Ndotja shpirtërore e quajtur korrupsion po na rrezikon rëndë

February 5, 2018 09:48

Ndotja shpirtërore e quajtur korrupsion po na rrezikon rëndë

Rexhep Qosja 

Më në fund ndodhi një protestë e rëndësishme.

Ishte kjo protestë jo për të marrë pushtet, por për të mënjanuar të këqijat.

Ishte kjo protestë e organizuar prej një numri të rinjsh.

Ishte kjo protestë e rëndësishme qoftë pse e organizuan të rinjtë, qoftë pse ishte protestë kundër ndotjes së ajrit me të cilën Prishtina qe disa ditë po renditet e para në botë.

Megjithëse me pjesëmarrës më pak se ç’do të duhej, kjo protestë nuk shkoi kot.

Fryt i saj dhe i disa reagimeve të të rinjve para saj ishte mbledhja e jashtëzakonshme dyditore, më 1 e 2 shkurt, që përfundoi me 2 shkurt, e Kuvendit të Kosovës.

Prej diskutimeve të përgatitura mirë, të argumentuara, të bindshme të disa deputeteve dhe të disa deputetëve mësuam se ndotjen alarmante, rrezikuese të ajrit në Prishtinë, nuk na e ka shkaktuar natyra po ne vetvetes.

Për më tepër, prej diskutimeve në këtë mbledhje dyditore mësuam se fajtorë kryesorë të ndotjes aq rrezikuese të ajrit në Prishtinë janë në radhë të parë ato struktura shtetërore, që nuk zbatojnë ligjet me të cilat parashihet mbrojtja e qytetarëve prej të këqijave të ndryshme natyrore, jonatyrore, politike, pushtetore. E të tjera.

Ndotja e ajrit nuk ishte e keqja e parë e as e fundit që po i ndodh Kosovës së lirë, të pavarur dhe pseudodemokratike.

Përpos prej ndotjes së ajrit, Kosova, sidomos, Prishtina, vuan shumë edhe prej një ndotjeje tjetër: prej një ndotjeje shpirtërore, që quhet korrupsion.

Ndotja e quajtur korrupsion në Prishtinë dhe në Kosovë në përgjithësi është përshtrirë aq sa politikanët e Bashkimit Evropian e quajnë korrupsion pandemik.

Ndotja shpirtërore, e quajtur korrupsion, po e rrezikon rëndë shtetin, po e rrezikon rëndë demokracinë, po e rrezikon rëndë ekonominë, por të pacenuara prej saj nuk janë as arsimi, shëndetësia, shkenca dhe kultura!

Ndotja e ajrit do të mund të pakësohet shpejt, për disa ditë a disa javë, më në fund mund t’i gjendet për një kohë më të gjatë edhe zgjidhja e duhur, ashtu si i kanë zgjidhur situatat e këtilla të tjerë para nesh.

Por, ndotja shpirtërore, që po na gërryen së paku qe shtatëmbëdhjetë vjet, e quajtur korrupsion, nuk po mund të pakësohet, nuk po mund të parandalohet, nuk po mund të mënjanohet dhe gjasat janë pothuajse kurrfarë të ndodhë kjo.

Për këtë ndotje, në disa pikëpamje shumë më rrezikuese sesa ndotja e ajrit, as Kuvendi e as Qeveria e Kosovës nuk kanë mbajtur ndonjëherë mbledhje të zakonshme e lëre më mbledhje të jashtëzakonshme.

Të rinjtë tanë të cilët ashtu angazhueshëm, ashtu vetëdijshëm, ashtu ndërgjegjshëm protestuan kundër ndotjes së ajrit, nuk do të duhej të heshtnin, të mos protestonin ndaj të këqijave, ndaj padrejtësive, ndaj fatkeqësive që po ia sjell Kosovës korrupsioni me përbërësit e tij nepotizmin dhe konfliktin e interesit.

Në qoftë se kanë varur qafën mësimdhënësit, pedagogët e tyre, në qoftë se kanë varur qafën gjysmintelektualët dhe çerekintelektualët, në qoftë se po heshtin baballarët e tyre, të rinjtë duhet të ngrenë kokat se vetëm ashtu kokëngritur mund të shohin deri ku duhet të shihet: mund të shohin larg, përtej murit të gënjeshtrave propagandistike, mund ta shohin qartë njëmendësinë e Kosovës.

Nuk thuhet kot: ardhmëria është e të rinjve. Ata, të rinjtë, kanë jo detyrë po mision që të bëjnë krejt ç’mund të bëjnë për shëndetin shpirtëror, moral, prandaj edhe politik e shtetëror të atdheut të tyre, në të vërtetë për të ardhmen e tyre e të shtetit të tyre.

Mbas protestës kundër ndotjes së ajrit në Prishtinë e në Kosovë, që njëherë për njëherë nuk iu shkoi kot, të rinjtë tani nuk duhet të heshtin, por duhet të çohen në protesta kundër ndotjes shpirtërore – kundër korrupsionit me përbërësit e tij të quajtur nepotizëm dhe konflikt i interesit, me të cilat po rrezikohet seriozisht e ardhmja e tyre.

Të rinjtë tanë kanë mision të ngrenë zërin, në protesta dhe në demonstratë, kundër oligarkëve politikë, kundër zhvatjeve, mashtrimeve, gënjeshtrave të tyre dhe, në to, të kërkojnë përgjegjësinë e tyre, të kërkojnë përgjigjet si u pasuruan aq shpejt, ku i morën paratë me të cilat u pasuruan aq shumë e aq pangopshëm dhe varësisht prej rezultateve të hetimit të pasurive të tyre, të familjarëve të tyre, të disa bashkëpartiakëve e disa miqve të tyre të kërkojnë nacionalizimin e pasurive të krijuara paligjshëm apo duke keqpërdorur funksionet politike, partiake e shtetërore, në të vërtetë të kërkojnë prej organeve përkatëse të drejtësisë të kryejnë detyrat e tyre të ligjshme, përkatësisht t’u dalin zot Kosovës e pasurisë saj.

Të rinjtë tanë kanë mision e jo thjesht detyrë që të ngrenë zërin, në protesta e në demonstratë, kundër oligarkisë politike: që ka dëshmuar se qëllimi i saj parësor dhe i paharruar ishte dhe është pasurimi; që me sjelljet e saj, me pangopësinë e saj, me pensionet e jashtëzakonshme, me beneficionet e me privilegjet e saj e ka bërë Kosovën shtet privat; që ka kapur gjyqësorin, i cili fjalës vetting ende nuk ia ka mësuar kuptimin dhe rëndësinë; që në Kuvendin e Kosovës, që në Qeverinë e Kosovës, që në ministritë e Kosovës, që në institucionet shtetërore të Kosovës ka sjellë dhe vazhdon të sjellë edhe ish bashkëpushtetarë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe bijtë e tyre; që me pozita e me privilegje të tjera në njërën anë e blen përkushtimin e një vargu kundërshtarësh politikë, kurse, në anën tjetër, pa ngurrime ka shpërfillur dhe vazhdon të shpërfillë njerëz të merituar, të aftë dhe sakrifikues për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës; që ka blerë dhe vazhdon të blejë shërbimet propagandistike të disa gazetarëve e pronarëve të medieve me të cilët ka krijuar klasën “elitore” të Kosovës, në të vërtetë klasën e përvetësuesve të pasurive të Kosovës; që zhvendosjen e të rinjve e të të varfërve e ka bërë figurë të ekzistencës në shtetin e Kosovës; që merr vendime me lehtësinë e padurueshme për çështje jetike të Kosovës e të njerëzve të saj e më pas që ato vendime dhe masa të miratuara dje i mohon sot, të miratuara sot i mohon nesër, i rikthen pasnesër e i mohon prapë tejpasnesër, duke e bërë kështu tragjikomike politikën shtetërore të Kosovës e duke e përdhosur skajshëm imazhin e Kosovës në botë; që me politikën e saj ka përmbysur dhe vazhdon të përmbysë kodet kulturologjike dhe etike në veprimtarinë shtetërore; që universitetet e Kosovës, më të shumta në numër se universitetet e Gjermanisë apo Anglisë,i ka mbushur me familjarë, partiakë e miq të vet, të shumtët analfabetë a gjysmanalfabetë të dijeve që gjoja ua shpjegojnë studentëve, disa prej të cilëve kanë magjistruar e kanë doktoruar me procedura të jashtëzakonshme, që s’i mbulon asnjë ligj e asnjë venom dhe asnjë etikë! E të tjera e të tjera.

I shikuar dhe i trajtuar si një ndotje e rëndë, shumë dëmtuese dhe shëmtuese, shoqërore, ekonomike, shtetërore, shpirtërore e morale, me përshtrirje të gjerë e të thellë, korrupsioni po krijon përfytyrim jo vetëm të neveritshëm, por për më tepër përfytyrim joqytetërues për dinjitetin  e Kosovës e të popullit të saj jo vetëm në Evropë.

Është detyrë jo vetëm shoqërore, por edhe atdhetare që të bëjmë krejt ç’mund të bëjmë për shërimin e Kosovës prej kësaj të keqeje aq dëmsjellëse e aq komprometuese, që është e do të jetë pengesë jo vetëm për integrimet euroatlantike të Kosovës, por edhe për liberalizimin e vizave.

Të rinjtë tanë duhet të dinë se zhvatësit e pasurive të Kosovës janë zhvatës edhe të ardhmes së tyre në Kosovë!

Të rinjtë tanë e kanë dëshmuar dhe mund ta dëshmojnë se janë ajo forca më e rëndësishme, më e çmuar shoqërore, morale dhe atdhetare që mund të luajë rol të veçantë për shpëtimin, për shërimin e Kosovës nga kjo e keqe e madhe.

Të rinj e të reja!

Dhurojani Kosovës këtë rol tuajin të pazëvendësueshëm, këtë përkushtim tuajin atdhetar!

Dhe, mos harroni se ata zyrtarë që shkencën, profesionalizmin dhe etikën s’i bëjnë përbërës kuptimorë dhe vlerësues të politikës ata nuk mund ta demokratizojnë, ta zhvillojnë e ta përparojnë vendin.

Dhe, mos harroni se Kosovën e lirë, idealin e aq shumë brezave, duhet ta bëjmë shtet vërtet demokratik, shtet vërtet të së drejtës, që u siguron dinjitet të barabartë të gjithëve, shtet të drejtësisë sociale, që u siguron punësim e jetë të dinjitetshme të gjithëve e jo siç është sot: shtet i privatizuar i oligarkisë politike dhe i propagandistëve të saj medialë e të tjerë, që edhe privilegjet, pasurimet, lukset dhe mashtrimet e kësaj oligarkie i heshtin duke i larë e duke i lyer protagonistët e tyre politikë e shtetërorë.

Dita

February 5, 2018 09:48
Komento

10 Komente

  1. anticensurë25642654 February 5, 10:42

    për fat të keq një gjë e tillë nuk ndodhi në shqipëri!!
    nëse atje “Ishte kjo protestë jo për të marrë pushtet, por për të mënjanuar të këqijat.”
    këtu tek ne se luajti bythën,pothuajse,askush për të mënjanuar mundësinë e rishitjes së shqipërisë!!
    në shqipëri,për të mos thënë asnjë,pak veta dolën për të mbrojtur atdheun!
    dhe ajo pati rëndësinë e vet!nuk dolën politikanët!!as në radhët e fundit!!pra ata vërtetuan se janë në një gavetë me ramën,me tradhëtinë!!ata treguan,pozitë e opozitë,se edhe nëse bëjnë sikur flesin,në fakt nuk janë kundër!!flasin vetëm e vetëm për të çorientuar popullin,për ta ndihmuar ramën që të etiketojë si “berishjanë” ata që janë kundër rishtijes së shqipërisë!!
    turp për këtë popull!!
    në radh të parë për atë që është brënda kufijve administrativ të shtetit shqiptar!

    Reply to this comment
    • Niku February 5, 13:04

      Nuk e paske kuptuar profesorin e nderuar, ose ben sikur nuk e ke kuptuar. Qosja nuk eshte mbeshtetes I demostratave te Pd-se apo LSI-se si po paraqet ti. Ai eshte me te drejten dhe Berisha e kompani nuk mund te jene me te drejten, sepse I kene bere shume te keqija Shqiperise dhe ata jane oligarket politike qe permendet ne shkrim.

      Reply to this comment
      • anticensurë25642654 February 5, 15:50

        niku nuk e di a e kam kuptuar unë atë apo ti mua!
        hidhi dhe një sy or njeri,për mmos të të thënë debil shkrimit tim!!
        pasi ta kesh lexuar dhe një herë,mos ha mut shumë!!
        na mbytën bastardët idiotë!!

        Reply to this comment
        • I tillë je , sa herë që hap gojën February 5, 17:14

          Kur paske dale nga sptali psiqiatrik more anticcensure …? Ty , nuk te kishin shtruar atje per te rikuperuar dhe rikthyer ne normalitet , se nje gje e tille eshte e pa mundur , por per te izoluar nga shoqeria njerezore , sepse perben nje rrezikshmeri te shtuar per cdo qenie normale . Ndaj , kushdo qe do te zbuloje vendndodhjen tende , duhet te njoftoje organet kompetente , per te te mbyllur e siguruar serisht ne qeline nga ke dale !

          Reply to this comment
          • anticensurë25642654 February 5, 20:44

            ti nuk ke marrë rrogën?
            apo thejsht do të rreshtohesh tek ata që po na mbysin??

        • Niku February 5, 21:13

          Censure, me duket se qenke si puna e mutit qe zen korre dhe po e gervishe qelbet me ere. Here tjeter nuk do te merem me ty, sepse nuk i kam vene qellim vetes te edukoj trutharet.

          Reply to this comment
          • anticensurë25642654 February 6, 17:19

            lali e ke lexuar apo thjeshtë ke reaguar pas sharjeve të mija??
            dhe mua më ndodh të ngatërrohem,por kur më thonë se ja kam futur si kau pelës dhe e kuptoj?!atëherë se kam problem të kërkoj falje,ose ti bashkohem mendimit të tjetrit!!

  2. katarakti February 5, 12:33

    Eshte fat per kombin shqiptar qe ka ende ne gjirin e tij figura lartesore si Rexhep Qosja. Ky eshte nga te paktet personalitete shqiptare qe u çjerr masken li-derreve shqiptare nga te dyja anet e kufirit. I zbret nga Olimpi ku kane hipur dhe u ve perpara pasqyren per te pare veten. Qosja demaskon pa meshire kasten e oligarkeve te krijuar ne Kosove dhe Shqiperi nga shitja apo vjedhja e pasurive kombetare si dhe nga shfrytezimi i pushtetit te keqperdorur. Prandaj edhe Qosen e luftojne te gjithe. Se e verteta eshte e hidhur dhe ajo djeg fort. Respekt per akademikun e shquar dhe sypatrembur te kombit shqiptar.

    Reply to this comment
  3. jo pesimist . as ...cinik . February 5, 18:55

    eh, or’ profesor; po a nuk thame,, se edukata eshte baze, e aktivitetit, efektiv te njeriut ne jete dhe per kete thame, te nderrojme sistemin e “urryer” komunist, me sistemin demokratik, (ne fakt kristian) europian ??? po ti s’deshe se ke traditen tende “shqiptare”……mohamedane….dhe keshtu kjo feja jote, qe s’e kupton fare thirrjen e krishtit : “duaje te afermin tend, si veten” na edukoj te shqyejme natyren veten dhe se shpejti gjithe……njerezimin . profesor …te fala driteroit ateist, por jo komunist dhe kadarese europianist por…..qe e detyrove te behet muhamedan, te denje per te fituar, os…karin .

    Reply to this comment
  4. Lira February 6, 08:10

    Jemi mësuar me ndotje shpirtërore, ne, shqiptarët, pse ajo që shkroi Devolli e Kadareja nuk qe ndotje shpirtërore?
    Na mashtruan, se ishim shqiponja që fluturonin lart, kur ne ishim me afër mijve, që i struken dritës së së vërtetës…
    Dhe akoma po nderohen të tillë bastarde oborrtarët të partisë së dhunës….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*