Harta: Ja pozicionet e punëve ku keni mundësi reale të punësoheni

August 25, 2018 10:35

Harta: Ja pozicionet e punëve ku keni mundësi reale të punësoheni

 

Ekonomia shqiptare ka prodhuar 44 mijë vende të lira pune këtë vit, gjysma e të cilave është krijuar nga daljet në pension. Oferta e punës është për kualifikime të ulëta, duke dekurajuar aftësimin e të rinjve në sektorë me vlerë të shtuar.

Sipas një ankete që ka bërë Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, 70% vendeve të lira të punës ofrohen për punonjës rrobaqepësie, call center dhe kamerierë. Plakja e popullsisë kthehet në rrezik për disa zanate, ndërkohë ekspertët japin alarmin për ndryshimin e modelit arsimor. Ja harta e vendeve të lira të punës.

Shqipëria është para një perspektive të mirë punësimi, për shkak të rritjes së ofertës për punë nga bizneset dhe prej vendeve të lira të punës që po krijohen nga daljet në pension, si pasojë e trendit në rritje të plakjes së popullsisë. Por, oferta për punë të kualifikuar dhe mungesa e aftësive të punëkërkuesve e kanë bërë Shqipërinë një vend jo atraktiv për profesionet me paga të larta dhe sektorët me vlerë të shtuar. Fabrikat e fasonit, qendrat call center dhe nevojat për kamerierë do të udhëheqin ofertën e punësimit edhe gjatë vitit në vijim.

Sipas një ankete që ka bërë PNUD (Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara) në 2560 biznese në vend për aftësitë në punësim, e cila u publikua së fundmi, kompanitë shqiptare kanë raportuar 44 mijë vende të lira pune këtë vit. Por të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore raportuan se gjatë vitit të kaluar kanë plotësuar kriteret për pension më shumë se 22 mijë persona, me shumë gjasë këtë vit numri i personave që do të plotësojë kushtet për pension do të kalojë të 25 mijë. Vendet e lira që po krijohen nga daljet në pension zënë 55% të ofertës së punës.

Gjithashtu, kompanitë që kërkojnë aftësi specifike pohuan vështirësitë që ofron tregu i punës në Shqipëri edhe për elemente të veçanta siç është edukata dhe korrektesa në vendin e punës.

Harta e vendeve të lira të punës

Anketa e Programit të Kombeve të Bashkuara e publikuar së fundmi gjeti se numri total i punonjësve të rinj, që do të shtohen gjatë këtij viti, është vlerësuar në rreth 44 mijë persona ose 5,8% e forcës aktuale të punës. Ky numër nuk është përshtatur me zëvendësimin e stafit që largohet nga kompania për arsye pensioni ose të tjera.

Gjatë këtij viti janë parashikuar të hapen gjithsej 29.717 vende të reja pune në Rajonin Qendror. Industria e prodhimit të veshjeve kontribuon më së shumti, teksa call center shihet të jetë sektori më aktiv për të rekrutuar punonjës të rinj, i ndjekur nga guroret dhe shërbimet administrative.

Bizneset e mëdha presin të punësojnë gjatë këtij viti 14 mijë e 700 persona gjithsej.

Pas rrobaqepësive dhe punonjësve të call center duket se kamerierët janë profesioni që ofrohet në vend. Gjatë vitit 2018, bizneset parashikojnë të punësojnë 3891 kamerierë të rinj. Punëdhënësit janë shprehur optimistë për gjetjen e punonjësve të rinj sidomos në sektorin e shërbimeve, por nuk janë kaq entuziastë në disa aktivitete specifike të shërbimeve, si informacioni dhe komunikimi dhe punonjës profesionistë, shkencorë dhe teknikë.

Më e lehtë për të gjetur punonjës është në Rajonin Qendror sesa në tre rajone të tjera të Lindjes, Jugut dhe Veriut.

Punëdhënësit deklaruan se e kanë të vështirë të gjejnë punonjës me aftësi, përvojë, korrektesë, integritet dhe motivim për llojin e punës që bëjnë.

Paga e pamjaftueshme është pengesë për 40.8% të punonjësve në lëmin e shkencave, gjeologëve dhe agronomëve, dhe për 38.6% të drejtorëve dhe menaxherëve të lartë, ndërsa kushtet e punës jointeresante shfaqen si barrierë për rekrutimin në sektorin e botimeve (92.6%) dhe pastruesve (30.4%).

Mundësi të pakta për trajnime

Në përgjithësi, përqindja e bizneseve që financojnë trajnim me fondet e veta ka rënë që nga viti 2014, kur PNUD bëri anketën e parë për aftësitë në punësim në Shqipëri. Bizneset që nuk kanë interes për të trajnuar stafin e tyre u rritën me 10% më 2017, në raport me 2014. Por gjithsesi, personat e trajnuar nga bizneset janë 5-9 herë më të shumtë në numër se trajnimet e bëra nga burimet e tjera.

Punonjësit e shitjeve dhe shërbimeve kanë marrë shumicën e trajnimeve të financuara nga kompanitë e tyre (30%), ndërsa trajnimet për teknikë, zejtarë dhe punëtorë janë tre herë më të ulëta.

Studimi ka gjetur se mungesa e fondeve për trajnime është pengesa kryesore për trajnimin e stafit, e ndjekur nga lëvizjet e shpeshta të forcës së punës. Lëvizjet e shpeshta të stafit krijojnë shpenzime të shumëfishta për një vend pune.

Anketa e PNUD tregon se Rajoni i Veriut përballet me mangësitë dhe pengesat më të mëdha për trajnimin e stafit, sidomos nga mungesa e fondeve dhe instruktorëve. Ndërsa të interesuarit për trajnim në Rajonin e Qendrës, më së shumti ndeshen me mungesën e kohës.

Punësimi bie te biznesi i vogël, rritet te biznesi i madh

Në katër vitet e fundit, punësimi ka ardhur duke u rrudhur te bizneset e vogla, teksa është zgjeruar te kompanitë e mëdha. Mbi 35% e ndërmarrjeve të vogla raportuan rënie të punësimit në vitin 2017, teksa rreth 55% e bizneseve të mesme dhe rreth 63% e kompanive të mëdha kanë rritur numrin e të punësuarve. Rezultatet e anketës treguan se sektorë të caktuar ekonomikë mbizotëronin krahasuar me sektorët e tjerë në rajone të ndryshme. Veriu karakterizohet nga një ekonomi me një përfaqësim më të fortë të minierave dhe prodhimit të energjisë, për faktin se burimet minerale dhe ujore janë aty.

Rajoni juglindor ka një përfaqësim të fortë të ndërmarrjeve në sektorët industrialë si minierat, prodhimi, furnizimi me ujë dhe energjia, por me zhvillime më modeste në tregti, transport, strehim dhe ushqim. Në dy rajonet jugore, 60% e ndërmarrjeve veprojnë në art, argëtim dhe rekreacion, për shkak të përqendrimit të një pjese të konsiderueshme të trashëgimisë kulturore të vendit në Jug të Shqipërisë.

Rajoni Qendror ka përqendrimin më të madh të kompanive që operojnë në sektorin financiar, profesional, administrativ, TIK dhe pasurive të patundshme. Kjo për shkak të burimeve të mëdha njerëzore me kualifikime të kërkuara nga këta sektorë, dhe se rajoni është i banuar nga 40% e popullsisë të vendit.

Shqiptarët nuk i parapëlqejnë punët me kohë të pjesshme

Të dhënat e anketimit treguan se rreth 97% e punonjësve punojnë me kohë të plotë. Në mënyrë tipike, punonjësit në Shqipëri janë individë të cilët janë të interesuar të ndjekin një karrierë ose të kenë nevojë të fitojnë të ardhura të rregullta për të mbështetur veten dhe familjet.

Në të kundërt, punëtorët me kohë të pjesshme shpesh janë pensionistë, të cilët kërkojnë të plotësojnë të ardhurat e daljes në pension dhe studentët. Në fakt, punësimi i punëtorëve me kohë të pjesshme është ekonomikisht atraktiv për bizneset.

Shitjet me pakicë zakonisht kërkojnë punonjës me kohë të pjesshme, kryesisht me kualifikim të ulët, ndërsa industritë kërkojnë më së shumti punonjës me kohë të plotë. Studimi aktual ka gjetur se numri i përgjithshëm i personave të punësuar me kohë të plotë ishte 409.470 në vitin 2017 ku 41% ishin femra dhe 59% meshkuj. Kompania me numrin më të madh të të punësuarve është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë (OSHEE), me rreth 6000 mijë punonjës. Ndërsa punëdhënësi më i madh i vendeve të punës part time Alba Telefonon, me 1,637 persona, ndjekur nga tre qendra të tjera të thirrjeve. Puna me kohë të pjesme është më shumë tipar i kompanive call center./ Marrë me shkurtime nga Monitor

l.h/ dita

August 25, 2018 10:35
Komento

1 Koment

  1. info analitike August 25, 13:04

    Sindakata nuk ka prandaj hajdeni ne Shqiperi se do te gjeni skllever me bollek. Qy ishte apeli qe leshoi Rama kudo qe shkoi neper bote. Ja ku i keni rezultatet.
    Tani urdhri imperativ eshte punesimi i perkohshem i militanteve sa per te marre voten e pastaj mirupafshim. Albaistani keshtu ka funksionuar e keshtu vazhdon te funksionoje edhe me tepsine e timonin. Cfare prisnit kur timonin ia keni lene ne dore dikujt qe nuk ka as patente.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*