Himni gazmor i Partisë Socialiste (Solist, kor dhe orkestër)

Arben Duka August 7, 2016 10:28

Himni gazmor i Partisë Socialiste (Solist, kor dhe orkestër)

(Pjesa e pestë dhe e fundit për këtë muaj)

Solisti:

Më Katër Korrik,
atje tek Selia,
o se ç’po vajtonte,
një zog vija-vija.

O se ç’po vajtonte,
një zog vija-vija,
qan hallet e tua,
qan hallet e mia.

Qan hallet e tua,
qan hallet e mia,
këtu monument,
u ngrit tradhëtia.

Këtu monument,
u ngrit tradhëtia,
nga ai që mbrapa,
i vin’ historia.

 

Kori i bazës:

Kryetari Nano,
mbreti i zullumit,
i hodhi mbi ne,
gjithë dallgët e lumit.

Kësaj here-para,
ishte bishti i dardhës,
dhe Fatosi dha,
dorëheqjen e radhës.

Ky stili i tija,
s’ka si mos rrëfehet,
kur të dojë ikën,
kur të dojë kthehet.

Për të saktësisht,
gjithnjë mat balanca,
në krye të vendit,
kthehet nga vakanca.

 

Trio socialiste:

Iku-Nano-iku,
kur kishte rënë flama,
dhe për ne la mbrapa,
një rrugë plot me xhama.

Dhe për ne la mbrapa,
një rrugë plot me xhama,
ku do të na printe,
shoku Edi Rama.

Shoku Edi Rama,
Edi optimisti,
që nuk ka në vena,
hiç gjak socialisti.

Që nuk ka në vena,
hiç gjak socialisti,
dhe ka pak a shumë,
prerje nihilisti.

Po me Edi Ramën,
neve patëm fat,
s’ka gjak socialisti,
po ka shumë inat.

S’ka gjak socialisti,
po s’na bën zarar,
Salës mund t’ia dali,
vetëm një i marrë.

 

Solisti:

Edvinin e kemi,
fort të motivuar,
në parti-bashkinë,
e ka transferuar.

Vetëm se diku,
sharra keq i ngeli,
se s’e zgjodhi dot,
zonjëzën Kodheli.

Ca e ca për Nanon,
i ka marrë malli,
shumica e duan,
Edvinin nga halli.

Shumë e shumë thonë,
nuk qe zgjidhje e zgjuar,
ishte pak a shumë,
mat i detyruar.

 

Edi Rama:

– O shokë socialistë,
mos kini merak,
veten të përkohshëm,
unë s’e ndjej aspak.

Asnjëherë qirinjtë,
nuk më janë fikur,
në Partinë tuaj,
s’erdha për të ikur.

Edhe pse në jetë,
gjithnjë djathtas mat,
me juve të majtët,
nuk kam hiç inat.

Do të shkruhen ndryshe,
faqe historie,
gjersa një të djathtë,
ju kini në krye.

Si të shkoj përpara,
e di marifetin,
se gjithnjë qëllimi,
e justifikon mjetin.

Dhe njëlloj do jenë,
fundi dhe fillimi,
juve jini mjeti,
e unë jam qëllimi.

 

Kori i bazës:

Kemi gjetur barin,
për të mbledhur bletën,
mund ta hedhim Salën,
vetëm tok me Metën.

Veç e veç-o shokë,
jemi drunj të shkundur,
veç e veç gjithmonë,
do jemi të humbur.

Ngaqë u coptuam,
na iku pushteti,
kur i ndamë dyfekët,
e pamë se ç’na gjeti!

E duam rakinë,
të gjithë në një gotë,
duam me Ilirin,
një bashkim të plotë.

Se ne jemi baza,
baza që heq hallet,
borxh askujt s’ia kemi,
që me ne të tallet.

Pa bukë e pa punë,
ne jemi përplasur,
ama-udhëheqësit,
i kemi të pasur.

Fund i Pjesës së pestë. Shënim i autorit: Këtu mbaron historia gazmore e Partisë Socialiste nga krijimi gjer në zgjedhjet e vitit 2008. Për periudhën në vazhdim do të ketë dhe dy-tri pjesë nga muaji Shtator.

Arben Duka August 7, 2016 10:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim