Historia e një dështimi ushtarak (II)

March 13, 2019 09:38

Historia e një dështimi ushtarak (II)

Marenglen KASMI

Mbi krijimin e divizioni-SS “Skanderbeg” (Kliko KETU për të lexuar Pj. I)

Kalimi i Turqisë në anën e aleatëve, pavarësisht se shqiptarët e Kosovës dëgjonin shumë Radio Ankaranë dhe si në Prizren ashtu edhe në Prishtinë flitej në masë gjuha turke, nuk pati ndonjë ndikim të madh te shqiptarët. Përkundrazi, ndikim të madh te kosovarët pati kapitullimi i Rumanisë e më pas i Bullgarisë, ç’ka u ndie më tepër në propagandën që kryhej kundër divizionit. Parullat që hidheshin ishin “Tërheqje në kohë nga bashkëpunimi me gjermanët” dhe “Jo luftë shqiptari kundër shqiptarit”!

Shqiptarët kishin përjetuar fundin e Luftës së Parë Botërore, rënien e shpejtë të Jugosllavisë ndaj sulmit gjerman, si dhe dështimin e Italisë në luftë. Gjithashtu, ata shikonin edhe tërheqjen  e afërt të gjermanëve nga Ballkani. Në këtë pikëpamje, ata qëndronin gati që, në rastin më të parë, pasi të dallonin shenjat e dobësimit të ushtrisë gjermane, të hidheshin në sulm për të përmirësuar armatimet dhe municionet e tyre, siç kishin bërë edhe në rastin e rrëzimit të Jugosllavisë dhe kapitullimit të Italisë. Në këtë kuadër, duhet vlerësuar edhe një sulm i organizuar i rreth 1500 partizanëve kosovarë, më 11 shtator 1944, në Gjakovë. Forcat gjermane arritën ta thyejnë sulmin dhe të organizojnë një kundërsulm në rrethinat e Gjakovës. Në këtë betejë, si pasojë e mungesës së forcave, shtabi i divizionit SS “Skanderbeg” luftoi si forcë e rregullt, gjë që ishte tepër vendimtare për fatin e kësaj beteje. Sipas burimeve gjermane, në këto luftime u vranë 10 ushtarë gjermane. Nga pala tjetër humbën jetën 104 partizanë kosovarë.

Nacionalistët kosovarë shpresonin që gjermanët do të zëvendësoheshin nga anglezët, para se komunistët të merrnin në dorë drejtimin e Shqipërisë. Pra, ardhja në pushtet e komunistëve do të thoshte për shqiptarët e Kosovës vazhdim i terrorit dhe sundimit serb, sepse komunizimi shihej nga popullsia në Kosovë si një formë e pansllavizmit dhe rrjedhimisht, kjo rrymë urrehej në mënyrë instiktive. Nga ana tjetër, bandat nacionaliste, sidomos në lindje të rajonit, fituan forcë morale, sepse në këto troje ekzistonte një nevojë e fortë për të organizuar mbrojtjen ndaj pretendimeve territoriale bullgare. Kësisoj, gjermanët, ndonëse pushtues, siguronin qoftë edhe përkohësisht mbajtjen larg të Serbisë nga Kosova dhe ndoshta pas tërheqjes së gjermanëve, do të ishin anglezët ata që do të ndërhynin në Shqipëri.

Për gjermanët paraqitej e rrezikshme edhe parulla “jo luftë shqiptari kundër shqiptarit”. Kjo parullë pengonte deri diku luftën ndaj komunistëve. Parë në këtë këndvështrim, propaganda gjermane arrinte një farë suksesi si pasojë e qëndrimit të partizanëve, të cilët luftonin me të njëjtën intensitet si gjermanët ashtu edhe grupimet kundërshtare nacionaliste që bashkëpunonin me gjermanët. Kjo gjë mundësoi bashkimin e tyre në luftë kundër komunistëve por njëkohësisht, i lidhte ata gjithmonë e më tepër me pushtuesit gjermanë.

Në pikëpamje të sigurisë, largimi i forcave bullgare nga Maqedonia pas kapitullimit të Bullgarisë, bëri të mundur zgjerimin e kufijve të Shqipërisë deri në vijën Shkup-Kumanovë-Preshevë-Bujanovc. Sigurisht që, ky zhvillim ishte me interes për gjermanët. Parë thjesht nga pikëpamja gjeografike, ishte fituar një territor i cili ishte tepër i përshtatshëm për të organizuar mbrojtjen në rast të një sulmi nga Lindja. Po ashtu, bandat nacionaliste që vepronin në këto troje bënin një qëndresë të madhe kundër partizanëve. Duke pasur parasysh urrejtjen e madhe të shqiptarëve të këtyre trojeve ndaj bullgarëve, gjermanët mendonin se shqiptarët do të mbroheshin ne vendosmëri nëse do të ishte e nevojshme.

Kriza politiko-ushtarake që mbizotëronte në Ballkan u pasua nga dezertime të mëdha në Divizionin “Skanderbeg”. Ky fenomen u kurorëzua nga dezertimi i thuajse gjithë regjimentit të këmbësorisë malore-SS 1, i cili operonte në Tetovë dhe Gostivar. Dezertuesit merrnin me vete edhe gjithë armatimin dhe pajimet personale.

Mos besueshmëria e gjermanëve ndaj shqiptarëve u shfaq më tepër në Tetovë, ku dezertimi i ushtarëve shqiptarë u shoqërua edhe me parulla armiqësore ndaj Gjermanisë. Kjo gjë ishte tepër e rëndë për gjermanët. Sipas tyre, shqiptarët e rekrutuar në Tetovë u trajtuan nga eprorët e tyre në veçanti më mirë se gjithë pjesa tjetër e Divizionit.

Deri më 1 Tetor 1944, numri i dezertorëve shqiptare nga radhët e divizionit-SS “Skanderbeg” arriti në 3425 vetë. Ndërkaq ndodhte që rojet, duke shkuar për të marrë shërbimin, largoheshin pa lënë asnjë gjurmë. Nga një lokal roje i vendosur në një urë, u larguan në mënyrë të organizuar 10 shqiptarë, duke braktisur të dy vendrojat e vendosura për ruajtjen e saj. Gjithashtu, 30 ushtarë shqiptarë që ndiqnin një kurs për instruktorë hipizmi, dezertuan dhe u larguan në mënyrë të organizuar. Një togë zbulimi, duke përfituar nga mungesa e efektivit gjerman në togë, u zhduk pa gjurmë e nuk u kthye më. Në Divizionin “Handschar” (Handshar – hushta) dezertoi i gjithë batalioni shqiptar i inkuadruar në këtë divizion, me një forcë luftarake prej 697 burrash.

Kësisoj, më 1 tetor 1944, në divizionin-SS “Skanderbeg” ishin ende të inkuadruar rreth 3994 shqiptarë.

Vlerësuar në pikëpamje ushtarake dhe organizative, urdhri për krijimin e këtij Divizioni ishte bazuar mbi kërkesa të gabuara. Shqiptarët nuk kishin qenë asnjëherë pjesë e një ushtrie të organizuar sipas perceptimit gjerman për një forcë të rregullt ushtarake. Njësitë shqiptare të deriatëhershme, përfshirë edhe milicinë shqiptare të krijuar gjatë pushtimit italian, paraqisnin vetëm në dukje një krijesë ushtarake. Atyre u mungonte çdo strukturë e brendshme solide ushtarake. Mangësia e parë kryesore e këtyre trupave ishte mungesa e disiplinës, të cilën ushtarakët italianët jo vetëm që nuk u munduan ta përmirësojnë, por përkundrazi e kultivuan më tej atë.

Komandanti i divizionit, gjenerali Schmidthuber, shprehet në një raport pë veprimtarinë e këtij divizioni si më poshtë, përsa i përket disiplinës së ushtarëve shqiptarë: “Disiplinë do të thotë për shqiptarin një kufizim i lirisë së tij (…). Ai jeton në natyrë dhe bën atë që do. Shqiptari ka kohë. Ai nuk dëshiron të luftojë në formacion ushtarak, por në bandën e tij. Në bandë nuk ka disiplinë ligjore. Nëse bie shi, shqiptari largohet nga vendroja; nëse bie nata, ai po ashtu largohet nga pozicioni i tij fushor dhe shkon në fshat të pijë raki. Nëse ishte 12 ditë në terren, ai largohet 4-5 ditë për të shkuar në shtëpi pa e pyetur kryetarin e tij të bandës dhe pastaj kthehet përsëri, ose nuk kthehet fare.”    

Si pasojë e këtyre mangësive të theksuara, gjermanët u ndodhën para problemeve të mëdha organizative. Për ta do të kishte qenë më e lehtë për t’i bërë sa më efikase në luftim këto trupa, nëse do të kishin përzgjedhur dhe arsimuar më parë oficerët dhe nënoficerët, e më pas të kishin bërë plotësimin e divizionit me ushtarë. Sigurisht që kjo gjë ishte e pamundur në situatë lufte dhe në nevojë emergjente për trupa të reja, sepse kontingjenti i shqiptarëve që u afruan për rekrutim ishte i dobët dhe i paarsimuar. Kryesisht ata ishin të motivuar më tepër se gjithçka tjetër nga rroga që do të merrnin apo nga ndonjë mundësi tjetër përfitimi. Kjo gjë konstatohet edhe në raportet ushtarake gjermane: “Ai (ushtari shqiptar –M.K) merr pjesë në sulm për aq kohë sa të gjejë diçka për të vjedhur apo bastisur. Nëse ai gjen një dhi, një plug apo një rrotë makine qepjeje, lufta për të ka mbaruar dhe ai në kokë të tij shkon në shtëpi”.

Që në këtë divizion në pjesën më të madhe nuk u inkuadruan përfaqësuesit më të mirë të popullit kosovar është e qartë, por të shikosh te ta vetëm njërën anë të medaljes nuk është e drejtë. Gjenerali Schmidhuber vlerëson në raportin e ti fenomenet e shfaqura te rekrutët shqiptarë, por ai harron, ose nuk arrin ta mendojë si ushtarak i mirëfilltë, e për më tepër i huaj, se këta shqiptarë nuk kishin asnjë motiv të luftonin kundër shqiptarëve të tjerë. Prandaj një pjesë e tyre, siç u theksua edhe më sipër, e shikonte këtë angazhim thjesht si një mundësi përfitimi!

Po kaq problematike konstatohej te ushtarët shqiptarë edhe përkujdesja ndaj uniformës. Madje Schmidhuber-i e krahasonte këtë aspekt të disiplinës te shqiptarët me zezakët e pamësuar me veshje. Ndër të tjera ai shkruante: “Për sa i përket uniformës, personeli arsimues gjendej shpesh para vështirësive të njëjta si me zezakët. Shumica e rekrutëve vishnin për herë të parë këpucë në jetën e tyre. Prandaj ata ndiheshin tepër krenarë dhe nuk i hiqnin ato as natën. Në të kundërt me atë që duhet të bëjnë, ata i heqin këpucët kur marshojnë dhe i varin në qafë. Nëse atij i duhet të arratiset, e harron dashurinë e tij ndaj këpucëve dhe i hedh ato, sepse zbathur është në gjendje të vrapojë më shpejt. Mbajtja e rregullt e uniformës, atje ku arrihet, është një rezultat i jashtëzakonshëm me shqiptarët”.

Formimi i këtij divizioni, padyshim që nuk kaloi pa rënë në sy të partizanëve që operonin në kufirin shqiptaro-maqedonas. Po ashtu dhe gjermanët e dinin se ata nuk do të rrinin duarkryq, për më tepër kur në Kosovë ekzistonte një aktivitet i fuqishëm komunist. Pikërisht në këtë kohë, divizioni ndërmori dy aksione të shpejta, duke kryer arrestimin e 281 hebrenjve dhe të 210 komunistëve. Qetësia e krijuar nga arrestimi i komunistëve dhe korrierëve të tyre u shfrytëzua nga gjermanët për të bërë stërvitjen bazë të rekrutëve shqiptarë.

Gjatë luftimeve që kreu ky divizion kundër partizanëve jugosllavë, ra në sy përgatitja e lartë e partizanëve, si edhe armatimi dhe veshja e tyre. Në misionin e parë luftarak ndaj partizanëve, gjermanët vunë re, se luftonin kundër një trupe, e cila nuk kishte tashmë asgjë të përbashkët me banditët. Përkundrazi, ajo shfaqej si një trupë e mirëfilltë ushtarake, e rregullt, e disiplinuar, e veshur njësoj me uniforma angleze dhe që drejtohej nga oficerë me cilësi të larta ushtarake. Madje, si pasojë e mungesës së pajisjeve drejtuese në divizionin “Skënderbeg”, Schmidhuber pranon, se “trupat e tij kishin ndërruar rolet me banditët”. Gjatë veprimeve luftarake të kryera, divizioni “Skanderbeg” pësoi humbjet e mëposhtme:

166 të humbur, prej tyre 14 gjermanë dhe 152 shqiptarë;

92 të plagosur, prej tyre 20 gjermanë dhe 72 shqiptarë;

56 të vrarë, prej tyre 8 gjermanë dhe 48 shqiptarë;

Si pasojë e dezertimeve në masë dhe nevojës për mbështetje të bandave nacionaliste nga gjermanët, shtabi i Divizionit ndërmori disa masa organizative, duke shkrirë disa njësi dhe duke i riformatuar trupat e divizionit. Nacionalistët shqiptarë ishin tepër të kënaqur, nëse në çetën e tyre kishin të paktën 10 ushtarë gjermanë që luftonin me ta!

Pengimi i trupave anglo-amerikane para lumit Rin, e rriti disi besimin e shqiptarëve te Gjermania, ose të paktën mendohej, se humbja e Gjermanisë nuk do të ishte shumë e thellë. Duke pasur parasysh këtë fakt, por edhe si pasojë e disa sukseseve të vogla që arriti Divizioni dhe pavarësisht nga problemet e shfaqura, në fund të muajit maj 1944, Fitzthum-i i propozonte Himmler-it krijimin e një  Divizioni të dytë – SS në Shqipëri.

Të krijohet përshtypja se kërkesa ishte e iniciuar nga qeveria shqiptare. Madje, Vehbi Frashëri u propozoi gjermanëve marrjen përsipër nga qeveria të një pjese të shpenzimeve që nevojiteshin për krijimin e kësaj force, nëse gjermanët premtonin se ky divizion nuk do të operonte jashtë «Shqipërisë së vjetër». Është e vetëkuptueshme se sa i rëndësishëm ishte për qeverinë shqiptare ky projekt, sidomos tashmë kur mund të parashikohej tërheqja e gjermanëve nga Shqipëria dhe qeveria do të kishte në këtë mënyrë një forcë të armatosur në dispozicion, pavarësisht formatit të saj jo të plotë.

Divizioni “Skanderbeg” veproi kryesisht në rajonin kufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai po ashtu mori pjesë në disa operacione kundër partizanëve. Synimi i operacionit «Endlich» (Më në fund) ishte asgjësimi i forcave partizane në rajonin e Gjakovës. Gjatë këtij operacioni u shkatërrua një fushë aviacioni, e cila përdorej nga aleatët anglo-amerikanë për të furnizuar partizanët vendas. Në datat 11-27 qershor 1944, një batalion i përforcuar i divizionit “Skanderbeg” mori pjesë në operacionin “Falkenauge” (Syri i skifterit). Në nëntor 1944, divizioni, tashmë i riformatuar në grupregjimentin “Skanderbeg” u transferua nga Prishtina në rajonin e Krajlevos. Më vonë, ai do të rigrupohej përsëri, por tashmë nën komandën e divizionit të 7-të malor SS “Prinz Eugen”.

***

Përfundimisht vlen të theksohet se, krijimi i divizionit SS “Skanderbeg” nuk përbënte ndonjë rast të veçantë apo tipar dallues të marrëdhënieve pushtuese, politike dhe ushtarake ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë. Kjo për shkak se gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, Gjermania rekrutoi nën Armën-SS shumë ushtarë apo njësi e reparte të tjera nga shtete të huaja në tërë hapësirën e paanë të pushtimit dhe jo vetëm në Ballkan por thuajse në gjithë vendet që ajo pushtoi. Në këtë kuadër, edhe në Ballkan u rekrutuan forca të tilla, si në Shqipëri, Bosnje, Kroaci, Bullgari etj.

Krijimi i divizionit “Skanderbeg” i shërbente më së shumti gjermanëve, por edhe qeverive kolaboracioniste shqiptare. Gjermanët i përdorën forcat e divizionit shqiptar në territore të largëta për qeverinë e Tiranës, kryesisht në Kosovë, dhe ata nuk mundën thuajse asnjëherë ti shërbenin vërtet drejtpërdrejt qeverisë së Tiranës brenda Shqipërisë shtetërore.

Kjo gjë tregon qartë, se këto forca më tepër duhej t’u shërbenin gjermanëve, sesa qëllimit të propaganduar gjatë procesit të rekrutimit.

Sipas propagandës gjermane, qeveria shqiptare do të kishte një Forcë të Armatosur, e cila do të luftonte kundër komunistëve dhe rrjedhimisht do të pengonte ardhjen  e tyre në pushtet pas largimit të gjermanëve nga Shqipëria. Siç u tha më sipër, komunizmi lidhej në Kosovë me «Pansllavizimin», gjë e cila e favorizonte krijimin e këtij divizioni. Kjo propagandë pati rezultat te shtresat e varfra dhe të paarsimuara të vendit, të cilët duke e besuar atë ç’ka thuhej u paraqitën pranë zyrave të rekrutimit. Po ashtu, pati edhe të tjerë, të cilët pranuan të veshin uniformën SS të shtyrë vetëm nga nevoja ekonomike. Gjermanët arritën të krijonin te kjo shtresë besimin, se vetëm nën kujdesin e tyre mund të sigurohej “Shqipëria e Madhe” dhe Kosova të shpëtonte përfundimisht nga sundimi serb.

Historiografia e huaj, përfshirë edhe atë serbe, e akuzon këtë divizion për kryerje të masakrave të mëdha ndaj popullsisë serbe në Kosovë. Shifrat e dhëna për viktimat janë të diskutueshme. Këto veprime të ndërmarra, të cilat në raste të caktuara dhe siç ndodh shpesh në luftë, morën edhe ngjyrime kriminale, bazoheshin në urrejtjen e akumuluar dhe vuajtjet ndër shekullore të shqiptarëve nga vrasjet, plaçkitjet dhe politika shkombëtarizuese serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë!

Pikërisht kjo urrejtje u përdor dhe shfrytëzua mjeshtërisht nga politika gjermane në trevat shqiptare, këndej dhe andej kufirit. Neubacher me të drejtë ishte shprehur që në fillim të pushtimit se në Kosovë ata do të gjenin përkrahjen më të madhe. Edhe pasi gjermanët ishin larguar nga Shqipëria, ata vazhdonin të kishin në Kosovë mbështetjen e popullsisë, pjesa më e madhe e së cilës luftonte me fanatizëm kundër ardhjes në pushtet të komunistëve, sidomos të atyre sllavë. Përvoja historike do të tregonte se ata kishin të drejtë. Pas fitores së Titos dhe vendosjes së regjimit komunist në Jugosllavi, Kosovës jo vetëm që nuk ju dha e drejta e premtuar e vetëvendosjes, por populli shqiptar do të vuante edhe për disa dhjetëvjeçarë të tjerë. Së pari në vitet 1998-1999, populli shqiptar i Kosovës edhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, do ta hidhte përfundimisht tej sundimin serb.

 

March 13, 2019 09:38
Komento

4 Komente

  1. demo March 13, 12:54

    Ku i ke shifrat e civileve serbe te vrare ne Kosove nga batalioni Skanderbeg?
    Shko lexo Plakun e Kosoves Shaban Polluzha qe te marresh shifra te sakta te ushtarakeve,paramilitareve serbo-malazes te vrare ne perpjekje me forcat e mbrojtjes Kosoves gjate viteve 1943-44.
    Shkrimi i Maranglen Kasmit eshte NJE AVOKATURE PER KRIMET SERBE NE KOSOVE GJATE DHE PAS LUFTES,NJE JUSTIFIKIM I MASAKRAVE TE DRENICES DHE TIVARIT.
    Kete avokature te krimeve te reparteve terroriste serbo-shqiptare pas largimit te ushtrise gjermane,autori e justifikon me egzistencen e batalionit SS Skanderbeg,..
    Perserit cpifjet serbe per gjoja krime te ketij batalioni kunder popullates serbe qe jetonte ne Kosove.
    Perkundrazi,jane te njohur mjaft raste kur popullata shqiptare ka mbrojtur fqinjet serbe te vendosur si kolone gjate mbreterise Jugosllave.
    Pas vitit 1990,nuk e imagjinoja qe mitra e bushtrave serbe ne Tirane,do te pillte perseri mar-engl-ene..
    Bushtra serbe qe polli esad pashen, enver hoxhen,sali berishen,nuk eshte shterpezuar akoma.

    Reply to this comment
  2. I tille je , sa here qe hap gojen March 13, 13:10

    Ku je , more intelo haleja , apo ke rene vone mbreme , se kishe shume komente , apo me sakte lehje per te bere ?! Do te ta qaja hallin , ne se do te kishe ndonje fjalor te pasur e mendje pjellore , por ti je vertet nje gomar , qe ne cdo koment perserit te njejtin refren , ae e ke koken jo me tru , por me bajga ! Puna e vetme qe ti di te besh , eshte spiunlleku ne dem te ketij vendi e populli , ndaj te urrejne shqiptaret si nje qen te terbuar !

    Reply to this comment
  3. PSE ? March 13, 14:23

    ” Mire ” me divizionin “SS” , ne kohen e luftes se dyte dhe per vete rrethanat historike , po mbyllim nje sy , po ne vitin 1998 , me grushtin e shtetit qe organizoi Serbia me duart e agjentit te saj besnik Sali Karazhicit , cfar mutin donte spiuni tjeter serb Bujare Bukoshi , me regjimentin e Farkes qe iu versul kryeministrise ne Tirane dhe e kthyen gati ne germadha . Ku regjiment u krijua nen kujdesin e qeverise sdhqiptare , me instruktoret , armatimin e pajiosjet e nevojeshme nga vete qeveria shqiptare , si e prene ne bese aq turpshem vellezerit tane kosovare ?! Thuajse mbartoi me kaq …. nuk i dihet se cfar kurdiset ende nga kellira serbe e Vicidolit … !

    Reply to this comment
  4. Fidel Kastro March 14, 20:49

    Komentoni si tju vi per mbare , por nje gje eshte e sigurte, komunizmi i ka shkaktuar mjaft vuajtje popullit tone. KOMUNIZMI NJE IDEOLLOGJI SHKATERRUESE PER KOMBIN SHQIPTAR, NJE IDEOLLOGJI NE INTERES SE FQINJEVE TANE NGA TRE ANET E KUFIRIT TOKESOR!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

MENDONI SE PËR TË ZGJIDHUR KRIZËN POLITIKE DUHET NJË MARRËVESHJE E RE RAMA-BASHA?