Himni gazmor i Partisë Socialiste (Solist, kor dhe orkestër)

Arben Duka August 6, 2016 15:29

Himni gazmor i Partisë Socialiste (Solist, kor dhe orkestër)

(Pjesa e katërt)

Solisti:

Kur i qe tharë fare,
e shkretuar luga,
sa iku Iliri,
Nanos iu hap rruga.

Nanos iu hap rruga,
për në qeveri,
dukej-do të bëhej,
dhëndër përsëri.

Fitoi kur s’kishte,
asgjë në kanistër,
jo më tash që ishte,
prapë Kryeministër.

Filloi mbretërimin,
me një marifet,
armiqtë kryesorë,
ftoi në kabinet.

Tani gjithë grupazhet,
ishin në një lundër,
Nanua të jep grada,
veç kur i del kundër.

Po i ndënje pranë,
i urtë e i leshtë,
Nano kryetrimi,
të shtyp si një plesht.

Kuarteti i deputetëve:

Natë e ditë pas Nanos,
ne jemi zgërlaqur,
po nga ai jemi,
fort të pakënaqur.

Ata që e shanë,
ata që e grinë,
për inatin tonë,
bëjnë qeverinë.

Premtoi lugë floriri,
kur marshimin zuri,
po s’na dha të shkretën,
as një lugë druri.

Kori i bazës:

Kur ne pak a shumë,
e mblodhëm fiqirin,
nisi luftën prapë,
Tosi me Ilirin.

Tosi me Ilirin,
bam e bum dajak:
“Ti hëngre më shumë,
unë hëngra më pak!”

Të dy sokëllinin,
si arusha mali,
s’dimë në cilën anë,
qe vërtetë morali.

Bënin be të dy,
për moral të lartë,
ne hanim çdo ditë,
nga pak kos të thartë.

Kish humbur sheqeri,
edhe karamelet,
partia po tundej,
e gjithë nga themelet.

Partia po tundej,
si një varkë te deti,
pak a shumë mbi të,
kishte rënë tërmeti.

Solisti:

Dhe kështu po bënte,
prapa historia,
u shkëput një copë,
lindi LSI-ja.

Dhe gjithë ato sherre,
që na shoqëruan,
më në fund me Metën,
u kurorëzuan.

Ecëm nëpër shtigje,
kaluam në gropa,
më në fund Partia,
u nda në dy copa.

U nda në dy copa,
jo dhe aq të buta,
Sala nuk e ndante,
dorën nga lahuta.

Këngë majakrahu,
këndonte paprerë,
se tani pushtetin,
e kishte në derë.

Fare pa koment,
tani shkruhet ngjarja:
“Nuk ta bën as Zoti,
çfarë të bën përçarja!”

Doli LSI-ja,
plot tone kritike,
u pozicionua,
si parti armike.

Si parti armike,
me partinë mëmë,
shante e mallkonte,
me degë e me rrënjë.

Tani s’do të piqej,
as rrushi-as fiku,
se dimër i madh,
bëri 3 Korriku.

Mbetëm në mes llumit,
llumit të kënetës,
se ua pamë sherrin,
Nanos edhe Metës.

Kori i bazës:

Po ne prapë votuam,
me fis e me sua,
po të shkretat vota,
na vanë në përrua.

Kasaphanë e madhe,
mbi PS-në u bë,
tri vota nga tonat,
vlenin sa për një!

Ndryshe ishte kampi,
i shokut Sali,
se një votë e tyre,
vlente sa për dy!

Dhe me votat tona,
Saliu fitoi,
neve i pjesëtuam,
ai i shumoi.

Në Koalicion,
kishte shumë rrëmete,
dolën që të gjithë,
llogari më vete.

Llogari më vete,
që nuk kam ç’të them,
çdo gjë ishte bërë,
me laps e kalem.

Me laps e kalem,
si në kohë të vjetër,
që PS-ja jonë,
të humbte patjetër!

Të humbte patjetër,
të bin’ në greminë,
sa keq e paguam,
të gjithë tradhtinë.

Të zësh ulërimën,
det e kiamet,
tradhtinë e bëri,
Kryetari vet!!!

(Vijon nesër pjesa e pestë dhe e fundit për këtë muaj)

Arben Duka August 6, 2016 15:29
Komento

1 Koment

  1. Plaku Xhuxhumaku August 6, 16:26

    U bere bajat.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*