Historianët, si kuzhinierët pa kapele…

August 29, 2016 13:00

Historianët, si kuzhinierët pa kapele…

(Tavat e nxehta të asaj historie nuk duhet t’i kapim me peceta të lagura…)

Nga Ilir Mborja
Çdo ditë në kanalet e televizioneve tona shfaqen emisione që japin receta dhe tregojnë mënyra gatimi. Gjellë dhe ëmbëlsira nga më të ndryshmet shpjegojnë plot pasion shefat e kuzhinave tona. Herë të thjeshta e herë të komplikuara, me ca erëza që më parë nuk ua kemi ditur emrin, përzierjet e tyre i drejtohen sobës…

Dhe në fund të pjekjes, kuzhinierët, me ato pecetat e tyre ngjyra – ngjyra, i kapin me kujdes tavat e nxehta dhe i nxjerrin nga furra, i lëshojnë përpara kamerës duke na këshilluar që të bëjmë kujdes të mos digjemi: “Mos u gënjeni! Pecetat e lagura nuk duhen përdorur kurrë në këto raste!..” Pastaj nga tryeza e përgatitjeve, kuzhinieri- kuzhinierja, paraqitësja e emisionit dhe kamera që e ndjek, kalojnë në atë të ngrënies. Vazhdojnë e na tregojnë se si gatimi vendoset në fillim në një pjatancë të madhe dhe pastaj, si duhen servirur me porcione nëpër pjata.

“Në tryezë, një pjatë e sheshtë duhet të jetë gjithmonë si bazament për çdo person. Mirë është, që njëra nga pjatat të jetë katrore, ndërsa tjetra, mundësisht, të ketë perimetër të rrumbullakët. Kombinimi pamor i katrorit me rrethin nxit afeksionin e syrit…”- thotë një kuzhiniere me një zë të trashë dhe me një deng flokësh ngjyrë gështenjë në kokë, që del mëngjeseve në njërin prej kanaleve tona televizive. Pastaj mësojmë se në ç’anë të pjatës vendosen thikat, pirunjtë dhe lugët e argjendta…

Tryeza gjithnjë me një mbulesë të bardhë mbi një sofrabez vishnje dhe piceta të palosura si zambakë uji. Tenxheret, tasat dhe tavat e palara janë hequr me shpejtësi nga ndihmës kuzhinieri i shkathët (edhe ai pa kapele) dhe janë plasur kushedi se ku… Syri të sheh vetëm një tryezë të bukur dhe tufën e leshit në kokën e shefit të kuzhinës. Ata na kujtojnë gjithmonë se mishrat duhet të shoqërohen me verë të kuqe në temperaturën 16 shkallë celsius, ndërsa peshku e do të bardhë dhe të ftohtë aty tek 8-10 shkallë celsius… Kështu udhëzojnë shefat e kuzhinës.

Që janë të tillë, dmth shefa, e kuptojmë se ashtu u drejtohen prezantuesit e programit. Shefi i kuzhinës, kudo në botë, dallohet nga kapelja që mban mbi kokë. Ajo është ndryshe nga e të tjerëve. Kapelja e shefit është shumë më e gjatë nga ajo që mbajnë kuzhinierët e thjeshtë dhe ndihmësit. Por kuzhinierët tanë që po flasim, qoftë shefa apo ndihmës, gjatë gjithë kohës që kanë gatuar përpara kamerave, nuk mbajnë kapele. Megjithatë, ata asnjëherë nuk harrojnë që në fund të na thonë: “Ju bëftë mirë!” Kështu, me këto fjalë e mbyll emisionin e saj edhe ajo shefja pa kapele me dengun e leshit mbi kokë. Paraqitësja e këtij emisioni, na siguron duke thënë: “Provojeni! Janë shumë të shijshme.” Për këtë ato duhen besuar. S’ka se si të jetë ndryshe. Gjithë ato gjëra të mira që përmbajnë brenda, si të mos jenë të shijshme?.. Vetëm në këto raste, si edhe në parashikimin e motit, televizionet tona duhen besuar plotësisht. Për të tjerat, unë për vete, mediat tona nuk i besoj shumë dhe, në restorantet ku gatuajnë kuzhinierë pa kapele, nuk shkel kurrë.…

***
Ndërkohë, debati i ndezur në faqet e gazetës “Dita” pas pikëpamjeve që shfaqi fillimisht analisti Andrea Stefani në lidhje me rolin dhe qëndrimin e komunistëve ndaj ballistëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore dhe atyre që i kundërshtojnë mendimet e tij, nuk po ndalet. I janë qepur dhe nuk i ndahen atij këmba këmbës. Andrea nga ana e tij, ndërkohë riformulon e riqartëson pozicionin e tij lidhur me temën dhe sjell fakte të tjera.

Nga ana tjetër, çdo ditë, përfshihen në këtë debat veteranë të nderuar të LANÇ-it, analistë të ndryshëm të anshëm e të paanshëm. Një filozof që ka bërë emër para viteve ‘90 shprehet kategorik,.. dhe me “zë të trashë” propagandon pa qenë shumë e nevojshme, shenjtërinë e temës. Askush nuk guxon, veç tradhtarëve dhe atyre që përfaqësojnë partiçkat e ballistëve, të verë në diskutim shenjtërinë e LANÇ-it dhe sidomos, atë të dëshmorëve të saj. Kështu, emra të ndryshëm (që ndonjëherë të kujtojnë ndonjë firmë sallami dhe mbase edhe për këtë) më sjellin ndërmend ato emisionet e mëngjesit me atë kuzhinieren me zë të trashë dhe pa kapele, që na mëson si të gatuajmë. Debati, në vend të shuhet, duket sikur po ndizet më shumë. “Eja moj vashë!/ Të këndojmë me zë të trashë!” do t’ia merrte këngës Kristoforidhi i madh po të ishte gjallë.

Prandaj, po them edhe unë dy fjalë rreth kësaj teme. Për të qenë i sinqertë, po e them që në fillim, se unë nuk mund të jem absolutisht personi më i përshtatshëm për të nxjerrë përfundime precize në lidhje me temën dhe personazhet e debatuar. Për arsyen e thjeshtë, se jam bir ish partizani dhe i një familjeje nga më aktivet në radhët e LANÇ-it, që është ndeshur përgjakshëm me ballistët, unë kurrsesi, edhe po të dua, nuk mund të jem i paanshëm. Kur them përgjakshëm, nuk bëj letrarizëm. Im atë, që në moshë të vogël, ka qenë partizan në Brigadën e Nëntë, në batalionin ‘Fuat Babani’. Kur në luftime ka qëlluar mbi pushtuesit e huaj, ai sigurisht që nuk ka mundur (edhe të donte) t’i adresonte plumbat vetëm tek ata. “Ballistë e gjermanë ishin bashkë dhe unë ç’është e vërteta, nuk isha ndonjë qitës i mirë. Por edhe të isha, ata rrinin shumë pranë e pranë…” më justifikohej ai kur binte fjala për ta. Që kur kam lindur, unë kam dëgjuar në shtëpi vetëm për histori që t’i neveritnin ballistët. Edhe në këngë, filma, libra, shkollë, gjithandej.

Kudo ashtu jam mbrujtur, t’i urrej ballistët. Sot unë ndjej alergji në çdo rast kur dëgjoj të përmendet emri i tyre. Madje, ndonjëherë, edhe më shumë se për pushtuesit e huaj. Në Elbasan, në vendlindjen time, mu tek porta e shtëpisë së tyre, më ‘42-shin ata pushkatuan motër e vëlla. Dy të rinj, Dyli dhe Haxhire Myzyrin, vetëm pse donin lirinë e atdheut… Para se të shkrepnin mbi ta me armët e pushtuesit, ballistët “nuk harruan” t’i bënin zë edhe nënës së tyre…

Ta shikonte këtë skenë me sytë e saj edhe e gjora nënë që i kish lindur e rritur me frymën e atdhedashurisë bijtë e saj. Sepse ishin kriminelë të tillë shumë nga ballistët, në Korçë, përpara se të shpërndahej në qytet trakti që shpallte Kryetarin e Këshillit Antifashist të Qarkut, u bë kujdes, që më parë të kalonte në ilegalitet të plotë djali i vetëm i tij. Kështu, dy vjeçarin, Fatmir Sali Mborja, pasi e quajtën “Aleko Qyteti” dhe e hoqën nga gjiri i nënës së tij, e çuan ta ruanin nga ballistët në një familje rome të krishterë në periferi të Korçës. Unë nuk besoj të ketë pasur gjetiu në Europë, fëmijë më të vogël se kushëriri im dy vjeçar atëherë, që të ketë pasur pseudonim. Unë nuk besoj gjithashtu se ka pasur gjetiu kriminelë më të ndyrë se ato ballistët që spiunuan dhe varën në litar Bule Naipin, apo u sollën si kanibalë të pështirë me Lejla Malon…

Kështu, lidhur me këtë temë, mos prisni nga unë të jem i paanshëm. Shumë mirë që babai im nuk ka qenë snajper i mirë dhe nuk ka mundur që t’i ruante nga plumbat e tij ballistët. Shumë keq për Enver Hoxhën që nuk i shfarosi gjer në rrënjë ballistët, por u mor me likuidimin e komandantëve të asaj Lufte të lavdishme. Edhe historian të isha, unë nuk do të bëja dot kurrë një histori gjakftohtë të atyre viteve. Megjithëse kanë kaluar mbi 70 vjet, unë mbetem rob i episodeve të mia familjare, dhe historinë e ballistëve nuk ia këshilloj kujt ta shohë vetëm me sytë e mi. …Dhe ndjehem mirë që kam këtë konflikt interesi me farën e ballistëve. Prandaj nuk i qasem kurrë atij pozicioni. Por, si një këmbësor i ngeshëm, mua më bie shpesh rruga të kaloj dhe të përulem me respekt të sinqertë përpara lapidarëve të dëshmorëve të Luftës që po “rrënohen” trishtueshëm. Më shumë se mbroçkullat e Autik Alimadhit, ato po i “rivret” qëndrimi ynë jo i guximshëm për t’ju qasur të vërtetës historike të LANÇ-it sy më sy, edhe sot pas 70 e ca vjetësh.

Ashtu, nga ajo portë që na ftoi (mbase gabimisht) Andrea Stefani. Si qytetar i thjeshtë që më jepet mundësia të shprehem publikisht, mund të them vetëm këtë në lidhje me historiografinë dhe historianët tanë. Ata, ashtu si kuzhinierët pa kapele që përmenda më lart, mund të na kenë “gatuar” gjëra shumë të mira edhe për historinë e LANÇ-it, por ndonjë qime leshi mund t’u ketë rënë pa dashje brenda në “kusinë” e socializmit. Unë nuk e di saktë “a mbanin apo jo kapele” të gjithë historianët tanë?.. Ai i linte kush ta mbanin atë apo jo?.. Por ca qime i kemi gjetur të gjithë kur u zbuluan “pjatancat” e historisë së LANÇ-it dhe jo vetëm, tani pas 90-s…

Në mos me dashje, pa dashje, qimet kanë rënë patjetër aty. Historianët tanë, si kuzhinierët që thamë, gjatë gjithë kohës, duket se kanë qenë “pa kapele mbi kokë”. Që nga shefi e deri tek i fundit. Ata që nuk duronin qime dhe nuk bënin kompromis me të vërtetën, si fjala vjen të nderuarit Skënder Luarasi apo Kristo Frashëri, nuk u bëhej vend në Akademinë tonë… Prandaj, megjithëse e shpjegova gjatë indoktrinimin tim kundër ballistëve, unë e mirëpres ftesën për “të nxjerrë qimet” në gjellën që na kanë gatuar Pollohistorianët tanë në lidhje me raportet ndaj tyre. Që njerëzit ta gëlltisin gatimin që u serviret, nuk duhet të shohin qime në pjatë. Në këtë proces, nuk është nevoja t’i fshehim enët e palara, por të mbajmë gjatë gjithë kohës kapelen në kokë që t’i ruhemi qimeve. Edhe “tavave të nxehta” të asaj historie nuk duhet as t’u shmangemi, e as t’i kapim me “peceta të lagura”.

Por kryesorja mbetet kapelja në kokë, se sado i shijshëm të jetë gatimi, po dyshuan se ka qime brenda, njerëzit nuk e përtypin dot. Historia bëhet pa moralizime, siç bëjnë kuzhinierët pa kapele për gatimin, apo unë me historitë e mia personale më lart. Paqenë nevoja të trashës zërin, por me gjakftohtësinë që të imponon shkenca e saktë, historia do të jetë më e besueshme. Vetëm atëhere mund t’u themi njerëzve edhe për historinë e atyre viteve: Kjo është e VËRTETA. Shijojeni! Ju bëftë mirë!.. Unë vazhdoj të besoj shumë, se nga një vështrim shkencor, gjakftohtë dhe i guximshëm i historisë, duke pranuar edhe gabimet e udhëheqësve të LANÇ-it, më shumë do të shkëlqejnë partizanët e mi në atë periudhë. Gjithashtu, kam bindjen, se vetëm atëherë njerëzit do të fillojnë ta shohin pa dyshim historinë, dhe do na dëgjojnë e besojnë, ashtu siç bëjnë kur televizioni jep parashikimin e motit…

August 29, 2016 13:00
Komento

6 Komente

  1. ali gjyshi August 29, 14:04

    artikulli qe lezojem eshte nje realitet i jetuar dhe i brumosur me gjak. sote jane me qindra e mijra shqipetar qe mund te deklarojen me fakte te shumta ate mizori balliste.
    nje nga ata jam edhe une. me kete rast dua t’u them pinjollave te ballit por dhe bashkepuntorve te tyre mjerane qe per interesa thjesht ekonomike, jane gati te shesin cdo gje….. jo vetem nderin e tyre.
    dua t’i pyes keta trima? kujt isherben kjo.shqiperise sone qe duam te ndertojem jo e jo. po kujt atehere eshte thjesht nje revanshi qe kerkohet prej tyre qofte vetem kjo une dua t’ju them: mos kujtoni se erdhi koha juaj, harroheni ate. lereni kermen balliste te prehet se bashk me humbesit e vet nazi-fashist .

    Reply to this comment
  2. kris 1 August 29, 15:49

    Ne luften e dyte prinderit tane nuk e kishin idene e komunizmit por dolen ne mal per atdhe e per liri.
    Kujtoj se nenat tona kishin me teper frike kur zbarkonin cetat e ballit sesa italianet e gjermanet.Bile per keta te fundit thoshin se ishin korrekt ne kontrolle.
    Ti ngresh pjedestale e te quash martire ballistet eshte cmenduria e rradhes.
    Vendin ne histori ata e zgjodhen vet dhe s”ka historian ti reabilitoje

    Reply to this comment
  3. Fiori August 29, 16:05

    Artikull i goditur si nga ana artistike ashtu edhe historike. Me sa kemi dëgjuar,Europa është shumë e ndjeshme ndaj bashkëpunëtorëve të fashistëve dhe nazistëve,duke dënuar çdo të tillë edhe pse mund të jenë në moshë të thyer.Por Shqipëria si në të gjitha fushat ,edhe në qëndrimin ndaj tyre,në rastin tonë ,ndaj Ballit Kombëtar,mbetet kopështi zoologjik i Europës.Cfarë pret kur exponente te partive te këtyre bashkëpunëtorëve ,kanë qenë anëtarë të qeverive të mëparshme.Hane Shan,hane Bagdat.Ku Europa e ku ne.As ja vlen fare të diskutosh.Na ka marrë lumi prej kohësh.

    Reply to this comment
  4. fteri August 29, 16:49

    ****Ballist,legalistë,zogistë,fashistë ,nazistë,bejlerë,agallarë e bajrektar,hajdut e xhandar të gjithë luftonin për xhepin e pasuritë e tyre ,jo për popullin e thjeshtë ,kjo ishte thelbi i së vërtetës .
    -Të gjithë kanë qenë një tavë qorbe e prishur pasi u mbushë me turli mbeturina , dhe qimen e kishte brenda,historianët e tyre si dje, edhe sot gatuajnë pa kapele.
    ****Kurse Partizanët kishin qëllime dhe ideale të larta ,fisnike të skalitura në zemër ( pjatë pa qime ),vetëm dashuria për atdheun e popullin e ngritën si Anteu gjithë popullin në këmbë vullnetarisht me 75 mijë Partizanët heroik e legjendar me në krye E.Hoxhën, çëliroi, ndërtoi dhe begatoi për 45 vjet popullin,ja ngriti prestigjin dhe lavdinë atdheut dhe kombit shqiptar në botë sa qindra vjet të pushtimit osman dhe qeverive antikombëtare që ka kaluar shqipëria.

    ****Histori suksesi e E.Hoxhës pa parë ndonjëher në shqipëri,.
    ****Çëliroi ATËDHEUN nga pushtimi dhe robëria Nazi-Fashistë ,dhe mbeturinat brenda vendit , ballist,zogistë, legalist,bajrektar tradhëtar dhe kusar,që kishin si qëllim ruajtjen e pasurisë tyre të regjimit vjetër të shfrytëzimit mesjetar ,të grabitjes pasurive kombëtare ,të mbajtjes së popullit në varfëri ekstreme ,pa shkollë e kulturë,një popull të lidhur me zingjirët e shfrytëzimit më të zi çifligaro borgjez e feudal , te diskreminimit të popullit dhe futjes në hasmëri e vëllavrasje më barbare në histori të ballkanit ,duke zbatuar kanunin e Lek Dukagjinit .
    ****Pra të gjithë tradhëtarët ,e kombit pjesa e popullit ,ballist,zogistë,legalistë ,feudal,agallarë,kuisling e tradhëtar ,bashibozuk e bajrektar ideali tyre ka lindur i ndarë që nga rrënja lufta lufta nac-çlirimtare si çatajtë e qenit , prandaj i çatalloi të gjithë ballistë zogist,legalist si dje në luftë edhe sot në paqë,ideali i tyre erdhi i vdekur në çatall,dhe kur vjen i vdekur s’ka doktor që e shëndosh.Këtë po u them sot ballistve ,zogistëve ,legalist ,bajrektar dhe zullumqar,dhe teoricenve të pa shpresë dhe pinjollve të tyre , historianët e Stefanët KËTA guzhinjer pa kapele na shërbejnë pjatën të mbushur me qime.TURP !!!!************************

    Reply to this comment
  5. Guri Naimit D(Dh.Xh) August 29, 18:19

    Kur djali thote; “BEME o BABA te te NGJAJ”

    Ilir mboria djale me te lumte per ato Fjale.
    jane esence e esencave te atyre mendiev
    Qe dine e kane jetuar nje jete me baballare
    Baballare njesh bere ngare “engjejve”
    “Engjeve” ne shekull krye atdhetare
    Me mendie te ndritura nga dhimbia per vatane,
    Nje syrres qenke dhe ti i embli Ilir Mborja
    Rofsh, ne gjurmet e babait atdhetar, jep mathima.
    Me kenaqen sa thelle gjykone: “kris 1″sa Ali gjyshi
    Vev “Fiorit do ti thoshia-“S’na ka marre lumi”
    “lumi” dhe i turbull vjen o miku yne “Flori”
    Po i veme te kthiellohet,”siten” POPULLI…
    Ai ka pergjithesuar e amanet lene
    Karvani te ci para; qente te lejne ”
    Si amvise e mire,jo pa “kapele”
    Kete shkrimin “trinitrine” ne kohe na e sjell.

    Pac mires o DJALI i ATIJ BABAI.
    Shkuaj une; nipi i Jano Kapedanit…(1)

    1- Jano Xhoga, rene me 1913, krye cetes qe komandonte, ne lufte kunder pushtuesve ,sa shpallur Pavaresia e vendit. Qarku Gjirokastres nderuar ne 100 vjetorin e tij te renies me titullin “MIRENJOHIE”)

    Toronto 29-08-2016 Guri Naimit D (Dh Xh)nga Zavalani.

    Reply to this comment
  6. Emigranti August 29, 18:25

    Kohen e fundit shohim te cfaqet nje tjeter GJeneral i ushterise se vdekur,ai eshte z Alimadhi.Ashtu si Gjenerali i z Ismail Kadare ku se bashku me eshtrat e te vrareve mori turpin me vete po ashtu edhe ky “trimi”tjeter Gjenerali i ushtrise se vdekur (te ballit kombetar) kerkon si breshka gozhden te marre meritat e tradhetise qe jane turpi , glasat dhe jashtqitjen ne vendin ku u vra ballisti Butka,ku sipas atyre fjaleve qe kemi degjuar vec bustit do te ngrehin edhe nje hale ku njerzit per “nder te ketij “ballisti te kene mundesi te shurojne apo te dhjesin ne te.Zoti Mboria edhe une ashtu si ju kam pasur babain partizan ne Batalionin Fuat Babani ( 7 korrik 1943 )dhe me vone ne Brigaten e pare sulmuse deri ne clirim.Jam familje deshmori i vrare dhe i terorizuar nga ballistat (deshmor vellai i babait) Ju z Mboria nuk e di profesionin tend me sa kupetoj shkruani artikuj bukur por me gjith konsideraten qe kam ,si ju ashtu edhe une apo ndonje tjeter per kete teme qe ke trajtuar JU TAKON HISTORIANEVE.Si guzhinjer me kapele shiko se pa dashur sa shoh une te kane rene mbase fluturuar dy qime ne pjate.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*