Haxhi H. Dalipi, kapedan i muzikës tradicionale shqiptare

December 6, 2018 10:20

Haxhi H. Dalipi, kapedan i muzikës tradicionale shqiptare

Prof. Dr. Spiro J. Shetuni*

Ishte data 1 shtator 1973.  Ne, studentët e Fakultetit të Muzikës të ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve), u mblodhëm të gjithë në një klasë të madhe në katin e dytë të godinës kryesore. Atë ditë, do të niseshim me autobus për të shkuar si aksionistë në hekurudhën Elbasan- Pogradec: Sektori Qukës (Librazhd). Nën-drejtori i Institutit, kompozitori i mirënjohur, Feim Ibrahimi, na dha disa këshilla lidhur me punën vullnetare në hekurudhë, veprimtari, e cila, në atë kohë, konsiderohej si element i domosdoshëm i procesit mësimoro- edukativ.

Kur mbledhja ishte duke mbaruar, rastësisht, sytë më vajtën tek një student, të cilin s’e njihja. Ai qëndronte në këmbë, midis studentëve të shumtë e të zhurmshëm, që ishin ulur nëpër banga. Ishte i hollë, trup-gjatë, me ballë të madh, me flokë të gjata e të krehura me kujdes. Duke kundruar studentët, herë-herë, vinte buzën në gaz.

Prof. Dr. Spiro J. Shetuni

Mësova se studenti i ri vinte nga qyteti i Vlorës, bir i një familjeje të vjetër gjirokastrite. Vite më parë, Ai kishte mbaruar për flaut Liceun Artistik “Jordan Misja”. Po ashtu, kishte punuar disa vite me radhë si mësues muzike në disa shkolla të rrethit të Vlorës. Tashmë do të studionte për dirigjent kori. Ky student i ri i panjohur do të bëhej për mua një udhëheqës i vërtetë shpirtëror, një edukator i madh, një mik i rrallë, si në ditë me diell, ashtu edhe në ditë me stuhi! Quhej: Haxhi Dalipi.

1.

I arsimuar fillimisht si instrumentist, dhe, më vonë si dirigjent, Artisti i Merituar, Haxhi Dalipi (1941-2006), gjatë jetës së tij artistike e shkencore, u afirmua në një radhë aspektesh, për të merituar plotësisht tituj të ndryshëm profesionalë, si:  dirigjent, kompozitor, pedagog, studiues, arkitekt i festivaleve folklorike, udhëheqës artistik, mik i muzicienëve të rinj, kapedan i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare.

  • Si dirigjent, H. Dalipi intepretoi vazhdimisht, sidomos në rajonin e Vlorës, vepra muzikore të kompozitorëve të mëdhenj shqiptarë, ashtu sikurse edhe të kompozitorëve të mëdhenj ndërkombëtarë: para- klasikë, klasikë, romantikë, modernë.
  • Si kompozitor, H. Dalipi krijoi vepra muzikore të gjinive të ndryshme, si:  këngë, valle simfonike, suita, rapsodi, opereta për fëmijë, etj.
  • Si pedagog, H. Dalipi arsimoi dhe edukoi sa e sa nxënës të Shkollës së Mesme Artistike “Naim Frashëri” (Vlorë) dhe sa e sa studentë të Akademisë së Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve, Tiranë). Disa ndër ish-nxënësit e tij, si: Fatmir Hysi, Thanas Çaçi, Themistokli Dhrami, etj., më vonë, u bënë vetë pedagogë, dirigjentë e instrumentistë të mirënjohur.
  • Si studiues, Ai hulumtoi muzikën tradicionale labe e myzeqare (këngët, vallet, pjesët muzikore instrumentore), të shumë fshatrave e zonave etnografike të Labërisë e Myzeqesë.
  • Si arkitekt i festivaleve folklorike, Dalipi bëri të mundur që grupet popullore të rrethit të Vlorës të nderoheshin vazhdimisht me çmime në festivale, takime e konkurse:  lokale, kombëtare, ndërkombëtare.
  • Si udhëheqës artistik, H. Dalipi luftoi për të ngritur vazhdimisht sa më lart nivelin krijues e interpretues, si të Asamblit Artistik “Labëria” (Vlorë), ashtu edhe të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë (Tiranë).
  • Si mik i muzicienëve të rinj, Dalipi gjente vazhdimisht kohë për t’i këshilluar ata, për t’i drejtuar, për t’i frymëzuar, etj.
  • Si kapedan i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare, teorikisht, Ai ishte njeriu me njohuri dhe dije të thella, kurse, praktikisht – njeriu që synonte dhe arrinte vetëm suksese të shquara.

Megjithëse duket e tepërt, sërish e ndiejmë të nevojshme të vemë në dukje se, tituj të tillë profesionalë, u fituan pa dyshim përmes një jete artistike e shkencore tepër intensive. Po ashtu, ata flasin qartë për natyrën shumë- planëshe të figurës së artistit.

2.

Libri “Duke përjetuar këngën labe” i Haxhi H. Dalipit është shkruar gjatë harkut kohor të shumë viteve. Ai është një dëshmi e qartë e interesave etnomuzikologjike të autorit.  Në rrafsh të përgjithshëm, aspektet më kryesore të Librit ndoshta do të mund të karakterizoheshin si më poshtë:

  • Së pari, Libri ka si objekt të tij muzikën tradicionale labe, pra, një ndër dialektet kryesore të muzikës tradicionale shqiptare, i cili gjallon krahas tre dialekteve të tjera të saj:  dialektit muzikor geg, dialektit muzikor tosk, dialektit muzikor qytetar.
  • Së dyti, brenda dialektit muzikor lab, Libri shqyrton stilet muzikore më përfaqësuese të tij, si: stilin muzikor të Kuçit, stilin muzikor të Bolenës, stilin muzikor të Smokthinës, stilin muzikor të Lumit të Vlorës, të Vranishtit, Tërbaçit, Lapardhasë, Dukatit, Kaninës, Karbunarës, Himarës, Pilurit, Dhërmiut, Myzeqesë, qytetit të Vlorës.
  • Së treti, brenda çdo stili muzikor, Libri shqyrton variantet kryesore melodike të tij, afritë dhe dallimet midis muzikës zanore dhe asaj instrumentore, muzikës së grave dhe asaj të burrave, muzikës një- zërëshe dhe asaj shumë-zërëshe, etj.
  • Së katërti, Libri i jep gjithmonë stilet muzikore brenda një qerthulli historiko-shoqëror, duke përmendur edhe emra këngëtarësh, valltarësh, instrumentistësh, vjershëtorësh të shquar popullorë.
  • Së pesti, Libri s’mungon të japë edhe ide e mendime mbi të ardhmen e muzikës tradicionale labe.

Përsa u takon nocioneve themelore etnomuzikologjike që përdoren në librin “Duke përjetuar këngën labe”, për të shmangur çdo lloj keqkutptimi, bëjmë të ditur përmbajtjen e tyre, duke i dhënë ata alfabetikisht, si vijon:

  • nocioni këngë një- zërëshe përdoret në vend të nocionit këngë monofonike (për hir të shqipërimit);
  • nocioni këngë shumë- zërëshe përdoret në vend të nocionit këngë polifonike (për hir të shqipërimit);
  • nocioni këngë tradicionale përdoret në vend të nocionit këngë popullore (për hir të përshtatjes me terminologjinë etnomuzikologjike ndërkombëtare);
  • nocioni muzikë një-zërëshe përdoret në vend të nocionit muzikë monofonike (për hir të shqipërimit); 
  • nocioni muzikë shumë- zërëshe përdoret në vend të nocionit muzikë polifonike (për hir të shqipërimit);
  • nocioni muzikë tradicionale përdoret në vend të nocionit muzikë popullore (për hir të përshtatjes me terminologjinë etnomuzikologjike ndërkombëtare);
  • nocioni stil muzikor fshatar nënkupton stilin muzikor që këndohet brenda një fshati të vetëm;
  • nocioni stil muzikor ndërfshatar nënkupton stilin muzikor që këndohet brenda të gjitha fshatrave të një zone të caktuar etnografike.

4.

Një numër studimesh që përfshihen në librin “Duke përjetuar këngën labe” janë fryt i bashkëpunimit midis Haxhi Dalipit dhe sudiuesish të tjerë. Të ardhur nga fshatra dhe zona të ndryshme etnografike të Labërisë, më shpesh ata janë edhe vetë këngëtarë, valltarë, instrumentistë, vjershëtorë të shquar popullorë, bartës krenarë të një kulture muzikore, sa të lashtë, aq edhe autentike. Emrat e tyre jepen alfabetikisht në Bibliografinë e Librit.

***

Duke qenë, në të njëjtën kohë, energjik e entuziast, i vrullshëm e prodhimtar, krenar e modest, H. Dalipi u përfshi thellë në profesionin e tij si muzicien. I arsimuar fillimisht si instrumentist, dhe, më vonë si dirigjent, Ai shfaqi gjatë tërë jetës së tij interesa artistike e shkencore dramatikisht të gjera. Kështu, siç vërejtëm, arriti të bëhet dirigjent, kompozitor, pedagog, studiues, arkitekt i festivaleve folklorike, udhëheqës artistik, mik i muzicienëve të rinj, kapedan i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare. Me veprimtarinë e tij aq të madhe interpretuese, krijuese e hulumtuese, veprimtari e cila rrezaton në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar, H. Dalipi mbetet pa dyshim një figurë e ndritur në historinë e muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Libri “Duke përjetuar këngën labe” përmbledh pjesën më të madhe të trashëgimisë teorike që na ka lënë Haxhi Dalipi në fushën e etnomuzikologjisë. Duke e bërë këtë lloj trashëgimie të njohur ndër masat e lexuesve, shpresojmë se ajo do të luajë rol në ecurinë e mendimit teorik, etnomuzikologjik dhe muzikologjik, shqiptar.

*Universiteti Winthrop – Rock Hill, South Carolina

 

December 6, 2018 10:20
Komento

5 Komente

  1. Sotiri December 6, 10:24

    Haxhi Dalipi është ndër personalitetet më të spikatura të muzikës polifonike labe. Respekt për kontributin e tij në këtë fushë. Nuk e kam njohur nga afër por kam dëgjuar për të veç fjalë të mira.

    Reply to this comment
  2. vlonajti December 6, 10:25

    Ku mund ta gjejmë librin për këngën labe?

    Reply to this comment
  3. muzikanti December 6, 10:25

    Ky është autor i këngës legjendare ‘Janinës ç’i panë sytë’. Kaq mjafton për të kuptuar se kush ka qenë.

    Reply to this comment
  4. studenti December 6, 10:26

    Respekt për profesorin tim.

    Reply to this comment
  5. Besiana December 7, 02:48

    Haxhi Dalipin e kam fiksuar ne kujtese ne vitin 1983.
    Ne Vlore, tek Pallati i Kultures sot Petro Marko. Isha koresp, vullnetar gazete i “Zerit te Vlores”. Shkruaja.
    Nuk kujtohem perse, por u ndodhem ne ate takim ne kuadrin e pergatitjeve per Festivalin e Gjirokastres. Ka qene vere 1983, isha ne pritje te se drejtes per Universitet dhe ne Shtator do nisesha per Tirane. Ndaj e mbaj mend, por edhe lidhja me Festivalin.
    Haxhi Dalip eshte shprehur, pak a shume kesisoj:

    “Ne Festival duhet te shkoje kenga per Enver Hoxhen. Shoku Enver eshte ne nje moshe te caktuar dhe, mund qe ky Festival te jete i fundit per Udheheqesin tone…”

    I vendosa ne thonjeza keto fjale, duke dashur te garantoj per vertetesine e thelbit te mendimit ne to, por jo ne ligjerate te drejte.
    Te tjere te pranishem, mund te bejne saktesimin ne forme.
    Nuk them se ishte disidence, jo. Por nuk di as se si ta quaj…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*