Heroi Dhimë Daka, inxhinieri pa diplomë i Krutjes

August 25, 2019 15:39

Heroi Dhimë Daka, inxhinieri pa diplomë i Krutjes

Nga DHIMITËR SHTËMBARI

Për të përgatitur shkrimin kushtuar të ndjerit Dhimë Daka – Hero i Punës Socialiste, na u desh të shkëputeshim nga Tirana dhe të shkonim në Krutjen e Sipërme të rrethit të Lushnjës.

Së bashku me 85 vjeçarin Loli Davidhi, ish drejtor i shkollës së mesme të këtij fshati për më shumë se 25 vjet, trokasim në portën e shtëpisë së djalit të të ndjerit Dhimë.

– Urdhëroni, urdhëroni brenda! – na thotë i zoti i shtëpisë, Arbeni.

Ndërsa futemi në oborrin e një vile dykatëshe, në të majtë të saj, ç’të shikojmë! Pjesë të shumta motorrike të llojeve të ndryshme, filluar nga ato për traktorë, kombajna, zetorë, motorçikleta, pompa ujë…

– Është duarartë, – na thotë, Loli.-  Ç’i sheh syri, ia bën dora. Gjallë, i ati! Kështu ka qënë babaj i këtij, shoku im i klasës së parë, Dhima…

Arbeni ve buzën në gaz. Ndihet i ngazëllyer teksa dëgjon t’i lavdërohet i ati.

– Sidoqoftë, përpiqemi t’i ngjajmë, por ai… ai ishte i paarritshëm për mua, –  na drejtohet Arbeni.

Derën e shpirtit ta hap vetëm prindi

– Kur ishim të vegjël, nxënës të shkollës fillore, – vazhdon të na tregojë Loli, – shoku ynë, Dhimë Daka, na linte gojëhapur me disa veprime, që për ne të vegjlit e asaj kohe përbënin habi. Me teneqe të holla sajonte kuti të disa përmasave dhe i mbyllte e i hapte me “çelësa” të sajuara prej telash!

I lindur me dhunti të veçanta, Dhima nisi e vazhdoi të mësojë të përdor disa vegla muzikore. Ndërsa e pa me këtë aftësi të spikatur, prindërit bën çmos për ta dërguar në Shkollën e Kulturës në Tiranë. Kur kthehet nga kryeqyteti ai do të ishte fizarmonicisti i parë i orkestrës së kooperativës bujqësore. Por…

Të riut Dhimë Daka i hanin duart. Dëshironte të shprehej. Dhe i vjen rasti të ngarkohej me detyrën e kinooperatorit të kooperativës. Mirëpo, punonte e nuk ndihej rehat, sepse mbas çdo kasete filmike do t’i duhej të ndizte dritat e sallës për të vendosur kasetën pasardhëse. E konsideronte bezdi. Dhe ç’bën? Shkon në Shtëpinë e Kulturës të rrethit dhe merrë nga aty një kasetë të prishur.

– Ç’e do?! Është gjë e hedhur! – i thanë. – Juve të Krutjes jua kemi dhënë të re.

– Gjithësesi, po e marrë.

– Kot që e merrë! Atë s’e kanë rregulluar dot as ata të Tiranës!

Dhima e pat dëgjuar me respekt dhe, ashtu, qetë – qetë, e pat marrë me vete. Në shtëpinë e vet: shiko të rregulltën dhe… vepro në të prishurën. Më në fund, e bëri për punë. Dhe që nga ky çast filmat nëpër fshatra i shfaqi të pashkëputur.

Pak kohë qendroi si kinooperator. I dukej një punë që s’i jepte dorë të tregonte se ç’ishte në gjëndje të bënte.

– Do të shkëputem nga kjo punë, – u tha prindërve. – Do të shkoj të punoj  traktorist.

– Nga ne je i lirë, or bir, – i thanë në familje. – Prej nesh derën e ke të hapur.

Dhe shkoi Dhima e iu fut profesionit të traktoristit.

“Dekani” i traktoristëve të Krutjes

Kur nis e bisedohet në Krutje të Sipërme për traktoristët, mendimi më i parë i çon te Andon Gjermëni. Ka vite që është ndarë nga jeta, por emri i tij është i pranishëm edhe në bisedat e më të rinjve.

Ndërsa shfletoj fletët e zverdhura të bllokut tim si gazetar gjej të shënuar disa mbresa të Andonit, të këtij njëriu që i shkonte shumë përshtat epiteti babaxhan.

Dhe tregimi i tij i hershëm ka qënë i tillë: Aty nga viti 1947 më thotë kryetari i kooperativës bujqësore, Rrapi Gjermëni, që të shkoja në Karbunarë për të marrë një traktor me rrota tërë thumba, që do të ishte i pari si i tillë në kooperativën tonë të porsaformuar. Shkoj. Atje më priste një farë Nurçe. “Hë, më thotë, erdhe?” “Erdha” i them. “Shumë mirë! Tani merre dhe vazhdo drejt Krutjes”. “Të vazhdoj?! Po unë nuk di ta ngas!” i them. Qeshi. “Epo mirë, hip këtu mbas meje dhe shiko se si do ta ngas unë”. Ashtu bëra. Herë – herë ai edhe ndalonte, bile edhe e shuante traktorin. E ndizte prapë dhe prapë bënte përpara. Deri në Krutje unë bëra “shkollën” e traktoristit.

“Dekani” i traktoristëve të Krutjes, Andon Gjermeni formoi e edukoi një numër jo të vogël traktoristësh. Mes tyre – edhe Dhimë Dakën.

Por Dhima, si Dhima: bëri shumë përpara. Ishte një talent i lindur.

Të moshuarit tregojnë në Krutje, se Dhima e kuptonte me vesh defektin e traktorit. Dikujt i pat ndodhur pak a shumë kështu: I kishte shkuar Dhima në parcelë, atje ku punonte dhe, teksa kishte dëgjuar zhurmën e traktorit, i pat   thënë: “E ke me defekt traktorin!” “Si, ore, me defekt! Unë pardje e nxora nga remonti!”. “E ke me defekt në motorr, prandaj dërgoje prapë më bazën mekanike”.
Dhe vërtet ai traktor kishte qënë me defekt në motorr.

Për punën e duhur, në kohën e duhur: njeriu i duhur

Vinte një ditë, që, mbas një kohe relativisht të gjatë përdorimi, disa traktorë liheshin menjanë si të ishin kufoma të pakallura nën dhe.

– More, Dhimë, – i ishte drejtuar në një mbledhje drejtori i SMT – së, Todi Bozo, – kështu do të vazhdojmë ne, duke i nxjerrë në “pension” një nga një të gjithë traktorët?!

Kaq i ishte dashur t’i thuhej Dhimës. Ishte kthyer në Krutje, i kishte shkuar pranë një traktori të lënë menjanë, që po e bluante ndryshku dhe i ishte futur punës. Dhe pikërisht me të, për habinë e të gjithëve, planin 12 mujor të atij viti e pat plotësuar brënda nëntë muajve.

Atyre kohëve të mbas viteve shtatëdhjetë në Krutje kishin dërguar tre  traktorë të rinj kinezë. Epo, si i dalluar që është, menduan disa, me siguri që Dhimës do t’i japin traktor të ri. Por, ndryshe nga ç’qe menduar nga disa, nuk iu dha. Ma saktë, as vet Dhima nuk kërkoi të merte një të tillë.Vazhdoi me traktorin e porsasjellë në jetë. Planin pesëvjeçarë të asaj periudhe e pat realizuar në pak më shumë se tre vjet. Nuk hahemi dot me Dhimën, shpreheshin nën zë në kooperativë. Ai ia shitur shpirtin shejtanit.

Tashmë ai do të caktohej përgjegjës i ofiçinës së bazës mekanike të kooperativës bujqësore të tipit të lartë të Krutjes. Se ç’qe në gjëndje të bënte kësaj kohe, le t’i përmbahemi një kujtimi interesant të ish përgjegjësit të Ofiçinës së SMT – së së Lushnjes, inxhinierit të talentuar, Ilmi Mançe, aktualisht me banim në Amerikë:

… M’u shtrua detyra që të shkoja në Krutje, sepse një kombajnë atje kishte ndërprerë punën për shkak të një defekti. Me të mbrritur në parcelën ku korrej, shikoj disa kuadro të kooperativës rreth kombajnës. “Hë, inxhinier, m’u drejtuan, si do të veprojmë tani?! Kemi rreth 600 ha grurë për të korrur!” “Është djegur kushineta këtu, – më drejtohet kombajneri, – kështu që duhet të na e sillni nga Lushnja”. E pash që nuk do të qe punë e lehtë. Sos edhe në SMT – në e Lushnjes kishim të tilla! I drejtohem Dhimë Dakës, një mekanik vërtet duarartë: “Ä mund ta përgatisim këtë kushinetë në bazën tuaj mekanike?” “Ta provojmë”, m’ú përgjigj. Kur dëgjova “ta provojmë”, më shkriu gjaku. Se ia njihja mirë aftësitë. Shkuam në bazën mekanike të kooperativës dhe Dhima nisi nga puna. Teksa i tregoja parametrat milimetrikë të kushinetës, ai vazhdonte të punonte me një intuitë fantastike. E morëm kushinetën me vete, shkuam te kombajna, e vendosëm dhe i thamë drejtuesit të saj që të vazhdonte punën. Ai bëri xhiron e parë, të dytën, korri grurin e një skoline dhe…vazhdoi pa ndërprerje.

Të gjithëve na shkriu gjaku. E përqafova Dhimën.

Zarika, bashkëshortja e Dhimës, rivalja e denjë e Bastia Bakirovës

Le të na falë pak lexuesi ynë i nderuar për të dalë paksa jashtë personazhit të shkrimit tonë, për t’u përqendruar paksa te bashkëshortja e tij, e ndjera Zarika Çuko.

Sikundër i shoqi, edhe Zarika ishte veprimtare e shquar e organizatës së Rinisë. Si dhe mjaft të tjera në fshat, edhe kjo ishte tepër e emancipuar.

– Zarikë, – i patën thënë një ditë shtatori të vitit 1952, – këto ditë vjen këtu nga Azerbajxhani i Bashkimit Sovjetik një vjelëse e jashtëzakonshme pambuku. Heroinë e Bashkimit Sovjetik. Pranon të futesh në garë me të?

Zarikës i kishte ardhur i papritur ky propozim. Në fakt, edhe kjo vajzë nga Krutja nuk ishte e paktë. Tregojnë, se mbas vjeljes së pambukut gjatë tërë ditës, në mbrëmje do të duheshin dy qerre për të transportuar thasët e mbushura me pambuk prej Zarikës. Sigurisht, nuk ishte e vetme si e tillë.

Erdhi dita dhe ja ku zbriti në Krutje rekordmenia e famshme e Azerbajxhanit për vjeljen e pambukut, Bastia Bakirova.

Aty nga ora dhjetë e ditës, kur qe tharë vesa e mëngjesit, “e dërguara e Baba Stalinit”, siç thuhej atëhere, e shoqëruar nga Zarika Çuko, Lefta Shani e të tjera vajza nga Krutja ia nisën garës. Shënojmë këtu, se, ndryshe nga garistet nga Krutja, futa e rekordmenes sovjetike kishte tri xhepa, në të cilat e huaja e fuste pambukun sipas cilësisë.

Në fund të garës dyorëshe sasia e pambukut të vjelë prej të gjithave ishte thuajse e njëjtë. Mikesha nga Azerbajxhani mbeti disi e habitur për shpirtin e lartë punëtor me të cilin volën pambuk vajzat myzeqare, duke këshilluar që t’i kushtohej më shumë vëmendje cilësisë së prodhimit.

Herë mbas here, thjesht për humor, Zarika i qe drejtuar të shoqit: “I dalluar je, more burrë, por në krahasim me shokë e tu, ama, ndërsa unë… unë pata bërë garë ndërkombëtare!”

I edukuar, i kulturuar, por, ndonjëherë, edhe “kokë më vete”

Drejtuesit kryesorë të Krutjes ishin kthyer nga një aktiv ekonomik partie të rrethit dhe që në atë mbrëmje organizuan një mbledhje të zgjeruar të kryesisë së kooperativës bujqësore.

Kishin ftuar në atë mbledhje edhe Dhimë Dakën, si një nga përfaqësuesit kryesor të mekanikës bujqësore të ekonomisë.

Kryetari i kooperativës kishte folur gjatë për gjithçka që ishte folur në atë  aktiv ekonomik të rrethit, duke theksuar atë çka ishte vendosur atje: gruri të mbillej medoemos para një nëntorit në të gjithë sipërfaqen e planifikuar!

E kishin marrë fjalën edhe anëtarë të kryesisë së kooperativës, specialistë të lartë, përgjegjës sektorësh deri edhe brigadierë. Dhe të gjithë ishin shfaqur entusiaztë për vendimin që ishte marrë në rreth dhe për atë që po merrej në këtë mbledhje.

Aty në të mbaruar të mbledhjes, kur të gjithë ishin bërë gati të ngriheshin për t’u larguar, si shkarazi kryetari i qe drejtuar edhe Dhimës:

– Besoj se edhe ti je dakort me gjithçka që u vendos këtu…

– Jo me gjithçka! – i qe përgjigjur Dhima.

– Si, si?! Ku e ke kundërshtimin?!

– Me afatin e mbjelljes së grurit…

– Dhe përse nuk je dakort?!

– Sepse për afatin e mbjelljes së grurit duhet “pyetur” edhe koha… Sikur përgjatë tërë këtë muaj të kemi shira mbas shirash, si do të mund të plugojmë e si do të mund të mbjellim grurë?!

–Po ky është vendim partie, more Dhimë!

– E kuptoj shumë mirë dhe dëshira ma do që grurin të mund ta mbjellim edhe para një nëntorit, por të kemi parasysh se jo gjithçka varet nga puna jonë…

Këto kishin qënë fjalët e fundit të asaj mbledhjeje. Ndërsa dilnin nga salla, mjaft nga ata që ishin pjesëmarrës në atë takim i mbanin sytë ngulur te Dhima, sikur të donin t’i thoshnin: po si nuk të rrihet pa e thënë troç atë që e mendon, o Dhimë!

“Inxhinieri” pa diplomë

Erdhi një kohë që shteti importoi një numër të konsiderueshëm kombajnash “Vistula” nga Polonia. Për të parë nga afër gjëndjen në punë të këtyre, nga vendi i origjinës së këtyre mjeteve kishin ardhur në Shqipëri disa inxhinierë. Edhe në SMT – në e Lushnjes qe organizuar një takim i zgjeruar, ku qenë ftuar specialistë të lartë të bujqësisë. Qenë ftuar edhe mekanizatorë të thjeshtë. Mes tyre – edhe Dhimë Daka.

Folën disa, duke vënë në dukje anët pozitive, natyrisht duke cekur edhe ndonjë vërejtje.

Kishte folur edhe Dhima i Krutjes. Dhe kishte vënë në dukje, përpos mjaft  anëve pozitive, edhe disa mangësi konkrete të karakterit teknik.

– Më falni, ku e keni mbaruar fakultetin e inxhinerisë mekanike ju? – i ishte drejtuar i ardhuri nga Polonia.

– Nuk kam mbaruar arsim të lartë; jam mekanik me shkollë të mesme!

– Ashtu! – kishte mbetur i habitur ai që sapo kishte pyetur.

… Më 11 shtator të vitit 1978 organizohej në Tiranë Konferenca Kombëtare e Mekanizatorëve dhe e Rracionalizatorëve. Në Presidium ndodhej edhe Presidenti i Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë, Rita Marko.

– Do të diskutoni edhe ju në këtë Konferencë, – i pat thënë Dhimës kryetari i Këshillit të Bashkimeve Profesionale të rrethit të Lushnjes, Sotir Mita.

– Si të flas?! Të mburrem?!

– Të mburresh, që çke me të! A i ke bërë vet ato çpikje? Prandaj…jepi!

E pat marrë fjalën edhe Dhima në atë Konferencë Kombëtare. Dhe pat treguar, se si kishte modifikuar traktorin “KL – 35” me sistemin e punimit të traktorit “DT – 54”, se si i kishte bërë ndryshime mekanike makinës mbjellëse të pambukut, duke e përshtatur atë edhe për mbjelljen e misrit dhe të fasules…

Kishte folur edhe për disa modifikime që u kishte bërë thikave të traktorave, si dhe disqeve të tyre.

Falë kontributit të kryeagronomit të kooperativës, Dhimitër Çili, por edhe rolit të këtij mekaniku të talentuar, këtyre viteve Krutja qe bërë shkollë kombëtare e sistemimit të tokave.

*     *     *

Koha ndryshon shumë gjëra, por nuk fshin asgjë. Shko në Krutjen e Sipërme e më gjërë dhe hap bisedë për Dhimë Dakën dhe… çfarë nuk do të të mund të tregojnë!

Edhe pse, fatkeqësisht, nuk jetoi gjatë, vitet e jetës ai i pat zbukuruar me punë të ndershme. Deri në çastin që i akorduan Yllin e Artë të Heroit të Punës Socialiste, atij i qenë dorëzuar stimuj të shumtë moralë, me të cilat, siç do t’u shprehej shokëve, pat mbushur një valixhe.

Një i mënçur ka thënë, se jeta është ëndërr e bukur për të zgjuarit, lojë për budallenjtë, komedi për të pasurit dhe tragjedi për të varfërit.

Për Heroin Dhimë Daka jeta pat qënë vërtet një ëndërr e bukur.

August 25, 2019 15:39
Komento

15 Komente

  1. Aleksi August 25, 16:27

    Te shkruash ne shtyp eshte respekt jo thjesht vetem ndaj nje personi, si per kete mekanizator te talentuar, por eshte nderim edhe per tere ate brez qe punoi me idealizem, per t’í dhene shoqerise sa me shume, pa menduar se sa do te mund te merte per vete. I paharruar qofte Dhime Daka dhe frymezofte jo vetem familjen dhe fisin, por tere ata njerez qe e dashurojne punen e ndershme. Urime edhe gazetarit Dhimiter Shtembari, qe here mbas here na sjell ne vemendje perfaqesues te denje te atij brezi qe la gjurme te pashlyeshme!

    Reply to this comment
  2. koloneli ne pension August 25, 17:58

    Te lumte dora i dashur Dhimiter! Me shkrimet e tua kaq pikante per njerez dhe jete te gjalle qe kemi kaluar ne si brez qe tani po numurojme mbi 74-behesh jo vetem madheshtor sa ata per te cilet shkruan por kthehesh ne nje njeri qe i perket perjetesise. Me thoni ju lutem, a ka me midis rradheve tona ndonje shembull si Dhimo Daka? E them posacerisht per ndergjegjen e tij te paster dhe punen e tij te ndershme.Dhimitri yne i parreshtur shkruan per ata njerez qe e mbshin jeten dingas me dite te gezuara qe sjell vetem puna e ndershme, pa pagese e pa shperblime ,pune qe pakkush mund ta imagjinoje sot se ka ndodhur masivisht tek ne Shqiperine tone te bukur e te shumevuajtur. prandaj Dhimitri yne mbetet nje lapidar i kujteses me te bukur te jetes se shqiptareve te Myzeqese-vecanerisht, te ciles ai i kushtoi jeten familjarisht me pune , me pune, me djerse me shpirt. marrim shembull nga ju i dashur Dhimiter sepse ti na meson te njohim Shqiperine e vertete te cocializmit qe duan te na i nxijne disa delenxhinj. Te uroj edhe nje here nga zemra., me respekt,
    koloneli ne pension

    Reply to this comment
  3. nikua nga tavolina August 25, 18:06

    I dashur dhimo, na ke emocionuar shume me kte hkrim i cili ka disa vecori nga te tjeret: ka detaje te shkelqyera si ai i punes se te birit te heroit, si ai i xhepave te perpareses se vjelses ruse,si ai i mbjellje kur do klima e jo kur do komiteti i partise,si ai qe defektin e kupton me veshe,etj Po ashtu ky lloj heroi sot nuk mund te imagjinohet, ndaj jemi te lumtur qe ti na i ngjalle ehe nje here dhe u jep mundesine atyre qe dine te lexojne se Shqiperia gjithnje ka nxjerre e do te nxjerre njeres te medhenj jo vetem te pushkes por edhe te cdo lloj fushe tjeter te jetes njerezore. Kulmet e jetes me pune te ndershme mbase eshte veshtire te arrihen me ashtu si ne kohen e socialzmit ne Shqiperi,.Gjithsesi ne jemi te lumtur qe e jetuam ate kohe me pune e djerse te ndershme.
    Nikua nga tavolina

    Reply to this comment
  4. niko August 25, 18:09

    O dhimiter,
    fotot qe botuar ne ket shkrim flasin edhe me shume se shkrimi. Te lumte edhe per kete .
    Niko

    Reply to this comment
  5. vasil nushi August 25, 19:31

    Eshte nje e vertet sa nuk munde ta mohoj as nje njeri. Ju keni shkruare shume pake per kete njeri te vecante. Pata fatin ta njohe nga afer kur punoja si k/agranom i S.M.T. Ai me talentin e tije. me diturite praktike me vullnetin e pa shteruar na mesonte e na vinte para pergjegjesis qe te mos thoshim asnjehere jo para problemeve teknike e teknollogjike. ISHTE I RRALLE.

    Reply to this comment
    • DhShtembari August 25, 20:12

      Po, i dashur Vasil, ishte ashtu siç e thoni edhe ju: “Ishte i rralle” Ju uroj shendet te plote dhe gjithe te mirat aty ne Itali, ku jetoni e kontribuoni edhe si nje veprimtar i shquar atdhetar. Nderime!

      Reply to this comment
  6. Shpiragu August 25, 19:34

    Traktori , rrotat e prapme i kishte me dhembza. Arsyja dihet . Efekti i ferkimit te ishte sa me i madh. Ky tip traktori quhej BTZ. Ka qene traktori i pare, i cili ka ardhur edhe ne fshatin Bubullime. Mbaj mend qe traktoristin e quanin Lil Gjoni. E si ndyshoi bujqesia ato vite! Me futjen e mekanikes bujqesore ,ndryshoi edhe mentaliteti i njerezve. Kuptuan se plugut e parmendes i terhequr me qe i kishte ardhur fundi. Ndaj dhe njerez te dashuruar pas punes e se rese si Dhimo Liko u bene me shume “inxhinjere” nga praktika dhe meraku i madh per punen.

    Reply to this comment
  7. Guri Naimit D.(Dh Xh) August 26, 04:56

    Tre vitet e Nisies se Ata herronjve dhe herroinave te Lushnjes une ushtar,1955-58,njohur ne Lushnje,me Vace zalen Ne krye,sa mesuesit e shkolles mesme,sa hapur,i miri Lllaqi Jano, mua njohur, njehersh ushtar e nxenes i shkolles nates ne te,me joshin dhe sot 83 vjecar.Faleminderit i nderuar Adash Dhimiter Shtembari
    Lavdi Pararojave te mendimit e veprimit njerzor si; Dhime DAKA me shoke.
    Shendet e faleminderit i nderuari Dh.Shtembari-mbaresi “mbielle”apo “DRITE”sjelle…

    Toronto 25-08-2019. Guri Naimit D( Dh Xh).

    Reply to this comment
  8. Guri Naimit D.(Dh Xh) August 26, 05:00

    Tre vitet e Nisies se Ata herronjve dhe herroinave te Lushnjes une ushtar,1955-58,njohur ne Lushnje,me Vace zalen Ne krye,sa mesuesit e shkolles mesme,sa hapur,i miri Lllaqi Jano, mua njohur, njehersh ushtar e nxenes i shkolles nates ne te,me joshin, sot 83 vjecar .Faleminderit i nderuar Adash Dhimiter Shtembari
    Lavdi Pararojave te mendimit e veprimit njerzor si; Dhime DAKA me shoke.
    Shendet e faleminderit i nderuari Dh.Shtembari-mbaresi “mbielle”apo “DRITE”sjelle…

    Toronto 25-08-2019. Guri Naimit D( Dh Xh).

    Reply to this comment
  9. demo August 26, 19:08

    Kam hallin e traktorit autokton te Muzakies,BULLICA E ZEZE.
    Ate kam merak,Ajo bullica e zeze e tradites.
    Kosi i Paput i Jakov Xoxes.
    Kultura dhe Tradita shkojne krah njera tjetra.

    Reply to this comment
  10. DhShtembari August 27, 11:26

    Po, i dashur Demo; shqetesimi juaj eshte plotesisht i perligjur. Sikunder mund ta dini, vetem ne Divjake te rrethit te Lushnjes ka mbetur nje kope buajsh e buallicash, thjesht per te ruajtur genin e tyre. Jeta aktuale nuk do te mund te kuptohej pa u pare si nje bashkësi, brenda se ciles te jete harmonishem e tashmja dhe tradita. Ja pse edhe talentin Dhime Daka e pash te pashkeputur nga i biri, Arbeni,, që, sikunder i ati, me arsim te mesem, ben ate ate qe mbase nuk do te mund ta bente as nje inxhinier mekanik i zakonshem Nderime, i dashur!

    Reply to this comment
  11. demo August 27, 21:07

    I dashur Dhimiter!
    Jam per nje nderim me te thelle te bujkut te Myzeqese.
    Une jam rritur ne fshatrat e Myzeqese se vogel,buze Shkumbinit ku prindet e mi ishin mesues.Barren e rende te prodhimit bujqesor nder shekuj e mbanin:bujku myzeqar dhe Bullica e zeze.
    Sot duhet te cmohen PASURI KOMBETARE NE ZHDUKJE..Une s`mund t`i ndaj keto dy qenie fisnike dhe kryeunjura,qe vetem dhane dhe nuk moren.
    Ne kapadainj kemi plot.Ne hajdute,marifetcinj,llapaqener,parazite,kriminele,komandues,kemi sa te duash,por deficitare jemi pikerisht tek keto dy qenie punetore te perjetshme te truallit shqiptar,qe jane:Bullica e zeze dhe bujku Myzeqar.
    Edhe Eduard Lear,qe kishte nje intuite te hatashme per te kapur thelbin,i ka skicuar bashke ne pazarin e Beratit:Bullicen e zeze dhe bujkun Myzeqar,ndersa ka skicuar edhe qindra parazite nga Cameria ne Shkoder,qe bejne sehir e kuvendojne,sic i ka qesendisur Cajupi.

    Reply to this comment
  12. Maviolda Daka August 31, 06:17

    Pafundesisht krenare dhe thellesisht mirenjohese Zotit qe jam mbesa e Dhime Dakas! Shume faleminderit Z.Dhimiter qe keni shkruar per gjyshin tim, ai i cili me ben te mburrem sa here them mbesa e kujt jam. Na mungon shume se iku nga jeta i ri por na e mbush shpirtin me kaq shume dashuri dhe zemrat mal kur njerez te mencur si ju e kujtojne! Eshte kenaqesi kur lexoj qe eshte fol edhe per gjyshe Zariken qe fal Zotit e kemi shendosh e mire midis nesh. Z.Dhimiter faleminderime te perzemerta edhe njehere dhe Zoti ju bekofte!

    Reply to this comment
  13. DhShtembari September 3, 14:03

    Shume faleminderit e nderuara Mavioldë! Me Dhimë Daken do te mund te ishte krenare e do te mund te mburrej çdokush qe e respekton njeriun e nderuar, siç ishte gjyshi juaj i paharruar. Une thjesht kreva nje detyre qe ma diktonte ndergjegja. Shume te fala gjyshes suaj historike, Zarikes, si dhe gjithe pjesetareve te respektuar te familjes se te paharruarit Dhimë! Nderime, Maviolda!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*