Historia e gjuhës mes amatorizmit dhe objektivetit shkencor

February 7, 2018 11:58

Historia e gjuhës mes amatorizmit dhe objektivetit shkencor

Prof.dr. Mimoza Kore*

Historia e gjuhës është një disiplinë që përfshin një periudhë të shtrirë nga prehistoria, nga e cila mungojnë dëshmitë e shkruara, e deri në ditët e sotme. Ajo ngjan siç thoshte Eqrem Çabej si hallkat e një zinxhiri të këputur aty-këtu që duhen rindërtuar. Por ky rindërtim kërkon objektivitet shkencor, intuitë dhe integritet prej studiuesi.

Pikërisht aty ku duhet të ngjiten këto hallka të padokumentuara, që të krijojnë vijimësinë, gjendet edhe  shtegu për ndërhyrje joshkencore e të gatuara shpesh me ideologji. Po a ka pasur ndikime në çështjet e historisë së gjuhës shqipe apo kjo fushë studimi ka qenë e mbrojtur prej tyre?

Historia e gjuhës është pjesë e shkencave shoqërore të cilat kanë qenë gjithmonë nën presionin ideologjik dhe politik të regjimit të kohës, pre e kuturisjeve antishkencore e diletante ku shpesh është ndërhyrë edhe qëllimisht si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Megjithatë, ndryshe nga shumë fusha, mund të themi se historia e gjuhës ka qenë disi më e mbrojtur, por jo krejtësisht e lirë. E themi këtë, sepse kemi qenë dëshmitarë të ndryshimeve rrënjësore që pësuan shkencat shoqërore pas rënies së sistemit komunist. U panë me sy kritik, u përmbysën dhe u reformuan shumë nga studimet, tekstet, teoritë, literatura e përdorur në këto lëmi dijesh, por nuk pamë të ndodhte ndonjë ndryshim i thellë në studimet e historisë së gjuhës shqipe, veçanërisht në thelbin e teorive bazë të kësaj fushe. Kjo erdhi për disa arsye:

Së pari, sqarimi i problemeve të kësaj fushe studimi kërkon njohuri të gjera dhe përgatitje filologjike të mirë të studiuesit. Kjo ka bërë që me çështjet e historisë së gjuhës të merren studiues seriozë, të cilët të mbështetur në metoda shkencore rigoroze kanë arritur në përfundime të drejta që nuk lejojnë ndërhyrje as nga studiues të paformuar e as nga ndikimet ideologjike.

Me problemet themelore të kësaj fushe si ato që kanë të bëjnë me etnogjenezën e popullit shqiptar, me origjinën e shqipes dhe autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre, me marrëdhëniet e shqipes me gjuhë të tjera gjatë shekujve, me evolucionin e sistemit fonetik e gramatikor të shqipes u morën fillimisht alabanologë të huaj, shkencëtarë që hapën e shtruan rrugë në këtë fushë studimesh, si G.Von Hahn, N. Jokli, G. Meyer, H. Pederseni etj e që më tej në të ecën studiues shqiptarë po aq të përgatitur, si A. Xhuvani, I. Ajeti, E. Çabej, S. Riza, Sh. Demiraj, B. Bokshi, R. Ismajli, S. Mansaku etj.

Së dyti, argumentet e historisë së gjuhës u mbështetën edhe nga studiuesit e historisë dhe të arkeologjisë. Edhe në këto fusha, autoriteti shkencor, integriteti intelektual e qytetar i studiuesve me në krye prof. A. Budën, H. Cekën, K. Frashërin  e të tjerë nuk lejuan ndërhyrje ideologjike e politike.

Së treti, edhe pse kjo fushë e dijes u zhvillua në vendin tonë në vitet e diktaturës,  kohë gjatë së cilës dhuna dhe ndërhyrjet politike edhe në shkencë nuk njohën kufi, përsëri historia e gjuhës ishte disi e mbrojtur sepse, siç pohon prof. Seit Mansaku (Prishtinë, 2008) vetë fusha e kërkimeve, studimi i evolucionit historik të gjuhës, kryesisht në periudhën antike e mesjetare deri në Rilindje, nuk ka qenë afër problemeve aktuale të politikës së ditës.

Problemet më themelore të kësaj fushe […] mund ta bënin studiuesin që të rrëshqiste më shumë drejt qëndrimeve nacionaliste sesa drejt politizimeve të mirëfillta. Do të duhej një zell i tepruar politik i studiuesit për të futur politikën e ditës në trajtimin e evolucionit historik të tingujve të shqipes dhe të kategorive gramatikore të saj.

Gjuha shqipe pasi u përcaktua nga F. Boppi si gjuhë e familjes indoeuropiane për një periudhë bukur të gjatë mbeti jashtë vëmendjes së studiuesve të huaj, të cilët në kuadrin e studimeve për indoeuropianishten nuk iu referuan, për kushedi ç’arsye, njërës prej gjuhëve më të veçanta të kësaj familjeje gjuhësore.

Më 1964 M. Domi, në artikullin  “Shqipja dhe struktura e saj gramatikore” botuar në Paris më 1966, duke theksuar se nuk mjafton vetëm leksiku, por shqipja ka edhe elemente themelore të sistemit gramatikor që lidhen me indoevropianishten, vëren me shqetësim se: “Me gjithë punën e lavdërueshme që është bërë në studimin e shqipes dhe rezultatet e shënuara që janë arritur, nuk mund të thuhet që gjuhësia krahasuese historike i.ev i ka kushtuar asaj vëmendjen e duhur, përkundrazi, shqipja nuk ka gjetur vendin që i takon si përfaqësuese e vetme e një grupi gjuhësh; të dhënat e saj janë përdorur pak nëpër manualet dhe traktatet përgjithësuese për gjuhët indoevropiane”.

Ky arsyetim shkonte edhe pas shqetësimit të N. Joklit më parë se “Gjuha e shqiptarëve deri më sot ka mbetur si një fëmijë i gjetur për gjuhësinë i.ev”, apo të C. Tagliavinit më vonë: “Indoevropianistët vazhdojnë ta trajtojnë shqipen si hirushen e gjuhëve i.eu”.

Formimi i etnosit shqiptar ose gjeneza e shqiptarëve mbetet një nga enigmat më joshëse të historisë së lashtë të Ballkanit. Në këtë mes, vështirë se mund të dalim nga qerthulli i hipotezave. Kjo u vu re sidomos në periudhën e Rilindjes gjatë së cilës kërkimi i rrënjëve historike u pa edhe si mjeti që i shtonte madhështi së kaluarës dhe fisnikëri legjitimitetit të një populli për të mbijetuar.

Kjo retorikë përmbushte një mision të caktuar ideologjik, por e gjykuar nga pozita nacionaliste ishte mision patriotik, sepse kërkonte bashkimin e shqiptarëve të cilët kishin një komb, por jo një shtet të tyren.

Formimi i shtetit dhe ndërtimi i kombit përfaqësojnë dy procese të ndryshme, të cilat në Europë, shpesh u mbivendosën. Ndërsa në Europën Perëndimore formimi i shtetit, përgjithësisht, i parapriu ndërtimit të kombit, e populli nën ndikimin edhe të ligjeve të tij, formoi për shekuj një ndërgjegje kombëtare, në shumicën e rajoneve të Europës Qendrore dhe Lindore ndërtimi i kombit u arrit para formimit te shtetit.

Në vendet e Europës Lindore e veçanërisht në Ballkan, shtetet u krijuan si rezultat i proceseve identifikuese kombëtare, i veçimit sa të ishte e mundur dallues nga të tjerët. Duke qenë se gjuha është edhe mjeti më identifikues, kombet e shtetet më vonë, me ndonjë përjashtim, u organizuan sipas parimit të gjuhës kombëtare.

Edhe shqiptarët krijuan së pari kombin e tyre e pastaj shtetin. Gjatë periudhës së Rilindjes zuri vend ideja se kombi ka në bazën e tij gjuhën kombëtare, e cila shihej si faktor i ngjizjes sociale.

“Nëse do të përpiqeshim ta përcaktonim Epokën e Rilindjes Kombëtare nga pikëpamja gjuhësore, besoj se nuk do të gabonim të thoshim se ajo është epoka që e bëri gjuhën pjesë të pandarë të ndërgjegjes kombëtare, faktorin më të rëndësishëm në lëvizjen për bashkimin dhe pavarësinë e vendit dhe për përparimin shoqëror të tij, është epoka që dashurinë, kujdesin dhe nderimin për gjuhën, për lashtësinë, veçantinë dhe bukurinë e saj i ngriti në shkallën e një kulti të vërtetë [S. Mansaku,“Perla”, 2004].

Ishin intelektualët e kësaj periudhe që propaganduan edhe mitin e lashtësisë për të mbështetur aspiratat nacionale. Ideatori i kësaj lëvizjeje të madhe në historinë tonë, Sami Frashëri në librin e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’ do të bëhet”, në zërin Shqiptarët në Kamusul (– àlam vëll. I) pohon se në vazhdën e mësimeve të Hahnit, Boppit, Dora d’Istrias, Kamardës e De Radës arrihet në përfundimin: “Pa dyshim Pellazgët janë kombi më i vjetër arian i Europës. Ka shumë fakte dhe shumë rrëfime që na tregojnë se Pellazgët që ne na duken si një përrallë për faktin që janë një komb shumë i lashtë, kanë folur këtë gjuhë që flasim edhe ne sot e kësaj dite. Emrat e perëndive që Pellazgët u faleshin, i ka huazuar mitologjia e grekëve dhe romakëve, por edhe shumë fjalë të tjera që historia i ka ruajtur si emra vendesh etj,.. duken që janë fjalë thjeshtë shqip edhe na tregojnë që pellazgët kanë folur mijëra vjet më parë të njëjtën gjuhë që flasim edhe ne sot, pothuajse pa ndryshime, ose me aq pak ndryshime saqë po të dilte ndonjë pellazg do të mund të flisnim me të si flet një gegë me një toskë.”

Edhe Naim Frashëri, për t’i mbrujtur shqiptarët me idenë kombëtare, e përdori këtë tezë të origjinës pellazgjike dhe shkroi ndër të tjera edhe vjershën e njohur “Shqipëria”, që nis me vargjet: Bota që kur është zënë / Shqipëria gjallë ka qenë / Pellazg’ u thoshin më parë / Më së fundi shqiptarë.

Kjo ideologji romantike që zotëroi gjithë këtë periudhë nuk e pengoi ideologun dhe eruditin e madh, Samiun, të arrinte më vonë në përfundime shkencore te drejta, të cilat duke i shkëputur nga konteksti pellazgjik janë aktuale: “Nuk ka asnjë dyshim se ilirët janë vetëm etrit e shqiptarëve të sotëm” dhe më tej: “Ndonëse ngjarjet që kanë ndodhur qysh prej dy mijë vjetëve në thelb janë të shkruara, nuk mbahet mend që në viset e Shqipërisë të ketë ardhur ndonjë popull tjetër dhe të jetë vendosur aty.”

Nga dëshmitë e profesorëve tanë, mësojmë se edhe gjatë viteve ‘50-‘60 u ringrit nga udhëheqja e kohës çështja e pellazgjishtes, sepse është i njohur fakti që diktaturat, historinë kombëtare e kërkojnë të “pastër”, “origjinale” e për nga vlerat të mos ketë krahasim me të tjerët. Kjo na kujton thënien e studiueses bullgare M. Todorova ”(1992): “Elita politike komuniste historinë e konsideroi si politikë të kthyer pas  në kohë”

Gjuhëtarët nuk u joshën nga kjo tezë e cila ka shumë të panjohura, të cilat janë të paarritshme për shkencën dhe që më së shumti mund të jenë objekt i helenistikës dhe jo i albanistikës. Prof. E. Çabej e kishte dhënë prerë përgjigjen për këtë çështje gjatë analizës së teorisë së G. V. Hahnit: “[…]teza e një prejardhje pellazgjike të ilirëve, maqedonasve dhe epirotasve nuk ka mundur t’i qëndrojë kohës”(SGj, Prishtinë, 1976)

Sot ka një prirje të re që vjen kryesisht nga jashtë për të vënë në diskutim si të dyshimtë tezën e prejardhjes nga ilirishtja, duke e interpretuar si dogmë të pushtetit, si klishe e pëlqyer në literaturën divulgative, por edhe në librat shkencorë për historinë apo ata për historinë  e gjuhës. Sipas këtyre studiuesve, hipoteza e  zanafillës ilire të shqiptarëve është shumë e pëlqyer sidomos në Shqipëri, ku ajo funksionon si ngjizëze e identitetit dhe ka fituar plotësisht statusin e një doktrine shtetërore.

Ne besojmë se në kushtet e reja politike të krijuara në shtetet ku jetojnë shqiptarë, shkenca është e lirë të interpretojë me objektivitet dhe paanshmëri faktet e reja shkencore që do të dilnin në dritë në të mirë të kësaj çështjeje, por gjer më sot nuk kemi parë ndonjë argument që të rrëzojë bindshëm tezën e prejardhjes ilire, e cila nuk është vetëm objekt i historisë dhe i historisë së gjuhës, por edhe i arkeologjisë, etnografisë madje edhe i gjenetikës e që në këtë pikë janë në një emërues të përbashkët. Ajo është e vetmja tezë deri më tani që ka mbështetje historike e gjuhësore.

Gjithashtu, në ditët e sotme është ringjallur diskutimi për çështje të historisë së gjuhës, veçanërisht në shkrime divulgative. Hapja ndaj botës, inferioriteti në disa raste,  ka bërë që shumë pseudostudiues të struken tek rrënjët e largëta e të trillojnë gjithfarë bashkëpërkimesh leksikore, për të vërtetuar lashtësinë e shqipes. Kurthe të tilla ngre e ashtuquajtura metodë “etimologjike popullore” (ang. folk etymology), d.m.th. krahasimi i fjalëve të shkëputura, me tingëllim të ngjashëm në mënyrë rastësore, krahasim madje i fjalëve në dy gjuhë të ndryshme dhe vendosja e lidhjeve gjenetike ndërmjet tyre. Kjo i përket periudhës parashkencore të gjuhësisë moderne.

I ashtuquajturi “etimolog” në këtë rast e shpjegon prejardhjen e një fjale jo me etimonin e saj, por me anë të një fjale tjetër, me ngjashmëri rastësore fonemash, që paraqitet së jashtmi si model mashtrues i saj. Shumë shpjegime të tilla joshkencore u dhanë nga rilindësit tanë, të cilat synonin rritjen e ndërgjegjes politike kombëtare. Fjalën arbën / arbër, Samiu e shpjegoi me “njeri që bën arë, bujk” kurse etnonimi “shqiptar” u lidh në mënyrë të padyshimtë me emrin e shpendit totem të shqiptarëve shqype / shqipe. Është provuar shkencërisht se e para lidhet me rrënjën alb të fisit Albanoi dhe pësoi evolucionin historik në arb, kurse etimologjinë e fjalës shqip, gjuhëtarët që nga  G. Meyer-i e lidhin me çerdhen leksikore përkatëse të foljes shqipoj, shqiponj “kuptoj”, që lidhet  me gjegjësen latine excipio “dëgjoj” e më gjerë “kuptoj”. Një argument për etnonimin tonë, shtohet prej variantit me përhapje më të madhe dialektore shqip(ë)toj “flas qartë”, i cili dëshmohet edhe te diaspora shqiptare e Ukrainës me kuptimin e mësipërm nok zallahit po shqipton “nuk flet por kupton” (Dh.Shuteriqi- S. Islami).

Zgjidhja e qerthullit të problemeve, të zhytura në mugëtirën e shekujve që kërkon të ndriçojë kjo disiplinë gjuhësore, etimologjia, ka thirrur për t’u përballur me vështirësitë e shumta që hasen linguistë të dorës së parë e me kulturë të gjerë filologjike. Fjalorët e parë etimologjikë mbi baza shkencore u hartuan nga të huajt si: G. Mayer, N. Jokli, V. Oreli. Shumë prej zgjidhjeve të tyre i qëndruan kohës, por ndërsa të huajt e mbështetën punën mbi metodën e krahasimit të jashtëm ata shqiptarë, si prof. E Çabej, si njohës të gjuhës amtare, u përqendruan tek krahasimi i brendshëm, te studimi i jetës së fjalës, së trevës të përhapjes së saj, të mjedisit ku është ngjizur dhe zhvilluar fjala si dhe në lidhjet e saj me fjalë të tjera brenda gjuhës dhe pastaj edhe me gjuhë të tjera.

Të gjithë etimologët seriozë operojnë me rregullat e fonetikës dhe gramatikës historike, të cilat vërtetimet i provojnë jo mbi fjalë të veçuara, por mbi shembuj të shumtë e që përsëriten në një periudhë të caktuar kohore.

Tani së fundmi, si lajm i mirë për botën shkencore, vjen edhe “Fjalori etimologjik” (2017) i akademik Kolec Topallit, fryt i përpjekjeve disavjeçare të këtij studiuesi. Ky fjalor është kurorëzimi i të gjithë studimeve të mëparshme dhe i gjithë përvojës më të arrirë të gjuhësisë shqiptare dhe asaj botërore. Ai është vijim i punës madhore të E. Çabejt, i cili me veprën 7-vëllimshe etimologjike, shumë njësi leksikore të shqipes që njiheshin si të huaja, ia ktheu fondit autokton të saj. Ky studiues i madh e mbi të gjitha atdhedashës iu kundërvu ideologjive nacionaliste që ndesheshin në Ballkan, të cilat qëllimisht kanë anashkaluar huazimet që shqipja iu ka dhënë gjuhëve fqinje: “Nuk mund të mos thuhet që ka pasur dhe ka edhe sot një prirje të ngritur vise-vise në një traditë që të mos gjykohet ndikimi shqiptar mbi gjuhët fqinje në përmasat e drejta” (S.Gj. VII).

E. Çabej diti të ndante “egjrën nga gruri” e këtë e bëri me zotësinë e shkencëtarit, por mbi të gjitha me integritetin e intelektualit. Ai u udhëhoq në punën e tij nga motoja se në trajtimin e këtyre çështjeve të historisë së gjuhës duhet “Të jemi objektivë, por jo indiferentë”, duke lënë një porosi aktuale për të gjithë ata që duan t’u qasen çështjeve të tilla.

*Departamenti i gjuhës shqipe, UT

 

 

 

 

 

February 7, 2018 11:58
Komento

11 Komente

  1. Andreas February 7, 12:38

    E nderuar! Juve ju kane goditur si komuniste sepse mbronit perkatesine ilire te shqiptareve… dhe kjo nga mercenare dhe te huaj, madje nje i huaj ju ka permendur ne librin e tij si nje ze ne vetmi…

    Reply to this comment
  2. Arberi February 7, 17:44

    Nuk eshte e lehte ti dalesh ne shteg kesaj pune, lashtesise dhe peshes se gjuhes shqipe, kjo per gjuhetare profesioniste pa folur per te tjere, por megjithese pa qene fare i kesaj fushe mbaj mend te kem lexuar rastesisht dekada më parë ne nje fjalor enciklopedik Webster (ne Bibl. Komb) qe gjuha shqipe (pa e ndare nga grupi indo-eur) ka mbi 300 fjale origjinale te sajat
    Dhe me kete pohim ne nje fare menyre zyrtar te njohjes se vlerave te shqipes nga shkencetaret perendimore (gjithmone duke qendruar me kembe ne toke) del se jo cdo teori pro gjuhes sone mund te hidhet poshte me nje fjale.

    Te thuash qe ngjashmeria e disa fjaleve te shqipes me gjuhet e tjera eshte vetem rastesi nuk eshte dicka serioze, Pa perjashtuar ketu aspak qe ka edhe ngjashmeri rastesore, ne te njejten menyre ne disa raste ngjashmeria nuk mund te konsiderohet aspak si rastesi.
    Eshte tjeter gje punonjesit e gjuhesise gjate diktatures kane punuar nën korniza qe i interesonin vetem diktatures, por keto korniza sot nuk ekzistojne më.

    Reply to this comment
  3. tz February 7, 20:02

    pjelle inferiore si profesor m..
    ..t Cabej..Sbqiptaret tani nuk njohin vetem nje gjuhe te huaj por pothuajse te gjitha gjuhet e botes dhe per cudi cdo dite ndesh me shume fjale qe nuk shpjegohen nga gjuha e huaj por nga rrenjet e gjuhes shqipe nje shembull vetem: fjala PARA. paramedic ,paradogme, paranojak e shume te tjera…..Le ta shpjegoje ajo Inferiore gjuhetare nga e ka prardhjen kjo fjale dhe ta shpjegoje me cfardo gjuhe tjeter kuptimin e rrenjes Para

    Reply to this comment
    • Reflection February 14, 13:39

      As e lexova artikullin. Flas 7 gjuhe e besome, te gjitha kane ne thelb shqipen, per te qene me te sakte, dialejtin geg. Keta hane m*t sepse jane servile te te huajve ndersa te huajt lehin por, s kane njohurite themelore per te debatuar; nuk dijne shqip. Vete jam ballafaquar me nje profesor te latinishtes e “greqishtes” se lshte te cilit, ndonese kurre studiuar keto gjuhe pr ia zbertheja pa hiq pra nje studiues me nje te “pashkolle” e fiton i ffundit.

      Reply to this comment
  4. demo February 7, 20:28

    Ate fjalorin enciklopedik qe thote se shqipja ka 300 fjale te saja,merre hidhe ne hale o Arber me emer kombetar, por me mendje katundar.Nje fjalor normal i gjuhes shqipe do te kishte 55 mije fjale.nga keto 60%,i takojne brumit te vete shqipes(fjale te parme dhe te prejardhura,psh.mesoj,mesues,mesim,mesonjtore etj.).I bie qe shqipja te kete jo 300,por rreth 30 mije fjale te brumit te saj. Zonja Kore ka prekur nje problem te hershem te dallkaukeve alfabetike,qe Cabeu i madh e ka trajtuar ne artikullin “Pseudofilologet”,qe ne 1930.Diktatura ne lemin shkencor nuk i jepte kompetenca sharlataneve te pashkolluar.Sot kane dale injorantet si bretkosat mbi pellg dhe llapin si politikane,si historiane,si gjuhetare,si presidente futbolli,si ndertues arkitekte,qe po ju rrezohen pallattet dhe po marrin njerezit ne qafe.

    Reply to this comment
  5. MH February 8, 02:05

    Demo!
    Rrespekt per komentin ne pergjithesi.
    Ne vecanti per seriozitetin e studimit te gjuhes dhe vlersimin per kohen e monizmit dhe sot..
    Shkurt kjarte e paster ne vlersimin qe i asht ba gjuhes ne monizem dhe si i bahet sot.

    Reply to this comment
  6. Arberi February 8, 15:13

    Eshte më se e vertete, sot fjalori i shqipes permban dhjetra mijera fjale, (bile dhe thuhet edhe nga gjuhetare te huaj qe struktura te tera te gjuhes sone mund te kene humbur ne lashtesi) por kur shkruhet ne nje fjalor enciklopedik perendimor (botimi 1956) qe ne lashtesi me teper se 300 fjale jane origjinale vetem shqip, keto jane fjale bazë te nje gjuhe, dhe nenteksti ketu eshte se nje pjese e ketij grupi mund te jete edhe lende per gjuhe te tjera.
    Jo rralle here ndeshim ne fjale te huaja qe kane te njejten rrenje me fjale shqipe, prandaj edhe njerez te ndryshem duke e vene re kete gje, bien ne sharlatanizem duke menduar dhe pretenduar sikur cdo fjale e huaj e njejte me tonat rrjedh prej shqipes.
    Deri ketu autorja ka plotesisht te drejte, jo cdo gje qe fluturon sherben per tu ngrene, por perseri shqipja mbetet kryenece, ketu mund te permenden Aristidh Kola (i helmuar nga greket per aresye se mbronte teza per gjuhen tone), apo Petro Zheji, prandaj kur cdo konstatim i ketyre ne kete drejtim konsiderohet rastesi apo injorohet plotesisht, kjo gje nuk mund te perligjet me nje te rene te lapsit.
    Pranohet nga autoritete te huaja te fushes qe ka nderhyrje politike edhe sot (sidomos me komoditetin qe te ofron interneti) nga shtete te caktuara per qellimet e tyre, dhe per pasoje sot online mund te gjenden edhe materiale te deformuara ne kete drejtim

    Per sa i perket seriozitetit qe punohej gjate monizmit, kjo gje nuk vihet ne dyshim, por per partine e punes Dielli ne vendin tone kishte lindur vetem pas krijimit te kesaj partie, prandaj edhe ka patur orientime ne cdo sektor te jetes, perfshire edhe institutet ne fjale.

    Reply to this comment
  7. MH February 9, 19:34

    Ma shqiptare ishim ne Monizem se sot ne demokraci!!!!!!!!!!!Persa i takon kesaj teme!

    Ne monizem asht punuar seriozisht e me perkushtim me motivin per te demostrue qe shqipja dhe shqiptaret jane nacionalitet i hershem qe ne gjeneze e krijimit te njeriut mbi toke.Fale kontributit te albanologeve te huaj e ne veçanti te albanologut ekselence shqiptare te madhit e te pavdekshim Eqrem Çabej.

    Reply to this comment
  8. tz February 10, 17:14

    mjere shqiperija per keta palo studius Ca Bej .ky u duhet kesaj gjenerete profesoreshe per te justifikuar diplomen .nuk guzojne te dalin nga conturi i CA- BEJ

    Reply to this comment
  9. Mashtruese February 11, 23:20

    Eqerem Cabej e ka shkatruar gjuhen shqipe duke thene se ajo eshte gjuhe e sajuar dhe ky i fundit “fjalori etimologjik”i Kolec Topallit thote se Shqipja eshte vetem 7% dhe pjesa tjeter eshte huazuar nga greket latinet dhe sllavet, ju jeni kolera e ktij kombi.

    Reply to this comment
  10. leberianwoman February 13, 14:55

    ah mi komuniste prej perbindeshi….
    je e blere si te gjithe.. nga serbet dhe europa,
    fytyre burri me nje mendje te ulet gruaje, lekure e trashe e periudhes komuniste, si mundet dikush ti bindet llafit tend te perditshem….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*