Hija e Gëbelsit dhe frika e rikthimit të propagandës

December 20, 2016 20:06

Hija e Gëbelsit dhe frika e rikthimit të propagandës

Propaganda sistematike e Rusisë në territorin evropian, ka kohë që shqetëson elitat politike. Efektet e saj, janë konstatuar dhe konfirmuar tashmë nga një sërë raportesh analitikë të detajuar. Gjermania ka deklaruar prej disa kohësh shqetësimin e saj, jo vetëm mbi efektet e kësaj propagande, por edhe mbi ndërhyrjen e mundshme të Rusisë, gjatë zgjedhjeve të përgjithshme që priten të zhvillohen në shtator 2017. Qeveria e kancelares Merkel, nën presionin kalendarik që imponojnë zgjedhjet federale, synon ngritjen e një qendre mbrojtje kundër dezinformimit.

Ministria e Brendshme gjermane, ka konfirmuar gjithashtu se duhet vepruar në mënyrë urgjente dhe pa humbur kohë. Krerët e grupeve parlamentare të koalicionit të madh, kanë kërkuar krijimin e dispozitave ligjore, në mënyrë që të detyrojnë rrjetet sociale të fshijnë në mënyrë të menjëhershme informacionet e rreme. Fejsbuk është venë në qendër të akuzave. Në fillim të muajit nëntor, do të ishte prokuroria e Mynihut, që do të hapte një hetim për “ngjallje të urrejtjes” kundër themeluesit dhe pronarit të Fejsbuk, Mark Zuckerberg.

Sipas raportimeve të së përditshmes gjermane Der Spiegel, qendra kundër dezinformimit synon mbrojtjen e dy kategorive të popullatës, “gjermanët e Rusisë”, pra gjermanët paraardhësit e të cilëve kanë emigruar në Rusi, si edhe imigrantët turq në vend. Kategoria e parë, vlerësohet se burimin kryesor të informacionit e merr vetëm nga televizioni rus, dhe se nuk e njohin aspak realitetin gjerman. Ndërsa kategoria e dytë, gjendet nën rrebeshin e informacioneve të propagandës zyrtare të Ankarasë.

Por, ideja e ministrit të Brendshëm gjerman, për ta vendosur këtë strukturë në Zyrën Federale të shtypit të qeverisë, ka ngjallur debat. Ministri i Brendshëm gjerman ka deklaruar se, puna e shpjegimit dhe lufta kundër lajmeve të rreme, kanë si pikë të fortë informacionin nga pushtetet politike, që sipas tij sigurohet nga zyra e shtypit e qeverisë federale, që ka të punësuar 500 persona.

Ka një shqetësim, që shkon drejt faktit se, mos kjo zyrë shndërrohet në një mekanizëm të vërtetë propagande, duke dalë nga kuadri i konstatimit të lajmeve të rreme dhe korrigjimi i thjeshtë i tyre. Kreu i Federatës së gazetarisë gjermane, Frank Uberall, do të deklaronte se, “Është e pakontestueshme, që lajmet e rreme nuk duhet të influencojnë në mënyrë të përhershme debatin publik, por është e qartë se administrata publike nuk ka të drejtë të vendosë se, çka është e vërtetë dhe ç’ka është e rreme. Kjo punë duhet bërë nga mediat.”

Por, në thelbin e këtij shqetësimi, qëndron pesha historike e një Gjermanie, që ka lënë gjurmë të thella në memorien e historisë botërore të propagandës. Jo vetëm në fushën e krijimit, të zhvillimit, por edhe të përsosmërisë absolute dhe efikasitetit të paimagjinueshëm, të kësaj propagande në funksion të ideologjive politike.

Nga Muzenberg tek Gëbels

Në të dy kahet ekstreme të politikës, Gjermania ka spikatur sidomos në gjysmën e parë të shekullit të XX, me figura që kanë lënë gjurmë botërore në fushën e propagandës. Memoria historike e kombit gjerman, është ende e freskët, ndaj mekanizmit gjigant shtetëror të propagandës naziste përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Figura e errët e Gëbelsit, do të konfirmonte përsosmërinë dhe mjeshtërinë absolute, në artin e manipulimit të masave. Mjeshtri i krijimit të teknikave të influencimit, i përkryer në censurimin e detajuar të medieve, oratori me energji të pashtershme, dhe organizuesi i mitingjeve të mahnitshme. E tillë konsiderohej figura e Gëbelsit, para hapjes së arkivave sekrete të partisë naziste gjermane. Hapja e arkivave do të zbardhte edhe më shumë informacion nga ku, gjykimi i historianëve do të shkonte, drejt një ripozicionimi dhe rivlerësimi të rolit, që i atribuohej Gëbelsit, në krijimin e sistemit gjigant të propagandës naziste. Edhe pse Gëbelsi ishte në krye të këtij mekanizmi, ai ishte larg shpikjes apo krijimit të filozofisë së propagandës. Ndriçimi që solli hapja e arkivave, do t’i atribuonte vetë Hitlerit rolin dhe përgjegjësinë kryesore të propagandës naziste, kur në vitin 1919, ai bëhet një prej drejtuesve të saj. Sipas arkivave të partisë naziste, do të ishte pikërisht Hitleri që kishte vendosur për krijimin e simbolit nacional-socialist, i frymëzuar nga lëvizje anti-semite përpara vitit 1914, pra kryqin e thyer; ai personalisht zgjodhi ngjyrën e kuqe të flamurit për të pozicionuar partinë e tij në anën e punëtorëve, duke konkurruar në këtë mënyrë hapur komunistët; ai skicoi uniformat e organeve të ndryshme të partisë; si specialist i arteve grafike ai skicoi gjithashtu edhe afishet e para, tekstet dhe imazhet, që i shoqëronin ato. Gëbelsi në atë kohë, nuk ishte ende anëtar i partisë naziste. Ai kontakton me organizatën vetëm në vitin 1924 dhe imponohet një vit më vonë, më 1925 gjatë rithemelimit të saj. Në gjykimin e historianëve, Gëbelsit i mungonin vitet e para, që konsiderohen si vitet më të rëndësishme për të krijuar legjendën e veprimit nazist.

Në Mein Kampf, të shkruar në burg, Hitleri do t’i kushtonte gjithashtu dy kapituj përkufizimit të propagandës, ku Gëbelsi më vonë, nuk bëri gjë tjetër, veçse rimori konceptet kryesore të tij. Më vonë, kur Hitleri i mundëson drejtimin e Berlinit në vitin 1926, Gëbelsi fillon edhe të kopjojë taktikat e fjalimeve të Hitlerit, duke luajtur me tonin e zërit, zgjedhjen e frazave të ashpra si slogane dhe futjen e humorit dhe të ironisë për të krijuar lidhjen me publikun. Në këtë kuptim, në gjykimin e historianëve, ai është një propagandist i arrirë i kohës së tij, mbrojtës i flaktë i kauzës naziste dhe njeri i penës. Ai fillon të mbush sallat, duke nisur nga viti 1928 dhe shndërrohet në një vlerë të sigurt për mobilizimin e trupave në parti. Më pas Hitleri e ngarkon me kryerjen e propagandës së partisë së bashku me Hajnrih Himler. Zelli i shfaqur në fushatën antikomuniste pas zjarr vënies të Rajhstagut, i bën të mundur emërimin në krye të ministrisë së Propagandës dhe të Edukimit Popullor.

Gjeniu i propagandës komuniste

Por, historia gjermane, nuk ka spikatur veçse me figura të errëta të propagandës të ekstremit të djathtë. Një tjetër emër, jo shumë i njohur për publikun do të ishte komunisti Muzenberg, i vlerësuar si gjeniu i propagandës politike dhe krye shef i propagandës së Kominternit mes dy luftërave botërore. Mjeshtër i grumbullimeve ndërkombëtare kundër fashizmit, Muzenberg konsiderohet i një niveli shumë herë më krijues, shumë herë më të sofistikuar dhe efikas në fushën e propagandës.

Uilli Muzenberg

Pas Luftës së Parë Botërore, do të kemi edhe fuqizimin e
ideologjisë së majtë politike, me fokusim antikapitalist dhe antikolonialist. Roli i Muzenbergut do të ishte pikërisht, kanalizimi i kësaj rryme për llogari të Kominternit, të cilit i shërbente. Zgjerimi i rrjetit militant, nëpërmjet propagandës së përdorur prej tij, do të konsiderohej si një makinë që vetëm fabrikonte në seri, këtë kategori. Atij i atribuohet gjithashtu krijimi i Organizatave të Frontit, Ligat dhe Komitetet e pafund kundër imperializmit dhe shtypjes koloniale (1927), në ndihmë të klasës punëtore (1921-1931), në ndihmë ndaj Kinës, ndaj viktimave të fashizmit, Komitetet kundër Luftës, Shoqatat e Miqve të Bashkimit Sovjetik, etj, drejt të cilave ai arriti të tërhiqte me qindra dhe mijëra intelektualë.

Muzenberg do të organizonte gjithashtu në Berlin një prej perandorive të shtypit më të fuqishme në botë, me një numër impresionues gazetash, periodikësh, aktivitet e të cilëve do të shtriheshin deri në Japoni. Pas ardhjes në pushtet të Hitlerit, ai e zhvendosi qendrën e aktiviteteve në Paris, ku në vlerësimin e historianëve, do të organizonte një rrjet të paimagjinueshëm botëror të propagandës, një superstrukturë të kamufluar e ofiçinave të Kominternit dhe të Shërbimeve Sekrete sovjetike. Ai arriti të nxisë gjithashtu fushata të reja peticionesh, manifestimesh, kongrese madhështore siç do të ishte Kongresi për Paqen, që krijoi edhe Lëvizjen Kundër Luftës (Amsterdam-Pleyel 1934) dhe dhjetëra mbledhje ndërkombëtare për mbrojtjen e kulturës, ku më brilante do të konsiderohej se ishte ajo e Parisit, në vitin 1935. Muzenberg do të ishte ndër të parët, që arriti t’i vendosë të gjithë masmedian: kinemanë, teatrin, radion dhe shtypin, në shërbim të propagandës politike. Ai do të ishte gjithashtu i pari që arriti t’i bëjë thirrje efikase, për arritjen e manipulimit të opinionit publik, emrave të mëdhenj të botës mondane, të shkencës, të letrave dhe të të artit.

Por, si çdo sistem diktatorial që godiste edhe më besnikët e tij, që kishin kontribuar në vetë ndërtimin e sistemit, edhe fundi i tij do të ishte i njëjtë. Një fund, që përcaktohej nga ngritja e vazhdueshme e reputacionit dhe e personalitetit, e pavarësisë individuale dhe e shpirtit të iniciativës, që shndërrohej në problem për sistemin, që nuk kishte nevojë veçse për burokratë të bindur, që nuk do të vinin asnjëherë në dyshim kthesat politike të sistemit. Dhe pikërisht kur ndodhi kthesa e madhe, nënshkrimi i paktit të mossulmimit mes Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik, Muzenberg u kthye kundër Moskës dhe kundër Kominternit. Vdekja e tij erdhi në rrethana të errëta. Dyshimet binin mbi komunistët gjermanë, që e ekzekutuan gjatë verës së vitit 1940, ku ai po përpiqej të kalonte në Zvicër. Do të ishin xhandarët francezë, që do të gjenin trupin e tij të pajetë. Të varur në një pemë.

Im.Ta.

DITA

December 20, 2016 20:06