HISTORIKE / Tryeza zgjedhore bie dakord që për 4 vjet, 80% e shqiptarëve të votojnë si emigrantë

June 23, 2020 15:51

HISTORIKE / Tryeza zgjedhore bie dakord që për 4 vjet, 80% e shqiptarëve të votojnë si emigrantë

TIRANË – Partitë kryesore politike shqiptare kanë bërë dje hapin e madh historik, dukë rënë dakord që brenda 4 vitesh të bëhen të gjitha përpjekjet që shumica e shqiptarëve të votojnë si emigrantë.

Agjencitë e lajmeve njoftojnë se pas shumë tratativash, lëshimesh dhe kompromisesh, edhe me ndërmjetësimin zemërgjerë të faktorit ndërkombëtar, përfaqësuesit e PS, PD dhe LSI kanë vendosur që zgjedhjet parlamentare të 2021-it të jenë të fundit ku vota e emigrantëve do të shihet me syrin e njerkës, duke i dhënë më shumë prioritet votës së lamashëve dhe pocaqive që kanë vendosur të rrinë në Shqipëri.

“Është fakt i hidhur,” deklaroi për mediat përfaqësuesi i PS në tryezën e reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri, “se politika shqiptare ka qenë përgjithësisht e ftohtë ndaj votës së emigrantëve. Kjo gjë duhet të marrë fund brenda këtij pesëvjeçari”.

Sipas Gjiknurit, shqiptarët e Shqipërisë kanë pasur 30 vjet me rradhë shanset dhe mundësitë për t’u larguar nga vendi dhe për të votuar si diasporë, por me justifikime nga më të ndryshmet, gati 2.8 milionë prej tyre kanë ndenjur në vend.

Për përfaqësuesin e PD në tryezë, Oerd Bylykbashi, ka ardhur koha që askush të mos fshihet pas gishtit.

“Duhet t’i themi hapur të vërtetat e tharta,” deklaroi Bylykbashi, “ata shqiptarë që kanë ndenjur këtu nuk janë as patriotë, as gjasme ithtarë të parimit ‘guri i rëndë në vend të vet’. Për mua dhe Partinë Demokratike, ata janë kokrrat e dembelëve që presin t’u sjellë farefisi ndonjë para dhe të pijnë birra gjithë ditën”.

Realisht, shtoi Bylykbashi, PD ka dhënë një kontribut të madh në vite, që vota e emigrantëve të fuqizohet dhe të bëhet e ndjeshme.

“A mund të kishim bërë më shumë? Padyshim,” reflektoi Bylykbashi, “por si vend i vogël, në gjendje tranzicioni dhe me resurse të pakta, përpjekjet tona kanë qenë domethënëse”.

Vënien e theksit tek vota e migrantëve e komentoi edhe përfaqësuesi i LSI, Petrit Vasili.

“Qeveritë shqiptare kanë pasur një politikë kaotike sa i përket emigrantëve,” theksoi Vasili, “disa kanë punuar për ta shtuar diasporën tonë, të tjerë kanë dashur ta tkurrin. Edhe qëndrimet e ndërkombëtarëve kanë qenë evazive. Tani ka ardhur koha që njëzëri të punojmë që në zgjedhjet e 2035-ës, qeveria e re të zgjidhet ekskluzivisht nga jashtë territorit të Republikës”.

Diplomatët e huaj, nga ana e tyre, premtuan një ndihmë më të madhe që të shtohet pesha e votës së emigrantëve shqiptarë.

Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Suedia, Italia, Greqia etj, dhanë fjalën se do thithin më shumë bujq, krushq, mekanikë, xhenerikë, kamarierë, kuzhinierë, infermierë, doktorë, spaçatorë etj.

Por nga ana tjetër ata kërkuan që qeveritë shqiptare, cilido ardhtë në pushtet, të hartojnë projekte serioze për largimin e shqiptarëve nga vendi.

“Nuk duhet të ketë më justifikime,” deklaruan ambasadorët e huaj në Tiranë, me një thirrje të përbashkët, “nëse Shqipëria në 2075-ën do ketë akoma shqiptarë me shumicë, kjo do të thotë se nuk e meritoni integrimin. Bota e qytetëruar nuk do dembelët dhe gënjeshtarët”.

Pas firmosjes së marrëveshjes, kreu socialist Rama dhe ai demokrat Basha, deklaruan se tani politika shqiptare duhet të përveshë mëngët, duke ndihmuar që shqiptarët të mbathin këpucë e atlete për t’u bërë emigrant të devotshëm për atdheun e tyre.

Ndërkaq, ata premtuan se në të ardhmen do të punojnë që të sigurohen disa të drejta bazike edhe për ata 15-20% shqiptarë që do ngulin këmbë si mushka të qëndrojnë në Shqipëri.

“Por kjo do mbetet për një moment të dytë, sepse duhen hartuan disa projekte pilot, duhen ndarë fonde, ehuhaaa,” pohuan kryetarët.

“Taksirati ynë që do mbetemi këtu, thuaj…”, shtuan ata.

——

SHËNIM / Ju do thoni, po po, e dimë që Gojët e Liga është rubrikë satirike. Mirëpo me ç’po duken bathët…

June 23, 2020 15:51
Komento

6 Komente

  1. qesh e ngjesh June 23, 17:24

    Dhe Satirikja vazhdon – Trojka e Ambasadoreve Amerikan, +BE+ Britanik ne Tirane bene presion te madh per te arritur marrveshjen per Reformen Zgjedhore!
    Dhe me KOMEDIA – Reforme Zgjedhore qe do na afroje me BE, e nxitur fort edhe nga Ambasadori Britanise, i vendit qe ka braktisur vete BE…

    Reply to this comment
  2. Ylli June 23, 18:37

    Ideja e votimit nga jashtë Shqipërisë, kur ende nuk po besojmë votën që hidhet këtu brenda, me komisionerë, karta identiteti e mbikqyrje njerzore është shkatërrim total.

    Spekulantët politikë se gjasme u dhimbsen emigrantët janë palaço! Janë po të njëjtët palaço që i përzunë nga vendi i tyre ata që emigruan.

    I përzunë pa dhënë fare llogari. Palaço, fjala vjen tha se “ata po ikin jo për punë, po për të parë Cristiano Ronaldon”!!!

    Tani duan t’u marrin mendtë me propagandë me shpresë që tu marrin dhe votën.

    Dhe si duan tua marrin?
    Me postë.
    Me postën politike që administrojnë vetë.

    Ti numërojnë me komisionet që stisin vetë. Dhe ti llogarisin në favor të pushtetit që kanë në dorë vetë.

    Kjo është maskaradë e pastër politike. Tallje e rëndë si me ata që jetojnë andej e veçanërisht me këta që gdhihen e ngrysen këtu, nën sundim të plotë me liri e të drejta të kufizuara në ekstrem!

    Beteja që po bëhet është që të sigurohet identifikim i plotë fizik e biometrik i çdo zgjedhësi në qendër votimi.

    Sunduesi thotë praktikisht “bëni ça të doni me votat këtu se unë shpallem mbret me postë”!!!

    Ja, kaq banale është ideja e votës së emigrantëve për sundimtarin.

    Personalisht mbetem në parim kundër një ideje të tillë, sado debat të ngjallë.

    Njeriu merr pjesë politikisht në vendin ku jeton, punon e paguan taksa dhe jo ku aspiron e as ku ka jetuar më parë. Ky është rregulli bazë i pjesmarrjes demokratike në qeverisje.

    Shteti ynë, megjithatë e ka pranuar që ata që kanë zgjedhur të mos jetojnë këtu të vijnë e të votojnë. Kaq.

    Çdo gjë tjetër është spekulim i pastër, me qëllim thellësisht antidemokratik.

    Të paktën hë për hë, ndoshta edhe për ca vite më pas, kjo ide është e pakuptimtë dhe mbart rrezik të lartë.

    Pa krijuar një sistem besimi elektoral brenda territorit, nuk mund të besohet në asnjë rrethanë vota që nuk dihet se si hidhet e transportohet nga jashtë vendit.

    Mbetem i bindur në këtë gjë!

    Reply to this comment
    • SAKTE! June 23, 18:52

      Per cfare e mban akoma ministrine e diaspores?

      Qe nga 2017 kemi dhene nga taksat tona rreth 10 milione $ per ministrine e diaspores, e cila ka vetem nje detyre.

      Me kaq para mund te kishim ndertuar te pakten nja 10 shkolla te reja. Por jane shpenzuar per te garantuar perfaqesimin e shqiptareve te diaspores.

      Dhe shume mire eshte bere, sepse vota e shqiptareve te diaspores eshte e rendesishme per disa arsye:

      E para, e drejta per te votuar eshte e drejte kushtetuese, dhe buron nga e drejta natyrore per tu veteqeverisur. Shteti ka per detyre te garantoje qe cdo shqiptar, kudo qe te jete, te kete mundesi te votoje.

      E dyta, ne jemi nder te paktet popuj qe me shume se gjysmen e popullsise e kemi jashte vendit. Vetem ne Evrope ka rreth 1 milion shtetas shqiptar, te cileve shteti yne iu ka mohuar te drejten per te votuar.

      E treta, eshte e turpshme qe qeveria maqedonase iu garanton te drejten per te votuar te gjithe shqiptareve te Maqedonise qe jetojne ne diaspore. Ndersa shteti shqiptar ua mohon kete te drejte shtetasve shqiptare.

      E katerta, ne jemi nder te paktat vende ne bote, dhe nder te vetmit jashte Afrikes dhe Azise qe ende nuk garantojme voten e diaspores.

      E pesta, diaspora jone kontribon me remitanca rreth 10% te GDP-se vendase, por shteti yne iua ka mohuar te drejten qe te vendosin se si menaxhohen parate e tyre.

      E gjashta, jetojme ne nje kohe kur nje pjese e votuesve ne vend jane blere me para apo premtime, dhe nje pjese votojne nen kercenimin e pushkes apo te punes. Prandaj vota e shqiptareve te diaspores, te cilet jetojne larg influences se qeverise, do te zbehte efektin e manipulimit te votes.

      Mirepo, ende sot, ne 2020, Rama thote qe nuk eshte gati per te garantuar voten e emigranteve (!!!)

      Atehere me lind pyetja: Po per cfare i harxhon me kot gjithe keto para per nje ministri qe nuk arrin te kryeje te vetmen detyre qe ka?!

      Reply to this comment
  3. Xha Pilua June 23, 22:53

    Kjo vota e emigranteve eshte njesoj si t’u garantosh pilurioteve te votojne edhe ne Pilur, fshatin ku kane jetuar te paret e tyre, edhe ne Tirane, Sarande, Kukes apo Durres ku jetojne sot.

    Reply to this comment
  4. Tap June 23, 23:26

    Tani ska as nevoje te shkojme ne votime….

    Reply to this comment
  5. demiraj June 24, 14:00

    po veten ku e fusin???????ke ata qe presin leke?apo ata qe perlajne ctju dale para

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim