Historia e memories historike të kombit shqiptar

June 16, 2014 16:29

Historia e memories historike të kombit shqiptar

Qershor 1945

Krijohet arkivi i Shetit Shqiptar

Institucioni kryesor arkivor në Shqipëri është Arkivi Qendror i Shtetit të Republikës së Shqipërisë (AQSH). Bazat e tij u hodhën që gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Shtabi i Përgjithshëm UNÇL urdhëroi ngritjen e një komisioni për të marrë dhe për të ruajtur dokumentet e njësive arkivistike të institucioneve fetare, institucioneve apo individëve te ndryshëm të qytetit të Shkodrës dhe qyteteve të tjera të rëndësishme të Shqipërisë e institucioneve shtetërore. AQSH u krijua në qershor të vitit 1945 pranë Institutit të Shkencave. Prej vitit 1955 funksionoi si Drejtori e Arkivave, pranë Ministrisë së Brendshme, dhe përbëhej nga Arkivi Qendror i ish-PPSH (për fondet e periudhës së diktaturës komuniste) dhe Arkivi Qendror Historik i RPSH (për fondet e para 28 nëntorit 1944). Me 1963 u ngrit Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, në varësi të Këshillit të Ministrave dhe të dy arkivat u shkrinë në AQSH. Drejtoria e Përgjithshme drejton punën arkivore për administrimin e Fondit Arkivor të Shtetit dhe përgatit rregullat e udhëzimet metodike për gjithë arkivat e RSH.

AQSH ruan dokumente që nga Mesjeta e Hershme e deri më sot, që pasqyrojnë historinë e popullit shqiptar, luftërat e tij për liri, pavarësi e kulturë kombëtare. Dokumentet më të vjetra, janë kodiku i argjendtë i shekullit VI-të, dhe kodiku i artë i shekullit IX-të. Dokumentet laike nisin nga shek. XV-të. Me rëndësi janë aktet e sheriet vendëse, që nga fillimi i shek. XVII-të, kodikët e shek. XVI-XVIII etj. Nga shek. XIX-të deri më 1912, ka një fond të pasur sidomos për epokën e Rilindjes Kombëtare. Aktet zyrtare të shtetit shqiptar 1912-1920, janë mjaft të cunguara. Administrata shtetërore ka dokumente më të plota pas vitit 1920.

Pas vitit 1992, në këtë arkiv u përfshinë edhe dokumentet e ish Arkivit Qendrorë të PPSH. Gjithashtu, në Republikën e Shqipërisë, funksionojnë Arkivi Qendror i Ushtrisë, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, Arkivi i Ministrisë së Brendshme, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Një rrjet i tërë arkivash ekzistojnë pranë Këshillave Popullorë ndër rrethe.

 

70-vjetori i Çlirimit të Atdheut

Logoja jubilare

Para disa ditësh, për kujtimin e 70 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit dhe Sportit,  Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Galeria Kombëtare e Arteve organizuan Konkursin Kombëtar për ideimin dhe krijimin e një logoje posaçërisht për këtë ngjarje. Kjo logo do të shoqërojë të gjitha aktivitetet, botimet dhe festimet që do të mbahen për këtë përvjetor gjatë vazhdimit të vitit. Komisioni vuri re se pjesa më e madhe e konkurentëve e kishin kuptuar dhe paraqitur qartë grafikisht logon e 70 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.

 

Fituesi i konkursit

Në përgjithësi simbolet e përdorura nga pjesëmarrësit ishin flamuri, shqiponja, numri 70 dhe teksti, të realizuara sipas kërkesave të publikuara. Vendimi unanim i Komisionit përzgjedhës për fituesin e Konkursit të Logos së 70 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë ishte për Marjan Kamshin, nga Puka, student në Universitetin e Arteve për grafikë. Në këtë konkurs morën pjesë nxënës, studentë të arteve dhe artistë të sapodiplomuar në Universitetin e Arteve. Konkursi pati dy faza seleksionimi. Në fazën përfundimtare juria shqyrtoi rreth 20 punime.

 

June 16, 2014 16:29
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*