Holanda kundër statusit për Shqipërinë

Redaksia Online November 10, 2012 10:28

Holanda kundër statusit për Shqipërinë

Shqipëria duket se ka përmirësime vetëm në miratimin e ligjeve, por jo zbatimin e tyre, ky përfshihet lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, si dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Një lajm i tillë është publikuar nga “Top Channel” , i cili ka zbuluar edhe raportin që qeveria holandeze ka bërë për Shqipërinë.

“Komisioni rekomandon që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat kur të arrijë edhe disa ligje. Kabineti kundërshton, këtu Komisioni tejkalon vetveten. Shqipëria, ashtu si dhe të tjera vende me një perspektivë anëtarësimi, duhet të tregojë më shumë përsa i përket reformës në drejtësi, trajtimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme. Duhet historik rezultatesh!”.

“Komisioni i rekomandon Këshillit që t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, me kusht që Shqipëria brenda periudhës së ardhshme të përmbushë disa kushte që qëndrojnë pezull, që lidhen me ligjin e Gjykatës së Lartë dhe Administratës publike, si dhe me ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Komisioni mendon se negociatat për anëtarësim mund të hapen vetëm kur Shqipëria të zbatojë në mënyrë të qëndueshmë të gjitha reformat e nisura dhe të gjitha kushtet e paplotësuara, mes të cilave organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme parlamentare”, thuhet në raport.

Sipas qeverisë holandeze, e cila njeh progresin e bërë në disa fusha, vetëm miratimi i disa ligjeve nuk mjafton që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat.

“Kabineti konstaton, në bazë të të dhënave të veta, se Shqipëria ka bërë përparim sidomos në miratimin e ligjeve dhe përmirësimin e funksionimit të parlamentit.

Por Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë për të bërë dhe duhet të tregojë se legjislacioni i miratuar duhet të zbatohet në terren, dhe në këtë kuadër vendi duhet të ndërtojë një historik arritjesh pozitive.

Në këtë moment, rezultatet në pjesën më të madhe të fushave thelbësore janë ende të pamjaftueshme. Këtu bëhet fjalë, mes të tjerash, për forcimin e sundimit të ligjit, për adresimin e pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit në të gjitha nivelet, luftën kundër krimit të organizuar dhe reformimin e administratës publike.

“Kabineti për këte arsye nuk mund të jetë dakort me propozimin e Komisionit që t’i japë Shqipërisë statusin kandidat në bazë të rezultateve të arritura”.

“Komisioni me të drejtë  e ka vendosur sundimin e ligjit në zemër të politikës së zgjerimit. Kabineti e mbështet fuqimisht këtë. Por në rastin e Shqipërisë Komisioni nuk i përmbahet kritereve që ka vendosur vetë. Kriteret e veta të rrepta të politikës së zgjerimit Komisioni duhet t’i zbatojë siç duhet edhe në rastin e Shqipërisë”.

Ky qëndrimi i qeverisë holandeze pritet që sipas procedurës të konsultohet me Komisonin për çështjet evropiane të parlamentit holandez, më 27 nëntor, para se qeveria të shprehë qëndrimin e saj përfundimtar në këshillin e BE-së në muajin dhjetor.

Redaksia Online November 10, 2012 10:28
Komento

1 Koment

  1. Genti November 10, 14:12

    Qendrim teper korrekt i qeverise hollandeze. E vetmja gje qe nuk i nevojitet Shqiperise eshte progresi ne leter dhe shkelja e ligjeve ne praktike.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*