Historia e flamurit që u ngrit në Vlorë

November 28, 2018 13:59

Historia e flamurit që u ngrit në Vlorë

Nga Ilirjan Gjika

1

Ka disa kohë që autorë të ndryshëm janë përpjekur të trajtojnë historinë e flamurit të pavarësisë, që sot fatkeqësiht nuk ruhet dhe që është bërë në të kaluarën e afërt edhe  pjesë e një debati të gjerë jo vetëm historik por edhe mediatik. Kështu, në morinë  e hipotezave të pretenduara se kush e solli flamurin që u ngrit në Vlorë, teza e cila është vërtetuar tashmë është jo që thekson se ky objekt ishte flamuri i Alandro Kastriotit, i dhuruar prej tij Eqrem bej Vlorës.

Kjo tezë e ka piknisjen e saj në kujtimet e njërit prej protagonistëve kryesorë të saj: Eqrem bej Vlorës. Të botuara në gjermanisht në vitet 1968 dhe 1973, pas vdekjes së tij, në to trajtohet historia e vërtetë e flamurit. Më pas atë e gjejmë në shkrimet e sudjuesit, Zeko Braho, i cili te monografia e tij për Marigo Posion, të botuar në vitin 1990, shkruan se: “Bejlerët e Vlorës thoshin se këtë flamur ua kishte falur atyre don Alandro Kastrioti” (Zeko Braho, Marigo Posio, SH. B. ‘’8 Nëntori’’, Tiranë, 1990, f. 19).

Megjithëse ky libër u shkrua gjatë kufizimeve të periudhës së komunizmit dhe u botua në fund të ekzistencës së tij, në vitin 1990, ai ka diçka intriguese. Dihet anatemimi që u bëri komunizmi për shumë kohë përfaqësuesve të familjes Vlora. Pavarësisht se u goditën në të gjitha aspektet dhe ju mohuan kontributet, përsëri realiteti nuk mund të mohohej. Edhe në atë kohë megjithë çensurën e rreptë kur monografia është shkruar nuk mund të mohohej fakti që flamuri kishte dalë nga shtëpia Vlora.

Ndërkohë që vetëm pas viteve 90’, kjo tezë, arriti të plotësohet me botime të tjera, sidomos me kujtimet që kishin lënë protagonistët e ngjarjes. Të tillë janë ato të dy përfaqësuesve të kësaj familjeje si të Eqrem dhe Syrja Vlorës.

Sipas Eqrem bej Vlorës, diku në vitin 1909, në Paris, kur ai pati fatin të vizitonte një personazh të njohur të ‘’Çështjes Shqiptare’’: Don Alandro Kastriotin, ndodhi një episod i tillë, të cilin ai e përshkruan në kujtimet e tij, të ribotuara tashmë në gjuhën shqipe në në vitin 2003.

Aty midis të tjerave ai shkruan se: “Pasi përfundoi darka një shërbëtor solli një kuti kadifeje të kuqe mbi një tabaka argjendi dhe e vendosi para don Alandros. Ai u ngrit dhe mbajti një fjalim të bukur… dhe pastaj hapi kutinë e kadifenjtë dhe nxori prej andej një flamur shqiptar, një shqiponjë e zezë dykrenore në fushë të kuqe dhe ma dha mua…”(Eqrem bej Vlora, “Kujtime 1885-1925”, Shtëpia e Librit e Komunikimit, Tiranë, 2003, f. 215 ).

Po cili ishte Alandro Kastrioti?  Historia na dëshmon, se emri i vërtetë i tij ishte Juan de Alandro Perez de Velasko (1845-1914), një diplomat që shërbeu gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX në shërbimin diplomatik spanjoll për shume vite, si në Paris, Vjenë, Bruksel apo gjetkë. Më pas ai do të drejtonte në Paris një grup aksionerësh franko-spanjollë të hekurudhës së Pirenejve. Ky fisnik spanjoll kishte lidhje me Kastriotët e Italisë pasi diku në në shekullin e XVIII, një nga të parët e tij ishte martuar me Auleta Kastriotin. Në vitin 1900, Don Alandro, shpalli kandidaturën e princit të Shqipërisë dhe me mjetet financiare dhe propogandën që zhvilloi sipas Eqrem bej Vlorës, e bëri të njohur çështjen shqiptare në qarqet politike evropiane.

Kështu pasi e mori flamurin nga Don Alandro Kastrioti, Eqrem beu, thekson te i njëjti burim se: ‘’Pesë vjet e ruajta këtë flamur në dhomën e gjumit varur me një gozhdë anash krevatit, derisa erdhi vërtet dita që kishte profetizuar don Alandroja. Krejt papritur e krejt rastësisht ky flamur u ngrit vërtet si simbol i Pavarësisë së Shqipërisë (po aty, f. 215 ).

Por edhe momentin e ngritjes së flamurit pavarësisht se nuk ndodhej në Vlorë por në Kuç, në jug të Vlorës, për të mbrojtur vendin nga sulmi i ushtrisë greke, Eqrem beu, shkruan se: “E pra, më 28 nëntor kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë, me atë pakujdesinë tipike shqiptaro-lindore ishte harruar….Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar. Atëherë ngrihet miku im Hydai efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur. Dhe pyeti se a mund të merrej pa qenë aty i zoti? Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri që dikur don Aleandro Kastrioti më kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit, me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë qëndronte në dritare”(po aty, f. 313-314).

Ndërsa një tjetër e dhënë në mbështetje të kësaj teze është dëshmia e Syrja bej Vlorës. Në librin me kujtime të titulluar: “Nga Fundi i Sundimit Osman Në Luftën E Vlorës”, ai shkruan se: “…Më 28 nëntor, me dëshirën dhe pëlqimin e të gjithëve, u vendos të ngrihej flamuri i Shqipërisë dhe të shpallet Pavarësia Kombëtare. Pasi atë ditë nuk kishte mundësi të përgatitej flamuri, u mor nga shtëpia jonë një flamur, që djali im Eqremi që nga viti 1908 e ruante me plot nderime. Ai u ngrit në mes të manifestimeve e brohoritjeve gazmore të popullit (Syrja bej Vlora, Kujtime, Iceberg, Tiranë, 2013, f. 70).

Po kështu edhe një ndër firmëtarët e pavarësisë, dëshmitar i ngjarjes, Hajredin Bej Cakrani, ka lënë të shkruar për këtë moment këto rreshta nga kujtimet e tij: ‘’Ishim shumë të gëzuarë sa të rrënqethej mishtë, kur mileti i mbëledhur para shtëpisë së Xhemil Beut dhe gjithë ai kallaballëk i madh nëpër oda, shkallë e avlli, ishin si mizë lisi. Pa në ballkon të shtëpisë së Xhemil Beut varnë një flamur, që se ku e gjeti Ismail Beu, po që ish dhe konaku ku kish lerë (Hajredin Bej Cakrani, Kujtimet e një firmëtari, Botimet Ymeraj 1, 2017, f. 99).

Ndërkohë që historiania Valentina Duka ka sjellë argumentet më të plota rreth problemit të flamurit, duke u bazuar në disa zhvillime në Shqipërinë e viteve 1930. Në librin e saj ‘’Histori e Shqipërisë, 1912-2000’’, ajo publikon disa dokumenta që ruhen sot në arkivin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Prej tyre mësojmë rreth përpjekjeve që bënte atëherë qeveria e kryeministrit Koço Kota,  për mbledhjen e objekteve historike me qëllim vendosjen e tyre në Muzeun Kombëtar (Valentina Duka, Histori e Shqipërisë, 1912-2000, SHBLU, Tiranë 2007, f. 21).

Për këtë qëllim, Ministria e Brendshme, njoftonte se pas kërkimeve zyrtare të bëra në Vlorë rezultonte nga dëshmitë e protagonistëve të ditës së pavarësisë, se ‘’i pari flamur që është ngritur në Vlorë’’ posedohej nga Eqrem Bej Vlora. Pas kësaj shkrese fillon një korrespondencë midis institucionet e larta të shtetit. Nëpërmjet saj, përgjatë vitit 1930, kryeminisri i kërkon ministrit të jashtëm të komunikojë me Eqrem bej Vlorën.

Në këto rrethana, tashmë nga ana e ministrit të jashtëm, Rauf Fico, nisi një një tjetër korrespondencë me Eqrem bej Vlorën, i cili në atë kohë ishte ambasador i Shqipërisë në Athinë. Nga këto letra mësojmë se në përgjigjen që dërgon, Eqrem bej Vlora, thekson se flamuri i ngritur ditën e shpalljes së pavarësisë është pikërisht ai që i ishte dhuruar prej Alandro Kastriotit.

Po aty ai pasi sqaron se nuk e zotëronte më këtë objekt i cili së bashku me sende të tjera personale të tij, u konfiskuan dhe u dogjën gjatë vitit 1915, nga Qeveria Vorioepirote në qytetin e Delvinës, ku ishin vendosur  për ruajtje në shtëpinë e familjes Delvina (po aty, f. 22).

Midis të tjerave, Eqrem bej Vlora, në këtë letër thekson se rreth zhvillimeve të mësipërme, përveç personave të tjerë ka dijeni edhe z. Hydai Myftiu, mësues në shkollën Italiane në Vlorë (po aty, f. 22-23).

Kujtojmë se Hydai Myftiu nuk është veçse personi që vuri në dijeni Ismail Qemalin për praninë e një flamuri shqiptar në dhomën e gjumit të Eqrem bej Vlorës dhe që ja dorëzoi atë këtë object atij  (Eqrem bej Vlora, Kujtime…, f. 313-314).

Kjo korrespondecë e cituar më sipër ëshët një tjetër e dhënë që tregon se përse flamuri i pavarësisë i kërkohej nga autoritetet vetëm Eqrem bej Vlorës dhe jo personave të tjerë që pretendonin rreth tij. Pikërisht këtu përfshihej edhe Marigo Posio, e cila së bashku me shumë dëshmitarë të tjerë të ditës së pavarësisë e dinin të vërtetën rreth kësaj ngjarjeje.

Kjo tregon se Marigo Posio me heshtjen e saj nuk kishte se ç’ti shtonte më të vërtetës. Nëse Eqrem bej Vlora do të gënjente, atëherë Marigo Posio që shquhej për trimërinë dhe guximin e treguar në zhvillimet e Lëvizjes Kombëtare nuk do të nguronte që ti kundërvihej në këtë rast atij. Aq më tepër që ajo njihej edhe si publiciste e zonja, e cila kishte shkruar në shtypin e Rilindjes qysh në vitet 1909-1910, kohën e reaksionit të ashpër xhonturk. Po kështu në vitin 1921, Marigo Posio, do të punonte edhe si drejtore e gazetës “Shpresa Kombëtare”, e cila u botua në Vlorë dhe nxori për botim gjashtë numra gjithsej (Zeko Braho, “Marigo Posio, f. 53-54).

Në këtë rast në morinë e gamës së problemeve dhe të shkrimeve të saj publicistike, ajo nuk shkruan asnjë rresht për historinë e flamurit të Pavarësisë, të cilën më shumë se kushdo tjetër Marigoja e njihte më mirë.

 

2

Një pyetje që ka intriguar gjithmonë historianët është edhe ajo, se cili ka qenë roli i Marigosë në këtë historinë e flamurit? Ndërkohë që tashmë është provuar se Marigoja realizoi riprodhimin e flamurit në disa kopje, të cilat u përdorën nga qeveria e Ismail Qemalit.

Një gjë e tillë provohet nga një pjesë e mirë studiuesësh por edhe nga dëshmitarët e kohës.

Në artikullin e tij të vitit 1938, “Zonja Marigo dhe Flamuri Kombëtar”, botuar tek revista Përpjekja Shqiptare, autori Jakov Milaj, na sjell kujtimet e Thina Ferrës, një gruaje vlonjate dhe bashkëpunëtore e Marigo Posios, e cila pohonte: “Po atë ditë pikturuam edhe shumë flamuj të tjerë për tia ndarë popullit” (Përpjekja Shqiptare, Tiranë, janar 1938, nr. 13, f. 6-12).

Po tek e njëjta gazetë citohen edhe kujtimet e Thanas Floqit, një ndër firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë, i cili tregon se: “…Gjatë atyre ditëve historike bashkë me kunatën e vëllait tim, Marigo Posion, si dhe Petro Fotografin kemi gdhendur në dru bocën e flamurit që u përdor mandej për riprodhimin e qindra dhe mijëra flamurëve të tjerë, që u valëvitën gjatë festës në qytetin historik të Vlorës (Përpjekja Shqiptare, nr. 13, f. 21).

Pra, nuk ka asnjë dyshim që Marigo Posio, përgatiti flamujt e tjerë që i nevojiteshin qeverisë së Ismail Qemalit. Dhe si model për të nxjerrë bocën e stampimit ndihmuan edhe patriotët Petro Fotografi dhe Dom Mark Vasa. Në këtë pikë Eqrem bej Vlora na jep një tjetër dëshmi nga kujtimet e tij, ku shkruan se: “Një javë pas kthimit tim në Vlorë, çova Murat bej Toptanin dhe Hydai efendin tek Ismail Qemali, duke iu lutur të më kthente flamurin që i pata huajtur. Më premtuan të ma kthenin atë menjëherë, sapo zonja Marigo Posjo… ta kishte qepur e qëndisur flamurin e ri’’ (Eqrem bej Vlora, Kujtime 1885-1925, f. 313).

Duhet thënë se Marigoja, Dom Mark Vasa dhe Thanas Floqi kishin dijeni për flamurin e Alandro Kastriotit dhe njihnin përmbajtjen e tij. Të tre ata kishin marrë pjesë në shfaqjen e dramës “Vdekja e Piros”, të Mihal Gramenos në 14 shkurt 1909, kur në prani të autoriteteve turke, konsujve të huaj dhe elitës së qytetit të Vlorës, u shpalos flamuri shqiptar, pikërisht ai i sipërpërmenduri (Eqrem bej Vlora, Kujtime, f. 313).

Për më tepër duhet thënë se Thanas Floqi ishte regjizori i kësaj shfaqeje, ndërsa Marigoja ishte pjesëmarrëse, pasi i biri, Vaso Pozio, luante në të rolin e Aleksandrit (Zeko Braho, Marigo Posio, f. 26).

Prandaj mund të pohojmë se të tre këta persona e njihnin mirë imazhin dhe versionin e flamurit kombëtar dhe nuk e patën vështirë që ta riprodhonin atë. Këtë gjë ata e realizuan pas momentit të shpalljes së Pavarësisë, kur Ismail Qemali u dha flamurin e don Alandros për ta riprodhuar, përpara se t’ia dorëzonin Eqrem vej Vlorës, zotëruesit të vërtetë të tij.

Ndërkohë që pika delikate e kësaj historie është mungesa e të dhënave dokumentare për flamurin që u “ngrit” atë ditë në Vlorë. Edhe një foto se si u zhvillua ceremonia e ngritjes së tij mungon. Pra, këtu Eqrem beu ka të drejtë, kur një gjë të tillë e cilëson si “pakujdesi tipike shqiptaro-lindore”.

Ndërkohë e vetmja foto nga ‘’pavarësia’’ është realizuar vetëm një vit më pas. Kjo gjë mund të shihet qartë tek fotografia që tregon festimet e një vjetorit të pavarësisë, ku në ballkonin e selisë së qeverisë së Vlorës janë të “fiksuar” në celuloid midis pjesëmarrësve edhe tetë flamuj nga cermonia. Ndërsa dy flamuj të vegjël janë vendosur në dy nga dritaret e godinës. Një, flamur tjetër i vogël ndodhet i fiksuar në anën e djathtë të ballkonit ku qëndron Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë. Ndërsa dy flamuj të mëdhenj janë të vendosur poshtë në dy kolonat mbështetëse të ballkonit, ndërkohë që tre flamuj të tjerë, po të mëdhenj, valëviten prej turmës së popullit që feston. Ndoshta këta flamuj janë ata që u riprodhuan prej dorës së Marigo Pozios, për t’u përdorur prej qeverisë së Ismail Qemalit.

 

3

Por a ka patur flamurë të tjerë shiptarë ditën e shpalljes së pavarësisë në Vlorë?! Deri tani dimë se ka patur dy të tillë. Përveç flamurit të Eqrem bej Vlorës një të tillë e kishte edhe kushuriri i tij Xhemil bej Vlora. Edhe ai ishte dhuruar prej Don Alandros.

E ndërsda ai që zotëronte Eqrem beu ishte prezantuar në Vlorë qysh në vitin 1909, kur ai vuri në skenë dramën vdekja e Pirros. Që prej asaj kohe dihej nga e gjithë Vlora, që në shtëpinë e familjes Vlora ruhej flamur i “Skënderbeut” dhe kështu që nuk ishte e nevojshme që dikush të sillte një tjetër flamur nga jashtë për ceremoninë e pavarësisë. Kjo është arsyeja që i rrëzon të gjitha hipotezat e tjera, përfshirë edhe atë të flamurit që një nga patriotët pjesëmarrës “e mbërtheu flamurin në parmak me sqepar”. Aq më tepër kur mbledhja historike dhe ceremonia u zhvillua në një shtëpi private, si ajo e Xhemil bej Vlorës, ku nuk mungonte jo vetëm rregulli, logjistika apo shërbëtorët e shumtëpor edheflamuri. Ndërkohë që edhe i zoti i shtëpisë ishte person kompetent dhe që kishte një kontroll të plotë jo vetëm mbi shtëpinë dhe pronat e tij, por që njihej edhe për reputacionin dhe influencën që gëzonte jo vetëm në qytetin e  tij por edhe rrethet patriotike.

Këtë e vërtetojnë shumë mirë disa fraza të shkëputura nga kujtimet e firmëtarit, Hajredin Bej Cakranit, njërit prej protagonistëve kryesorë të përgatitjes së aktit të pavarësisë.

‘’…Xhemil beut që mirr’ vesh ç’do gjë në Vlorë…, apo ‘’Se dihej që Xhemil Beu, le që nuk ja haj qëni shkopnë…’’. , shkruan Cakrani për rolin që Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë i kishin ngarkuar për zotësitë dhe aftësitë e tij, Xhemil Bej Vlorës, gjatë kohës kur pritej ardhja e Ismail Qemalit (Hajredin Bej Cakrani, Kujtimet e një firmëtari, f. 95).

Ndërsa nuk përjashtohet mundësia, se atë ditë në Vlorë mund të ketë pasur edhe flamuj të tjerë, të cilët përveçse patriotëve të ardhur nga diaspora, i sollën edhe delegatët e qyteteve të tjera, të cilat e shpallën Pavarësinë përpara datës 28 nëntor 1912. Të tillë flamurë u ngritën më parë në qytetet që kërcënoheshin nga ushtritë serbe përkatësish në datat 25, 26 dhe 27 nëntor në Elbasan, Tiranë dhe Lushnje. Njëri prej tyre, ai i ngritur në Elbasan, ruhet sot në Muzeun Historik Kombëtar (Ilira Sulo Çaushi, Një udhëtim me flamurët dhe emblemat shqiptare, 100 vjet pavarësi, Botimet Albanologjike, Tiranë 2014, f. 553).

Ndoshta ata u përdorën nga poseduesit e tyre në këtë ditë feste por jo në ceremoninë e zyrtare të ngritjes së flamurit. Pikërisht kjo është historia e vërtetë e flamurit që u valëvit në Vlorë ditën e shpalljes së Pavarësisë, nga ‘’arkitekti’’ i saj në ballkonin e shtëpisë së Xhemil Bej Vlorës.

 

November 28, 2018 13:59
Komento

3 Komente

  1. demo November 28, 14:49

    I ka zene Marigoja te gjitha shtigjet.Nuk behet Shqiperia pa Marigone.Eshte bere Marigoja si Mona cizmja,do hyje ne Histori me dhune,jo dosido,por e dyta pas Ismail Qemalit.Nje flamur qe erdhi nga koloni e shqiptareve te Amerikes i kishte zene pusi Marigoja ne Korfuz dhe ua mori,se kishte kontrolle te rrepta ne Doganen turke.Nje flamur tjeter qe e sollen delegatet e kolonise se Bukureshtit,qelluan kushurinj te Marigose dhe bujten ate nate tek shtepi e Marigose.Kur pa flamurin e tyre Marigoja kelthiti:C`eshte ky flamur si rrecke arixhofkash?Gjithe naten Marigoja e qendisi,i shtoi theket dhe te nesermen me 28 Nentor e mbushi Vloren me Flamure.

    Reply to this comment
  2. Paci November 28, 15:58

    Flamurin e ngriti Ismail Qemali ne 12ten kur ishin 3 pjese te Shqiperise te pushtuara e gjysma kerkonte baben por ringritja e e plote u be me 29 nentor 1944 nga kryeheroi i kombit shqiptar Enver Hoxha .

    Reply to this comment
  3. Sandri April 3, 00:45

    I gjithe ky shkrim eshte rrene.
    Imagjinoni nje grua Marigo në mes burrash qe u jep atyre flamurin.
    E verteta eshte kjo:
    Jani Minga qe ishte csktuar nga Ismail Qemali si kryetar i organizimit te mitingut te shpalljes Pamvarsise ne Vlore pasi drshtoi ne Durres , kur mbriti Ismaili ne Vlore i shoqeruar nga dy çetat myzeqare qe drejtonte kapedani, luftetari, kengetari dhe trimi Llazi Spiro Shen Pjetra, shkoi te dyqani i tregetarit Diamanti dhe bleu nje pelhure te kuqe 2mx3m(2×3). Jani Minga me tre qemaliste dhe Petro Fotografin shkoi te rrobaqepsi, miku i tij, patrioti THOMA LEKSI RISTANI i cili e qepi me makine flamurin me bedena ari anash Në kete flamur Petro Fotografi beri shqiponjen dy krenare.Ky eshte Flamuri qe Ismail Qemali ngriti në Vlore. Historite e tjera dhe kjo me Maringone mund te jane me pare ose me pase neper shtepia ose rrena te sajuara per perfitime e interesa familjare e krahinore.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim