Historia e një dështimi ushtarak

March 12, 2019 11:07

Historia e një dështimi ushtarak

Marenglen KASMI

Mbi krijimin e divizioni-SS “Skanderbeg”

Ideja e krijimit të divizionit–SS “Skanderbeg” (21. Waffen-Gebirgs-Division der SS “Skanderbeg” ose Albanische Nr. 1), bazohej në prioritetin e qeverisë së Rexhep Mitrovicës (nëntor 1943 – maj 1944) për krijimin e një force ushtarake shqiptare, e cila do të ruante qeverinë, do të luftonte lëvizjen komuniste dhe pa dyshim, do të lehtësonte edhe forcat e Wehrmacht-it gjatë kryerjes së detyrës së tyre luftarake në Shqipëri.

Përgatitjet për krijimin e kësaj force gjermanët dhe qeveria shqiptare i filluan menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë, por puna u ndërpre përkohësisht si pasojë e këmbënguljes së të Dërguarit të Plotfuqishëm të Ministrisë së Jashtme gjermane për Europën Juglindore, Hermann Neubacher, i cili ishte përfaqësuesi më i lartë i politikës gjermane në Ballkan. Neubacher-i, jo vetëm që në fillimet e pushtimit ishte i interesuar për të ruajtur në dukje pavarësinë e Shqipërisë, duke shpresuar kështu në bashkëpunimin e ngushtë të shqiptarëve, por po ashtu ishte në dijeni të kontradiktave dhe përplasjeve të kompetencave që ekzistonin ndërmjet instancave ushtarake gjermane në Shqipëri. Kësisoj, në një letër që Kaltenbrunner (Kaltenbruner), Shefi i Policisë së Berlinit, i dërgonte Neubacher-it më 17 shtator 1943, ndër të tjera shkruante: “Do të jetë me interes për ty të dish se, Reichsführer-i SS (Himmler – M.K), bazuar në propozimin tim, ka urdhëruar në mënyrë kategorike ndërprerjen e çdo rekrutimi vullnetarësh për njësitë e Armës – SS në Shqipëri […].”

Në fillim të vitit 1944, pasi u pa qartë se qeveria shqiptare dështoi në ngritjen e katër regjimenteve të xhandarmërisë, trupa që për gjermanët dhe qeverinë shqiptare tashmë ishin tepër të nevojshme në luftën kundër partizanëve, Hitleri miratoi krijimin e divizionit – SS “Skanderbeg”.

Brigadenführer-i Fitzthum, (Brigadenfyrer, Gjeneralbrigade i Forcave – SS) i cili në literaturën shqiptare të para viteve ’90 shpesh paraqitet si prototipi i nazifashistit, simboli i së keqes dhe thuajse sinonimi i figurës së Drakulës në filmat horror të Europës Perëndimore, ishte pikërisht ai që u ngarkua me  ngritjen e kësaj force ushtarake. Një person tjetër kyç për ngritjen e këtij divizioni ishte edhe Ministri i Brendshëm shqiptar, Xhaferr Deva. Madje, ai ishte aq i rëndësishëm në planet e gjermanëve, saqë funksioni i tij si Ministër i Brendshëm lidhej drejtpërsëdrejti me suksesin e krijimit të këtij divizioni. Në krizën qeveritare të Qershorit 1944, kur Mehdi Frashëri tentoi të largojë Devën nga qeveria, Fitzthum-i, i raportonte më 28 Korrik 1944 Himmler-it si më poshtë: “Ministri Neubacher ka urdhëruar që Deva duhet të qëndrojë përsëri Ministër i Brendshëm edhe nëse ekziston rreziku që Mehdi Frashëri të japë dorëheqjen”.

Këshillat për kujdesin që duhej të tregohej në mobilizimin e kësaj force, sigurisht që i jepte Neubacher, i cili besonte plotësisht në suksesin ushtarak dhe politik që do të kishte krijimi i këtij divizioni në luftën kundër formacioneve partizane. Sipas tij, ky sukses do të ishte ende më i madh, nëse marshimi i këtyre trupave në qytetet kryesore do të shoqërohej me një propagandë të sofistikuar. Gjatë fazës përgatitore për mobilizimin e këtij divizioni u mendua deri në detaje edhe për uniformën, që duhej të vishnin ushtarët e këtij divizioni. Për këtë arsye, gjatë një takimi të mbajtur më 3 mars 1944, Vehbi Frashëri i propozonte palës gjermane që, një model i propozuar i festes së uniformës, e cila kishte ngjashmëri me festen turke, nuk duhej të miratohej, sepse ajo i kujtonte shqiptarëve sundimin e gjatë osman.

Më tej, Vehbi Frashëri argumentonte se, Shqipëria ishte e ndërtuar mbi bazë kombëtare dhe jo fetare. Kjo gjë vërtetohej edhe nga fakti që, të krishterë dhe myslimanë “gëzojnë të njëjtat të drejta dhe jetojnë si shqiptarë në harmoni njëri me tjetrin. Ndonëse myslimanët në Shqipëri përbëjnë shumicën, të krishterët janë të përfaqësuar në qeveri thuajse në masën 50 për qind.”

Qeveria shqiptare mori përsipër nxjerrjen e një urdhri, sipas së cilit në Kosovë do të kryhej rekrutimi i burrave të lindur në vitet 1920-1924. Po ashtu, shqiptarët e Kosovës që ishin të burgosur duhej të liroheshin dhe të integroheshin në divizionin e ri. Myslimanët shqiptarë që ishin inkuadruar në divizionin-SS me numër 13 të vullnetarëve (divizion me myslimanë boshnjakë – M.K.), duhet të krijonin bazën e divizionit të ardhshëm SS shqiptar.

Foto e procesit të rekrutimit për divizionin SS “Skandebeg” në Kosovë.
Në sfond portreti i Hitlerit përkrah Skënderbeut në kalë.

Për rekrutimin e shqiptarëve ishte e interesuar edhe “Lidhja e Dytë e Prizrenit”. Për këtë gjë, Kryetari i Lidhjes, Bedri Pejani, i cili më vonë do të zëvendësohej nga Xhaferr Deva, i shkroi më 29 Mars 1944 një letër Hitlerit, ku ndër të tjera i kërkonte armatim për 120.000 – 150.000 vullnetarë shqiptarë për të luftuar kundër partizanëve serbë dhe malazezë. Po ashtu, Pejani i kërkonte Hitlerit militarizimin e Kosovës nën drejtimin gjerman, sepse ai besonte se ky proces militarizimi, i kombinuar me luftën e shqiptarëve të armatosur me armë gjermane kundër partizanëve serbo-malazezë, ishte një garanci për Kosovën ndaj rrezikut shekullor serb. Ndër të tjera, Pejani i shkruante Hitlerit si më poshtë: “[…] Militarizimi (i Kosovës – M-K) ka për qëllim krijimin e një ushtrie vullnetarësh prej 120.000 – 150.000 luftëtarësh, të cilët janë të aftë të luftojnë gjatë gjithë luftës kundër partizanëve serbo-malazezë dhe të mbrojnë çështjen kombëtare të shqiptarëve në çdo situatë të vështirë dhe të rrezikshme që mund të krijohet pas lufte nëse plotësohen kushte te mëposhtme: 1. Sigurohet (nga gjermanët – M.K) një armatim modern dhe pajisje të tjera moderne ushtarake te respektueshme. 2) Emërohet një numër oficerësh dhe nënoficerësh (gjermanë –M.K) si organizatorë, instruktorë dhe komandantë për gjithë njësitë e kësaj ushtrie dhe 3) Për arsye strategjike, të bëhet ratifikimi i kufirit aktual me Malin e Zi dhe Serbinë.” Siç lexohet, ndër të tjera Pejani i kërkonte Hitlerit që Gjermania të anulonte njohjen e kufijve të vitit 1941 sipas marrëveshjes italo-gjermane.  

Gjithsesi, ky qëndrim separatist i Pejanit ndaj qeverisë së Tiranës nuk përkonte me planet gjermane. Kësisoj, më 9 maj 1944, Hermann Neubacher i udhëzonte vartësit e tij si më poshtë: “[…] Unë e kam konsideruar si jo serioze këtë letër dhe kam tërhequr vëmendjen se, Bedri Pejani nuk është në gjendje mendore normale. Dhënia e armëve tona një Lidhjeje të tillë nuk mund të merret prej nesh asnjëherë në konsideratë, sepse këto armë do të zhdukeshin në mënyrë të pakontrolluar në male. Unë e kam lutur njëherë Mehdi Bej Frashërin në mënyrë telegrafike nga Berlini, nëpërmjet djalit të tij Vehbi Frashërit, që ta largojë Bedri Pejanin nga skena politike dhe, po ashtu ju lutem edhe ju që, për këtë gjë të ushtroni në çdo rast ndikimin tuaj. Unë e konsideroj Bedri Pejanin të aftë në atë çmendurinë e tij, vetëm për të organizuar kundër serbëve të Kosovës një «Natë Shën Bartolomeu» ose si një Skënderbe i dytë të kalojë kufirin në krye të një dyzine të armatosur njerëzish […]”

Edhe komandanti i divizionit “Skanderbeg”, gjenerali Schmidthuber [Shmidhuber] shkruante në raportin e tij përfundimtar për aktivitetin e divizionit shqiptar në lidhje me këtë kërkesë si më poshtë: “Premtimet e Presidentit të atëhershëm të Komitetit Kombëtar Shqiptar të Prizrenit, Bedri Pejani, të cilat i ka bërë me shkrim edhe në një letër të drejtuar Reichsführer-it SS (Himler – M.K.), nuk ishin asgjë tjetër sesa premtimet e mëdha të zakonshme të shqiptarëve. […] Ngritja e Divizionit në këtë shifër të planëzuar, do të ishte ndoshta e mundur, vetëm nëse komandanti i Divizionit do të kishte ardhur me një thes me flori dhe do t’ua kishte shpërndarë bejlerëve më të rëndësishëm. Kështu ai do të kishte mundur të siguronte rekrutë, të cilët do të detyroheshin nga këta të fundit. Kush dëshiron të krijojë miqësi në Shqipëri, pyetet fillimisht: Sa flori do të më japësh? Ironia qëndron në faktin, që njerëz të caktuar kërkonin të bënin biznes me krijimin e Divizionit”. 

Siç shihet, Schmidhuber-i e përgënjeshtron impenjimin e Lidhjes së Prizrenit dhe të Kryetarëve të Bashkive për të organizuar rekrutimin. Kjo gjë nuk përkon krejtësisht me realitetin.

Në një shkresë që Komiteti Qendror i Lidhjes së II-të të Prizrenit i dërgonte qeverisë së Tiranës më 30 mars 1944, Komiteti shkruante se ai nuk ishte dakord me fillimin e procedurave për mobilizimin vullnetar të shqiptarëve në një divizion SS, por sipas tyre më premtues ishte nëse ndiqej “procedura e nji rekrutimit të rregullshëm ligjuer”. Komiteti vendosi njëzëri që fjala vullnetar të mos përdorej dhe rekrutimi të kryhej nga zyrat shqiptare të rekrutimit, sipas së njëjtës praktikë që ishte formuar një viti më parë regjimenti “Kosova”. “Nji rekrutim vullnetarësh për nji divizion mund të na japi nji divizion ku ka mundësi të marri pjesë nji element që quhet në Kosovë “i hunit e i konopit (litarit), kurse në të do të përmblidhet ajka e elementit serioz të Kosovës nga pikë-vështrimi moral e fyzik në qoftë se zbatohen ligjet e shërbimit të detyrueshëm” argumente më tej Komiteti Qendror i Lidhjes.

Sipas një dëshmie të Bedri Pejanit dhënë për çështjen në fjalë, Prefekti i Prizrenit, Shaqir Curri, e kishte njoftuar për marrjen e një urdhri sekret nga Ministria e Brendshme Shqiptare, sipas të cilit në Kosovë duhej të formohej një divizion SS. Në këtë divizion, gjermanët do të mobilizonin  të rinj shqiptarë dhe prefekturat duhej t’u jepnin gjermanëve gjithë ndihmën e nevojshme. Pra, këto trupa duhej të rekrutoheshin nën regjinë e gjermanëve, ndërsa «veglave muzikore» duhej t’u  binin shqiptarët. Në fakt, ky ishte plani fillestar i gjermanëve dhe Pejani thotë vetëm gjysmën e së vërtetës në dëshminë e tij. Në mbledhjen e datës 30 mars 1944, është vetë Bedri Pejani i cili, në krye të Komitetit Qendror të Lidhjes e tejkalon kërkesën e gjermanëve, duke e vendosur Lidhjen në krye të mobilizimit të ushtarëve për këtë divizion SS – duke e shndërruar kësisoj ngritjen e këtij divizioni SS në një vepër njëqindpërqind shqiptare: “Systemi i organizimit ushtarak i kohës së BAbunës, dhe aj ish i rrëgjimit Italo-Shqiptar duhet të marri fund nji herë e mirë bashkë me ngjyrat e tij mercenare për t’ia lëshue vendin definitivisht systemit modernë dhe patriotik mbasi neve nuk ikemi aspak konditat e shkëlqyeshme të djalëris Gjermane” argumentonte Pejani më tej.  (Shiko: AQSH, F.147, v.1944, D I-165, fl. 16).

Duke ju referuar statistikave ushtarake gjermane të kohës, në radhët e divizionit – SS, deri më 25.09.1944 u paraqitën për rekrutim 11.398 shqiptarë, nga të cilët u konsideruan të aftë 9.275 burra. Prej tyre u inkuadruan në divizion vetëm 6.491 shqiptarë. Rekrutimet u bënë në zonat e Kosovës, Maqedonisë dhe Mitrovicës. Ekzistojnë disa të dhëna, pavarësisht se qeveria shqiptare nuk i konfirmonte, ku dëshmohet se, në këtë divizion janë rekrutuar edhe shqiptarë nga Shqipëria, ndonëse numri i tyre ishte i vogël. Madje, stërvitja e tyre nga gjermanët bëhej në Krujë, siç rezulton nga fotoja e mëposhtme e shkrepur më 23 maj 1944, zbuluar së fundmi në Arkivin Qendror të Shtetit.

Vijon numrin e ardhshëm….

March 12, 2019 11:07

Sondazh

MENDONI SE PËR TË ZGJIDHUR KRIZËN POLITIKE DUHET NJË MARRËVESHJE E RE RAMA-BASHA?