“Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka”

May 6, 2018 10:47

“Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka”

 

Libri më i ri i Ylli Polovinës i dobishëm për polemikën partizanë-ballistë

Zylyftar Hoxha

Pas jo më shumë dy muaj nga botimi i librit “Populli ndryshe”, studiuesi, shkrimtari dhe publicisti Ylli Polovina vjen këto ditë me një libër tjetër të ri, të titulluar “Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka”. Si dhe më i përparmi, edhe ky i fundit, është botuar nga shtëpia botuese “Botart” dhe ndodhet i  shpërndarë po prej saj në distributorët dhe libraritë më kryesore të kryeqytetit.

Libri ka në qendër të tij një familje të njohur shqiptare që e ka lidhur fatin e saj me atë të atdheut të vetë, por që bash për këtë, është e destinuar të kalojë një kalvar të gjatë dhe të mundimshëm deri në diferencim ideologjik.

Libri ka një mesazh të qartë dhe aktual, pasi nëpërmjet një teme historike, përshkrimit bukur, saktë dhe me dokumente të pakundërshtueshme të një kohe të shkuar, mes rreshtave lexohet dhe nënkuptohet e sotmja.

Vërtet është histori, dramë, tragjedi, kalvar i një familjeje të vetme, si ajo e Butkajve të Kolonjës, por nëpërmjet të kësaj sage të dhimbshme, kalon e tërë historia e Shqipërisë, siç e thotë edhe vetë titulli i librit. Është një paralele  historike, zgjatimet dhe reminishencat e së cilës, fatkeqësisht, i gjejmë në çdo familje shqiptare, sa herë që në to ka futur hundët politika.

Lexuesi i thjeshtë, duke lexuar këtë libër, nuk e ka të vështirë të shikojë se si mbi fatkeqësitë e këtyre familjeve atdhetare janë ngritur dhe fuqizuar pushtete.

E shkruar apo e nënkuptuar, nëpërmjet një arsyetimi dhe krahasimi të thjeshtë logjik, në librin e Polovinës, në një farë mënyre, shumë familje shqiptare do të gjejnë veten. Ndarjet ekstreme brenda tyre janë një “përvojë” e hidhur e vjetër dhe e re që reflekton dukshëm në të gjithë shoqërinë shqiptare, të ndarë, të përçarë, pse jo edhe të egër.

Si redaktor i këtij libri, por edhe i disa librave të tjerë të Yllit, pra, si njohës i mirë i tij, më duhet të them një të vërtetë: që, pa nënvleftësuar asgjë nga krijimtaria e Yllit e shpërndarë në gjini të ndryshme letraro-publicistike (28 libra, katër në gjuhë të huaj), të cilat, në përgjithësi, janë unikale dhe korrekte në stil dhe në përmbajtje, libri i fundit, “Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka” është e një gjetje e re e tij. Ai i ngjan një romani të vërtet artistik po ashtu edhe një bestselleri historik, që me ngjarjet, ndërthurjet intriguese, lehtësitë dhe thjeshtësitë e narracionit, nuk të lë ta lëshosh nga dora, por edhe të nxjerrësh mësime, se ka një histori fitimtarësh, por ka edhe një histori humbësish që të çon tek e vërteta historike.

  

“Pranvera” ballisto-komuniste, shtator 1942 – 1943

Një segment i dyshimtë historik që u mbajt fshehur nga historia e shkruar

Mes komunistëve dhe nacionalistëve ka pasur një periudhë të butë të marrëdhënieve të tyre. Kjo ka ndodhur midis dy shtatorëve 1942-1943*).

Për një gjysmë njëqindvjeçari kjo stinë raportesh të hapura mes njëri-tjetrit është shfarosur prej historishkrimit zyrtar të diktaturës. Vrima e errët e krijuar në kujtesën tonë kombëtare u bë trashëgimi edhe më e thellë dhe më e zezë, kur u vu re se edhe në çerek shekullin pluralist inercia e ambientimit me këtë gropë vazhdon pa shkaktuar ndonjë shqetësim të posaçëm.

Tek “Historia e Shqipërisë”, vëllimi i tretë, 1984, vihet në dukje se “Balli Kombëtar përfaqësonte interesat e borgjezisë reaksionare shqiptare” dhe se “Në të merrnin pjesë çifligarë e tregtarë të mëdhenj, politikanë, aventurierë, intelektualë, borgjezë, kulakë, oficerë e klerikë reaksionarë”. Shihet lehtë që në listën e hartuar si pjesëmarrës të saj, për t’i bërë sa më emërliq, përfshihen edhe kategori sociale që nuk kanë lidhje me kohën e luftës (kulakët i klasifikoi si të tillë vetëm periudha e socializmit). Sepse mund ta kenë dalluar këtë vulgaritet “Fjalori enciklopedik” i një viti më pas e formulon grupin e pjesëmarrësve me fjalët “Në këtë organizatë tradhtare bënin pjesë çifligarë e tregtarë të mëdhenj, klerikë reaksionarë, fshatarë të pasur, intelektualë borgjezë e politikanë të falimentuar të çdo regjimi”.

Vijon më tej “Historia e Shqipërisë”: “Krerët e Ballit Kombëtar u bënë agjentë të fashizmit, por ishin njëkohësisht të gatshëm të viheshin në shërbim të anglo-amerikanëve, në rast se Gjermania dhe Italia e humbnin luftën”. Në një çast tjetër autorët e librit akademik të kohës së diktaturës shprehen se “Për t’ia arritur qëllimit ato zgjodhën rrugën e bashkëpunimit të ngushtë me pushtuesit fashistë, ndonëse u përpoqën t’i mbulonin këto lidhje”. “Fjalori enciklopedik” i vitit 1985 këtë gjendje mbulimi të veprimeve të BK që nga ditëthemelimi i tij deri në ardhjen e gjermanëve, çfarë përkon me pranverën marrëveshëse mes dy shtatorëve, e emërton si sjellje të kryer me maskë në fytyrë.

Në janar 1943 ka një letër të Partisë Komuniste të Shqipërisë për Komitetin Qarkor të Korçës. Atje thuhet se “Partia jonë, pra, ka çuar shokë dhe u ka dhënë kompetencë të bisedojnë e të vendosin me Ballin. Shokët kanë rënë në kontakt si me të dërguarit e tyre, si individualisht. Të mos harrojmë se atje ka mjaft elementë të mirë e të vendosur, që duan me të vërtetë bashkim e luftë”. Më pas: “Tani kontaktet zyrtare janë në vazhdim dhe brenda 15-20 ditëve duhet të marrin formë të prerë”.

Këtë letër me përmbajtje direktive e ka firmosur me pseudonimin Taras vetë Enver Hoxha.

Kjo rrethanë bën të mendosh se Balli Kombëtar me të nisur veprimtarinë e tij nuk ka shkuar nëpër ndonjë zyrë të qeverisë bashkëpunuese me italianët, atë kohë kabineti Mustafa Merlika (Kruja)), as i ka dërguar mesazh afrimi komandës së lartë të pushtimit, por menjëherë është drejtuar tek PKSH, deri ato çaste partia e vetme në vend, e tëra e angazhuar në luftën e rezistencës së armatosur.

Në qarkun e Korçë-Kolonjës përpjekja e parë zyrtare për marrëveshje lokale mes Ballit Kombëtar dhe PKSH-së u krye në 8 shkurt 1943. Prej nacionalistëve në mbledhje u paraqitën Fazlli Frashëri, Stavro Skëndi, Musa Kranja dhe Ibrahim Mborja. Nga Partia Komuniste Shqiptare qenë pjesëmarrës Manol Konomi, Sali Mborja, Taqi Skendi dhe një i katërt, për të cilin kronikat gojore flasin se qe “një rrobaqepës”. Në këtë takim thjesht u bisedua nëse qenë të dy palët të gatshëm ta hidhnin këtë hap, për çfarë ranë të një mendjeje shumë shpejt.

Në 23 shkurt 1943 ka vepruar një letër tjetër e Enver Hoxhës dërguar komitetit partiak vartës të Gjirokastrës. Që në fillim në të njoftohet “Me Ballin Kombëtar u arrit ky përfundim: Partia jonë i parashtroi Ballit Kombëtar pikëpamjet e saj për luftën dhe organizimin e Luftës Nacionalçlirimtare dhe njëkohësisht i sqaroi Konferencën e Pezës dhe platformën politike të shprehur në rezolucionin e saj. Nga ana tjetër i theksoi Ballit se duhej të bëhej një bashkim i vërtetë i të gjithë popullit…” Më poshtë: “…u përfundua kështu, që ne të kemi një lidhje me Ballin. Në çdo qytet do të ketë nga një komision për koordinim aksioni, i përbërë prej një shoku nga tanët dhe një prej atyre. Ky komision ka këtë të drejtë: njëra palë propozon të bëhet një aksion, ku duhet të bashkohen të dyja palët; në qoftë se aksioni pranohet, atëherë veprohet, në rastin e kundërt, pala që e propozoi aksionin e kryen vetë”.

Nga mënyra se si është njoftuar komiteti qarkor i PKSH-së për Gjirokastrën dhe me këtë rast vetë partia në gjymtyrët e saj vartës, marrëveshja e mësipërme patjetër është kryer para 23 shkurtit 1943. Data konkrete mund edhe të jetë një, dy apo edhe tre ditë më përpara, veç nga teksti kuptohet qartë se gjithçka është rezultat bisedimesh të porsambërritura.

Ndërkohë në 17-19 mars u zhvillua në Labinot të Elbasanit Konferenca e Parë e Vendit e PKSH-së. Në këtë ngjarje Enver Hoxha më në fund bëhet shef i partisë. Deri atë çast kishte qenë një hallkë e Komitetit Qendror të Përkohshëm. Ishte ky, KQ, autoriteti kryesor që u përdor që nga themelimi i partisë për plot 16 muaj.

Kjo hapësirë kohe aspak e shkurtër mund të quhet edhe periudha ku mungesa e udhëheqësit të zgjedhur të PKSH-së u përdor duke u mbuluar politikisht prej Miladin Popoviçit.

Është Arkiva e Shtetit që dëshmon se ditën e përfundimit të Konferencës së Parë të Vendit të Partisë Komuniste Shqiptare, më 19 mars 1943, mori formë të shkruar një tekst marrëveshjeje për krahinën e Kolonjës. Në të qenë rreshtuar njëmbëdhjetë pika bashkëpunimi dhe bashkëveprimi mes PKSH-së dhe Ballit Kombëtar. Sipas historianëve që këtë dokument e kanë bërë të ditur vetëm pas rënies së diktaturës, në marrëveshje del krejt e qartë se të dy palët ishin të një mendjeje jo për gjëra anësore, por për vetë thelbin e luftës kundër pushtimit italian dhe ringritjen e një shteti shqiptar të lirë.

Fleta 42 e dosjes 22, viti 1943, e ruajtur në Arkivin e Shtetit, bën fjalë shprehimisht për luftë të përbashkët të çetave nacionaliste dhe partizane për çlirimin e Atdheut nga zgjedha  fashiste.

Po ashtu të dy forcat politike, në emër të një atdheu të nesërm të fortë dhe të drejtë, u shpallnin luftë të hapur spiunëve, vjedhësve dhe çdo elementi tjetër që edhe ato çaste komprometonte qëndresën kundër pushtuesit.

Këto kohë ka edhe një letër të komunistit të njohur Josif Pashko drejtuar Safet Butkës:  “Na kënaq  propozimi juaj për të marrë pjesë në luftën që çetat partizane po zhvillojnë prej dy ditësh kundër armikut. Lutemi, njoftoni sa më parë forcat tuaja, që të lajmërojmë menjëherë shtabin, i cili do të caktojë vendin ku ju mund të vini në ndihmë të luftës që po zhvillojmë”. Po ashtu në fundverë 1943 ekziston një deklaratë e Safet Butkës para misionit anglez: “Unë vetë personalisht kam bërë një marrëveshje në muajin Mars me Nacionalçlirimtaren për bashkëpunim në mes çetave tona kundër okupatorit fashist. Z F. Frashëri ka bërë një marrëveshje për Korçën dhe z Dh. Fallo për Devollin. Ja ku janë zotërinjtë që kanë firmosur, le të flasin vetë, sepse siç keni dëgjuar, ne bëmë dhe një betejë të përbashkët kundër italianëve në Qafë Shtamë”.

Për paktin komunisto-ballist për pesëdhjetë vite nuk u fol asnjë fjalë. Ai nuk u shënua, qoftë edhe me vetëm tre rreshta në asnjë libër shkollor, në çdo botim tjetër po ashtu, përfshi edhe publikime me rreth të kufizuar lexuesish, siç qenë ato të llojit akademik.

Por megjithatë gjen gjurmë të shpëtuara prej kësaj censure në vetë vëllimin e parë të historisë së Luftës Nacionalçlirimtare të vitit 1984, në faqen 486 të kapitullit “Lufta politike për demaskimin e “Ballit Kombëtar”. Këtu pohohet se “I vetmi propozim që pranoi udhëheqja balliste ishte krijimi i “komisioneve të koordinimit të aksioneve luftarake”. Këto komisione u krijuan në shkurt 1943 në qytete dhe në qarqe. Secili prej tyre përbëhej prej dy vetash, një i Partisë Komuniste (“Balli” nuk e njihte Frontin Nacionalçlirimtare), një i “Ballit Kombëtar”. Mirëpo ato nuk vepruan në asnjë rast, për shkak se “Balli Kombëtar” nuk ishte për aksione kundër pushtuesve…”

Që Balli Kombëtar menjëherë pas krijimit të vet u përpoq të bashkëpunonte me Partinë Komuniste Shqiptare dhe kjo frymë zgjati deri në shtator 1943, e vërtetojnë edhe prova të tjera, që të gjitha gjatë gjysmëshekullit diktatorial të censuruara tërësisht. Njëra prej tyre është UNÇPVSH ose Ushtria Nacionalçlirimtare Partizane dhe Vullnetare Shqiptare.

Gjatë pranverës bashkëpunuese komunisto-balliste vetë PKSH armatën e saj e kishte të emërtuar Ushtria Nacionalçlirimtare, por kur binte fjala për të gjithë trupën e armatosur të rezistencës, ky term bëhej kujdes të mos përdorej ose sa herë që citohej, t’i sqarohej kuptimi. Tek letra udhëzuese e 23 shkurtit  1943 për komitetin qarkor të Gjirokastrës Partia Komuniste saktësonte: “Përsa i përket çetave, tani mund të shkojmë në taktikën e re dhe kurdoherë të shkruani: “Çeta partizane e vullnetare “X” (”Çerçiz Topulli”, për shembull) e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, e komanduar prej shokut X ose Y”).

Në letrën e nisur po këtë 23 shkurt, por në drejtim të komitetit qarkor të Korçës, tërhiqet vëmendja se “Sa herë që flitet o shkruhet për çeta duhet të veprohet kështu: “Çeta partizane e vullnetare “X” (emri i çetës, për shembull: “Themistokli Germenji”) e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare e komanduar prej shokut X ose patriotit Y” etj).

Në referatin e mbajtur në mbledhjen e Komitetit Qendror të PKSH në një kasolle të Shmillit, në shkurt 1943, mes dymbëdhjetë parullave që jepen të rekomanduara për t’u përdorur, është edhe “Rroftë Ushtria Nacionalçlirimtare e Partizane Vullnetare e lirisë!”

Gjurmë dokumentare të përdorimit të UNÇPVSH-së gjenden deri edhe shumë më herët, në nëntor 1942, në një artikull të “Zërit të Popullit” (numrat 8-9) të titulluar “28 Nëntori, dita e bashkimit të popullit shqiptar kundër zaptuesit fashist”. Atje ndodhet edhe thirrja “Rrofshin çetat vullnetare e partizane!”

Por është 10 prilli 1943, kur në një qarkore drejtuar tërë komiteteve të Partisë Komuniste të Shqipërisë nëpër qarqe, UNÇPVSH ka formulimin e saj të plotë. Teksti udhëzues përmban edhe këto fjalë: “Përpara nesh po hapen perspektiva të mëdha për organizimin e njësive më të mëdha të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Partizane dhe Vullnetare Shqiptare (UNÇPVSH); tani s’na paraqiten vetëm aksione të vogla, por na paraqitet çështja e çlirimit të Shqipërisë”.

Në 20 qershor 1943, në një qarkore tjetër për komitetet e PKSH nëpër qarqe, ku kërkohet që për të ngritur Brigadën e Parë duhet patjetër që në një vend të caktuar të dërgohen prej njësive të armatosura një numër luftëtarësh, thuhet shprehimisht “Brigada I e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Partizane e Vullnetare”. Në këtë udhëzues po ashtu nuk mungon edhe ky tekst: “Në Brigadën I dhe në batalionet e zonave të ndryshme, populli do të shohë bërthamën e shëndoshë e të sigurt të Ushtrisë UNÇPVSH”.

Ky emërtim me gjashtë gërma të mëdha shkon deri në 2 gusht 1943, ditë që përkon me mbylljen e bisedimeve komunisto-balliste në Tapizë dhe në Mukje dhe po ashtu me shpalljen e marrëveshjes së njohur mes tyre. Në një qarkore drejtuar tërë organizatave të PKSH, nën pseudonimin Shpati, vetë Hoxha, që në paragrafin e parë shpallte: “Duke marrë parasysh proporcionet e gjëra që ka marrë Lufta jonë Nacionalçlirimtare, sidomos në këto kohët e fundit, sasinë e madhe të luftëtarëve të rekrutuar në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Partizane Vullnetare dhe mungesën e armatimeve në lidhje me situatën e krijuar, ndihet e nevojshme pajisja me mjete të ndryshme luftarake;…”

Muaji gusht është i mbushur me shkëmbimin e letrave mospajtuese të Enver Hoxhës me Ymer Dishnicën si edhe informimin e qarkoreve në qytetet kryesore të vendit për gabimet e këtij të fundit gjatë realizimit të marrëveshjes së Mukjes me ballistët. Në gusht i gjithë procesi marrëveshës i dy shtatorëve 1942-1943, “pranvera” që u krijua për dymbëdhjetë muaj, hyri në krizë. Në Konferencën e Dytë të Nacionalçlirimtare, në Labinot, më 6 shtator, u mor vendimi për ta shndërruar stinën e butë të dialogut në një dimër të egër konflikti. Fjalët do t’i zëvendësonin grykat e armëve.

Që prej këtij momenti nuk ka më UNÇPVSH, por vetëm UNÇSH.

*) Ylli Polovina:  “Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka”

May 6, 2018 10:47
Komento

18 Komente

  1. MH May 6, 13:01

    Po po,dakort! “Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka”.Po qe te bindemi ta jipje me njifare lustracioni nga kaloi Butka tek dera e Wc dhe u ndigjue nji krisem nga brenda!.

    Reply to this comment
  2. Lisi May 6, 15:01

    Nuk e kam lexuar Polovinën . Zylyftarin po e lexoj këtu .
    Del , se të dy kanë një mëndje . Të dy qënkan të denjë për në sektorin ideologjik të Ballit Kombëtar !
    Nuk ua di biografitë , as më duhen , unë I gjykoj nga ç’lexoj !
    Sa të zgjuar janë , mahnitesh me ta : historia e Shqiperisë kalon edhe nga Butka ( ?! ) .
    Po , kini të drejtë !
    Do them edhe unë ca të verteta :
    1. Historia e Shqiperise kalon nga Haxhi Qamili
    2. Historia e Shqiperise kalon nga Sudja , kapterri Alimuça dhe gjenerali Rrapush Xhaferi . Kam të drejtë , se, kapitalizmi i fajdeve dogji vëndin .
    3. Historia e Shqiperise kalon nga Saliu e Azemi
    4………………………………………………………….
    Etj etj etj……
    Enveri , që në 8 nëntor 1941 e deri në vitin 1960 , dëgjonte shokët e miqtë e tij , shqipëtarë e të huaj dhe Shqiperia pati një zhvillim të jashtëzakonshem . Gabimet e Enverit vinë më pas , por , kjo s’ka lidhje me këtë shkrim .
    E djathta shqipetare në atë Luftë është e felliqur , nuk ka Polovinë e Zylyftar t’a reanimojë !

    Reply to this comment
  3. Agimli May 6, 16:07

    Sa burra te mire ishin butkallinjte pyesni fshatrat per rreth. Pyesni deshmitaret okulare sa burre I mire ishte engjelli (I nipi).Pyesni si e grabitnin malin qe ju takonte te tjereve..”.Burrat e mire” te ketij vendi gjithmone e kane emrin o Sali,o Safet…..histori nga njerez te paguar.

    Reply to this comment
  4. Fatmiri May 6, 18:28

    Nuk e kam lexuar kete veper te Polovines , por nga komenti qe ben Zylyftar Hoxha , kuptoi qe eshte nje roman me personazhe reale qe kerkon te hedh drite “mbi disa te verteta historike qe qenkan fshehur nga rregjimi i Enver Hoxhes!Everteta eshte nje , sepse nuk ka shume te verteta ; qe balli bashkepunoi me pushtusit dhe ketu nuk ka asnje te fshehte dhe ketu mbaron gjithcka!Cdo ” zbulim ” apo “arnim”historik i dhene ne forme “romani” apo zbulime “faktesh te fshehura ” eshte reabilitim i Ballit Kombetar.!

    Reply to this comment
  5. skrapari May 6, 18:35

    E para : Zylyftari s’eshte autori i librit,por redaktori. Zylyftari ka hedhur ne faqen e fb. pjese nga libri i Polovines,ku behet fjale per familjen Butka. Per pjesen e hedhur ,s’ka ndonje ngjarje te vecante per familjen Butka. Persa kemi lexuar, familja Butka ka drite -hijet e saj,si shume familje shqiptare ,ne te cilat gjate luftes pati nga nje fis,apo shtepi pjesmarres ne te dy krahet. Titulli i librit eshte i diskutueshem,sepse mendoj, pasi librin s’e kam lexuar, si historia e Butkeve ka shume familje shqiptare. Dihen perpiekjet qe u bene nga PK Shqiptare per bashkimine popullit ne Luften Nacionale pas Konferences se Pezes. Me gjithe propozimet, aprovimet ,nenshkrimet e dokumentave nje gje eshte evertet , pohuar kjo edhe nga dokumentat e gjetura ne arkivat e shteteve pushtuese te vendit tone,si edhe te aleateve Anglo-Amerikane ,se Balli Kombetar nuk luftoi kunder pushtuesve,por bashkpunoi me te. Ka shume e shume qytetare e fshatre qe kane folur e flasin per bemat e ballit. Per Polovinen nuk flas dot ,nese do qe te reabilitoj ballin,por per Zylyftarin jam i sigurt se ne kete shkrim s’eshte ky qellimi tij….

    Reply to this comment
  6. gjermani i fundit May 7, 00:43

    kesaj i thone, meqe mbeti buka dhe u tha, e s’e ha kush, hajde ta provojme njehere pershesh

    Reply to this comment
  7. Jona Komneni May 7, 10:44

    Ylli Polovina -nje letrar i deshtuar qe ka vite qe rrit egjer (bime te demshme) ne fushen shkencore te Historise. Ai pretendon se ben letersi dokumentare, por nuk njeh parimet baze te kesaj gjinie, e cila manovron me art rreth ngjarjeve dhe personaliteteve te padiskutueshem historike, pasi kane kaluar ne siten shkencore te historiografeve boterore. Gabimi fatal i Ylli Polovines eshte futja e trillit letrar ne ngjarje te pastudiuara dhe te pakonfirmuara nga shkenca e historiografise.

    Reply to this comment
  8. vasili May 7, 10:58

    Cfare amoraliteti ekstrem i keni servirur shqiptareve,duke ekspozuar shkaravitjet e species polovina.
    Kjo specie as kuqet as zverdhet,sado i madh te jete maskaralleku apo krimi qe ben
    .Kur funksiononte,kjo qenie si ingranazh kryesor ideologjik ne makinerine grirese te PP,i con nje leter (leter qe ka dale ne drite kohet e fundit)sekretarit ideologjik Ramiz Alise,ku i kerkon neutralizimin e korifeut te letrave Kadarese,si pasoje e ndikimit te ketij te fundit nga letersia dekadente perendimore.
    Kjo lloj shkretetire njerzore,kane veti qe nuk lodhen dhe ngjiten si muti mbas kepuces kujtdo.Ky turkoshak gjenetik,mbas groposjes se Babe hoxhes,na mbin si diplomat ne Itali,pa lene menjane paturpesine e tij te shkaraviturit,me besimin e maratonomakut te se keqes se mund ta mbuloje mutin e dikurshem me shurren e tij qe i kundermon dhe qe vazhdon ta bej papushim,qe sot paska marre dhe rruginat e gazetes tuaj.
    Nqse jeni keq per material,ahere me pak i neveritur do te ndjehesh lexuesi,nqse ne vend te ketij emri do te paraqesnit nje leter higjenike me nje mut te shperndare,ekspozuar ne te.

    Reply to this comment
  9. Beratasi May 7, 11:26

    Djali i Shaban komunistit, Ylli Polovina ka kohe qe eshte vene ne sherbim te ballisteve te djeshem dhe atyre te sotshem. Kete here eshte marre me qira nga Uran Butka, duke i derguar lexuesit “mrekullite”” e Ballit Kombetar gjate periudhes se Luftes per çlirim. Historiani i akshamit, Ylli Polovina, duke mos e njohur fare historine e vertete te epopese se çlirimit, me sa nuk eshte veshtire te merret vesh ka shfrytezuar vetem skedat e nxjerra nga Uran Butka. Dhe i del ashtu siç ka shkruar historiani ballist ketyre viteve te fundit kunder Luftes e pro ballisteve. I marre me qira nga Urani i butkave, ne mos edhe i sponosorizuar prej tij, Ylli boton nje liber te denje per ballistet e sotshem dhe atyre te djeshem. Tani mbetet qe ky liber t’i dorezohet liderit te Partise se Ballit Kombetar, Adriatik Alimadhi, qe ky t’ua shperndaje anetareve te partise se tij. dhe keshtu Ylli nuk del keq, mund ter marre nje dore te mire lekesh. Tani mbetet te mesohet, se kujt do t’i botojet liber, Gjonmarkagjonit, Esat Pashes apo ndonje tjetri, se Ylli eshte gati te jepet me qira.

    Reply to this comment
  10. Ylli Polovina May 7, 15:01

    Duke u shprehur respektin gjithe lexuesve, por dhe diskutanteve me shkrim, sugjeroj miqesisht qe ta lexojne librin. Ky liber ende nuk eshte shperndare neper librari, per rrjedhoje nuk eshte lexuar ende nga askush.
    Ylli Polovina

    Reply to this comment
  11. Ylli Polovina May 7, 15:08

    Duke u shprehur respektin gjithe lexuesve, por dhe diskutanteve me shkrim, sugjeroj miqesisht qe ta lexojne librin. Ky liber ende nuk eshte shperndare neper librari, per rrjedhoje nuk eshte lexuar ende nga askush.
    Ylli Polovina

    Reply to this comment
  12. Sk May 7, 16:12

    Kjo eshte reklama e autorit, veçse “Deilli duket qe ne mengjes”
    Eshte titulli ai qe do kete permbajtjen. Ai i ben komentuesit qe me veshtiresi e neveri hedhin disa rrjeshta……
    Po ai skraparliu ç’pati qe u fut ne kete strofkull, me ate perathenie?

    Reply to this comment
  13. Rita May 7, 18:49

    Po pse vetem Butka ??? Po Abaz Kupi ??? Shenoj me kete rast nje fakt te perjetuar nga im ate ” Ne nje beteje nes forcave te Ballit ku ishte antar im ate tregon se perpara kishim gjermanet me te cilet po luftonim e prapa shpines per cudi na qellonin pa pushim forcat partizane . Dhe ne ate cudi e rremuje bashke plagoset jo rende per fat nga partizanet ,,nga vellai ,” Ne pritje te lexojme kete liber qe se fundi boton te verteta historike te fshehura me qellim nga diktatoret e shkuar !

    Reply to this comment
  14. Germicoku May 7, 19:51

    I nderuari Rita! Ju po na tregoni nje fakt te pa degjuar ndonjehere. Q te jeni i besueshem e ne te mos kemi iluzione se ju shpifni pwr kete , a ka mundesi te shpjegoni :
    1.Ne cilen krahine e ne cilin vend eshte bere kjo perpjekje midis ballit dhe gjermaneve ?
    2. Cila brigade partizane ,apo batalion ka qene prapa gjermaneve dhe paska qelluar ,ndersa gjermani nuk qellonte mbi ju?
    3. A e dini emrin e komandantit te brigades,apo batalionit ? Se edhe une ,apo nje tjeter mund te krijojme ngjarje edhe me interesante se kjo,por nuk jemi te besuar pa treguar fakte konkrete. Donte Saliu te dekoronte edhe Hamit Matjanin “Hero” ,por ja qe populli i Lushnjes nuk e hengri sapunin per djathw te Saliut …..

    Reply to this comment
  15. Germicoku May 7, 19:56

    I nderuari Rita! Ju po na tregoni nje fakt te pa degjuar ndonjehere. Q te jeni i besueshem e ne te mos kemi iluzione se ju shpifni pwr kete , a ka mundesi te shpjegoni :
    1.Ne cilen krahine e ne cilin vend eshte bere kjo perpjekje midis ballit dhe gjermaneve ?
    2. Cila brigade partizane ,apo batalion ka qene prapa shpines se ballisteve dhe paska qelluar ,ndersa gjermani nuk qellonte mbi ju?
    3. A e dini emrin e komandantit te brigades,apo batalionit ? Se edhe une ,apo nje tjeter mund te krijojme ngjarje edhe me interesante se kjo,por nuk jemi te besuar pa treguar fakte konkrete. Donte Saliu te dekoronte edhe Hamit Matjanin “Hero” ,por ja qe populli i Lushnjes nuk e hengri sapunin per djathw te Saliut …..

    Reply to this comment
  16. Rita May 7, 20:37

    Germicok fatkeqsisht nuk mund te plotesoj kerkesat e juaja se nuk jam une pjesmarrese ne ate luftim por im ate qe mjerisht ka lene jeten e kur ne vitet e para te pluhrarizmit erdhen ne shtepi t”i merrnin interviste qarqet lokale te qytetit ku banonim e banojme dhe sot pyetjet ishin indirekte e fare te pakta per luften qe bene dhe kjjo shtrese shqiptaresh patriote .kundra pushtuesit . Po te them si i kam keto informacione s”do te besosh .Kurre nuk kam folur me tim ate per ate kohe e per bindjet e tij se ai me ruante mua e pjestaret e tjere te familjes .nga spiunet qe ishin kudo deri ne familje madje .Kam paur fatin te degjoj disa ngjarje nga jeta e tij kur fliste me miq te vertete qe vinin per vizite ne shtepi e une e fshehur ne aneksin e shtepise degjoja e i kam ngulitur ne mendje . Pas rrezimit te diktatures braktis vendin e tim ate e kam takuar vetem nje here se e la kete bote . Kete e kam pishman dhe sot se do te kisha shkruar me data e vende ngjarjet e kaluara qe aq bukur i kane manimuluar “clirimtaret ” e kuq .

    Reply to this comment
  17. vasili May 8, 11:12

    Ylli Polovina!
    Ti e di mire,sic e dine dhe gjithe robt e kesaj bote:
    Qe ketu nuk eshte fjala,si eshte libri,apo qindra libra qe mund te shkruaj dora jote,por kush eshte personi qe i shkruan.
    Para se te shkruaje germen e pare ne ndrrimin e sistemit,ti se paku duhej te benje nje katarsis te sinqerte dhe jo te reshqisje si reshqanoret dhe te kafshoje bute me helmin e dikurshem duke i ndryshuar ngjyren dhe lekuren vehtes.Nuk te ngushellon ajo,qe ka shume si ty.
    A mund te pergjigjesh ti per keto,duke kthyer pasqyren nga vehtja?
    Nqse do te mendosh qete,do te kuptosh qe kjo eshte ndihme e sinqerte qe te jepet.

    Reply to this comment
  18. Amerikani May 8, 11:49

    Ne panairin e librit te para disa muajve ne stenden “Lumo Skendo” dy vajza te reja dhe te bukura qendronin ne pritje ti sherbenin me miresjellje ndonje bleresi te mundshem…!

    Perpara, disi te veçuar qendronin dhe autoret, librat e te cileve kishin mbushur banaket e stendes. Keta ishin dy shkruesit Uran Butka dhe Erakd Kapri.

    Gjithe dyshim shikonin vizitoret te cilet te terhequr nga emri i madh i stendes, pasi verenin me nje shikim te shpejte librat per shitje dhe autoret e tyre, largoheshin drejt stendave te tjera.

    Me thene te drejten nuk kam lexuar kurre ndonje liber te keryre dy autoreve per shkak te opinionit qe kam ngrirur per ta ( opinion qe siç konstatova dhe ne panair, mesa u duk nuk eshte vetem i imi ) nepermjet bisedave ku kane qene te ftuar ne TV, zotrinjte ne fjale me jane dukur te njeanshem. Kaq mjafton per mos e quajtur dike historian. Nga natyra ime kureshtare mbi ngjarjet nuk kam kompleks te degjoj dhe mesoj dhe pranoj te verteta qe nuk i kam ditur apo kane qene te deformuara. Rendesi ka e verteta dhe keta dy “historiane” per mendimin tim seleksionojne te vertetat e tyre ne kontekstin e te vertetes se madhe historike. Shpesh behen dhe mohues te vertetash pa argument. Suksesi i nje historiani eshte te lidhe ngjarjet e personazhet “me koke te ftohte” dhe ti jape lexuesit sa me te qarte perjudhen historike te cilen e ka studjuar. Fragmentimi dhe shkeputja e ngjarjeve nga konteksti i se teres nuk jep perfundimin dhe njohjen e se vertetes historike.

    Qe te kthehemi te titulli i librit, mendoj se dy Butkajt Saliu dhe Safeti vertet kane nje rol ne historine e popullit tone. Ne vecanti Saliu. Keto dy personalitete ashtu si dhe shume patriote te tjere ne historine e popullit tone kane dhe momentet e tyre jo te mira dhe kjo eshte mese normale pasi perfytyrimi i “heroit” pa te meta e con figuren e personazhit drejt mitizimit por jo drejt te vertetes shkencore historike.

    Saliu prsh perveç aktiviteti te tij patriotik si prijes cete njihet edhe si zjarrvenesi i Vosjopojes, apo qendrimin e tij ne raport me “Krahinen autonome te Korçes” me 1916.

    Nqs z. Polovina ben sh mire kur i ofron lexuesit nje liber nepermjet te cilit mendon te njohe lexuesit me akrivitetin atdhetar te familjes Butka ( mendoj se ky eshte qellimi i librit duke u nisur nga titulli, pasi libri ende nuk eshte botuar ne mos gaboj ) ne respekt te lexuesit dhe mbi te gjitha te vertetes historike i duhet ti permende edhe “hijet” e ketyre personazheve.

    Sot eshte shume e mundur qe kushdo qe ka deshire mund te hulumtoje dokumenta, aq me teper ato qe kane sh informacion si ato te ngjarjeve te luftes se II botrore. Nje liber i mire dhe me vlera eshte nje liber me te verteta te lidhura kronologjikisht. Nqs ne sot do kishim nje Stefan Zweig shqiptar, historia e luftes NÇ ne Shqiperi do ishte ezuruar njehere e mire.

    Me “historiane” dy ngjyresh bardh e zi nuk shkruhet historia. Ndoshta do te duhet te kalojne edhe disa dekada derisa te “ftohen gjakrat” dhe te vertetat te triunfojne.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*