Historia 24-vjeçare e “FIFA Ballon d’Or” në statistika

January 13, 2015 00:07

Historia 24-vjeçare e “FIFA Ballon d’Or” në statistika

“France Football” ishin nismëtarët e këtij trendi, teksa revista prestigjioze ideoi “Topin e Artë” në vitin 1956, një trofe shpërblyes ndaj lojtarit më të mirë europian që luante në kontinentin e vjetër, përgjatë çdo viti kalendarik.

35 vjet më vonë, FIFA – pasi kuptuan dëshirën për të vlerësuar lojtarin më të mirë si individ nga i gjithë globi, – lançuan trofeun “FIFA, Lojtari më i Mirë i Vitit”, i cili më pas mori një tjetër emër në vitin 2010, kur trofeu u titullua “FIFA, Topi i Artë”, pas shkrirjes mes çmimit të dhënë nga FIFA dhe atij të dhënë nga “France Football”.

Disa nga statistikat më intriguese nga historia 24-vjeçare e trofeut të FIFA-s (dikur) dhe atij të bashkuar me “France Football” (sot), jepen më poshtë:

80 % e fituesve dhe finalistëve gjatë viteve të Botërorëve kanë qenë padyshim pjesë e finales së kompeticionit.

Vetëm Hristo Stoichkov – i cili frymëzoi Bullgarinë drejt gjysmëfinaleve të befasishme në Botërorin e Amerikës 1994, e që u rendit i dyti – dhe Lionel Messi fitues i vitit 2010 – Argjentina e të cilit u eliminua që në çerekfinalet e Botërorit të Afrikës së Jugut, kanë shkelur këtë sekuencë. Sivjet, portieri i Gjermanisë, Manuel Neuer, dhe sulmuesi i Argjentinës, Lionel Messi, luajtën në ndeshjen finale të “Brazil 2014”, ndërsa pretendenti tjetër Cristiano Ronaldo, u eliminua që në fazën me grupe me Portugalinë e tij.

20 vjeç ka qenë Ronaldo i Brazilit, lojtari më i ri i vlerësuar me një trofe të tillë. Ishte viti 1996 dhe, pavarësisht se “Fenomeni” dështoi të fitonte një kampionat apo një titull kontinental gjatë asaj kohe, ai ngriti trofetë e Kupës së Holandës, Superkupën e Holandës dhe Superkupën e Spanjës, si dhe kishte arritur një mesatare prej 1 goli për ndeshje me dy ekipet respektive, PSV Eindhoven e Barcelona. Messi, i cili ishte 22 vjeç kur mori për herë të parë “Topin e Artë” në vitin 2009, është i dyti për nga mosha.

12 trofetë e fituara nga individë me prejardhje nga Amerika e Jugut, e bëjnë këtë kontinent më të suksesshmin e këtij çmimi prestigjioz, me dy më shumë se sa Europa. Gjithsesi, në një aspekt kundërshtues me këtë, janë 7 europianë triumfues (Matthaus, Van Basten, Baggio, Zidane, Figo, Cannavaro dhe Ronaldo) kundrejt 6 amerikano-latinëve (Romario, Ronaldo, Rivaldo, Ronaldinho, Kaka dhe Messi). I vetmi që ka thyer këtë bipolaritet ka qenë George Ëeah me kombësi liberiane, pra nga Afrika. Brazili është shteti më i suksesshëm me 8 fitues, i ndjekur nga Argjentina me 4, Franca dhe Portugalia 3, ndërsa Italia vetëm 2.

10 trofe kanë shkuar për lojtarë të Barcelonës, dyfishi i rivalit më të afërt në listën e “Topit të Artë”, por njëkohësisht edhe rivalit të betuar në të gjitha fushat e blerta, Real Madrid. Messi e ka fituar plot 4 herë, ndërsa Ronaldo dhe Ronaldinho nga 2 herë respektivisht. Edhe Romario e Rivaldo kanë luajtur gjithashtu në “Camp Nou”. Nga ana tjetër, Luis Figo, Ronaldo, Zidane, Fabio Cannavaro dhe Cristiano Ronaldo kanë marrë trofeun teksa janë aktivizuar për ekipin nga “Santiago Bernabeu”. Ekipet e tjera më të suksesshme janë Juventusi, me 4 fitues, Milan dhe Inter me nga 3 respektivisht.

8 vite radhazi ka Lionel Messi që ngjitet në podiumin e pretendentëve për këtë trofe. Sot më 12 janar, kur dhe do të dorëzohet çmimi i radhës për vitin 2014, ai shkëputet me një distancë 4-vjeçare nga sfiduesi më i afërt. “Pleshti” ka fituar 4 herë dhe ka dalë i dyti 3 herë të tjera që prej vitit 2007. Cristiano Ronaldo ka siguruar të katërtin podium me radhë këtë herë, ndërsa më parë ka pasur vetëm 3 podiume (2007-’09), ashtu sikurse dhe “Fenomeni” Ronaldo gjatë 1996-’98.

7 herë është përfaqësuar Spanja në podium, por pa siguruar trofeun e “Topit të Artë”, dy më shumë se sa Anglia e vendit të dytë. Xavi ka përfunduar i treti për 3 vite me radhë, ndërsa Raul, Fernando Torres dhe Andres Iniesta kanë qenë nga një herë secili në vendin e tretë, teksa Iniesta u rendit i dyti në vitin 2010. Gary Lineker dhe Alan Shearer përfunduan të tretët në vitet 1991 dhe 1996 respektivisht, ndërsa me medalje “të argjendtë” përfundoi David Beckham dy herë dhe Frank Lampard një herë.

5 herë gjatë historisë, ky trofe ka shkuar te një lojtar që ka luajtur në disa klube gjatë vitit për të cilin është vlerësuar. Rasti i parë ishte Ronaldo, që luajti për PSV dhe Barcelonën në vitin 1996, Barcelonën dhe Interin vitin 1997, si dhe Interin e Real Madridin në 2002. George Ëeah ka qenë fitues në vitin 1995 sërish me dy klube, PSG dhe Milan, ndërsa Fabio Cannavaro u shpall i fundit fitues në vitin 2006, ndërkohë që kalonte nga Juventus te Real Madrid.

5 lojtarë kanë qenë të dytët në më shumë se një rast. Messi dhe Cristiano Ronaldo (argjentinasi në 2007, 2008 dhe 2013, ndërsa portugezi në 2009, 2011 dhe 2012) të paktën e kanë ngritur këtë trofe në më shumë se një rast. Për fat të keq, 3 lojtarët e tjerë nuk e kanë pasur kurrë këtë mundësi. Hristo Stoichkov humbi përballë Van Bastenit në 1992, e ndaj Romarios dy vite më vonë. David Beckham humbi ndaj Rivaldos dhe Luis Figos në 1999 dhe 2001 respektivisht. Kurse Thierry Henry rezultoi i dyti me vota pas Zinedine Zidane dhe Ronaldinhos për dy vite me radhë. Ata që janë ngjitur në podium, por nuk e kanë fituar kurrë një trofe të tillë, janë Xavi, Iniesta dhe Dennis Bergkamp, i cili përfundoi i treti në vitet 1993 dhe 1997.

Asnjë portier nuk e ka fituar këtë trofe këto 24 vite, një statistikë që Neuer shpreson ta thyejë ditën e sotme. 28-vjeçari të paktën e ka të sigurt të qenit lojtari i dytë i një pozicioni të tillë (portier) që arrin në podium, pas ish-portierit të Bayern Munchen dhe Gjermanisë, Oliver Kahn, i cili u rendit i dyti pas Ronaldos në 2002. Për më tepër, vetëm 3 mbrojtës kanë përfunduar ndër 3 vendet e para në histori: Paolo Maldini dhe Roberto Carlos, të dytët në 1995 dhe 1997, ndërsa Fabio Cannavaro në 2006.

January 13, 2015 00:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*