Histori: Si u zbut gruaja në dobi të njerëzimit

February 19, 2016 16:27

Histori: Si u zbut gruaja në dobi të njerëzimit

 

Dikur i zënë deri në fyt me detyra të rënda fizike, me punë rraskapitëse bujqësore dhe angazhime të tjera të pakëndshme, cilësia e jetës së burrit u përmirësua ndjeshëm pas zbutjes së suksesshme të gruas së zakonshme (lat. mulier vulgaris). Megjithëse për shumë kohë gratë kanë lëvizur në gjendje të egër përmes Azisë, Europës dhe Afrikës, ekspertët vlerësojnë se rreth 3 mijë vjet para erës së re, burri filloi t’i zbusë dhe t’i vejë ato në punë.

“Si një komoditet me vlerë dhe përdorime të pafundme, gruaja ka luajtur një rol thelbësor përgjatë historisë njerëzore”, thekson historiani Azgan Hesapi, “jo vetëm që ajo mund të kryente detyra të ndryshme, por sapo shpirti i saj të thyhej dhe energjitë të sundoheshin, ajo mund të stërvitej që të vinte sapo i thërrisje”. “Janë vërtet krijesa madhështore”, shtoi Hesapi.

Fillimisht në gjendje të egër, me idetë dhe dëshirat e tyre kokëforta, ngadalë gratë mësuan t’u nënshtrohen udhëzimeve dhe trajnimit, duke dëshmuar me kalimin e kohës, gjithnjë e më pak rezistencë ndaj vullnetit të burrit për çiftëzim.

Veç kësaj, të dhënat dëshmojnë se mbajtja e gruas ishte me kosto të ulët në përkujdesje dhe ushqim. Me kohë, gruaja mësoi të jetonte në mjedise të kontrolluara derisa nisi të mbahej edhe brenda në shtëpi, duke u bërë në disa raste edhe pjesë e familjes.

Antropologu Oran Gutani shpjegon se për të parandaluar lëvizjen e pakontrolluar të grave më të pazbutura, ato shpesh mbylleshin në hapësira të izoluara për periudha të gjata kohore. “Kemi indikacione se mosbindja merrej seriozisht; nga ndëshkimet fizike deri tek shpikja e objekteve kufizuese të cilat pengonin shfaqjen e sjelljeve të pavarura”.

Me shpikjen e korsesë, burri vuri më tej në kontroll stallën e tij gjithnjë e më të madhe të grave dhe vajzave. “Korseja, bashkë me shumë mjete dhe sende të ngjashme që pasuan, ishin një tregues fizik se kush ishte bosi”, thotë prof. Gutani.

Gjatë shekujve 18-19, gratë vijuan punën e tyre në ara apo shtëpi, duke treguar shumë pak shenja të natyrës së tyre të dikurshme. Por nga mesi i shek.20-të, një zinxhir zhvillimesh të çuditshme u raportuan: Lëvizje të ashtuquajtura “të të drejtave të njeriut” dhe protesta të zhurmshme në shumë vende, ndikuan që tufa të mëdha grash të thyenin kufizimet dhe për herë të parë në mijëvjeçarë, të rendnin të lira drejt universiteteve katërvjeçare dhe profesioneve nga më të ndryshmet. Shumica e tyre ende nuk janë kthyer.

“Ato do të vijnë, keni për të parë”, mërmëriti banori i Tiranës Lym Tlyni, të cilit iu largua gruaja dhjetë vjet më parë, drejt livadheve më të gjelbra, “ah, veç mos më ardhtë…”.

 

 

******

SHËN.RED. / Gojët e Liga është një rubrikë satirike. Çdo përputhje me ngjarje apo rrethana reale është krejt rastësi

February 19, 2016 16:27
Komento

2 Komente

  1. Gruaja April 20, 09:29

    Gruaja eshte vete njerezimi
    Turp qe Autori e trajton si nje kafshe te zbutur

    Reply to this comment
  2. Petro April 20, 14:14

    Nuk pushon se me cudituri fakti qe komentues, jo vetem ne kete faqe te nderuar, futen ne rubrika apo lajme satirike dhe kerkojne llogari pse autoret bejne satire!!!! Nuk arrij te kuptoj a kane sens humori dhe ndjesine e sarkazmes disa kokepatate, apo jane plloce nga ajo ane! A e dine se kur nje ironi thote dicka, nenkupton te kunderten. Zoti na ruajt nga shpirtrat e thare qe keqkuptojne apo s’e kuptojn humorin.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*