Haxhi Bektash Veliu dhe bektashinjtë shqiptarë

Zylyftar Hoxha September 28, 2014 21:49

Haxhi Bektash Veliu dhe bektashinjtë shqiptarë

Në të folurën e përditshme, thjesht pa u thelluar dhe pa e ditur fare kuptim dhe historinë, përdoret në formë fyese fjala jeniçer, sikur ata kanë qenë huliganë, gangsterë. Kjo mendësi nuk është thjesht shqiptare. Ajo gjendet në të gjithë Ballkanin dhe është thurur dhe ngjizur nga mitologjia kristiane e ballkanike. Gjatë shekujve të saj bashkëjetues me osmanët ajo ka krijuar një imazh mjaft negativ mbi jeniçerët, apo trupat speciale të sulltanëve osmanë. Duke qenë se osmanët janë parë gjithnjë si pushtues nga popullatat kristiane ballkanase, edhe administrata e tyre është negativizuar gjithnjë nga popujt e paintegruar në perandorinë osmane. Si rrjedhojë edhe jeniçerët janë demonizuar në mitologjinë ortodokse ballkanike. Ata, megjithëse janë një fenomen historik, një institucion nga më të mirët, më të veçantët dhe më të çmuarit të perandorisë osmane janë portretizuar me imazhe negative, herë herë satirike. Ndaj në shënimet e mëposhtme, duke shfrytëzuar edhe një punim të studiuesit Olsi Jazexhi, do të mundohemi të hedhim dritë mbi këtë elitë të administratës osmane. Është një forcë, një dukuri historike e lidhur shumë me shqiptarët, pasi pjesa dërrmuese e tyre ishin shqiptarë ose me origjinë shqiptare, ndaj dhe si të tillë meritojnë  të njihen, të nderohen dhe të kujtohen nga ana historike.

Sistemi i Devshirmesë dhe elita osmane

Rëndësia e trupave jeniçere për historinë e shqiptarëve ka të bëjë me origjinën e shumicës se ushtarëve te kësaj ushtrie që rridhte nga sistemi i Devshirmesë. Sistemi i Devshirmesë ishte një sistem të cilin me terminologjinë moderne të kohës ne mund ta quanim “bursar”, nëpërmjet te cilit osmanët rekrutonin popujt kristianë për të shërbyer në perandori. Shumica e rekrutëve në sistemin e Devshirmesë vinte nga Ballkani: përkatësisht trevat shqiptare dhe Bosnja dhe Herzegovina. Rekrutimi i fëmijëve të moshës nga 15 deri në 20 vjeç në sistemin e Devshirmesë ka qënë herë i detyrueshëm për familjet kristiane (1 fëmi për 40 familje) dhe në shumicën e rasteve vullnetar. Në përrallologjinë ortodokse ballkanike “detyrimi” ndaj kristianëve për shkollim të fëmijëve të tyre në sistemin e Devshirmesë gjendet i trajtuar tejet negativisht nga shkruesit antiosmanë. Megjithatë rezultati i këtij edukimi të detyrueshëm, që i bënte nxënësit e tij ministra dhe vezirë hedh poshtë të gjitha përrallat anti-osmane në Ballkan që kanë dashur të demonizojnë këtë lloj shkollimi. Sistemi i Devshirmesë gjendet të jetë praktikuar nga osmanet që nga Anadolli e deri në Trabzon. Megjithatë shumica e rekrutëve që ai merrte vinte nga Ballkani. Evlija Çelebiu kujton në kujtimet e tij se në Rumeli osmanët rekrutonin fëmijë për në sistemin e Devshirmesë në çdo 7 vjet, numri i të cilëve arrinte nga 7 deri 8000 vetë. Ata mblidheshin ne Uskub (Shkup) për t’u dërguar më pas në Stamboll dhe vendosur nën oxhakët e jeniçerëve.

Shkallët hierarkike

Emrat e hierarkisë së jeniçerëve vinin nga pozitat e ndryshme të kuzhinierëve Osman. Oficerët jeniçerë kishin tituj si Çorbaxhi-bashi (kuzhinieri i supës), Ashkai Bashi (krye kuzhinier) etj. Ashtu si me emrat edhe organizimi militar i jeniçerëve bëhej rreth kazanit të gjellës, i cili ishte objekti më i shejtë i tyre. Kur jeniçerët vendosnin të rebeloheshin kundër sulltanëve ata përmbysnin kazanin e tyre të mbledhjes. Ushtria e jeniçerëve quhej Oxhak dhe ndahej ne disa orta (regjimente). Ortatë më pas ndaheshin nëpër barraka qe quheshin Oda (apo dhoma).  Komandanti i përgjithshëm i oxhakut të jeniçerëve quhej jeniçeri – agasi (apo agai i jeniçerëve). Agai i jeniçerëve zgjidhej nga vetë jeniçerët dhe kishte përgjegjesi mbajtjen e qetësisë në qytete. Në raste lufte, kur agai i jeniçerëve udhëhiqte oxhakun në luftë, ai mbante në dorë flamur të bardhë dhe ndiqej nga grupe këmbësorësh. Gjeneralë të tjerë të një niveli më të ulët që ndiqnin again e jeniçerëve gjatë luftës ishin zagarxhi-bashi (shefi i bukë-kërkuesve), muhzir – agai (agai i rojeve) që ruante Vezirin e Madh, bash-çaushi (komandanti i oficerëve), hatibët (sekretarët) etj. Ortat apo divizionet e trupave jeniçere kishin këtë ndarje hierarkike: 1. çorbaxhiu (koloneli i regjimentit), 2. oda-bashi (shefi i barrakave ushtarake), 3. vakil-harxhi (shefi i shpenzimeve), 4. bajraktari (flamur-mbajtësi), 5. bash-eskiu (shefi i veteranëve), 6. ashçi – bashi (kryekuzhinieri) i cili kishte nën pushtetin e tij jamakët dhe ruante burgjet e regjimentit, dhe 7. saka-bashi (shefi i ujëmbajtësve). Secila ortë jeniçere kishte simbolet e saja të cilat vendoseshin mbi bajrakët (flamujt) dhe odat (barrakat) e divizioneve. Shumë jeniçerë e kishin zakon që simbolet e regjimenteve të tyre ti tatuonin edhe në duar dhe këmbë. Rregulli i jeniçerëve ishte i tillë që ata mund të ndërshkoheshin vetëm nga oficerët e tyre dhe askush tjetër.

Në konflikt me sulltanatin

Karriera e madhe që jeniçerizmi i jepte shtetasve të perandorisë e ktheu jeniçerizmin në biznes për pushtet dhe karrierë. Jeniçerët e hershëm të kohës se sulltan Orhanit dhe Fatihut ishin njerëz të betuar për sulltanin. Ata nuk martoheshin, dhe shërbenin gjithë jetën për sulltanin Osman. Megjithatë pas shekullit të 16-të kjo disiplinë u thye në trupat e tyre. Ata u interguan në shoqërinë osmane, ndërtuan familje dhe kërkonin karrierë dhe pushtet. Pas shekullit të 17 -të jeniçerët u kthyen në forcë të pakontrollueshme dhe rrezikshme për shtetin osman. Ata rrebeloheshin gjithnjë kur nuk iu permbusheshin kërkesat apo kur nuk merrnin bakshish nga sulltanët që vinin në pushtet. Degradimi moral i jeniçerëve u shoqerua gjatë shekullit të 18-të edhe me degradim të aftësive të tyre ushtarake në fushëbeteja. Jeniçerët siç tregojnë shumë dëshmi të kohës refuzonin të adoptonin modelet e reja evropjane të luftës moderne. Edhe pse ishin guximtarë në luftë, prapambetja e tyre taktike iu kushtonte shumë shtrejtë. Kjo gjë u pa më qartë gjatë rebelimeve greke në More në fund të shekullit të 18-të, ku jeniçerët u thyen keqas nga rebelët helenë të cilët u mundën vetëm nga ndërhyjra e trupave moderne të shqiptarëve të Egjiptit nën Ibrahim Pashën.

Nga jeniçerë në nizamë

Për këtë arsye sulltan Selimin III kërkoi ti zëvendësoj trupat jeniçere me një ushtri të re, të quajtur Nizam – i – Xhedid apo (urdhëri i ri) në fund te shekullit të 18-të. Të kercënuar për ekzistencën e tyre dhe duke e parë sulltan Selimin III si kaurr sulltan (sulltan i pafe) meqënëse i fundit kërkonte të zëvendësoj uniformat dhe organizimin jeniçer me modele evropjane, jeniçerët nën udhëheqjen e Kabakçi Mustafa Agait dhe nën fetvatë e ulemait Ataullah Efendi rrëzuan nga pushteti sulltanin dhe e zëvendesuan me Mustafën IV.[4] Megjithatë rebelimi i jeniçerëve nuk zgjati shumë. Trupa të tjera osmane nën udhëheqjen e bajraktarit korçar Alemdar Mustafa Pasha arritën të shtypin rebelimin jeniçer dhe sjellin në pushtet sulltan Mahmudin II. Ky sulltan i cili pas ardhjes në pushtet vendosi të eleminoj njëherë e përgjithmonë pamvarësinë e Ali Pashë Tepelenës që sundonte në Janinë, masakroi njëherë e përgjithmonë edhe oxhakun e jeniçerëve.

Fundi i jeniçerëve dhe bektashinjve në Turqi

Më 10 qershor 1826 në sheshin e Et-Maidanit ku jeniçerët kishin odat e tyre ai dergoi trupat e ushtrisë së re osmane (Nizam i Xhedid) e cila shkatërroi njëherë e përgjithmonë oxhakun e jeniçerëve. Pas ekzekutimit të jeniçerëve sulltan Mahmudi II u hodh në kryqëzatë të egër edhe kundër urdhërit bektashian, i cili ishte thellësisht i lidhur me jeniçerët. Teqet bektashiane u pushtuan me dhunë në Stamboll me urdhër nga sulltani dhe u kthyen ne teqe të urdhërit Nakshibendi. Shumë bektashianë ashtu si edhe ata jeniçerë që i mbijetuan masakrës së Et-Maidanit u detyruan të tërhiqen nga Stambolli drejt Ballkanit, nëpër malet e egra të Jugut të Shqipërisë nga ku edhe të parët e jeniçerëve buronin. Që nga dita e masakrës kundër jeniçerëve, bektashianët vendosën të shkëputen përfundimisht nga besnikëria e tyre për kalifatin Osman. Shumë bektashianë dhe ish-jeniçerë që mbijetuan masakrat e sulltan Mahmudit II, u konvertuan në freemasonë dhe nacionalistë të etnive të tyre dhe i hynë me insistim rrugës se divorcit nga komonuelthi Osman dhe shkatërrimit të Perandorisë Sunite të Stambollit.

 

Besimi dhe simbolet e jeniçerëve

Krijimi i trupave jeniçere ka lidhje edhe me të gjërë me traditën fetare shqiptare sesa mund të mendojë shumëkush në Shqipëri. Me themelimin e trupave jeniçere, në shtetin Osman dhe realitetet shqiptare lindi edhe fenomeni i bektashizmit. Pasiqë osmanët e kishin për zakon që në krye të ndërmarrjeve të tyre politikë apo administrative të vendosnin liderë spiritual, në rastin e trupave jeniçere ata vendosën Haxhi Veli Bektashin si udhëheqës shpirtëror të këtij urdhëri. Legjendat e jeniçerëve tregojnë se mistiku persian Haxhi Veli Bektashi iu caktoi jeniçerëve si kapele të tyre Fesin e bardhë mbrapa së cilës lidhej një copë që mbante një emblemë të drujtë në kujtim të patronit shpirtëror të urdhërit.

Armët e jeniçerëve

Armët e jeniçerëve kanë ndryshuar përgjatë shekujve. Megjithate disa nga armët kryesore që ata përdornin gjatë luftërave kanë qënë jataganët, palla, kylyçi, kama, topuzi, pushkët, pistoleta, topat etj. Forca e Oxhakut të jeniçerëve qëndronte në përbërjen internacionale që këto trupa kishin dhe betimin që ata bënin për t’i shërbyer sulltanit deri ne fund të jetës së tyre. Siç është theksuar edhe me lartë shumë trupa jeniçere ishin me origjinë shqiptare dhe ballkanase. Megjithatë joshja për poste që karriera jeniçere i jepte shtetasve osman, detyroi sulltan Muratin III që në vitin 1582 të lejoj që në këto trupa të inkuadrohet çdo shtetas osman dhe jo vetëm ballkanasit dhe fëmitë e islamizuar të krishterë. Prishja e rregullave dhe vetëmohimit të hershëm jeniçer pas shekullit të 16-të e çoi këtë trupë në degradim.

Kush ishin jeniçerët

Fjala jeni-çer do të thotë “forcë e re”, “forcë e parë”, forcë nr.1” në turqisht. Këta trupa, detyra e të cilave ishte të shërbenin si forca speciale dhe besnike të sulltanëve osmanë, u themeluan në ditët e sulltan Orhanit në shekullin e XIV-të sipas shumë studiuesve, gjashtë shekuj e ca më parë. Arsyeja pse sulltanët osmanë krijuan këto trupa, ishte nga nevoja që ata kishin për trupa besnikë dhe pavarësi nga paria turke për të administruar Devletin Osman. Trupat jeniçere kanë qënë disa nga trupat më të suksesshme të historisë botërore, dhe shtetit Osman në veçanti në pushtimet që osmanët kryen në Ballkan dhe Lindjen e Mesme përgjatë shekujve të 14 – 17-të. Përpara krijimit të trupave jeniçere, forca kryesore e ushtrisë osmane ishin akinxhitë (kavalieria e lehtë) e mbështetur nga jajat (këmbësorët). Krijimi i trupave jeniçere, të cilat ishin nga komandot më modernë të kohës së tyre në Evropë dhe Lindjen e Mesme mbahet si meritë e vezirit të madh osman, Kara Çanderli dhe sipas shumë mistikëve, një rol shumë të rëndësishëm në krijim e kësaj trupe militare i jepet edhe komandantit të tyre shpirtëror, Haxhi Veli Bektashit, i cili siç legjendat tregojnë ishte ideatori i indoktrinimit të jeniçerëve me besnikëri ndaj sulltanit Osman dhe misionit islamik të perandorisë së bijve të Osman Gazit.

 

Jeniçerët shqiptarë

Vezirë, pashallarë, mytesarifë, sadrazemë dhe ministra

Nëpërmjet sistemit të Devshirmesë një numër shumë i madh shqiptarësh u përfshinë në administratën e lartë osmane. Sistemi i Devshirmesë ishte selektiv për fëmitë që ai edukonte. Më të zotët prej tyre çoheshin në pallatin perandorak ku edukoheshin me kulturën osmane, moralet islame dhe administrimin e shtetit, ndërsa të tjerët ingranoheshin në radhët e Oxhakëve dhe Odave të jeniçerëve. Ingranimi i shqiptarëve në shtetin Osman nëpërmjet ushtrisë jeniçere pati influencë të madhe në ndryshimet demografike fetare dhe kulturore të Shqipërisë osmane. Shqiptarët qe shërbenin për shtetin Osman si jeniçerë kishin të drejtë të inkuadroheshin në administraten e lartë osmane. Ata beheshin vezirë, pashallarë, mutesarifë dhe sadrâzemè, administratorë dhe ministra me peshë në shtet.  Gjatë shkollimit ushtarak nën sistemin e Devshirmesë fëmitë ballkanas islamizoheshin dhe merrnin kulturën e lartë osmane, të cilën më pas e eksportonin në Ballkan duke i sjelle vendit të tyre ndryshime sociale edhe fetare. Shembuj si ai i Iliaz Bej Mirahorit, kunatit te sulltan Bajazidit II që themeloi qytetin e Korçës apo Sulejman Pashë Bargjinit që themeloi Tiranën jane disa nga shembujt e shumtë të ndryshimit religjioz dhe kulturor që shqiptarët e integruar ne Pax Osmanën i sollën realiteteve shqiptare. Sot pothuajse të gjitha qytetet shqiptare janë dëshmi e influencës së kulturës osmane. Qytetet shqiptare kanë patur dhe kanë gjithnjë xhamira në qëndrat e tyre, pranë të cilave shqiptarët e islamizuar ndërtonin hamame, teqe, bujtina dhe medrese të cilat shërbenin si qendra socializimi dhe civilizimi popullor.

Vezirët e mëdhenj me origjinë shqiptare

Në sulltanatin osman kanë qenë të shumtë vezirët dhe kryeministrat me origjinë shqiptare. Deri në vitin 1923, kur ra perandoria osmane, për gati katë shekuj, mendohet të kenë qënë 42  kryeministra me origjinë shqiptare, po rky numur ka gjasa të jetë edhe më i madh. “Shkolla” e parë e tyre për të ngjitur shkallët e karrierës kanë qenë repartet e jeniçerëve. I fundit kryeministër me origjinë shqiptare, më 1923, kur ra perandoria osmane, kryeministër ka qenë Demet Ferit Pasha, I zgjedhur 5 herë kryemnistër. Nga viti 1493 deri 1923 më të përmendurit kanë qenë këta kryeministra me origjinë shqiptare:

Koço Daut Pasha

Dukagjin Hamet Pasha

Ajaz Pasha

Lutfi Pasha

Kara Ahmet Pasha

Koxha Sinan Pasha

Kara Mustafa Pasha

Ahmet Pashe Tarhuni

Qypryly Ahmet Pasha

Qypryly Fazell Pasha

Qypryly Mustafa Pasha

Qypryly Hysen Pasha

Qypryly Numan Pasha

Haxhi Halil Pasha

Izav Memet Pasha

Ivazdi Halil Pasha

Ferit Pasha

Hamet Izet Pasha

Zylyftar Hoxha September 28, 2014 21:49
Komento

2 Komente

  1. Laver September 29, 01:59

    Sa te mire keta jeniceret…sa e mire peraandoria osmane,shume e dashur me shqiptaret. Na mungonte ky shkrim ne faqet e gazetes… Kulture jo llafe,histori e Perandorise osmane. Kjo na mungonte se me tonen mbaruam. Lere c’them dhe une …Ne nje histori kemi me Turqine. Jemi vellezer apo jo Keshtu thote Sala.

    Reply to this comment
  2. Resti September 29, 22:51

    Dy verejtje kam . Ne “greqi” Jeniceret i thyen Shqiptaret ( Arvanitet) dhe Kemal Ataturku ishte me origjine Shqiptare nga fshatrat e Korçes .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim