Historia 520-vjeçare e një qyteti. Nga Gjërixha në Korçë

September 10, 2016 13:09

Historia 520-vjeçare e një qyteti. Nga Gjërixha në Korçë

Nga Vladimir Dino*

Vijon nga numri i kaluar

Duke përjashtuar vendndodhjen e kalasë së banuar me 25 familje në fushë, në vendin me toponimin lagja “Kala”, mbetet të shqyrtojmë argumentet e grupit tjetër të studiuesve të cilët vendndodhjen e kalasë, qytet me 25 familje, e çojnë në kodrat e qytetit të Korçës. Cilat janë argumentat e tyre?

Vetë emrin sllav Gorica në fjalorin e Salishevit tregon vende të vogla malore, kodrinore. (krahaso lagjen Gorica në Berat, fshati Gorica në Prespën e Madhe). Nga pikëpamja mbrojtëse, qëllim për të cilin ndërtohet kalaja, ajo patjetër ndërtohet në kodër ose në mal për të shfrytëzuar kushtet mbrojtëse të terrenit. Argument kryesor për të gjithë studiuesit e historisë së Korçës, është dhe fakti i pamohueshëm, që Iljaz Bej Mirahori asnjëherë nuk u bë pronar i qytetit të Korçës, të asaj Korçe, për të cilën shkruan Gjon Muzaka ose të kalasë së banuar nga “të pafetë” që shkruan regjistri turk i vitit 1431.

Iljaz Bej Mirahori, me dekretin e sulltan Bajazitit II, në vitin 1496, pasurinë e tij personale, fshatrat Panarit dhe Treskë, i shkëmbeu me fshatin Peshkëpi, që mvarej nga Korça. Sipas dekretit: “… Beut të Sanxhakut të Janinës, Iljazit, i kam dhënë dekretin mbretëror dhe ai i ka poseduar si pronë personale (fshatrat Panarit dhe Treskë VD), por tani …. i lartpërmenduri i le ato e në vend të tyre (kërkon t’i jepet) fshati Peskopje, që është në mvartësi të Korçës e ka dy pjesë. Edhe unë ja dhuroj të lartpërmendurit të dy pjesët e fshatit në fjalë… Këtë dekret mbretëror ja dhashë të lartpërmëndurit dhe urdhërova që këtej e tutje, fshati Peskopje të jetë e drejtë absolute e të lartpërmendurit, i cili le ta posedojë si pronë të tij personale (mylk). ” ( sipas S.Ramo, “Ilia Panariti dhe Korça”, fq.53).

Dekreti na sqaron se fshati Peskopje është në mvartësi të Korçës, pra është qendër e banuar më vehte, e ndarë në dy pjesë (nga lumi i Moravës, sot shëtitorja F.S.Noli) dhe Iljaz Bej Mirahori i mori pronë personale të tij të dy pjesët, majtas lumit ku kishte ndërtuar ndërkohë xhaminë dhe pjesën djathtas ku shtrihet sot Grand Hoteli, pra edhe zona e emëruar lagjia “Kala”. Dokumenti tjetër i rëndësishëm ose më i rëndësishmi për problemin që po trajtojmë, është ai që përcakton kufijtë e fshatit Peskopje, pronë personale e Iljaz Bej Mirahorit. Sipas këtij dokumenti, në vitin 1497, një vit pasi iu dha fshati Peskopje Iljaz Bej Mirahorit, sulltan Bajazi i II-të urdhëron kadiu e Korçës dhe të Bilishtit, të percaktojnë kufijtë e fshatit Peskopje. Dekreti sulltanor thotë: “Beut të sanxhakut të Janinës, Iljazit – i lartë qoftë gjithnjë – i pata bërë pronë personale, fshatin e quajtur Peskopja, që është në mvartësi të Gjërixhës ( të Korçës), po meqënëse dekreti i pronësimit ishtë i mangët dhe (është shfaqur) nevoja për t’i caktuar kufijtë, u dërgova urdhër të lartë kadiut të Gjërixhës, Efendi Bedruddinit dhe Kadiut të Bilishtit Efendi Haxhiu, që të dy bashkë …. të hetoni dhe zbuloni se ku e ne ç’vend fillonte e ku e ne ç’vend mbaronte kufiri i fshatit të lartpërmendur….”.

“Dy kadijtë e mësipërm, sipas urdhërit mbretëror, kanë vajtur në atë fshat (në Peskopje VD) dhe në prani të popullsisë e të pleqve, i kanë shkruar kufijtë…ashtu si qenë urdhëruar….dhe kanë dërguar raportin përkatës ku shënohen kufijtë si vijojnë” (shih “Ilia Panariti dhe Korça”, fq 155).

Po japim më poshtë sipas këtij dekreti kufirit e fshatit Peskopje vetëm në anën lindore dhe veriore, pikërisht aty ku pretendojmë për vendndodhjen e kalasë së Korçës. Vini re me kujdes ku kalon kufiri duke patur parasysh edhe toponimet që përdoret deri në ditët e sotme: “….nga rruga e Drenovës del në rrugën e Emborjes (sot i thonë Mborje, fshati në lindje të Korçës VD) dhe mbërrin në anën e sipërme ku puqet me fshatin në fjalë. Prej këtu përsëri pranë anës së sipërme të fshatit në fjalë kalon sipër vijës së mullirit të kaurit të quajtur Duka i Gjërixhës dhe prej këtu në për vendin e Dukës së Gjërixhës del në përruan e Emborjes, shkon përpjetë në anën e lindjes dhe vjen në kufirin e Peskopjes, prej atij përsëri vjen te Druri i Thanës që është në vendin e vreshtës së prishur të Juliç Petros.

Prej këtej shkon drejt brenda vreshtave nga muri i rrëzuar, nga kalaja te Druri i Thanës dhe puqet me vreshtin e kaurit të quajtur Hriso. Prej atij, përsëri vazhdon drejt dhe kalon midis kodrinës së vogël e njohur me emrin Koria e Vogël, përsëri nga Emborja shkon përmes urës së Taleçit dhe del te Rrasa e ngulur dhe prej andej shkon drejt e del në vendin e vreshtës së prishur të kaurit të quajtur Rado Junkiç dhe mbërrin në muri i ngulur dhe prej këtëj shkon drejt dhe mbërrin deri tek rruga e druve që zbret nga mali i Peskopjes. (Sipas “Ilia Panariti dhe Korça”, fq.156). Më tutje sipas dekretit kufiri i fshatit Peskopje vazhdon nga veriu drejt pronave të fshatit Barç. Në këtë dokument jepet plotësisht qartë prania e kalasë në zonën kodrinore midis takimit të kufirit Peskopi-Mborje në lindje dhe të rrugës që zbret nga mali i Peskopjes në verilindje.

  Të bie në sy në këtë zonë edhe prania e ndërtimeve të tjera përveç kalasë si toponimet “muri i rrëzuar”, “muri i ngulur”, që tregojnë qartësisht se kemi të bëjmë me një zonë të ndërtimeve të shumta rreth kalasë, në një mjedis me vreshta të shumta. Nuçi Naçi në librin e tij “Korça dhe katundet e qarkut”, kur flet për kufijtë e Korçës në vitin 1923, shkruan: “Kufijtë natyralë të qytetit të Korçës janë nga lindja Fushë e Emborjes e brigjet e Shën Thanasit e i Vreshtave” (fq.81). Kemi pra një përputhje të plotë në lindje të kufirit të fshatit Peskopje me fshatin Emborje në vitin 1467, me kufirin e qytetit të Korçës sot me fshatin Mborje.

Dokument tjetër i rëndësishëm dhe qartësues që përforcon vendndodhjen e kalasë së Korçës në kodrën e Shën Thanasit është dhe dokumenti 1631 në Arkivin e Institutit të Historisë, filmi D-30, gjetur dhe përkthyer nga S. 14303886_1227863453933093_1160979338_oPulaha. Është një ankesë që Dizdari i Kalasë, Subashi i Korçës, Myhtesibi i Pazarit (mbledhësi i taksave), ushtarët e kalasë, banorët e qytetit dhe të fshatrave përreth i drejtojnë Portës së Lartë ku i shkruajnë: “Qysh se qe pushtuar Korça, pazari ka qenë pranë kalasë. Mirëpo, Koxha Mirahori prishi pazarin dhe hamamin, mori kazanin dhe pazarin e shpërnguli në fshatin që qe pranë dhe pronë e tij. Duke qenë pranë kalasë, brënda në qytet dhe pranë xhamisë së Sulltan Mehmetit, tregu qe gjallëruar dhe pat marrë një pamje të hijshme”.

Mirëpo tani që tregu u shpërngul nga vendi i mëparshëm banorët rreth tij u shpërndanë, në xhami nuk kishte kush të falej më dhe të ardhurat nga taksa e pazarit u pakësua.

Trimat e djalit të Mirahorit, Sefer Beut, u bënë njerëzve në Pazar zullume të mëdha, përshkak të këtyre zullumeve, rençberët (zanatçinjtë) u larguan nga tregu. Banorët e kalasë dhe të qytetit në dimër nuk mund të shkonin në treg (jepet sipas P.Thomo në “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, fq.45).  Interpretimi i këtij dokumenti duke u bazuar në idenë e vendndodhjes së kalasë në zonën e quajtur lagja “Kala” në Korçë buzë lumit, të çon patjetër në përfundime të gabuara, gjë që nuk i ka shpëtuar edhe profesorit të nderuar Pirro Thomo.

 Ky dokument interpretohet drejt vetëm duke pranuar vendndodhjen e kalasë në kodrat me vreshta në lindje të fshatit Peskopje, Korçës së sotme, siç e pamë dhe në dokumentin e mëparshëm që përcaktonte kufijtë e fshatit Peskopje. Dokumenti qartëson se “pazari pranë kalasë u shpërngul nga vendi ku ishte, u prish në këtë vend me zullumet e trimave të Sefer beut, djalit të Mirahorit, dhe u zhvendos në fshatin Peskopje, pronë e tij, ku ndodhet edhe sot.” Sipas dokumentit largësia midis kalasë dhe zonës ku ishte pazari, me zonën ku u shpërngul dhe u vendos pazari i ri është e konsiderueshme, është aq larg sa “banorët e kalasë dhë të qytetit në dimër nuk mund të shkonin në treg”. Pazari u çua në fshatin Peskopje, pronë e Iljaz Bej Mirahorit, në zonën ku ndodhet dhe sot, në të dy krahët e lumit (shëtitorja F.S.Noli). Largësia mes pazarit ku ndodhet sot dhe zonës që emërtohet lagjia “Kala” është krejt e papërfillshme dhe nuk ka asnjë vështirësi për banorët e pretenduar të kalasë në këtë zonë për të shkuar si në verë si në dimër në pazar, sepse pazari është pjesë përbërëse e kësaj zone. Ka kuptim dhe interpretohet drejt dokumenti nëqoftëse pazari pranë kalasë ka qënë në fshatin Mborje.

Siç thotë Prof. Dr. Petrika Thëngjilli, vetë emrin i fshatit “Mborje” e ka origjinën tek fjala byzantine “Emporje” që do të thotë “treg”. “Qysh në vitin 1308, gjendet një fshat pranë qytetit të Korçës së sotme, si një prej tregjeve lokale të ngritura në rrugët dhe pozitat kyçe të Shqipërisë, siç ishte Mborja. Me kalimin e kohës nga “Emporje” u kalua në formën e sotme.” (Mborja ndër vite, fq.71). Emborje quhet fshati Mborje dhe në dekretin sulltanor që përmendëm më sipër për kufijtë e fshatit Peskopje. Shpesh mborjarët, përdorin për emrin e fshatit të tyre Mborje fjalën “Sheste” emërtim që vjen nga folja “shes, shita, shitur” (i jap dikujt një mall a një send duke marrë prej tij një shumë parash).

Profesor Eqerem Çabej, në librin “Studime etimologjike në fushë të shqipes” thotë: “…tek Budi, Bardhi, Buzuku, gjejmë fjalë të vjetra, që e kanë prejardhjen nga ilirishtja si janë fjalët …..shes, shitës, shitje…..” Qendra tregtare kryesore e Mborjes në vitin 1520, ishte lagja që shtrihet rreth e rotull “Kishës së Ristozit” dhe quhej me emërtimin Emporion që do të thotë treg. Veprimtaria e pazarit në fshatin Mborje, pranë kalasë së Korçës, para shpërnguljes që i bëri Mirahori në pronën e tij në fshatin Peskopje, pasqyrohet ky pazar si pagues taksash në Mborje dhe jo në Peskopje ose në Korçë. Vendndodhja e pazarit në Mborje shpjegon dhe shprehjen në dokument: “Tani që tregu u shpërmgul nga vendi i mëparshëm, banorët që banonin rreth tij u shperndanë, në xhami nuk kish kush të falej më dhe të ardhurat nga taksa e pazarit u pakësua.” Në cilën xhami nuk vinte më njeri që të falej pas shpërnguljes së pazarit?

  Është e qartë që bëhet fjalë për xhaminë në Mborje që ndërtoi sulltan Mehmeti II, i cili rreth vitin 1466, kaloi në këto anë. “ Sulltani në Sheste (Mborje) qëndroi disa muaj, këtu ai ngriti xhaminë ku falej dhe hamamamin ku bënte dushin dhe mbante haremin e vet”. (Shih “Mborja ndër vite”, fq.71 dhe Thimi Mitko, vepra fq.547). Kazanin e këtij hamami që ndodhej në Mborje, të ndërtuar nga sulltan Mehmeti II, mori 35 vjet më vonë, Iljaz Bej Mirahori, për ta përdorur në hamamin që ai ndërtoi në Peskopje krahas xhamisë, tyrbes, imaretit, shkollës dhe bëri njëkohësisht dhe shpërnguljen e pazarit.etj.

Shpërngulja e pazarit nga Emborja, nga vendi afër kalasë në kodër, ku kishte funksionuar për një kohë shumë të gjatë, aq sa i dha dhe emrin Emporje qendrës së banuar ku ndodhej, në një vend të ri, relativisht larg, sigurisht që nuk u bë mënjëherë. Për forcë zakoni, si dhe për lehtësitë që krijonte tregu në vendin e mëparshëm, i cili “qe gjallëruar dhe pat marrë pamje të hijshme” njerëzit nga fshatrat përreth vazhdoni të shkonin aty duke mos vajtur në pazarin e ri në fshatin Peskopje. Është kjo një arsye e fortë që i bënte “trimat e djalit të Mirahorit”, Sefer Beut, t’iu bënin njerëzve në pazar zullume të mëdha dhe për shkak të këtyre zullumeve, rençberët (zanatçinjtë) u larguan nga tregu.

Pra, zanatçinjtë u detyruan me forcë të largoheshin nga tregu në Mborje, afër kalasë së Gjërixhës dhe të shkonin të ushtonin zanatet e tyre në tregun e ri të shpërngulur në fshatin Peskopje. Gradualisht në fshatin Peskopje filluan të vijnë dhe banorë nga fshatrat përreth, gjë që pasqyrohet dhe në regjistrat osmanë të mëvonshëm. Regjistri osman i Kosturit, ne fq.49, përkthyer nga Thoma Kacori, shkruan: “…nje pjesë e fshatit Emborje është transferuar në Peshkopi, kjo pjesë ka: shtëpi bashkë me nevjatet e Bilal Faikut (teologut) gjithsej 34 dhe më poshtë në pjesën që i është bashkuar fshatit Peskopje dalin shtëpi të fshehura në regjistrin e mëparshëm.” Numri prej 34 shtëpi, që u transferuan nga Mborja në Peskopje, rreth vitit 1520 është relativisht i madh duke patur parasysh që Peskopja, kur erdhi Iljaz Bej Mirahori kishte rreth 71 shtëpi.

Banorët e rinj që vinin në fshatin Peskopje nuk ishin vetëm nga Mborja por dhe nga fshatrat e tjera përreth Drenova, Bulgareci, Boboshtica,Voskopi dhe sidomos nga fshati Barç, banorët e shpërngulur të të cilit ishin aq shumë sa krijuan lagjen e tyre me emrin e fshatit nga erdhën lagja “Barç”, njëlloj si këta edhe banorët e shpërngulur nga kalaja krijuan lagjen “Kala”. Shpërngulja e banorëve të kalasë nga kodra në fushë, solli edhe prishjen e varrezave të tyre që ndodheshin poshtë kishës së  Shën Thanasit.

  Fshati i dikurshëm Peskopje në fund të shekullit XV dhe fillim të shekullit XVI filloi të shndërrohej në qytet. Ndërtimi nga Iljaz Bej Mirahori i qendrës fetare shoqërore, që përmbante Xhaminë e Madhe, imaretin, shkollën, hamamin dhe sidomos shpërngulja këtu e tregut e fuqizoi shumë Peskopjen me veprimtarinë tregtare.

Para vdekjes së tij në vitin 1511-1512, Iljaz Bej Mirahori, i bëri Peskopjes – Korçës, edhe shërbimin e fundit kur në vitin 1505 hartoi Vakëfnamenë e tij, me anën e të cilës kthehu në vakëf të gjitha pronat e tij duke përfshirë dhe Peskopjen. Dihet që pasuritë në gjëndje vakëfi ishin të siguruara, në ato as sulltani nuk mund të vinte dorë. Të ardhurat e vakëfit shkonin për zhvillimin e pronave në vakëf dhe kjo ishte dhe një arsye tjetër për zhvillimin e shpejtë të fshatit Peskopje dhe shndërimin e tij në një qytet. Duke u zmadhuar dhe gjallëruar, fuqizuar dhe zbukuruar, kjo qendër e banuar nuk i ngjante më atij fshatit të dikurshëm Peskopje ose Peshkëpi, jo vetëm nga ndërtimet e shumta, nga gjallëria e pazarit me sheshet dhe dyqanet e tij, por edhe nga përmbërja e familjeve që ishin tani nga e tërë nahija e Korçës.

Vendasve u pëlqente ta quanin vendbanimin e tyre si më parë, me emrin e vjetër Peshkëpi, ndërsa të ardhurve, që vinin duke u shtuar u pëlqente ta quante me ermin e krahinës, Gorica apo siç shqiptohet sot Korça (për emrin e qytetit të Korçës dhe prejardhjen e tij do flasim një herë tjetër). Duke konkuruar emri i vjetër Peshkëpi me emrin e krahinës, fitoi emri i krahinës mbi atë të fshatit. Për këtë emërtim të ri sigurisht ka ndikuar shumë dhe influenca e familjeve që shkeputeshin nga kalaja e Korçës në kodër dhe vendoseshin në lagjen “Kala” në Peshkëpi. Duke emërtuar lagjen ku u vendosën me emërtimin e vendit nga erdhën, këto familje influencuan edhe në përdorimin e emrit Korçë në vend të emrin Peshkëpi. Transferimi në qendrën e re qytetare të Peshkëpisë dhe të administratës së nahijes së Korçës, që deri atëhere ndodhej në kalanë e Korçës në kodër, solli natyrshëm edhe zëvendësimin përfundimisht të emrit të dikurshëm Peshkëpi me emrin e ri Korça.

Qyteti i Korçës ku banojmë ne sot, “rilindi” nga shndërrimi që pësoi fshati Peshkëpi në një qendër qytetare të zhvilluar. Viti 1496, kur përfundoi së ndërtuari nga Iljaz Bej Mirahori Xhamia e Madhe, ndërtesa më e vjetër e qytetit tonë, që është dhe viti në të cilin doli dhe dekreti i sulltan Bajazitit II, që i dha pronë personale Iljaz Bej Mirahorit, fshatin Peskopje –Peshkëpi, është padyshim viti që mund të konsiderohet si viti i themelimit të qytetit të Korçës së sotme, i cili bën këtë vit 520 vjet. Është e padiskutueshme merita e Ilia Panaritit, djali i priftit të kishës më të madhe të Panaritit, që historia e njohu me emrin Iljaz Bej Mirahori, në rilindjen dhe zhvillimin e qytetit të Korçës, me fillesë fshatin Peskopje. Ai i meriton plotësisht fjalët e Nuçi Naçit në librin “Korça dhe fshatrat”, botim 1901:

“Të madhuarit e Korçës u nis që më ditë të Koxa Mirahorit, i cili e bëri atë qendër qeverie. Ca nga ca ai fshat i vogël që banohej vetëm me ca bujq u bë si e shohim sot qytet i madh dhe i bukur. Detyrë të madhe ka Korça në Koxa Mirahori, se ai e bëri atë kërthizën e fshatrave… në të madhuarit e në të zbukuaruarit e Korçës ndihmuan edhe të gjithë korçarët me tregëtinë e begatinë e tyre, por midis gjithë këtyre emri i Koxa Mirahorit gdhendet në shekuj, e pas kësaj është për të përmendore, se ai quhej që vu të parët gurë në themelet e saj, andaj dhe të parët në historinë e Korçës duhet ti ketë emri i Koxa Mirahorit.”

*Shoqata Atdhetare Kulturore “Vakëfet”, Dega Korçë

September 10, 2016 13:09
Komento

2 Komente

  1. Luan September 10, 13:49

    A kanë të drejtë ortodoksët shqiptarë të kenë kryepeshkop shqiptar siç e kanë patur më pare të madhin fan Nolin?
    Arkitektura e kishave shqiptare ka qënë e ndryshme nga arkitetkura e kishave greke.Kisha e Shën Gjergjit që ka qënë në biblioteka ka shumë shumë ndryshim me katedralen e sotshme në qëndër të Tiranës.Shën Gjergj ka qënë stil tjetër nga çdo kishë që ka sot Shqipëria se pse këto të sotshmet janë ndërtuar njësoj si kishat e Greqisë. Për ndërtimin e kishave shqiptare cili projekt zbatoi antishqiptari Anastas Janullatosi? I kujt është faji i askujt?

    Të heshtësh do të thotë të pajtohesh me krimin me shkombëtarizimin me shovinistët e popullit Shqiptar.

    A kanë të drejtë ortodoksët shqiptarë të kenë kishën e tyre ortodokse me arkitekturë Shqiptare?A mund të quhet se Kisha Ortodokse në qytetin e Korçës është Shqiptare kur ajo është me arkitekturë greke ?Si mund të quhet se Kisha Ortodokse në qytetin e Korçës është Shqiptare që as e njeh as e pranon themeluesin e kishës ortodokse Shqiptare Fan Nolin?

    Reply to this comment
  2. Alban Hamzai September 11, 12:49

    Z.Vladimir(dhe zoti Prof.dr.Petrika Thengjilli)!Nuk ka gjuhe dhe fjale byzantine.Ne fillim gjuha zyrtare ishte latinishtja,pas vitit 620 pas Krishtit si gjuhe zyrtare u be greqishtja.Fjala “emporio” eshte greke,edhe sot keshtu I thone ne greqisht “tregetise”.Me respekt!Ju lutem botoni komentin tim!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*