Historia e një dëshmori dhe varrit të tij

Piro Vito December 17, 2015 09:30

Historia e një dëshmori dhe varrit të tij

Rreth katër dekada më parë, e sollën rrethanat që të dëgjoja një bisedë nga një mjek i njohur i mjekësisë ligjore, Profesor Spiro Çipi. Për herë të parë e kisha njohur doktorin në Nderan të Zagorisë, në Janar të vitit 1960, kur e kishin dërguar për të ekzaminuar trupin e dëshmorit Llazo Kulo, që humbi jetën në krye të detyrës. Fliste me një zë të qetë dhe i shqiptonte fjalët që kishin gërmën “r” sikur të ishte francez.

Shkurtimisht po rradhit me përafërsi disa gjëra nga biseda e doktorit: “Për herë të parë e kam dëgjuar emrin e krahinës tuaj në kohën e luftës nacionalçlirimtare. Në ditët që po zhvilloheshin luftimet për çlirimin e Tiranës. Gjatë gjithë kohës qëndroja në spital sepse ditën dhe natën na sillnin vazhdimisht të plagosur që vinin direkt nga zonat e kryeqytetit ku bëhej luftë. Gjëmimet e topave e të mortajave, krismat e pushkëve, automatikëve dhe mitralozëve vinin deri në veshët tanë. Shumica e të plagosurve që i sillnin, ishin të rinj. Më datën 17 Nëntor, nga sheshi Skënderbej dhe rrugët kyesore deri në spital dëgjoheshin zëra të fuqishëm e të gëzuar, që përhapnin lajmin se brigadat partizane, pas përleshjeve të ashpra i thyen forcat naziste që po largoheshin me panik në drejtim të Shkodrës. Mbrapa kishin lënë shumë të vdekur, shtëpi të djegura, mjete dhe armatim. Ndërsa po bëhesha gati të largohesha disa orë nga spitali për të pushuar, te dera erdhi me vrap një partizan i cili me tha se vinte nga Shtabi i Divizionit, me porosi të Muhamet Prodanit dhe Dhori Panaritit, që të bëja çfarë ishte e mundur për një djalosh të ri, të cilin e kishin gjetur pa ndjenja, e të mbytur në gjak, te gryka e një pusi të vjetër që ndodhej në oborrin e shtëpisë së tyre. Djaloshin e mbanin dy partizanë në një vig. Ishte në gjendje shumë të rëndë. E vendosën në një qosh, në krevatin e një të sëmuri që kish dalë po atë ditë. Vura re se një këmbë i varej dhe gjuri ishte krejt i copëtuar. Nga plagët i rridhte shumë gjak. Pas pak ju var koka dhe sytë po i veniteshin. Mendova se mbaroi, por më vonë vura re se kishte shenja jete dhe bashkë me kolegët bëmë gjithçka që mund të bënim në atë kohë dhe në ato kushte që kishte spitali. I dhamë gjak. Për çudi pas dy ditësh, filloi të gjallërohej dhe të fliste me ngadalë me zë të ulët. Na tha se ishte nga një fshat i vogël i Zagorisë dhe kishte ardhur para afro dy vitesh në Tiranë, ku një shok më i rritur e angazhoi në punët e ndryshme të Lëvizjes. Më vonë na tregoi e bashkë me dy shokë të tjerë, kishin hedhur granata mbi një llogore nga e cila nazistët shtinin pa pushim me mitraloz të rëndë. Vendi përreth qe mbuluar nga tymi dhe flakët, por mitralozi nuk u dëgjua më. Por, pas 50-60 metrash më tutje filluan të shtënat drejt tyre, nga një qëndër tjetër zjarri dhe më pas nuk i kujtohej asgjë… Të nesërmen na tha se në një vend, midis Lushnjës dhe Beratit ishte vrarë djali i xhaxhait të tij, që e donte shumë, i cili i kish thënë se kur të mbaronte lufta, do t’i gjente dhe atij një punë dhe ….nga sytë filluan t’i rridhnin lot. (E kishte fjalën për dëshmorin Dhiogjen Vito, i cili u vra në krah të Heroinës së Popullit, Liri Gero, në sulmin për të asgjësuar autokolonën gjermane që vinte nga Kuçova). Këto pak gjëra më kujtohen”, theksoi Profesor Spiro, “sepse gjendja e tij u keqësua përsëri pasi i premë këmbën që po i gangrenizohej. Ju rrit temperatura dhe nuk mundëm t’ia stabilizojmë. Ra në gjëndje kllapie. fliste përçart dhe përmendte emrat e shokëve me të cilët çonte letrat në Çetën e Dajtit. Përfundimisht, ai nuk mundi të mbijetojë dhe dy ditë para çlirimit të vendit, ndërroi jetë”.

Këto pak gjëra mbaj mend nga biseda që bëmë me Profesor Spiro Çipin.

Mbi bazën e dëshmisë së tij dhe shokëve të tjerë, Presidiumi i Kuvendit Popullor e shpalli “Dëshmor të Atdheut”. Gjithashtu, pas vendosjes së sistemit demokratik, në shtator 1993, Shoqata e Veteranëve të L.N.C, me Vendimin nr. 1577, e rikonfirmoi Vangjel Viton, “Dëshmor të Atdheut”. Me gjakun e Vangjelit dhe 28 mijë djemve dhe vajzave të Shqipërisë, jo vetëm vulosën çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë por edhe nënshkruan pavdekësinë e tyre në altarin e martirëve të atdheut. Ata do të meritojnë kurdoherë respektin e brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë, si shembull i gjallë vetmohimi.

Jo rastësisht i shkrova këto rradhë. Eshtrat e Vangjelit ndodhen akoma në varrezat e Sharrës, dhe jo në vendin që e meriton, bashkë me shokët e tij, në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Kjo ndodh se politika infantile shqiptare po luan lojën e kungulleshkave, është bërë gazi i botës. Po kalojnë 25 vjet dhe ajo nuk po e zgjidh “enigmën” se ëhtë data e çlirimit të Shqipërisë, kur kjo është e sqaruar plotësisht me fakte dhe dokumente madje dhe me ato që janë nxjerrë nga arkivat e pushtuesve. Krahas kësaj maskarade kanë ndodhur edhe gjëra më të turpshme dhe më skandaloze. Në shumë raste, në këto kohë të turbullta tranzicioni, pinjollë të bashkëpunëtorëve nazifashistë dëmtuan dhe shkatërruan varret dhe bustet e mjaft dëshmorëve, hoqën pllakat përkujtimore të ngjarjeve të luftës, prishën lapidarë të brigadave partizane, përdhosën monumente të herojve të popullit.

Vite më parë vinte shpesh në shtëpinë time, vëllai i Vangjelit, Nasja. Një ditë e gjeta duke biseduar me tim atë dhe i thoshte që kish qenë te Qirjako Haritua dhe i kish kërkuar të interesohej për të sistemuar varrin e të vëllai. Ndërhyra unë duke i thënë: A e di ti që vëllain e tij Xha Qirjakua e ka pa varr? Harito Hariton e masakruan xhelatët e Xhaferr Devës dhe nuk u morr vesh se ku e hodhën. Por ai nuk ra dakort me mua. U largua nga kjo jetë me merak. Për varrin e Vangjelit, pranë të cilit janë vendosur nëna dhe babai, që e rritën me shumë mundime, vëllai dhe motra e vogël, deri kohët e fundit interesohej motra tjetër, Varvara. Ajo shkonte shpesh herë, i pastronte, mbillte ndonjë lule. Tani ajo u moshua, është në hallet e veta. Shkurt ka zënë qoshenë. Nipi që sipas zakonit, i vunë emrin e xhaxhait dëshmor, ka ikur në Amerikë me gjithë fëmijët, se fituan llotarinë. Kur erdhi para katër vjetësh, bashkë me dy vëllezërit e tij më pyetën: Po tani që duhet mik për të gjetur një varr, si do bëhet halli i varrit të xhaxhait tonë dëshmor? Më zunë ngushtë. Nuk dija si t’u përgjigjesha.

 

Piro Vito December 17, 2015 09:30
Komento

2 Komente

  1. XUME PROTOPAPA December 17, 10:17

    ME CILET DO MERRESH O VITO

    me keta zgerlaqet vllaho-boshnjake? Ata qe dhane jeten per çlirimin e atdheut ishin e do mbeten gjithnje ne zemrat e shqiptareve te ndershem.

    Sepse, Edi Rama nuk ka kohe te mirret me eshtrat e heronjve te luftes, i duhen ata te kermave qe tradhetuan kete vend dje duke u bere nje me nazi-fashistet e sot per ti sheqerosur spurdhjaket e tyre qe kane zbythur te prapmet me deshiren e perjeteshme per ta dhjere kete vend.

    Reply to this comment
  2. .....m i r... December 17, 12:42

    ok…….xume respecte.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*