Heroi i dashurisë (Baladë)

A. Duka August 9, 2015 11:41

Heroi i dashurisë (Baladë)

Në zemër s’gjeta kurrë paqe,
në asnjë varg të poezisë,
për ty nuk shkrova dot një faqe,
hero i madh i dashurisë!
 
Një laps të kuq në gishta luaj,
po portat nuk ja hap mërzisë,
kollaj s’e kam për ty të shkruaj,
se je hero i dashurisë!
 
Heronjtë me mijëra numërohen,
në çdo minutë të historisë,
po as te thoi s’i afrohen,
heroit tim të dashurisë!
 
Ai jetoi fare pa zhurmë,
ishte hero-po i paemër,
iku e nuk na la një gjurmë,
nuk ish njeri-po ishte ëndërr!
 
Ndaj nuk u shfaq me shpatë në dorë,
të sillte luftën-apo paqen,
se ëndërr ish-i bardhë dëborë,
se ëndrrat ndodhin-po nuk shfaqen!
 
Vetëm një çast të ngriu jeta,
kur një shigjetë të ra në sisë,
po ti nuk pyet për shigjeta,
se je hero i dashurisë!
 
Po sa shigjeta të kanë rënë,
ty që nga koha e rinisë,
po shpirtin kurrë s’e ke dhënë,
se je hero i dashurisë!
 
Sa plagë nga plumbat ti ke marrë,
gjersa gjithë jeta t’u bitis,
po mendjen fare s’e ke vrarë,
se je hero i dashurisë!
 
Po sa kështjella ke pushtuar,
larg brohorimës dhe lavdisë,
po në litar asnjë s’ke çuar,
se je hero i dashurisë!
 
Sa t’u vërsulën-po s’u epe,
e natë e ditë i re borisë,
kur thanë: “U fik!” si diell shkrepe,
se je hero i dashurisë!
 
Në sy-në buzë dhe në gjinj,
i gjete emrin bukurisë,
shkele krenar mbi gjarpërinj,
se je hero i dashurisë!
 
Po dashuria ka mundime,
s’janë gjë mundimet e qelisë,
ti s’u tërhoqe asnjë qime,
ndaj je hero i dashurisë!
 
Vetëm një gjë ty të brengosi,
për pak mallkove Perëndinë,
e zeza jetë ditët sosi,
e s’ke më kohë për dashurinë!
 
Do ishte fat në të vërtetë,
të bëj për ty nekrologjinë,
do hidhja veç një varg në fletë:
“Jetoi dhe vdiq për dashurinë!”

A. Duka August 9, 2015 11:41
Komento

1 Koment

  1. mira August 10, 12:52

    Ketu po , ja thua, Gjiri i Virgjereshes eshte nje perle e vertete.
    Me keta te politikes hic mos u merr se te genjejne dhe te mashtrojne. Por ndoshta nje poet i dashurise, edhe nga keta birbo te politikes mund te kuptojne nje gje.
    Keta kurre nuk mund te dashurojne

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*