Hetim për 26 milionë dollarë transaksione, Bojaxhiu: E vërteta ime për “Everest Oil”

May 4, 2016 16:16

Hetim për 26 milionë dollarë transaksione, Bojaxhiu: E vërteta ime për “Everest Oil”

Pas regjistrimit të kallëzimit penal për Gjergj Bojaxhi, për akuzat e “Mashtrim me Kredi”, “Pastrimit të produkteve të Veprës Penale apo Veprimtarisë Kriminale” dhe “Fshehje të Ardhurash”, Prokuroria Tiranës i kërkon informacione të detajuara tatimeve, për veprimtarinë e kompanisë “Everest Oil”.

Grupi hetimor i ka dërguar një shkresë Drejtorisë së Tatimeve, ku kërkon të gjitha veprimet që admnistratori i kësaj kompanie Gjergj Bojaxhi, ka kryer. Informacioni është kërkuar që nga viti 2012, kur është regjistruar kompania “Everest Oil”.

Një shkresë tjetër u është dërguar edhe bankave të nivelit të dytë.

Në të kërkohen të dhëna në lidhje me transaksionet bankare që ka kryer kompania “Everest Oil”, admnistratori i saj Gjergj Bojaxhi, si dhe të gjithë ortakët.

Në hetim janë transaksione prej 26 milionë dollarësh, të derdhura nga Bojaxhi në llogari të kompanisë “Everest Oil”, në periudhën 2012 – 2015. Organet ligjzbatuese kërkojnë edhe hetimin e pasurisë së Bojaxhiut dhe të familjarëve të tij të afërm.

Bashkëshortja e tij rezulton aksionere në kompaninë “Superba SRL”, që zotëron kompaninë “Everest Oil”.

Ndërsa vjehrra gjithashtu aksionere e “Everest Oil” i shiti aksionet për 26 mijë euro, çka për policinë konsiderohet një veprim i dyshimtë, sepse vetëm nga shpërndarja e fitimit të kompanisë për 2014, ka përfituar 430 mijë euro.

Policia dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave dyshojnë se Gjergj Bojaxhi ka ngritur një skemë mashtrimi për pastrim parash.

Ndërkohë vetë z.Bopjaxhiu, ish-drejtor i KESH-it, zyrtar i qeverisë “Berisha”, kritik i tij dhe më pas kundërshtar, ka dhënë versionin e tij në një intervistë televizive lidhur me akuzat.

 

“Nuk jam qytetari më i mirë, absolutisht që ka shumë më të përsosur se mua, por për akuzat që më kanë bërë jam i bindur se jam një qytetar i rregullt dhe tepër korrekt me ligjin” – është shprehur ai.

Lidhur me kompaninë “Everest” ai deklaron se është regjistruar në korrik të 2012-s:

“Kompania ime nuk është themeluar nga “Superba”, le ta ndihmojmë edhe Policinë e Shtetit të marrë informacione më të sakta. Nuk kishin pse të lodheshin kaq shumë dhe mund të më kishin thirrur për t’iu dhënë informacion. Shoqëria është krijuar nga disa aksionerë, përfshi edhe bashkëshorten time. Këtu nuk ka gjë për t’u fshehur, sepse informacioni është publik në faqen e QKR-së, ku mund të gjendet i gjithë historiku. Asgjë nuk është jonormale në këtë mes. Unë jam emëruar si administrator i kompanisë dhe 10% më është dhënë për të pasur mundësi të jem aksioner, në mënyrë që të punoj duke mbajtur përgjegjësi për këtë. Otto Lenghi ka punuar me shtetin shqiptar që në vitin 2004, kur është punuar për Petroliferën në Vlorë, është takuar me të gjithë politikanët në pushtet dhe opozitën e asaj kohe. Është një qytetar i rregullt dhe një investitor shumë i rëndësishëm dhe serioz. Deri këtu çdo gjë është publike dhe në përputhje me ligjin, kështu që nuk kuptoj se çfarë ka për t’u trajtuar si pjesë e një hetimi. Nuk besoj se ndonjëri të jetë kundër barazisë gjinore në këto aksione. Ne kemi të deklaruara të gjitha të ardhurat e fituara në emigracion, por edhe gjatë punëve të ndryshme” –  tha Bojaxhi.

Më poshtë pjesë nga intervista e Bojaxhi në kanalin TCH:

Të qëndrojmë te zoti Lenghi, që është pronar i Petroliferës rumune, pronare e përgjithshme edhe e Petroliferës shqiptare. Por a ka një lidhje interesash mes këtyre kompanive?

Gjergj Bojaxhi: Këto kompani janë zbatueset më të rregullta të ligjeve kudo ku shtrihen, në Itali, Rumani apo Shqipëri. Lidhje pronësie mes këtyre bizneseve ka, por është në përputhje të plotë me ligjin, dhe nuk kuptoj se çfarë ka këtu që shkel ligjet apo moralin. Nuk e di ende problemin e policisë.

A mund të quhet kjo një skemë e ngjashme me kompanitë guackë, siç u zbulua skandali i fundit “Panama Papers”?

Gjergj Bojaxhi: Nuk jam jurist, megjithatë nga informacioni që unë kam, nuk ka asgjë që Everesti të ketë të bëjë me kompanitë e tjera. Ajo është e regjistruar në Shqipëri dhe paguan dividentin dhe taksë për dividentin rregullisht. Policia e Shtetit nuk dëshiron ta marrë informacionin e plotë dhe gjoba që na është vënë është vendosur nga drejtori i Tatimeve të Tiranës, i cili sot është nën arrest. Ajo është apeluar brenda institucioneve të Tatimeve dhe Apeli e ka rrëzuar këtë, sikurse edhe Gjykata Administrative. Raporti është qartazi me informacion të vjetër. Kompania Everest ka paguar aq shumë taksë vitin e kaluar, saqë shteti shqiptar na ka detyrim të na kthejë diçka, pasi kemi paguar më shumë se ç’duhej. “Everesti” nuk transferon fonde jashtë, përveçse kur paguan dividentin, që tatohet sipas ligjit shqiptar. Ne kemi kompani telekomunikacioni në Shqipëri, që fitimet i bëjnë këtu dhe i transferojnë në vende të tjera pa paguar taksë. Unë nuk di si bëhen kompanitë guackë, por ju siguroj se me të gjithë punën që bëjmë e kemi transparente, duke zbatuar ligjet dhe standardet e shtetit shqiptar.

A ka lidhje mes aksionerëve tuaj dhe “Superbas”? Cili është fokusi i aktivitetit të “Everest Oil”, kompanisë që ju administroni?

Gjergj Bojaxhi: Kompania ime nuk ka bërë import apo eksport, por ndërmjetësim të produkteve të kompanive të mëdha, sepse kompanitë e mëdha nuk kanë përfaqësi në Shqipëri. Ata gjejnë kompani lokale dhe në bazë të tyre bëjnë shitjet e tyre. Në Vlorë kemi një kontratë depozitimi, duke paguar qira për çdo ngarkesë, ndaj dhe të gjitha gjërat e thëna për xhirot e mëdha janë të pasakta. Ne thjesht menaxhojmë shitjet dhe volumin, por nuk marrim risk mbi vete, ndaj dhe nuk deklarohet i gjithë volumi si fitim i yni. Kemi deklaruar çdo gjë që nga dita e themelimit e deri më sot. E gjitha kjo skenë e madhe e ndërtuar nuk ka justifikim normal sesi shteti trajton një biznes. Ne si kompani nuk kemi bërë kurrë transaksione me kompani shtetërore shqiptare, as nuk kemi bërë ndonjë tender, por e vetmja marrëdhënie me shtetin tonë është pagesa e taksave në mënyrë të rregullt.

Ju vetë keni qenë zv.ministër i Ekonomisë, kur PD-ja tha se do ta mbyllte aktivitetin, e që më pas u rinegociua marrëveshja me Petroliferën…

Gjergj Bojaxhi: Kjo është dhënë me koncesion kur unë kam qenë duke punuar në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Kur unë kam ardhur këtu, qeveria Berisha bëri një premtim se do të anulonte disa nga këto projekte, por çështja shkoi në Arbitrazh dhe Avokatura e Shtetit e ndoqi çështjen, duke mos pasur lidhje me ministrinë, ndërsa në prill të 2007-s, pasi Arbitrazhi u humb nga shteti shqiptar, u vazhdua kjo kontratë. Gjatë kësaj kohe unë s’kam qenë pjesë e qeverisë së Shqipërisë. Është njësoj sikur t’i thuash dikujt që ka punuar në Dogana apo Tatime, që të mos punojë në asnjë biznes tjetër, sepse ka konflikt interesi me këto institucione. Kur shteti shqiptar vendosi ta vazhdonte bashkëpunimin me këtë kompani, unë s’kam qenë pjesë e qeverisë dhe nuk kam pasur gjë për të vepruar apo rinegociuar. Po të ishte te gjykatat shqiptare, ne mund të bënim përmirësime të kontratave koncesionare.

Për shkak të detyrës, ju jeni marrë me Petroliferën dhe e dini aktivitetin e saj, që i ndalon marrjen për tregti me pakicë të karburanteve. A mund të thuhet se ka një pikëpyetje mbi veprimtarinë e dy firmave që të kenë shfrytëzuar me zotësi vakuumet ligjore?

Gjergj Bojaxhi: Nëse kompania ime ka shkelur licencën, shteti shqiptar le ta çojë për hetim dhe gjykim. Kontrata e koncesionit është aty, nëse duan që kjo kompani të heqë dorë nga funksionaliteti i saj, atëherë le të vijnë dhe ne u kërkojmë aksionerëve dorëheqjen. Nuk ka asgjë të paligjshme që aksionerët e Everestit të jenë në këtë kompani. Shteti shqiptar ka pasur 4 vite kohë që ta shqyrtonte këtë çështje, megjithëse përpara disa vitesh Autoriteti i Konkurrencës e ka trajtuar këtë dhe është konkluduar që nuk ka asnjë shkelje të ligjit. Unë s’kam asnjë interes si administrator, që Superba të jetë aksionere, por nëse duan që të largohet, le ta bëjnë të ditur.

Nëse ju do të ishit sot në qeveri, do ta lejonit një funksionim të tillë?

Gjergj Bojaxhi: Nga informacioni që unë kam po, sepse nuk nuk ka asnjë konflikt interesi. Pavarësisht se këtu nuk flas dot si specialist, sepse nuk kam të gjitha informacionet e duhura për të interpretuar në themel gjithçka.

 

 

May 4, 2016 16:16
Komento

6 Komente

  1. anna May 4, 16:35

    Bojaxhi po del boja ….
    librin e Rames qe e shan aq shume mu ne krye te biblotekes ma ke vene….
    pastrim parash dhe I kulluary bojaxhiu ne politike figure e paster , e paperlyer me krimin ,lufton per drejtesi e mireqenie te popullit te tij te shume vuajtur….
    Pika qe su bie llumra….

    Reply to this comment
    • 666 May 5, 01:19

      Eshte e qarte qe edi po kerkon te godasi bojaxhiun se nuk po i bindet dhe kjo nuk ndryshon nga politika e saliut qe qeverisin duke kenrcenuar dhe duke favorizuar

      Reply to this comment
  2. anna May 4, 16:39

    xxxx

    Reply to this comment
  3. Arben May 4, 17:44

    ORE KY KA BLERE NAFTE NGA ENI E ITALISE DHE U KA SHITUR OPERATOREVE TE VEGJEL NE SHQIPERI, NUK SHOH ASNJE KONFLIKT INTERESI NE KETE MES DHE ME DUKET NJE GJE KREJT NORMALE.

    AQ ME TEPER QE AKTIVITETIN E KA FILLUAR ME 2013 DHE ENDE VAZHDON.

    QENERIA E GODET SEPSE E KUPTOJNE FARE MIRE QE SHQIPETARET KESAJ HERE DO TE VOTOJNE TE PARIN QE MERR GUXIMIN DHE TE RRESHTOHET JASHTE LISTAVE TE QENERISE.

    PERPARA GJERGJI, MOS U DOREZO DHE KURAJO,

    GJITHE SHQIPETARET JANE ME TY.

    Reply to this comment
  4. demo May 4, 17:56

    Po c`keni me bojaxhine?

    Reply to this comment
  5. pronari May 4, 18:24

    E kush te linte ne Shqiperi te beje biznes me miliona pa kaluar me pare nga dora e kukumjackes Argite ose debilit Zeni dhe pa vulen e krokodilit Sali.Per nje gardh e duhet te lije lesht e jo me per shumat qe permnden ketu.Lexojeni mbiemrin e Bojaxhiut dhen vleresoni se vjen nga hici dhe na na del milioner.Edhe Sali fshatari nga hici sot ia kalon edhe Berluskonit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*