Himni gazmor i Partisë Socialiste (Solist, kor dhe orkestër)

Arben Duka August 4, 2016 16:53

Himni gazmor i Partisë Socialiste (Solist, kor dhe orkestër)

(Pjesa e dytë)

 

Solisti:

Në nëdhjet’ e shtatën,
kur morëm pushtetin,
e kishim në krye,
Profesor Servetin.

Po pas ndonjë viti,
pati një tërheqje,
u përplas me Nanon,
dhe bëri dorëheqje.

Oh-për pak harrova,
kokërr e lashë namin,
kishim në Parti,
dhe Rexhep Mejdanin.

Ishte burrë i urtë,
pa bujë e pa zhurmë,
ndaj siç erdhi-iku,
pa lënë ndonjë gjurmë.

Po meqë në shkenca,
kish dell e talent,
Partia e bëri,
Xhepin President.

 

Kori i bazës:

Kur filluam punë,
ne hanim si miu,
po kishte ca lart,
hanin si ariu.

Tani kish mbaruar,
në Atdhe furtuna,
asnjë demokrat,
nuk hoqëm nga puna.

Se Fatosi ynë,
që na kish dhënë besën,
shpiku atë vit,
shpiku bashkëjetesën.

Nga kjo teori,
të gjithë patën fat,
dhe u bë pushteti,
një konglomerat.

Dhe ç’është e vërteta,
kish veç një timon,
gjashtë parti të majta,
në koalicion

 

Solisti:

Ishte kohë e bukur,
kos u bë një det,
aleatët tanë,
morën shumë pushtet.

Morën shumë pushtet,
ndaj dhe shisnin mend,
Ministrinë e Jashtme,
Rend edhe Kuvend.

Dhe nuk tha askush,
pika që s’u bie,
se ahere ishte,
kohë dashurie.

Kohë dashurie,
në atë pozitë,
se s’kishin filluar,
ende tradhtitë.

Kaç Islami ynë,
që s’i frynte kosit,
ishte atë vit,
Zëvendës i Tosit.

Aherë gjithë punët,
thonë i bënte Kaçi,
se Fatosi shkonte,
ku piqej kulaçi.

 

Kori i bazës:

Të rrinte në zyrë,
e kish të pamundur,
duhet të fitonte,
kohën që kish humbur.

Se Fatosi ynë,
bënte vetë si duaj,
na thoshte serioz:
“Bëra burgun tuaj!”

Ç’është e vërteta,
askush “plaç” s’i tha,
se vitin e parë,
i falej gjithçka.

I falej gjithçka,
se nuk ishte murg,
dhe siç thosh ai,
për ne kish bërë burg.

 

Kuarteti i aleatëve:

Neve urinuam,
në det nga sikleti,
pastaj morëm pjesë,
të madhe sa deti.

Nuk është se kishim shumë,
bazë popullore,
porse kishim mendje,
tepër cilësore.

Ne mbanim në këmbë,
qeverinë e Tosit,
ishim pak a shumë,
si fara e kosit.

Si fara e kosit,
ne bëmë derman,
me një gotë të vockël,
mpiksëm një kazan.

 

Trio socialiste:

Ne u dhamë pushtet,
të pakufizuar,
vetëm për t’ju parë,
e për t’ju provuar.

Dhe kur të dështonit,
se kish halle plot,
ne t’i thoshim bazës:
“Nuk e bëjnë dot!”

Ne t’i thoshim bazës:
“Nuk e bëjnë dot,
veç ministrat tanë,
janë burra të zotë!”

 

Solisti:

Po kualicioni,
veten e provoi,
kur 14-të,
Shtatori shënoi.

Kur Fatosi i Nanos,
iku larg me ërre,
kur gjithë shteti ra,
si kështjellë rëre.

Kur nuk panë nga vanë,
gjithë ata trima,
si ca minj të trembur,
u futën në vrima.

Kur një plumb në brinjë,
mori historia,
kur jepte kushtrimin,
Ekerem Spahia.

Ekerem Spahia,
nga të gjithë më trimi,
doli dhe bërtiti:
“Shteti është i yni!”

(Vijon nesër pjesa e tretë)

Arben Duka August 4, 2016 16:53
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*