HEC-et dhe fitili i eksplozionit social

Lavdosh Ferruni April 18, 2016 09:43

HEC-et dhe fitili i eksplozionit social

Vendimmarrja shqiptare dritëshkurtër (të shkruash e korruptuar nuk habit kërkënd) mbështetur në inciativën politike qesharako-tragjike të minisuperfuqisë të energjisë në rajonin e Ballkanit, mund të thuhet me plot gojën se ka ndezur fitilin e eksplozionit social në vend. Ja fakti në HEC të Banjës. Ngordhje masive peshqish, tharje rezervuaresh, qindra hektarë toka të pavaditura, imazh shkretëtire, njerëz të dëshpëruar. Atij, HEC-istit, në këtë rast norvegjez, Qeveria i ka dhënë çelësat që të ndalë rrjedhën e lumit pa pyetur për njerëzit që jetojnë aty ndër shekuj, falë të mirave materialë e shpirtërore që i ofron aty lumi; i ka dhënë çelësat që të shkatërrojë gjallesat deri në zhdukje, të shkatërrojë ekosistemin (për ekosistem nuk do të dijë as dhënësi as marrësi i çelësit). Në rastin e Devollit çelësi i është dhënë njerëzve me kulturë nga Norvegjia dhe katastofa përsëri po ndodh qysh herët, shumë herët. Dhe mbyllësi i portave të lumit do të shihni, nuk do shfajësohet e nuk do të dëmshpërblejë. Ai do thotë: “E kam të shkruar në kontratë”, siç të thonë sot nëpër bankat kur ankohesh se të janë mbajtur paratë nga llogaria jote. Dhe e tha me bindje: “E kam në kontratë që po vajti niveli 145 m të mbyll portat”. Por kur të mbajnë ujin, puna është ndryshe. Të kanë marrë jetën. Dhe për jetën luftohet për ta mbrojtur. Ja sinjali i qartë i konfliktit. Qeveria do shkojë të mbrojë koncesionarin se me të ka kontratë, dhe kështu “mbron” ligjin. Po me ligjin e natyrës, por dhe me direktivën e BE-së nëse i referohesh në hierarkinë e përdorimit të ujit? Përdorimi i ujit të lumenjve është më parë për ujë të pijshëm, për bujqësinë, peshkimin e në fund për HEC. Ne në Shqipëri po e kthejmë piramidën përmbys.

Imagjino se ç’do bëhet në Shqipëri me 500 çelësmbajtës (jo aq të kulturuar sa norvegjezët e Devollit) të rrjedhjes së lumenjve shqiptarë në vitet që do vijnë, shkencërisht të vërtetuar, jo vetëm globalisht, por dhe specifikisht për Shqipërinë, se prurjet e lumenjve do të jenë në ulje me shifra mjaft shqetësuese, për shkak të ndryshimeve klimatike në planet. “E kemi në kontratë të mbyllim portat”, do thonë.

Protestat e rebelimi i komuniteteve ka filluar këto 2-3 vitet e fundit, por fakti që HEC-et janë në zonat më marxhinale të vendit dhe shumë të fragmentuara gjeografikisht, larg akseseve mediatike, ku dhe reagimi i komuniteteve të vogla lokale injorohet e mbytet, siç është mbytur më lehtësisht (rasti i reagimit të komunitetit në zonën e Librazhdit apo të Matit) fatkeqësisht e bën më pak të dukshëm shqetësimin se ardhmja është e zymtë. Me pakësimin e prurjes së lumenjve në vitet e ardhshme dhe me shtimin e numrit të HEC-eve të vegjël në vend, Shqipëria mund të përballet me një “bombë” sociale. Të lënë me kufizim të theksuar të burimit ujor, që do të thotë me kufizim të mjeteve bazike të jetesës, do të ketë shtysë të fortë për zhvendosje të  popullsisë së këtyre zonave në drejtim të qyteteve, duke braktisur një aktivitet prodhues primar drejt qyteteve shqiptare, që ekonomi kryesore kanë shërbimet dhe sidomos bar kafetë.  HEC-istët nga ana tjetër janë shumë të  interesuar të operojnë në një tokë të djegur, pa njerëz që mund t’i shqetësojnë në veprimtarinë e tyre për maksimalizimin e fitimit, e do rrisin dhe ata presionin për zhvendosje. Zhvendosja ka dhe do të ketë kosto më të madhe, gjë më shumë të ngjarë ka që të shpërthejnë konfliktet sociale, me pasoja të rënda për zhvillimin e vendit.

Nëse flitet për interes kombëtar, dihet që sektori energjitik jep vetëm 2% të GDP, pra me vazhdimin e marrisë së HEC-eve të vegjël mund të pretendohet se GDP nga energjia do të shkojë, sikur sektorët e tjerë të mos kenë rritje, në 2.2%, pra 0.2% më shumë. Po humbjet e krijuara nga dëmtimi i bujqësisë së këtyre zonave, dëmtimi i rezervave të peshkut të freskët të lumenjve dhe produkteve të tjera natyrore, dëmtimi i turizmit, sidomos në zonat me rritje të shpejtë të turizmit? Këto në asnjë rast nuk janë vlerësuar.

Me ndërtimin e HEC-eve në Valbonë çfarë do të ndodhë? Do shtohen 10-fish turistët në Valbonë si në këto 10 vjet, apo do paksohen 10 e 100-fish? Po në Vjosë? 10 mijë vizitorë në vit frekuentojnë vetëm 1 pikë, banjat e Bënjës me 0 investime të bëra atje, ndër 270 km gjatësi të lumit Vjosë pa degëzimet ku ndodhen monumente natyrore të mrekullueshme. A nuk është momenti të dëgjohet zëri i qytetarëve shqiptarë dhe jo vetëm (kujto këtu rezolutën e Parlamentit Europian që bën thirrje në emër të qytetarëve europianë për mosndërtimin e HEC-eve në Vjosë) që Vjosa të bëhet Park Kombëtar, siç edhe është premtuar nga z. Rama?

Nëse llogarisim vetëm rritjen e sektorëve  të turizmit, që sot në shkallë kombëtare është 21% dhe të bujqësisë që është 12%, sektorë shumë fort të lidhur me burimet lumore, leverdia në shifra absolute në raport me leverdinë e ndërtimit të HEC-eve do ishte shumëfish më e madhe, gjithnjë duke supozuar se HEC-et kanë 0 impakt negativ në mjedis dhe në planin social.

Ajo që në mënyrë urgjente duhet të bëjë Qeveria është të shuajë fitiln e ndezur të ekplozionit social, pra të realizojë menjëherë moratoriumin e ndërtimit të HEC-eve. Të ulet e t’i shohiënjë nga një, jo si përfitim, por si rrezikshmëri. Së pari për lumin Vjosa dhe për lumin Valbona duhet të studiohet varianti i munguar dhe i domosdoshëm edhe ligjërisht, krahas studimeve egzistues për kaskadën e Vjosës të sipërme apo të poshtme dhe planit të HEC-eve mbi Valbonë, varianti “0 ndërtim”.  Pra ç’do ndodhte me territoret, banorët, ekonominë dhe mjedisin e këtyre 2 lumenjve që në vëmendjen e publikut të gjerë nuk duhen të preken, në alternativën pa HEC-e?

Nëse nga studimi del se fitili duhet rindezur, Qeveria le ta rindezë. E mira është që Qeveria të dëgjojë ç’mendon populli para rindezjes, se rindezja ndryshon shumë nga Rilindja.

Lavdosh Ferruni April 18, 2016 09:43
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*