Heraldika e Gjergj Kastriot Skënderbeut

May 7, 2018 13:00

Heraldika e Gjergj Kastriot Skënderbeut

Moikom Zeqo 

Në 600 vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut (në vitin 2005) ne mund të rikthehemi mbrapsht në kohë, me anë të një mekanizmi mendor, jo se nuk na binden akrepat e orëve, por për të kuptuar më mirë të ardhmen. Historia e ndritur e Gjergj Kastriot Skënderbeut në shekullin XV, është kulmi i mesjetës shqiptare. Por, duhet shikuar i tërë konstelacioni historik.

***

Skënderbeu jetoi dhe vdiq para Reformacionit Protestant, që nisi me shpalljen e 95 tezave protestante, në derën e kishës së Witenbergut prej Luterit, më 1519. Martin Lutheri lindi më 1483. Skënderbeu kishte vdekur më 1468.
Pra, nuk jetonte më përpara ndarjes së Kishës së Anglisë prej Romës, gjatë mbretërimit të Henrikut të 8-të, kur Parlamenti Anglez, më 1534 aprovoi Aktin e Supremacisë, që e bënte Mbretin dhe jo Papën, Kryetar të Kishës së Anglisë.
Skënderbeu jetoi dhe vdiq përpara, se sa Kristofor Kolombi të zbulonte Amerikën, më 1492.
Por ai, përjetoi të tëra ngjarjet e mëdha e tronditëse të shek. XV, rënien e Konstandinopojës më 1454, ankthin e projektit ambicioz të Sulltan Mehmetit të Dytë, Fatiut, për të pushtuar Evropën dhe për të dalë në brigjet e Italisë.
Skënderbeu është një personalitet i madh, që u shqua si strateg ushtarak, si diplomat i shkëlqyer dhe njeri me vizion humanist për kohën.
Ai i takon racës së figurave madhore të Rilindjes Evropiane.
Jo më kot, në një nga letrat e tij, ai shkruan fjalët lapidare: “Dua të jem mik i Virtytit dhe jo i Fatit”.

***

Bibliografia për Gjergj Kastriot Skënderbeun është shumë e gjerë dhe gati në të gjitha gjuhët evropiane.
Në pikëpamje të bëmave ushtarake dhe të taktikave, ai të kujton një mishërim të një autoriteti të lashtë të shkencës dhe artit të luftës Sun Xu.
Ai është çlirimtar si Zhan d’Arka, por pa fatin e saj të keq, dhe gati një vëlla binjak i Huniadit.
Historianë të huaj dhe shqiptarë kanë studiuar shumë aspekte të historisë së Gjergj Kastriot Skënderbeut, por për çudi studimet për heraldikën, që lidhet me Skënderbeun janë shumë të pakta. Heraldika shqiptare është pjesë substanciale e heraldikës evropiane. në planin krahasimtar simbolet heraldike të princërve dhe fisnikëve shqiptarë kanë lidhje të ngushta me heraldikën e Europës Perëndimore.

Kështu stema heraldike e princit të Madh, Karl Topia në shek. XIV lidhet dukshëm me heraldikën franceze (anzhuine). Një pjesë e heraldikës së princërve të tjerë para Skënderbeut, lidhen me Bizantin.
Stema më e hershme në Shqipëri, është ajo e Shtetit të Arbërit (1190-1214), që tregon një shqiponjë njëkokëshe me krahë të ngritura sipër, që mban në sqep një unazë.
Qendra e shtetit të Arbërit qe Kruja.
Dy shekuj më vonë, qendra e shtetit të Skënderbeut qe gjithashtu Kruja. Kjo qendër e veçantë e Mesjetës Shqiptare, sipas Barletit, ka qenë themeluar nga princërit Topia, por origjina e saj është më e vjetër.
Në vitin 1272, Karli Anzhu themeloi Regnum Albaniae, Mbretërinë Shqiptare, me kryeqytet Durrësin.
Me një akt të veçantë juridik, ai njohu të drejtat e kontëve, princërve dhe fisnikëve shqiptarë, që do të thotë që ka njohur edhe stemat heraldike të tyre.
Heraldika shqiptare e mesjetës ka disa studime, por ky problem shkencor është ende i hapur.
Në konstelacionin e stemave heraldike të principatave shqiptare në shek. XIV, sidomos të Balshajve, Topiajve, Muzakajve,Araniteve,Zgurajve etj. ne gjejmë të dhëna interesante, për të bërë një kapërcim historik mbas Kuvendit të Lezhës të inicuar nga Skënderbeu, për një bashkim të tërë fuqive ushtarake të princërve shqiptarë, ku ai u zgjodh Kapedan i Përgjithshëm (primus inter pares). Që nga ky cak kohor, shfaqet stema heraldike e Skënderbeut si stemë kryesore e shqiptarëve.
Familja e Kastriotëve, qe një familje feudale, në fillim e vogël, që u fuqizua në kohën e Gjonit, babait të Gjergj Kastriotit. Po qe Gjergj Kastrioti, që bëri epokë.
Ai krijoi një lidhje konceptuale dhe reale me Papatin e Romës, Mbretërinë e Napolit të Alfonsit të Aragonës, me Venedikun dhe Mbretërinë Hungareze, forca këto kryesore, që kundërshtonin pushtimin osman.
Kështu, shenjat e tij heraldike si përfaqësuesi i Shqipërisë, kanë qenë të njohura dhe juridikisht të pranueshme nga këto fuqi politike.

***

Më 1508-1510, humanisti shqiptar Marin Barleti botoi kryeveprën e tij për historinë e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ai thotë, se Skënderbeu përdorte flamuj që kishin fushë të kuqe dhe shqiponja të zeza me dy koka.
Por, për heraldikën e Skënderbeut ne mund të gjykojmë realisht vetëm nga dokumentet e kancelarisë, nga simbolet e uvulave të përdorura prej tij. Skënderbeu ka përdorur dy vula në kancelarinë e tij.
Njëra vulë, e quajtur vula e madhe (Sigilla Majus) me rafigurimin e saj u zbulua, më 1961 në dorëshkrimet e shkencëtarit sllovak, Pavel Jozef Safariku (1795-1861). Skënderbeu kish përdorur këtë vulë rreth vitit 1466.
Vula është e rrumbullakët, ka në mes shqiponjën dykokëshe, mbi krahët e shqiponjës germat latine D.Al.(dominus albaniae). Rreth e qark vulës lexohen fjalët Georgius Castriotus Scendarbigo.
Në mbarimin e fjalës së fundit, është një yll 8 cepësh.
Kurse midis dy kokave të shqiponjës është një tjetër yll 6-cepësh.
Në krahun e majtë të kornizës dekorative me gravura të faqes së parë të librit të Barletit për Skënderbeun është gravura e një shqiponje dykokëshe, që i atribuohet Heroit.

***

Në librin tjetër të Marin Barletit, të botuar pas vdekjes së tij në Romë, më 1555, me titull “Compendium vitarum sumorum Pontifucum usque ad Marcellum II Imperatorumque Romanorum” (f.108), është gjithashtu një gravurë me stemën e shqiponjës dykrenare, me krahë të ngritur lart, që ka në gjoks një skudë, me figurën e një engjëlli me palma në duar, si dhe sipër fare, gjithashtu një engjëll, që mban në dorën e djathtë një palmë dhe në dorën e majtë një kryq dhe sipër një kurorë mbretërore. Kjo stemë , gjoja i atribuohet familjes së Engjëllorëve të Drishtit, por nuk është gjë tjetër veçse “Stema e Kastriotëve”, por e modifikuar në raport me stemën origjinale.
Një tjetër stemë e Skënderbeut, ndodhet në librin me pergamenë “Officium Beatae Mariae Virginis, secundum consuetudinem Romanae Curiae”, vepër e realizuar në Napoli, që dy familje të shquara napolitane Di Capua dhe Altavilla, ja dhuruan Skënderbeut në vizitën, që ai bëri në Napoli, më 1466. Ky libër uratash në latinisht ka një medaljon të incizuar në fundin e faqes së parë.
Medaljoni ka një kurorë, që mbyllet në pjesën e sipërme me gjethe dafine të stilizuara.
Aty janë dhe figurat e gjashtë fëmijëve, që mbajnë kurorat në duart e tyre.
Brenda kurorës është pikturuar një mburojë, që e mbajnë gjithashtu në duar dy fëmijë. Mburoja është e ndarë në dy pjesë, në anën e majtë është pikturuar stema e Skënderbeut, shqiponja e zezë me dy krerë me yllin e bardhë me 6 cepa, kurse në anën e djathtë është figura e një luani (luani është edhe në stemën e Karl Topisë i shek. XIV, viset e të cilit, tani i kishte në zotërim Skënderbeu.
Stemën e Skënderbeut e ndeshim të vizatuar, ose të skalitur edhe në varret e dy nipërve të tij, që kanë vdekur në Itali, në shek. XVI.
Në varrin e Konstandin Kastriotit është paraqitur shqiponja dykrenore me krahë të ulur, si dhe një yll gjashtëcepësh.
Në monumentin që Isabela Kastrioti i ngriti të shoqit të vet Guido Ferramosca në Montecassino, pranë shqiponjës dykrenore me krahë të ulura, është gdhendur një luan me shpatë në këmbët e tij dhe një lule zambaku.
Zambaku, është gjithashtu dhe në stemën e Karl Topisë.
Në varrin e një pasardhësi tjetër të Heroit, nga vija femërore, Giuseppe Felice Kastrioti, në Leçe të Puljes (Itali) është shqiponja perandorake bizantine me dy krerë, me dy kurora princërore me fushë të kaltër, me një luan, me shpatë dhe me tre lule zambaku.

Shumë albume heraldike të botuara për princërit e Evropës, nuk mungon dhe stema e Skënderbeut, herë paraqitet me krahë të hapura si në fluturim, herë me krahë të mbledhura, diku me yllin pesëcepësh, apo me yll gjashtëcepësh.
Shqiponja është e zezë mbi fushë të kuqe, ose mbifushë me ngjyrë ari.
Pra, kemi një numër variantesh, ku modifikimi bëhet sipas kohës.
Stema origjinale e Skënderbeut, për mendimin tim është ajo e vulës.
Këtu është dhe titulli i tij zyrtar Dominus Albaniae, sepse Skënderbeu nuk e ka patur asnjëherë titullin Mbret.
Për mendimin tim, kjo stemë është një sintezë e simboleve heraldike me shqiponjën dykrenore, që e kanë patur edhe Muzakajt, edhe Aranitët, të Shqipërisë së Jugut, me yllin gjashtëcepësh të Balshajve, të cilët përpara Skënderbeut zotëronin një shtet të madh nga Veriu deri në Jug.
Kjo do të thotë që stema e Skënderbeut, është një stemë zyrtare e shtetit të tij, mbas Kuvendit të Lezhës dhe përfaqëson unitetin e Veriut dhe të Jugut në Shqipëri.
Për yllin 6-cepësh të Balshajve, studiuesit mendojnë, se kemi të bëjmë me një legjendë humanistike, se gjoja Balshajt lidhen nga fisi i tri magëve, që ndoqën yllin e Betlehemit, kur lindi Jezu Krishti.

Legjenda gjenealogjike akoma më fantastike ka dhe familja princërore e Engjëllorëve, dukuri kjo evropiane e falsifikimeve.

***

Kohët e fundit kemi bërë dy zbulime të rëndësishme.
Në vitin 1980, nga The Newberry Library në Çikago në SHBA, u organizua një ekspozitë me harta, dorëshkrime dhe të shtypura. Në këtë ekspozitë qe dhe harta Portollane e Mesdheut, dorëshkrim (monuscript), e pikturuar në pergamenë, më 1459. Kjo hartë, përshihet në koleksionin “Edwart E.Ayer”, map no.3. Harta ka shënimin: “Petrus Roselli compossuit hans cartam in civitate maioricarum anno domini MCCCLVI”.
Harta përqendrohet nga Deti Mesdhe deri në Detin e Zi, nga Danimarka deri në Ballkan.
Këtu janë edhe skicat e 41 flamujve, të pasqyruar me ngjyra në hartë, ku është dhe flamuri kombëtar shqiptar.
Flamuri ka shqiponjën dykrenore me krahë të ulura, të ngjashme me shqiponjën e vulës.
Ky zbulim tregon ndoshta, si ka qenë flamuri i Skënderbeut në vitin 1459, kur ai ishte ende gjallë.
Kohët e fundit është zbuluar në Kishën e Shën Andonit, në Rodon afër Durrësit në absidën e Kishës, figura e një shqiponje dykrenare, por me ngjyrë të kuqe.
Dihet se Kështjella e Rodonit ka qenë Rezidencë e Skënderbeut.
Shqiponja dykrenore nuk ka kurorat mbretërore, që janë vënë më vonë nga pasardhësit e Skënderbeut.
Dihet që flamuri kombëtar i shtetit shqiptar sot, bazohet mbi matricën e shqiponjës dykrenare të Skëndërbeut, por është i stilizuar ndryshe.

***
Skënderbeu ka përdorur edhe vulën e tij të vogël, të quajtur sekrete. Kjo vulë ka të rafiguruar Ledën, me Zeusin në formë mjellme.
Ky subjekt i mitologjisë pagane, lidhet me një koncept humanist, që ka patur dhe Skënderbeu, për të treguar lidhjet e tij të paraardhësve me Epirin antik.

***

Simbolet pagane janë të pranishme edhe në portretin gravurë të Skënderbeut, botuar në librin e Marin Barletit, në latinisht në Romë.
Në këtë gravurë Skënderbeu ka mjekër të gjatë, mban mbi kokë një kapele, që ka vizatime lulesh në pjesën e poshtme “Një beretë skarlati alla Carmagnola”.
Kjo është një kapele e rangut të lartë të personaliteteve të shoqërisë italiane të shek. XV.
Është një kapele e rrafshit qytetar civil, jo e rrafshit ushtarak. Dollomaja prej skarlati e Heroit, ka një ornament me lule dhe fruta, dallohen figurat e dy kokrrave prej shege, dy degë bimësh me germa të prerë, lule të zambakut, tri gjethe lisi dhe figura e një lende lisi.
***

Ç’përfaqësojnë figurat e shegëve?
Në librin e arkeologut gjerman, mikut tim, Dr. Guntram Koch “Fruhchristliche Kunst” botuar në Berlin, më 1995, në tabelën 19/2, duket fotografia e një mozaiku të shek. IV, në një kishë paleokristiane, gjetur në Hinton në Angli, që ka figurën në bust të Krishtit, me fytyrë pa mjekër, të ikonografisë apoloniake, që ka anash dy figurat e frytit të shegës, si dhe kryqin mithriatik, me germën “P” sipër, që simbolizon fjalën Paqe.
Ç’duan frutat e shegëve në ikonografinë e hershme të Krishtit?
Pse shegët e Krishtit përfaqësohen edhe te Skënderbeu, që është mbiquajtur nga papët “Atleti i Krishtit”? Në Testamentin e Vjetër, emri i shegës në hebraisht është Rimmon. Ky emër, përmendet në “Librin e Dytë të Mbretërve” (5-18). Po kështu, edhe në “Librin e Parë të Mbretërve” (17018), ku flitet për simbolet e zambakëve dhe të shegëve në një bashkësi kuptimore.
Flitet në këtë tekst për ndërtimin e Tempullit të Solomonit, për kapitelet e Tempullit, me 200 shegë rreth e qark dhe në majë të shtyllave kish punime në formë zambaku.
Shegët përmenden edhe në “Këngët e Solomonit” (8-2).
Sipas mitologëve Barbara G. Walker, W.G.Graves, H.Smith, T.Cavendish, mësojmë se figura e shegës, ka origjinë pagane.
Rimmon është emri i një hyjnie të quajtur Baal Rimmon “Zoti i shegëve”.
Shega simbolizon fertilitetin, pjellorinë, seksin femëror. Simbolika e shegës tek gravura e Skënderbeut ka kuptimin e ripërtëritjes, të shumëzimit, të vijimësisë.
Kurse gjethet dhe fruti i lisit lidhen me lisin mitik të Dodonës, ku profecitë bëheshin duke studiuar fluturimin e gjetheve të lisit të shenjtë.
Marin Barleti e lidh origjinën e shqiptarëve me Pirron e Epirit “Shqiptarët kanë shpirtin dhe zjarrin e Pirros së Epirit, sepse prej tij rrjedhin”, kurse dy kërthinjtë me gjethe zambaku, që ndahen nga njeri tjetri me formën e germës V, që ndoshta simbolizon dhe fjalën latine Victoria, lidhen me heraldikën franceze.
Historiani Dhimitër Frëngu, që ka qenë arkëtar i Thesarit dhe i Kancelarisë së Skënderbeut, shkruan në librin e tij se “Shqiptarët – albanët vijnë prej France, sepse është vënë re një miqësi e natyrshme midis fisnikëve të të dy vendeve, siç përmendet miqësia e princit të Durrësit Topia, që vinte prej Karlit të madh, apo ajo e disa princërve nga Meschino.
Statuja e Karlit të Madh prej guri të mrekullueshëm, e gdhendur me mjeshtëri dhe art qe vendosur në sheshin kryesor të qytetit të Krujës”.
Kërcejtë me gema të prerë në këtë gravurë, tregojnë vdekjen, kurse pjesa tjetër vijimësinë.
Kjo tregon, se Skënderbeu kish vdekur, por kish lënë pas vetes, birin e tij Gjonin, si dhe fëmijët e Gjonit.
Një nga këta nipa, qe edhe Don Herante Kastrioti, të cilit i kushtohet libri i Marin Barletit.

***

Por tema më e rëndësishme, që ka shpjegime të ndryshme është ajo, e përkrenares së Skënderbeut me kokë dhie ose cjapi. Disa dijetarë e kanë lidhur këtë, me figurën e Dhisë së Shenjtë Amaltea, që ushqeu Zeusin fëmijë me qumështin e saj.
Në qytetin antik të Butrintit Pompon Atiku, mik i Ciceronit ka patur ngritur një tempull, të quajtur Amaltea.
Të tjerë studiues e kanë lidhur me kultin e Artemisit.
Dijetari gjerman Peter Rober Franke, në veprën e tij “Albanien im Artertum” e quan përkrenaren e Skënderbeut një punim italian rreth vitit 1460.
Franke gjen lidhje figurative me një denar republikan, me portretin e mbretit maqedon Filipi V (221-179) para Krishtit, që mban një përkrenare me brirët e cjapit.
E njëjta pamje del në një denar të Q.Marcius Philippius.
Tit Livi (27, 33), thotë se Filipi V, kishte përkrenaren me brirë cjapi.
Në mozaikun e Aleksandrit të madh në Pompei, që sot është në Napoli, që rrjedh nga një tablo e humbur e Filoksenit të Eretrisë, rreth vitit 316 para Krishtit, nën figurën e Aleksandrit të Madh, kokëzbuluar, që lufton është dhe një përkrenare me brirë, që i përket atij.
Plutarku në kreun e dytë të veprës së tij “Vita” për mbretin molos, Pirro i Epirit, tregon se Pirro mbante një përkrenare me tufë pendësh dhe me dy brirë cjapi. Kjo shpjegon pse Skënderbeu u mbiquajt edhe si Eporotarum Princeps (Princi i Epirotëve).

***

Për mendimin tim ka dhe një shpjegim tjetër bazuar tek Libri i Danielit (8,2-5), ku tregohet për një vegim të profetit Daniel, “pranë lumit Ulai, në krahinën e Elamit, ku pa një dash me dy brirë, që godiste kundër Perëndimit, drejt Veriut dhe Jugut, dhe ardhjen nga Perëndimi të një cjapi, që lufton me dashin, ndërsa nuk kish fuqi t’i rezistonte… cjapi u bë shumë i madh.”

Simbiologët biblikë janë shprehur se dashi përfaqësonte perandorinë e medëve, të persëve të vjetër, kurse cjapi Aleksandrin e Madh, që sulmoi nga Perëndimi në Lindje dhe shkatërroi Perandorinë persiane.
Në shumë shkrime teologjike dhe vepra me frymëzim apokaliptik, është konsideruar, që turqit e Lindjes kishin ripërtërirë perandorinë e persëve të vjetër, të simbolizuar nga totemi i dashit.
Për rrjedhim, figura e Skënderbeut profetizohet si një edicion i dytë në shek. XV, i figurës së Aleksandrit të Madh, ndërmjet totemit të cjapit.
Rezistenca e Skënderbeut i bënte që të gjithë, që të besonin në vegimin e Profetit Daniel, të betejës së çuditshme dhe simbolike midis cjapit të Perëndimit dhe dashit të Lindjes.
Kjo shpjegon shumë gjëra.
Vetë emri Skënderbe do të thotë Aleksandër, dhe dihet se Aleksandri është mbiquajtur edhe si dybrirëshi.

***

Në heraldikën e Skënderbeut, kemi një sintezë dhe një mënyrë sinkretike, të elementeve heraldikë bizantinë dhe francezë, të princërve të mëdhenj përpara Skënderbeut, si dhe të vetëdijes së Heroit, se origjina e tij lidhet me paraardhësit e Aleksandrit të Madh dhe të Pirros të Epirit. Është një optikë shpjeguese e shekullit XV.

May 7, 2018 13:00
Komento

4 Komente

  1. Glaukias May 7, 17:33

    Falemnderit !

    Reply to this comment
  2. Plaku Xhuxhumaku May 7, 22:57

    O Moikom, te gjitha i ke qare, morpo sikur ke qene atje, po nuk e marr vesh si ti eruditi jone i madh na shkruan qe Bizanti ra ne vitin 1454? Korrigjoje shejt se na turperove, Bizanti ka rene ne vitin 1453. Keshtu, per hir te saktesise, te datave, po ato shqiponjat me yll kaq e aq cepesh i ke tamam.

    Reply to this comment
  3. SHQIPTARI... May 8, 10:18

    …Per korrektese…me 29/5 te vitit 1453, sulltan Mehmeti 2-te, pushtoi Kostandinopojen, …dhe aty u “pagezua” mbret,(çezar) nga Patriarku grek ,te cilin ky sulltan e beri “ortak” me shume prona…Po ky sulltan , pushtoi dhe KRUJEN(1478)…Ashtu si para 565-vjeteve, kur pushtuesi vendosi kater “rraketa” ne kater anet e Shen Sofise, …per fatkeqesine tone kombetare, …ndertohet ne kryeqytet ,per te perjetesuar pushtuesin , perdhunuesin dhe perçudnuesin tone, …nje qenef me kater rraketa…!!!…Prape per korrektese, kisha e Rodonit, quhet Kisha e Shen Antonit(Shna-Ndout), …kurse veshja ceremoniale, nuk quhet “dolloma”, …se eshte turqisht….!!!….

    Reply to this comment
  4. demo May 8, 12:14

    “Dua te jem mik i Merites dhe jo i Fatit !” eshte nje shprehje ,qe thuhet se eshte shkeputur nga letra e Skenderbeut drejtuar princit te Tarantos, Givanni Antonio Orsini.
    Ne te gjitha perkthimet e origjinalit,kjo shprehje nuk gjendet.Nje kopje te origjinalit e posedon arkiva e familjes se prof.Dhimiter Shuteriqit.As aty nuk gjendet kjo shprehje.I vetmi qe e deklamon,eshte Fan Noli ne Historine e Skenderbeut,botimi anglisht 1947 dhe botimi shqip 1949.HISTORIA NUK SHKRUHET ME LLOQE.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*