Homazh dhe vajtim për tim bir… Sot Kristi do të ishte 19 vjeç…

December 10, 2017 12:29

Homazh dhe vajtim për tim bir… Sot Kristi do të ishte 19 vjeç…

 

Nga Dhimitër Gjika

E diel, 5 mars 2017. Ai ishte ulur në stacionin e Sanvilianos dhe priste trenin për të shkuar në Torino. Pak më parë kishte komunikuar në telefon me nënën dhe i kishte thënë: – Mami mbërrita mirë. Sapo zbrita nga avioni në aeroportin e Kuneos dhe tani po pres trenin për në Torino, -puthi dhe përqafoi të gjithë nga unë, – Ju dua shumë.

I ulur siç qe në stolat e thjeshtë të atij stacioni të vogël treni, ju bë sikur dëgjoi një melodi të bukur, magjepsëse, mbylli sytë dhe pa një vajzë të bukur, veshur me të bardha, pranë një pianoje të bardhë, gjithçka ishte e bardhë plotë dritë, mbushur me lule gjithandej. Vrapoi drejt pianos që të riprodhonte ato tinguj të mrekullueshëm muzikor, që i tingëllonin në vesh,…por për çudi sa më shumë vraponte drejt pianos aq më shumë, vajza dhe pianoja largoheshin,… dëgjonte vazhdimisht vajzën, që me ëmbëlsi i thoshte hajde Kristi, …..hajde ….hajde….

Ishte ora 16 50. Kristian Gjika nuk do t’i hipte kurrë trenit për në Torino, ai kishte marrë rrugën pa kthim të përjetësisë.

Alo Kristi!….përgjigju!…përgjigju!!!…Pse nuk përgjigjesh shpirt??!!!.. Ku je? Zemra e nënës seç kishte një parandjenjë të keqe. Ishte e merakosur, e shqetësuar, gjithë ankth… Lajmi i kobshëm erdhi pas mesnate. Kristian Gjika vdiq papritmas në stacionin e trenit të Sanvilianos, më dt. 5 mars 2017, në moshën 18 vjeçare. Autoambulanca e urgjencës e spitalit të Sanvilianos, mbërriti në kohë, por rrugës për në spital, me gjithë përpjekjet dhe ndërhyrjen mjekësore, nuk e kthyen dot në jetë.

E pabesueshme! Lajmi na ra si një rrufe. Nuk e mblidhnim dot veten dhe të pranonim realitetin e hidhur. Ishte si një bombë. Pyesim dhe ripyesim, sa të rrojmë do të pyesim pa mbarim. Pse?!?!… Pse t’i ndodhte një gjë e tillë djalit tonë. Nga se i ndodhi??? Ai ishte shumë mirë kur e përcollëm në aeroport. Gëzonte shëndet të plotë, nuk vuante nga asgjë dhe nuk kishte shfaqur asnjëherë ndonjë shenjë dobësie.  Pse???

Kristiani ishte student i vitit të parë në Universitetin Politeknik të Torinos, në degën e inxhinierisë informatike. Sapo kishte përfunduar me sukses provimet e sezonit të dimrit. Ishte i gëzuar se në provimin e matematikës kishte marrë notë të mirë, e pëlqente dhe e donte shumë matema¬tikën. Në ato 3-4 ditë, të fillim marsit, që erdhi të çlodhej dhe të çmallej, përveç takimeve dhe mbrëmjeve të paharruara që kaloi me shokët, nuk mungoi të ndihmonte në zgjidhjen e ushtrimeve apo problemave në matematikë për ndonjë shok të gjimnazit. Ishte shumë i dhimbsur, i dashur dhe i gatshëm të ndihmonte çdo njeri.

Një pasdite kur po dilte, na pa ne të dy prindërit të ulur në divan, që po shikonim televizor. Erdhi na përqafoi dhe na tha: – Po ju kështu rini çdo pasdite, nuk dilni? Kjo gjë e kish mërzitur dhe më vonë i kishte thënë motrës, Fionës. Ti duhet të shkosh tek mami dhe babi dhe t’i nxjerrësh shëtitje herë pas here të mos i lësh vetëm. Të njëjtën gjë u kishte thënë edhe shokëve për të pirë ndonjë kafe me ne. Nuk donte të na shihte kurë të mërzitur. Ishte shembull dashurie, shembull dhimbsurie, dinte të komunikonte me të gjithë, të madh e të vogël, i gjindshëm dhe i gatshëm të ndodhej pranë njerëzve në nevojë, i shoqërueshëm, i qeshur dhe alegro.

I pëlqente ti binte pianos. Në dhomën e tij ka një tastierë elektrike, ku kishte mësuar shumë pjesë muzikore, sidomos klasike. Në katin e fundit të kolegjit në Torino, ku rinte Kristi, kishte një piano. Aty shkonte shpesh dhe kalonte kohën e lirë. Kujdestari i kolegjit na shkruante se i kumbojnë ende në vesh meloditë e bukura që luante Kristi.

Kur u regjistrua, në sekretarinë e Politeknikos i thanë se ishte studenti me moshën më të vogël, i regjistruar në atë Universitet, ishte 17 vjeç. Edhe kur ishte në gjimnazin “Ismail Qemali”, ishte më i vogli në moshë se shokët e klasës, njëkohësisht ishte edhe më i vogli i fisit tonë dhe më i miri ndër ne. Thonë se Zoti merr më të mirët. Ashtu sikurse kur hyn në një kopësht me lule, mundohesh të këpusësh lulet më të mira dhe më të bukura, për të formuar një tufë, ashtu edhe Zoti mori pranë tij, të mirin, Kristin tonë. A thua se ne ishim të pa denjë për të, për të na lënë kërcunjë, të shkretë e të mjeruar në hidhërimin tonë.

Jeta është e padrejtë, është e vështirë, është gënjeshtër, është privilegj, është e bukur. Nuk është e drejtë që të ikin moshat e reja, para të moshuarve, të iki i shëndetshmi para të sëmurit, fëmija para prindit, ja që e tillë është jeta. Të gjithë të lindurit që jetojnë, janë të privilegjuar.  Jeta që i jipet një personi e gëzon vetëm ai dhe nuk mund, që të japësh jetë nga jeta jote, apo në vend të të afërmit të vdekur të futesh ti, ose të kthehesh mbrapa në kohë. Po të ishin të vërteta të gjitha këto shumë prindër të mjeruar dhe të shkretë do të kishin bërë mrekullinë për të rikthyer fëmijët e tyre të larguar nga jeta. Po të ishte kështu edhe një mijë jetë sikur të kisha, të gjitha do t’ia falja atij.

Sot Kristi ka ditëlindjen, do të mbushte 19 vjeç. Është ditëlindja e parë që ai nuk është. Iku pa e filluar mirë jetën, me plot ëndrra dhe dëshira për të ardhmen. Aq sa jetoi na fali shumë dashuri dhe gëzim. Për 18 vjet na zbukuroi dhe na lumturoi jetën, na bëri të jemi krenarë dhe kryelartë. Ai do të mbetet përjetësisht në mendjen dhe në zemrat tona, ashtu siç ishte i ri, i mirë, i mençur dhe i thjeshtë.

 

December 10, 2017 12:29
Komento

6 Komente

  1. drini December 10, 14:42

    u preht ne paqe ky ngjell

    Reply to this comment
  2. lola December 10, 15:16

    Te rroni dhe ta kujtoni o njerez te mire dhe te pangushellueshem.Jo gjithmone ka pergjigje per pyetjen ‘pse’.

    Reply to this comment
  3. DETARI Atllantides December 10, 17:48

    Nuk gjej dot shprehje !

    Reply to this comment
  4. "BOHOTINA" December 11, 08:27

    Fatkeqesi e madhe. Nuk gjenden kollaj fjalet ngushulluese per engjej te tille. Me vjen shume keq. I pa harruar…

    Reply to this comment
  5. Elizabeta December 13, 15:09

    Nuk gjej dot fjale ngushellimi per prinderit, motren,te afermit, mesuesit apo shoket e klases se Kristit! Emri i tij thote shume: “KRISTI”…

    Reply to this comment
  6. Dhimiter Gjika March 12, 10:46

    Ju falenderoj nga zemra o njerez te mire e te dhimbsur, per fjalet e ndjera e te ngrohta, qe keni shprehur, per humbjen e te mirit e te pazevendesueshmit djalit tim Kristi. Asnjehere nuk kam per t’u pajtuar me kete realitet te hidhur,e kokefort. Ne çdo dite qe vjen, gjithnje e me e pabesueshme me duket, megjithese u be nje vit qe ai eshte ndare nga jeta dhe nuk eshte me. E pabesueshme……

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*