Hepatiti B, testet që duhet të bëni për ta zbuluar herët

February 8, 2018 18:35

Hepatiti B, testet që duhet të bëni për ta zbuluar herët

Virusi i hepatitit B mund të shkaktojë infeksion kronik të mëlçisë, e që më vonë mund të çojë në cirrozë, apo kancer të mëlçisë, ndaj nuk duhet të neglizhohet në asnjë rast zbulimi i tij që në stadet më të hershme.

Duhet të dyshoni për praninë e kësaj sëmundjeje në rastet kur konstatoni simptoma të tilla, si: zverdhje të lëkurës dhe syve, ngjyrë të errët të urinës, lodhje ekstreme, të përziera dhe të vjella, dhimbje të papritura të barkut, etj.

Duke qenë se nëpërmjet simptomave klinike shpesh është e pamundur që të identifikohet herët prania e këtij hepatiti, çdo person nuk duhet të neglizhojë kryerjen e analizave dhe disa testeve specifike për të shmangur çdo rrezik që mund të vijë nga mostrajtimi në kohë i hepatitit B.

Strukturat shëndetësore kanë sot në dispozicion një numër testesh gjaku për të diagnostikuar njerëzit me hepatit B. Ato mund të përdoren edhe për të dalluar infeksionet akute dhe kronike. Diagnoza laboratorike e infeksionit të hepatitit B fokusohet në zbulimin e antigjenit të virusit të hepatitit B (HbsAg). Prania e HBsAg për të paktën 6 muaj është shënues kryesor i rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve kronike të mëlçisë-cirrozës dhe kancerit të mëlçisë.

Hepatiti kronik B mund të trajtohet me medikamente, duke përfshirë preparate antivirale nga goja. Trajtimi mund të ngadalësojë progresin e cirrozës së mëlçisë, redukton përhapjen e kancerit të mëlçisë dhe përmirëson mbijetesën afatgjatë. Në shumicën e njerëzve trajtimi nuk shëron infeksionin e hepatitit B, por vetëm pengon shtimin e virusit. Prandaj shumica e njerëzve që fillojnë trajtimin e hepatitit B duhet ta vazhdojnë atë gjithë jetën.

Sa i takon parandalimit, tashmë edhe në vendin tonë prej vitesh të tëra, ka një vaksinë kundër hepatitit B, e cila ndihmon në parandalimin e infeksionit dhe pasojave kronike të tij. Vaksina është 95 për qind e efektshme në parandalimin e infeksionit dhe pasojave kronike të tij, hepatitit kronik, cirrozës dhe kancerit të mëlçisë.

p.k/dita

February 8, 2018 18:35
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*