjetër në dukje fare të thjeshtë, por që dëshmon karakterin e fort të njerëzve të këtij fshati, se në 350 shtëpi, asnjë nuk u hodh në krahun tjetër, por të gjithë shkuan me Nacionalçlirimtaren.

Kishat dhe krojet e Vithkuqit

Vithkuqi ka 24 kisha dhe 100 kroje, të cilët i kam numëruar dhe përshkruar hollësisht në librin tim “Vithkuqi i 100 krojeve dhe 24 kishave”. Uji është brisk i ftohtë dhe në verë ia shton hijeshinë dhe freskinë fshatit, jo vetëm me gurgullimat, por edhe me gjelbërimin e kopshteve dhe të oborreve. Për kishat Vithkuqi zë vend të veçantë në Shqipëri, jo për numrin e tyre, por për arkitekturën dhe pikturat, ikonostaset dhe ikonat e tyre. Manastiri i Shën Pjetrit në verilindje të katundit, mbi një breg të bukur, ka patur pasuri të madhe, disa dyqane në Korçë, një çiflig që quhet Leshnje, ka ullishte në Vlorë etj.. Në këtë manastir bëhet panairi çdo 29 qershor. Vijnë shumë njerëz nga Korça dhe fshatrat për rreth. Në Vithkuq, të vjetra dhe me famë janë edhe kisha e Kryeëngjëjve, Shën Mërisë, Shën Spiridonit, Shën Kozmait, Shën Gjergjit, e shumë të tjera, kisha, që më së shumti kanë përhapur kulturë dhe dije se sa predikime e ide fetare.

 

Dëshmi historike

Rilindësi i njohur Nuçi Naçi që në vitin 1901 ka shkruar kështu për Vithkuqin:

“Vithkuqi në ditët e lulëzimit të tij ka patur 13.000 shtëpi…Madhërimi i shumtë i këtij qyteti nisi që nga 1100-a e sosi gjer më 1780 sa i joshi shumë armiq që e bënë plaçkë e rrëmujë. Asnjë libër i vjetër s’ka shkruar për Vithkuqin, por me fjalët që kanë ardhur gjer në shekullin tonë, mësojmë se vithkuqarët kanë qenë kamës, trima e luftëtarë të shquar, kufijtë e tyre i gjetëm gje në dytë udhë e kudo që venin kishin nder të madh. Edhe sot Vithkuqi ka kufij të mëdhenj e urdhëron shumë male. Emri që i është ngjitur sot e që e quajnë Vyth-kuq, është i lajthitur, e duhet të themi Vith-kuq. Ky emër i është vënë nga Vidhi i kuq që ka me shumicë në malet përqark, i cili e ka fletën të kuqe. Ky emër është thjesht emër shqiptar”.

Bukuri, por edhe histori

Siç e përmendëm edhe më lart Vithkuqi ka patur burra me peshë, patriotë kalibri si Evstrat Vithkuqari, Naum Veqilharxhi, Spiro Dine,Kostë Cepi etj. që i kanë bërë nder jo vetëm atij vendi, por edhe gjithë kombit shqiptar. Lobi i fuqishëm i vithkuqarëve të Amerikës, krijoi Shoqatën “Vllazëria Vithkuqare” që bëri shumë për eundërtimin e Vithkuqit. Emigrantët vithkuqarë që ndëtuan kishën e Shën Kollit në Sollbrixh të Amerikës dhe me ndihmat e tyre ekzaltuan aq shumë Nolin, sa ai në çast hodhi në letër vargun e famshëm “Mbahu nëno, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”.

February 18, 2018 10:07
Komento

5 Komente

  1. gjermani i fundit February 18, 17:11

    Ne Vithkuq kam qene, tere ajo treve eshte bukuri e rralle natyrore. Njerez te mrekullueshem dhe shume bujare e vertet gatimet qe thote autori nuk kane te dyte ne Shqiperi. Une do isha dakord qe te flitet per treven e Vithkuqit, fshatrat perreth, se psh shtabi i pergjithshem ne kohen e Luftes nuk ishte ne Vithkuq, por ne Panarit. Apo brigada e éare qe o formua ne Makerze, afer Shtylles.

    Reply to this comment
    • skiraven rrungaja February 20, 02:32

      gjermani,paske qene i fundit vertet…makerrza eshte 5 minuta me gomar nga vithkuqi ne lindje te fshatit…kurse Shtylla me 9 shpi eshte krejtesisht ne perendim te Vithkuqit me 350 shtepi…

      Reply to this comment
  2. Fatmiri February 18, 18:10

    Pershendetje Gjik! E ke perzemer Vithkuqin se e ke tendin , po si nuk ke shkruar me perpara! Eshte mire kur shkruhet per historikun e qyteteve , ndersa per fshatrat jane shume te rralla shkrimet ,se dokumentat jane shume te rralla ose mungojne fare ; tashti duhen shfrytezuar te moshuarit qe ruajne akoma kujtime nga te paret e tyre .. Ju pergezoj per kete shkrim . Fatmir Xhamallati

    Reply to this comment
  3. betixho February 18, 22:17

    Unë e kam lexuar librin e mrekullueshëm të Gjikë Kurtiqit me një fryme,aqë bukur e ka përshkruar dhe me aq mall e dashuri.
    Kam qënë në Vithkuq dy tre herë me një shokun tim nga Vithkuqi me origjinë,mbasi vetë jam me origjinë 350 vjeçare nga Vithkuqi,dhe u mrekullova nga pamja e tij e bukur turistike,nga burimiet e shumta dhe gjelbërimi i tij,nga mikpritja e vithkuqarëve atje ku shkova,ndejta edhe fjeta si edhe nga gatime e gjellët e tyre e sidomos nga lakrori me petë.
    Është vërtet një vënd turistik që duhet vizituar,me histori të lashtë e të ndritur,me gjithë ata burra patriot të mëdhenj,me kisha të shumta e të stolisura’
    Më preku shumë shoku im kur më tha:po pate mundësi digjma trupin dhe hidhma hirin te lagja ime se aty kam bërë filloren.

    Reply to this comment
  4. Tatiana (Prifti) Kurtiqi February 20, 01:41

    Eshtë e vërtetë që gjithë treva e Vithkuqit, përfshirë 13 fshatrat e zonës, ka pasur atdhetarizëm në traditë, por edhe ka bukuri të rralla natyrore e vlera të tjera. Eshtë e vërtetë që Shtabi i Përgjithshëm ka qëndruar në Panarit, si pikë më e thellë e më e mbrojtur strategjike, por ka qëndruar edhe në Vithkuq, në shtëpinë e Kiço Skorovotit, (ku ishte Spitali Rural pas Çlirimit). Kjo shtëpi ekziston edhe sot e privatizuar, restauruar e mirëmbajtur nga i biri i Kiços. Udhëheqësit e këtij Shtabi kanë qëndruar gjithashtu, në Vithkuq në Hotel-shtëpinë e Nuçi Tonës në lagjen Grekas.
    Ndërsa, për dijeni të atyre që i lexojnë komentet, Makërza, vendi ku u krijua Brigada e Parë Sulmuese, nuk ndodhet afër Shtyllës, por në drejtim të kundërt me të, pranë Lagjes Saraq të Vithkuqit, kur merr drejtimin për në Rehove e Lubonjë.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*