Homazh për romancieren Dhurata Bozdo

September 4, 2018 12:37

Homazh për romancieren Dhurata Bozdo

 

Prof. Nasho Jorgaqi

Këto ditë u nda nga jeta, pas një sëmundje të rëndë romancierja Dhurata Bozdo. E lindur në Shijak në vitin 1931 në një nga familjet e njohura patriotike të fisit Deliallisi, pasi mbaroi mësimet e para në vendlindje dhe shkollën Pedagogjike në Tiranë, u diplomua në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik. Për dekada të tëra ajo shërbeu si mësuese letërsie në shkollat e Tiranës, Kuçovës, Patosit, etj, ku bëri emër të respektuar si mësimdhënëse e zonja dhe e përkushtuar pas edukimit të brezit të ri.

E dashuruar dhe e lidhur ngushtë me letërsinë, Dhurata do të manifestonte dhuntitë e saj letrare që nxënëse e studente, jo vetëm në hartime, por edhe me tregime e skica letrare që do t`i botonte në shtypin e kohës. Ky do të ishte edhe debutimi i saj i parë në fushën e letërsisë, një debutim ky premtues, që u shfaq e u konkretizua suksesshëm në fushën e romanit, pas shumë vitesh pune, vështirësish e pengesash biografike të politizuara në atë kohë.

Për dekada të tëra, ajo punoi me romanin e saj të parë nën titullin “Shkëlqimi i Rremë”. I nisur në vitet ’50, ai u botua pas shumë peripecish në vitin 1975. Romani u mirëprit nga lexuesit e gjerë.

Me këtë vepër, Dhurata Bozdo, së bashku me romanet e E. Kadares dhe N. Lakos, u bënë pioneret e para të romanit shqiptar, të krijuar nga talentet femërore.

Pas kësaj vepre, autorja iu përkushtua në vijimësi gjinisë së romanit dhe frut i një pune 4 vjeçare ishte romani i dytë “Përballë Dallgëve”, që u botua në vitin 1979.

Pas viteve 1990, Dhurata do t`u jepte lexuesve romanin e saj të tretë në dy vëllime nën titullin “Kush i vrau ato ëndrra?”, të cilat u botuan në vitet 2002 dhe 2004. Të tre romanet kanë të përbashkëta mjedise të Shqipërisë së mesme, sidomos të Tiranës. Ato përfshijnë harkun kohor nga viti 1930 deri në vitin 1944, e në vijim deri në vitin 1955 dhe përmbajnë kronikën e jetës shoqërore dhe politike të shoqërisë së asaj periudhe.

Një vend të veçantë në këto romane ze  jeta dhe fati i gruas shqiptare, një botë kjo që autorja e njihte thellë dhe e kish përjetuar në epoka të ndryshme të shoqërisë sonë. Meritë e saj është edhe fakti që në romanet e veta e jep me realizëm jetën shqiptare. Autorja ka depërtuar thellë në psikologjinë e gruas, veçanërisht të asaj të Shqipërisë së mesme. Vlen të theksohet se në romanin “Kush i vrau ato ëndrra?”, Dhurata pasqyroi e trajtoi jetën e intelektualëve të rinj para dhe pas çlirimit të Shqipërisë.

Dhurata Bozdo shquhet si mjeshtre e rrëfimit, e kompozimit romanesk, e situatave të motivuara me vërtetësinë jetësore dhe pasuri detajesh që i bëjnë veprat bindëse e prekëse. Është për të veçuar edhe fakti që autorja e koncepton dhe e pasqyron botën nga pozita dhe psikologjia e gruas, gjë që e bën të ndihet penda femërore, sensibiliteti i saj, fryma humane, dashuria për jetën, etj.

Proza romaneske e Dhuratës ka një gjuhë të pasur, të rrjedhshme, vende – vende e individualizuar me kolorit e sens mase.

Në vitin 1981, ajo doli në pension, por me të gjitha problemet shëndetësore përpiqej të krijonte, dhe frut i kësaj pune janë një varg dorëshkrimesh që ajo ka lënë pas.

Dhurata nuk ishte vetëm një shkrimtare e talentuar siç e dëshmon edhe kontributi i saj i suksesshëm në gjininë e romanit, por një grua me personalitet, inteligjente, e kulturuar, me një botë të pasur shpirtërore, modeste, e matur e fjalëpak.

Ajo mbetet një shëmbëlltyrë si njeri dhe si artiste e fjalës, tipare këto që kanë gjetur pasqyrim dhe në romanet e saj.

Dhurata Bozdo la pas emrin e një njeriu të nderuar dhe të një prej romanciereve të para të letërsisë shqipe.

September 4, 2018 12:37
Komento

4 Komente

  1. Dhimiter M Xhoga.(Guri Naimit D.) September 4, 14:00

    Perjetesoher e ndiera MESUESE Dhurata Bozdo.

    Nje jete e ndiera Dhorta Bozdo dhuroi edukate dhe dije njerzore. Faleminderit i nderuar Pr.Nasho Jorgaqi per kete “lamtumire” qe i beni kesaj figure te nderuar te aresimit dhe kultures shqiptare.nder te parat GRA MESUESE krijuese..Kush nuk i njeh veprimtarite e saj,se pari si nje zonje e nderuar atdhetare sa krujuese .Jam ndiere krenar si Mesues nga1964-tra,me kolege te tille poliglote me letersine paresore.
    I perjetshem kujtimi dhe vepra e saj.
    Ngushellime familes dhe dashamiresve te te ndieres MESUESE Dhurata Bozgo.
    Mesuesi perionist 83 vjecar
    Toronto-4-09-2018 Dhimiter M.Xhoga.

    Reply to this comment
  2. Lufter September 4, 15:00

    Ngushellime famijes se Dhurata Bozdos, per largimit nga kjo jete te Dhurates, njeriut te dashur te tyre. Dhurata Bozdo (bashkeshortja e Pirro Bozdos) eshte me ato vlera te padiskutueshme qe me vertetesi i pershkon Nasho Jorgaqi. E kam njohur Dhuraten dhe familjen e saj qe ne vitin 1956, kete mesuese, romanciere, Inelektuale shume e pergatitur. Dy romanet e para i kam dhurate nga Dhurata. Ajo te ngjallte respekt me dijet e gjithanshme te saj qe i shprehte me qartesi si valzimet e ngadalta te detit, si flladi pranveror, si kenga e Bilbilit. Ishte me personalitet te padiskuteshem. Shume i prekur nga kjo ngjarje, i paharruar Kujtimi i Dhurata Bozdos.

    Reply to this comment
  3. Skender September 5, 09:13

    Ngushellime families se mesueses te letersise,shkrimtares zj.Dhurata Bozdo.Ka qene mesueja ime e gjuhe letersise..shume e pasionuar ne punen e saj..shume e dashur per nxenesit..gjithmone do ta kujtojme me dashuri e respekt

    Reply to this comment
  4. Rison September 5, 13:51

    “Shkelqimi i rreme” eshte nje nga librat e rralle qe jam kthyer per ta rilexuar. Nje pershkrim dhe analze e jshtezakonshme shoqerore. Dashuria e pamundur e Merushes dhe e Fatmirit edhe sot mund te jape mesazhe per te rinjte. I paharruar kujtimi i Dhurata Bozdos!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*