Hosanatë e lodhura për Konicën

October 5, 2016 10:28

Hosanatë e lodhura për Konicën

 

-Reagim pas një studimi të autorit Fotaq Andrea për Faik Konicën-

 

Nga Fitim Çaushi

Më datën 25 shtator 2016, ish ambasadori i Shqipërisë në Strasburg, Fotaq Andrea, i ngre një përmendore studimit të tij për Faik Konicën: “Libri “Faik Konica, Përlindësi modern”…lindi si një nevojë për ta bërë sa më të dashur figurën e Konicës në masë të gjerë, kur nuk mjaftuan pesëdhjetë vjet totalitarizëm për ta dënuar, denigruar e shuar zërin e tij shqiptar, por kur vazhdohet edhe sot e kësaj dite nga antikonicianë të hazdisur e mëndje të cekëta dhe cinike të viteve ’80, ta përlyejnë e njollosin emrin e tij me terminologji të shpëlarë nga kuptimi apo më keq me epitete të fjalorit brutal komunist, kur vetë Konica nga këto mendje i ka dërmuar e lipsur me kohë…Pandehin se po ulin figurën e të Lartit Konica me gjoja “analiza”, pa kurrfarë morali dhe pa kurrfarë objektiviteti shkencor, por me qepje e arrnime me “thënie” e “kundrëthënie”, me luftë “citatesh” e mendësi totalitare pa depërtuar një grimë në shpirtin e thellë patriotik”.

Me këtë shërbim ndaj vetvetes, autori kërkon të reklamojë veprën e vet dhe të paraqitet si një eksplorator që “shpëtoi nga harresa një gjeni”, të cilin nuk e paska njohur deri sot populli i vet!  Si shpjegohet që populli dhe totalitarizmi 50 vjeçar, nuk mohoi Rilindësit e tjerë: Pashko Vasën, Naum Veqilharxhin, Kostandin Kristoforidhin,  De Radën, Gavril Darën, Santorin, Seremben, Naim e Sami Frashërin, Hasan Tahsinin, Koto Hoxhin, Jani Vreton, Petro Nini Luarasin, Shirokën, Migjenin, Mjedën, Jubanin, Mitkon, Gurakuqin, Xhuvanin, Poradecin, Çabejn, e të tjerë themelues të kulturës sonë kombëtare? Këtë nuk e shpjegon dot diplomati i karrierës. sepse kur kalon nga mohimi në idolatri, bëhet rob i patetizmit të tij fals.

Prof. Gazmend Shpuza ka theksuar: “Më parë ndodhte vënia në pah e gabimeve jo të pakta të Faik Konicës, si politikan, e qëndrimeve jo të drejta ndaj traditave dhe aktualiteteve historike nëpër të cilat është përshkuar populli ynë gjatë viteve kur jetoi dhe punoi Konica. Në studimet e deritanishme te ne binte në sy theksimi i këtyre momenteve, duke lënë në heshtje veprimtarinë e tij të gjerë atdhetare dhe sidomos kulturore, letrare dhe gjuhësore, të pasqyruar tashmë gjerësisht në monografinë e prof. dr. Jup Kastratit. Përpjekjet shkencore që bëhen sot për ta vënë në vendin që i takon, me të drejtë, Faik Konicën, në kuadër të historisë së letërsisë dhe të kulturës shqiptare, nuk kanë asgjë të përbashkët me trajtimin rishtazi të njëanshëm të Faik Konicës, me heshtjen rreth kufizimeve të tij…Nuk mund të injorohet, siç po bëhet aktualisht, qëndrimi i tij asnjanës, gjegjësisht jo i drejtë ndaj Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe Lidhjes së Prizrenit, siç pranon dhe akademiku Qosja; ndaj rolit të Fuqive të Mëdha në zgjidhjen e çështjes shqiptare, ndaj rolit të forumeve ndërkombëtare që nga Kongresi i Berlinit dhe deri tek Konferenca e Versajës në historinë e popullit shqiptar, bashkimi me Esat pashë Toptanin kundër qeverisë kombëtare të kryesuar nga Ismail Qemali; qëndrimi jo i drejtë i tij ndaj luftës së Vlorës; qëndrimi i papranueshëm ndaj ideologjisë fashiste; qëndrimi i paarsyetuar dhe oportunist ndaj mbretit Zog etj., etj. Heshtja ndaj këtyre gabimeve, trajtimi sërishmi në mënyrë të njëanshme i figurës komplekse tepër kontradiktore të Faik Konicës nuk lejojnë, nuk japin mundësi që jeta dhe veprimtaria e tij të shndërrohen në përvojë pozitive historike për kohën tonë ose, ç`ka është më keq; Faik Konica i cunguar si dhe më parë do t`i bënte një shërbim jo të mirë çështjes kombëtare shqiptare ende të pazgjidhur…Shohim të flitet me superlativa për Faik Konicën “si një politikan i madh, si një diplomat i shquar, si një republikan konstitucionalist konsekuent, si një demokrat i vendosur…Shkohet deri te përpjekjet për të provuar se Faik Konica, me qëndrimin e vet fanatik proaustriak, nuk i ka paguar kurrfarë haraçi Vjenës me qëndrimet e tij politike”.

Në të njëjtin akord ka qenë edhe Prof. Kristo Frashëri: “Nuk mund t’i falen Faik Konicës, për shembull, sulmet personale, të papërmbajtura apo të pamëshirshme që ai u drejton patriotëve të tjerë shqiptarë, madje, edhe shokëve të tij të luftës, për pikëpamje që nuk pajtoheshin me të. Nuk mund t’i falen Faik Konicës ato shigjeta therëse, të cilat shpeshherë i kalonin caqet e polemikës parimore e ktheheshin në denigrime personale jodinjitoze. Ca më tepër nuk mund t’i falen Faik Konicës ato fishekzjarre të padokumentuara në adresë të kundërshtarëve të vet, të cilat e kthenin atë vetë në një splendide mendax (gënjeshtar të shkëlqyer), siç i quante ai shpesh rivalët e tij të pendës”.

Për ta përjetuar më trishtueshëm sulmin konician ndaj patriotëve të tjerë shqiptarë, po citojmë prof. Arben Puto: “Vijon periudha, prej Shpalljes së Pavarësisë dhe Luftës së I Botërore, në të cilën Faiku do të ruajë emrin, karizmin, origjinalitetin, por vepra do të hyjë në gradë të dytë…do të ndryshojë fytyrë, do të këmbejë interesa dhe do të bjerë në një pragmatizëm që e çon nga një ekstrem në tjetrin. Do të bjerë në një inkoherencë të skajshme, që ngjan shumë pak me fillimet e karrierës së tij. Është vështirë të pajtohen me veprën dhe figurën e tij sulmet thjesht fyese e të padenja kundrejt disa personaliteteve të angazhuara sa ai, në mos më tepër e më gjatë në lëvizjen kombëtare, veçanërisht në periudhën para dhe pas Shpalljes  së Pavarësisë. Ka një ndjenjë superioriteti mbi këdo e mbi gjithçka dhe e tregon me shpatë…Është gati ta flijojë për të poshtëruar kritikët me një fjalor të pistë…Nuk dihet së kë poshtëron më shumë me këtë fjalor, kundërshtarin apo veten e tij. Natyrë egocentrike, e ulte personalitetin e tij  me një cinizëm të pashoq.

Pavarësisht analizave të këtyre kolosëve të kulturës shqiptare pas viteve ’90, Fotua vazhdon t’i injorojë si “antikonicianë të hazdisur e mëndje të cekëta  dhe cinike të viteve ’80” (!), por huazon prej tyre fjalën shpatë: “I vetëdijshëm për vendin që lypset të zerë medoemos njeriu modern shqiptar në shoqërinë bashkëkohore, Konica si rrallë kush nuk e kurseu fjalën e rreptë me gjuhën shpatë për të goditur drejt e në zemër injorancën dhe prapambetjen pesëshekullore”.

Është i pandershëm ndërrimi i destinacionit të kësaj “shpate” nga ana e Fotos, akoma më keq, nëse ai i aprovon sulmet barbare të Konicës kundër patriotëve shqiptarë të Rilindjes Kombëtare, sepse këta “injorantë” që ka poshtëruar Konica me “gjuhën-shpatë”, janë Rilindësit e Frashërit, Shoqëritë patriotike të Bukureshtit, Sofjes, Egjyptit, Arbëreshët e Italisë, shqiptarët e  Amerikës, Kristo Luarasi, Shahin Kolonja, Thanas Tashko, Jorgji Meksi etj.

Të jetë më i mençur diplomati Fotaq, nga profesorët e larpërmendur e të tjerë profesorëve, kritikues të veprimeve të gabuara të Faik Konicës! Në gazetën “Drita”, Shahin Kolonja i bënte vërejtje Konicës, i cili i vërsulet: “Ti thua se shumë herë kam përdorur fjalë të ndyra. Po kundër njerëzve të ndyrë si ti ç’fjalë të përdor? Fjalët e ftohta e të matura ju i mirrni për shenjë frike, ironinë të tallurit e hollë ju nuk i kuptoni. Atëherë ç’fjalë mbeten? Po, në qoftë se të pëlqejnë ato fjalët e holla, ti më parë laj kokën që të shporren morrat, kalli dhe këmbët dy herë ditën në acide phenique që të mos bien erë. Pastaj të shohim

Për këtë suferinë fyerjesh dhe denigrimesh, Fotaqi e konsideron Konicën “patriot”! Por historiografia  serioze çdo dukuri, proces e personalitet e sheh në kontekstin e rrethanave e të prirjeve historike, politike e kulturore të kohës përkatëse dhe i trajton e vlerëson nën prizmin e paravajtjes të çështjes kombëtare. Në këtë kontekst do parë sa objektivisht janë pasqyruar e interpretuar nga Konica kontradiktat e prirjet brenda lëvizjes kombëtar gjatë dhe pas Rilindjes Kombëtare, para dhe pas shpalljes së Pavarësisë, para dhe pas Luftës së Parë Botërore, në vitet 1920-‘24, para dhe pas pushtimit fashist më 1939.

Në përfundimin, se Faiku ka qenë kundër Rilindjes Kombëtare, për të cilën “Historiografia komuniste” e kaloi në indeks, na çojnë deklarimet e vetë Konicës, polemizimet e tij të pareshtura, replikat, denoncimet dhe kundërshtimet që i janë bërë prej patriotësh, demokratësh, revolucionarësh e antifashistësh të kohës, pikëpamjeve, qëndrimeve, veprimeve, synimeve dhe manovrimeve kundërkombëtare e kundërpopullore të këtij intelektuali, publicisti e veprimtari politik, i cili, sipas Fan Nolit, në thelb mbeti feudal nga fijet e flokut gjer në thembrën e këmbës. Publicistika e tij është shembull i rrallë armiqësimi me këdo që kontribuonte në çështjen kombëtare dhe në kulturën shqiptare pa i marrë dorën beut, e duke iu kundërvënë  qëllimeve anikombëtare, antishqiptare, reaksionare dhe imperialiste të atyre me të cilët beu binte në ujdi për interesa “oxhakësie” dhe egoiste, ose që u shërbente haptas e fshehtas me pare në dorë. Fotua nuk na tregon në ç’llogore vihej Konica në vitet e Francës, në ç’kuzhinë ushqehej, kundër kujt vihej dhe pse nuk gjeti kurrë gjuhë të përbashkët me përfaqësuesit më në zë të lëvizjeve të çlirimit kombëtar e shoqëror. Ky kalorës i “fjalës së lirë dhe i lirisë së kritikës”, bëhej i papërmbajtshëm gjer në monstruozitet kur të njëjtën të drejtë e përdornin edhe të tjerët (pothuajse të gjithë atdhetarët e demokratët konsekuentë) kundër lajthitjeve e mbrapshtive të tij. Kjo ka qenë arsyeja që të gjithë intelektualët atdhetarë me aspirata europiane, iluministe, demokratike, republikane, pra, domosdo kombëtare e antifeudale, fillimisht e përshëndetën Konicën, më pas, kur zullumet dolën sheshit, u shpeshtuan dhe u bënë dëmprurëse, e kundërsulmuan vendosmërisht. Do të mjaftonte që Fotaqi të hapte shtypin e kohës dhe do të shikonte se sa shumë shqiptarë i kanë kundërshtuar manovrimet e tij politike qysh nga fillimi deri sa vdiq, çka provon se Faik Konicën e kanë mohuar bashkëkohësit, jo pasardhësit.

Përkundër studiuesve seriozë që përmendëm më lart e shumë të tjerëve, Fotaqi është i prirur për hosana: “Faik Konica ishte dhe mbetet Njeriu-Epokë, strumbullari i intelektualitetit shqiptar, me një mision të lartë fisnik. Edukimi i kombit apo siç shprehet ai “Stërvitja morale dhe sociale e popullit “ stërvitje mendore botëkuptimore, intelektuale e kulturore. Nga ky këndvështrim “Vepra Konica” na shfqet si një institucion, tërësi unikale, në të cilën ideja e tij novatore për modernitet e prosperitet shqiptar, u desh të çajë, që në kapërxyell të shek të XIX-XX shtigjet e vështira të botkuptimin obskurantist  otoman.”

Kemi frikë t’i dëshmojë me shkrimet e vet Konicës, të kundërtën, se Fotua do t’i cilësojë “citate” dhe do të përdorë fyerje, të cilat nuk do t’ia shpërblejmë me të njëjtën monedhë, sepse kuptojmë pozitën e tij larg atdheut, sikundër njëherë Konica. Nëse Konica do të ishte njeriu Epokë, sot nuk do të kishte Shqipëri, do të ishte asgjësuar midis tre shteteve: Itali-Greqi-Jugosllavi, sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës, të cilin Faik Konica e përkrahu, duke dënuar luftëtarët e Vlorës nga Roma. Nuk ishte epoka e Konicës, por Epoka e luftëtarëve të Vlorës dhe të tërë Shqipërisë që e mbrojtën Shqipërinë nga copëtimi, duke e hedhur Duçen në det.

Fotaq “thellësia”, duke u marrë me “zbulimet” e hatashme të Konicës në Paris, nuk ka pasë kohë të lexojë “Albaninë”, prandaj nuk arrin të kuptojë se deklarata e Konicës: “Stërvitja morale dhe sociale e popullit”, është një manovër  demagogjike e tij, për ta larguar  popullin shqiptar nga kryengritja e armatosur kundër pushtimit turk. Në fillimet e  “Albanisë”, Konica prononcohet për kryengritje të armatosur. Në letrën që i dërgon doktor Temos shkruan: “S’është nevoja të gdhendim mendjet e vegjëlisë me abetare dhe të tjera gjepura, por ka ardhur koha të çpojmë të mëdhenjtë andarterisht (me forca) dhe me mjete violente, se ndryshe jemi të humbur… shpëtimi është tek revolucioni”.

Këtë deklaratë të sinqertë të Konicës, duhet ta komentojë Fotua, edhe për faktin se është e njëjta pikëpamja e Nolit: “Populli kurrë do mos zgjohet me abera dhe ata që presin të ngrihen këto ndalime dhe të çlirohet Shqipëria duhet të humbasim shpresën se fatit i duhet kohë të bëjë çudira, kur njerëzit e Ballkanit presin më gojë hapur të na gëlltisin me sot e me nesër”.

Nëse kryengritjet e armatosura në kohën e Lidhja Shqiptare të Prizrenit, e në vazhdim, nuk morën një karakter të theksuar kombëtar, kjo jo për faj të analfabetizmit të masave popullore, por për mungesën e një qendre të vetme organizative, brenda dhe jashtë vendit.

Përkundër asaj që kërkonte koha nga shqiptarët, Konica vepron si zjarrfikës i lëvizjes çlirimtare: “Të lëshojë njeriu Turqinë dhe të dalë jashtë kufisë, të shkruajë ditë për ditë memoranda të lëvdojë Shqipërinë para të huajve, të lexojë gazeta etj, janë lodra për të cilat s’duhet as dituri e madhe, as mundim i shumtë”, Me këtë Konica vulos tradhtinë e tij ndaj kauzës së çlirimit kombëtar. Sipas Konicës, patriotët shqiptarë nuk duhet të lëvdonin Shqipërinë, por Turqinë! Ai guxon ta quajë  “lodër” shkëputjen e Shqipërisë prej Turqisë! Ai i quan lodra memorandumet e popullit shqiptar drejtuar Fuqive të Mëdha dhe Stambollit, ku kërkohen të drejtat kombëtare të shqiptarëve! Në librin “Vilajeti i Kosovës” studiuesi Shukri Rahimi pohon: “Rryma autonomiste e gazetës “Drita” si edhe thirrjet e komiteteve, kishin ndikuar shumë në përgatitjen e kryengritjes në Vilajetin e Kosovës…”

Po i sjellim diplomatit, disa nga thirrjet “lodra” të patriotëve të Rilindjes Kombëtare: Në shkurt 1897, në prag të botimit të “Albanisë”, në Gjakovë dhe Pejë u hodhën bazat e “Beslidhjes shqiptare”, me në krye patriotin Haxhi Zeka. Në maj 1897 Komiteti i Stambollit shpalli manifestin “Ç’duan shqiptarët”, në të cilin kërkoheshin të drejtat e shqiptarëve: “Shqiptarët i kujtojnë me zemërim të këqijat dhe padrejtësitë njerëzore që i janë bërë nga kujdestarët e saj të paturpshëm. Para së gjithash shqiptarët duan me vendosmëri tërësinë e atdheut të tyre të dashur”.

Në nëntor të 1899 qeveria turke merr masa të egra për shtypjen e besëlidhjes së Pejës dhe po në atë muaj shpërthen kryengritja antiosmane në Pejë, Gjakovë, prizren, Prishtinë dhe Himarë. Në mbështetje të kësaj situate luftarake, patriotët e Bukureshtit aprovuan memorandumin e shoqërive dhe të komiteteve të shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, “Në emër të Llauzit shqiptar”, organizuar me ndihmën e shoqërisë “Dituria”. Ky memorandum drejtuar sulltanit dhe Fuqive të Mëdha kërkonte: “Shqiptarët duan liri, duan qeveri më vete dhe jo nën të huaj, se shqiptarët kanë ndër mend të vriten të gjithë për të mos lënë asnjë të huaj të urdhërojë Shqipërinë, se kërkojnë nga Europa t’ i njohë për komb dhe t’ i japë autonomi”.[1] Të mbështetur në përvojën e Lidhjes së Prizrenit, autorët e këtij memorandumi e orientuan drejt Lëvizjen Kombëtare, duke theksuar se formimi i shtetit kombëtar e autonom shqiptar do të ishte edhe rruga më e mirë për sigurimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë.

Në këtë kohë Shoqëria “Dituria” boton veprën madhore të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”. Në këtë manifest politik, Samiu e vlerëson lidhjen e Pejës si ngjarje të rëndësishme në Lëvizjen Kombëtare shqiptare, duke shprehur besimin se ajo do të realizonte bashkimin e popullit shqiptar në luftën për çlirim.  Ai shkruan: “Kjo lidhje, kjo besë, do të jetë krej i shpëtimit të shqiptarëve”, duke orientuar se “ajo duhet të ketë jo vetëm funksione të organizimit luftarak të popullit shqiptar, por edhe funksionet e pushtetit qeverisës”.

Shqiptarët gjithandej i kërkonin Evropës Autonomi, ndërsa Faik Konica në zemër të Evropës, kërkonte nënshtrimin e Shqipërisë ndaj Turqisë! Kjo e vë në pikpyetje ndershmërinë e hosanave të Fotos.

Megjithë rrezikshmërinë kombëtare që paraqet momenti historik, Konica ulëret: “Kujt do t’i thirrni për kryengritje, matjanëve, atyre të Tetovës apo atyre të Gorës… s’i s’kini turp të flisni për kryengritje, kur tri të katërtat e kombit tonë edhe s’kanë kuptuar ç’është komp, e s’duan bashkim jo vetëm me të krishterë, por as në mes tyre.”

T’i nënshtroheshe statukuosë, pa zhvilluar krahas luftës politike edhe luftën e armatosur çlirimtare për të sensibilizuar opinionin europian se shqiptarët ishin të vendosur t’i mbronin me jetën e tyre trojet kombëtare, sikundër deklarohej në thirrjet e memorandumet dërguar Fuqive të Mëdha dhe Perandorisë Osmane, ishte pajtim me copëtimin e trojeve shqiptare. Sikundër shihet kemi dy pole: nga njëra anë patriotët e Rilindjes Kombëtare që luftojnë për Shqipërinë, nga ana tjetër Faik Konicën që lufton për Turqinë. Fotaqi rreshtohet kundër parriotëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe pro Konicës, s’mund të jetë me të dy palët!

Ç’e detyroi Konicën të ndërronte taktikën e tij të vjetër “për të hequr dorë nga politika” në “edukim politik”? Ai e bëri këtë kthesë, sepse pikërisht në këtë kohë lëvizja çlirimtare, po merrte përmasa të gjera në shkallë kombëtare, se po ngriheshin komitetet e fshehta, që morën përsipër detyrat “për lirinë e Shqipërisë” nga Jugu në Veri, dhe se filluan të krijohen edhe njësitet luftarake, të cilat u kthyen në kryngritje të armatosur të të gjithë popullit në Veri. Për ta sabotuar këtë lëvizje luftarake, Konica përdor taktikën e re: “Mësimi politik është kudo dhe kurdoherë palca e çështjes, ne duam të arrijmë një qëllim, e para gjë duhet të kuptojmë pengimet, pastaj të punojmë t’i kapërcejmë ato”.

Konica nuk donte ta shihte se e ardhmja e Shqipërisë ishte projektuar, veç të tjerash, në veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”, madje nuk përmend as mësimet historike të Lidhjes së Prizrenit. Kjo dëshmon për një qëndrim politik të kundërt me lëvizjen çlirimtare të popullit shqiptar.

Fotaqi falsifikon rëndë kur e nxjerr Konicën luftëtar që “çan shtigjet e vështira të botkuptimin obskurantist otoman”! Konica, me politikën proturke të “Albanisë”, ka qenë pikërisht përkrahës i obskurantizmit otoman. Reagimet kundër tij ishin të shumta. Dy bashkatdhetarë shprehen në gazetën “Shqipëria”: “Lutemi pyesni me anën e së ndershmes fletës tonë “Shqipëria” dy redaktorët shqiptarë tek “Albania”, pse mbajnë paqe me qenë otomanë dhe ca më shumë me Sulltanin? Vallë janë të pajtuar në shpirt të tyre këta që të qëndrojë vendi i tyre i dashur, Shqipëria, në këtë terr që gjendet sot?”

Një ndërhyrje të tillë me tone miqësore i bën Konicës edhe Visar Dodani, drejtor i gazetës “Shqipëria”: “Unë që pata një dashuri të veçantë për penën e zotrisë suaj, gjithë hidhërimet i gëlltita, me besimin se këmbesa e politikës te fleta “Albania”, bëhet pa hir të plot në shpirtin e zotërisë sate”. Nuk mund të përmendim dhjetra kundërshtime nga ana e patriotëve shqiptarë për kthesën e Konicës pro Turqisë, pasi Fotaqi do të na i merte për “citate”, prandaj po i rikujtojmë dënimin që i ka bërë Naimi dhe Samiu, në veprat e Sami Frashërit, se “Faiku është tradhëtar, armik i kombit shqiptar.”

Sikundër duket, Fotua qëndron më lart nga Rilindësit e Frashërit, ndaj përpiqet ta reabilitojë Faik Konicën, duke kundërshtuar edhe fjalorin “komunist” të tyre. Edhe pas largimit nga Franca, mitingu i tetorit 1912 në Boston, e dëshmon Konicën proturk: “Nga çdo anë e Amerikës u mblodh një tok shqiptarësh që deklaronte me një zë se interesi i Shqipërisë ishte në një bashkim të plotë me Turqinë kundër shteteve të Ballkanit…mitingu i vjeshtës së dytë do të përmendet edhe për një arsye tjetër, ky miting u bë shkak që guverna otomane të mbrojë të drejtat e shqiptarëve në Konferencën e Londrës”.

Kjo demagogji e Konicës, për të kërkuar shpëtim nga ambasadorët e Turqisë, që po jepte shpirt, dhe jo nga ambasadorët e Europës, ishte e imponuar prej shërbimeve sekrete turke. Lidhur me këtë “Dielli” shkruante: “Shqiptarët e Amerikës janë ndarë për shkak të këtij mitingu”. Më i shqetësuari paraqitet drejtori i gazetës “Liri e Shqipërisë”, Kristo Luarasi, kundër të cilit Konica u vërsul plot egërsi: “Që ne shqiptarët jemi një komb i zgjuar e provon edhe shpejtësia me të cilën jemi të zotët të ndërrojmë zanat. Për tregim po marr z. Kristo Luarasi, i cili nga kalldrëmaxhi u bë diplomat… Duket sheshit që nuk ka kuptim për punët politike”.

Për të mbrojtur Konicën nga kritikat e shumta, “Dielli” detyrohet të sulmojë: “Sikur të kishim dëgjuar këshillat e Kristo Luarasit, i cili na jepte këshillat e sllavo-grekëve…mirëpo ne s’dëgjuam të shiturin e u bashkuam me Turqinë.”

“Liri e Shqipërisë” përgjigjet: “Pyesim cili është tradhtar dhe i shitur, ne që shkruajtëm për t’u bërë një Shqipëri autonome, apo ai që shkruajti “Vive L`empire ottomane”, “Uni vive tarmas otomane”. I shitur e tradhtar është vetë shkronjësi i gazetës “Dielli”, i cili shfaqi tradhtinë e tij në mitingun që s`u pëlqye nga shumica e shqiptarëve”.

Nuk mund të imagjinonim se si një diplomat evropian, t’i shërbejë me kaq servilizëm shërbëtorit të shumë zotërinjve! Duhet të jetë  një arsye e fortë që e detyron Foton t‘i ngrejë hymn “Përrallave të Zullullandit” dhe  “aktit gjuhësor” imagjinar të Konicës!

Konica dhe gjurmashë të tij, duke e vënë theksin në prapambetjen dhe në vese të qena e të paqena të popullit shqiptar, duke nënvlerësuar talente e vepra e duke përqeshur me cinizëm ndihmëtarët e çështjes e të kulturës kombëtare, sado elemente racionale të kërkohen e të gjenden në kriticizmin e në skepticizmin e tyre,  kanë goditur ndërgjegjen e krenarinë kombëtare.

Përse e injoroi Kongresi i Manastirit Konicën dhe nuk e ftoi në punimet e tij?

Përse nuk e përfshiu Ismail Qemali Konicën në kabinetin e Qeverisë?

Përse e mohoi Konicën Qeveria e Lushnjës?

Përse e mohoi Noli “kryekalorësin e lirisë dhe indipendencës” dhe nuk e përfshiu në qeverinë e qershorit 1924?

Përse e mohoi Konicën Ahmet Zogu dhe nuk i ofroi një portofol ministror në qeverinë shqiptare, por e degdisi sa më larg nën orientimin e qarqeve të huaja?

Përse Fotua nuk përgjegjëson edhe Qeverinë e Vlorës, edhe Kongresin e Lushnjës, edhe Qeverinë Demokratike dhe Zogollin, që nuk e vlerësuan Faik Konicën, por sulmon vetëm periudhën e socializmit?

Fotaqi pretendon se ka zbuluar romane të Konicës kur për to vetë Konica nuk ka shkruar asnjëherë, askush tjetër, shqiptarë apo të huaj, ndoshta sepse përmbajtja dhe niveli i tyre artistik nuk e nderonte Konicën.  Fotaqi ekzaltohet se paska zbuluar djalin e Konicës, sikur të ketë zbuluar vetë shpëtimtarin e kombit, ndërkëhë që shqiptarët nuk dinë ku kanë djemtë dhe vajzat e tyre të shpërndarë nëpër botë për bukën e gojës.

Prepotenca e Fotqait për t’u imponuar si autori i vetëm i linçensës për Faik Konicën, qëndrimi arrogant në shkrimin e tij, përçmimi i të tjerëve dhe thirrja për çensurë, janë elemente që e kompromentojnë karakterin dhe kulturën e diplomatit evropian. Veçanërisht pretendimi absurd për t’iu imponuar mendimeve dhe analizave të profesorëve dhe akademikëve tanë para dhe pas viteve ’90 si  Kristo Frashëri, Rexhep Qosja, Gazmend Shpuza, Arben Puto, Dhimitër Shuteriqi, Nonda Bulka, Razi Brahimi etj, dëshmon pretenciozitet, sepse nuk ka arritur akoma të barazohet me ta.

[1] “Shqipëria”, Bukuresht , nr. 30, 29 nëntor 1897.

October 5, 2016 10:28
Komento

14 Komente

  1. anticensurë 25642654 October 5, 12:21

    “Nuk mund të injorohet, siç po bëhet aktualisht, qëndrimi i tij asnjanës, gjegjësisht jo i drejtë ndaj Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe Lidhjes së Prizrenit, siç pranon dhe akademiku Qosja; ndaj rolit të Fuqive të Mëdha në zgjidhjen e çështjes shqiptare, ndaj rolit të forumeve ndërkombëtare që nga Kongresi i Berlinit dhe deri tek Konferenca e Versajës në historinë e popullit shqiptar, bashkimi me Esat pashë Toptanin kundër qeverisë kombëtare të kryesuar nga Ismail Qemali; qëndrimi jo i drejtë i tij ndaj luftës së Vlorës; qëndrimi i papranueshëm ndaj ideologjisë fashiste; qëndrimi i paarsyetuar dhe oportunist ndaj mbretit Zog etj., etj.”
    kot nuk thonë që kohët përsëriten!!
    sikur të ndërrojmë emrat e njerëzve dhe kohën në të cilat ata kanë jetuar
    në vënd të emrit të konicës mund të vinim atë të kadaresë,si fillim dhe të të tjerëve me rradhë!!
    sa e çuditëshme aq dhe normale do të thosha!!
    ndoshta çdonjeri ka brënda tij si kufizimet dhe madhështinë e tij!
    po qe se bëhet një analizë e të dy anëve,jo sikëtu tek ne që seicili përmënd vetëm anën që i leverdis atij,është sublektiv,dhe aspak atë që nuk i leverdis!për të mos thënë i manipulon të dyja sipas qëllimit të tij!!

    Reply to this comment
  2. Darius October 5, 13:38

    Vazhdojne me Faikun akoma……dhe gazetat sebashku,kur Faiku jetoi e punoi para 1 shekulli dhe sot dikush anonim njeri,dhe gazetat per te marre ca clikime me shume fillojne e nxjerrin mllef te pa shpjeguar…..mbase nga raca e inferioritetit familjar.

    Per keta Anonime dhe Gazetare shprehja……Kur i zgjuari shkoi ne fshatin e budallenjve,u ngriten budallenjte e thane,Erdhi ky Budallai!!!

    Reply to this comment
    • Thinji October 7, 06:20

      Gazeta komuniste Dita e popullit s’duhet ta ule veten kaq shume me shkrime te autoreve osmanllinj fshatare qe paguahen nga organizatat e sulltanit Erdogan ne Shqiperi.

      Reply to this comment
  3. drita bashaj October 5, 18:15

    Mos u lodhni kot. Fotaqi eshte nje injorant I plote. Ka mesuar vetem frengjisht, ka punuar per botimet e Enver Hoxhes ne komitetin qendror dhe me qe deti u be kos dhe te tere qe kane mesuar alfabetin, shkruajne , vendosi dhe ai ta shkrepe injorancen e tij te plote, e cila nuk e le as te pakten te shohe sec eshte bere para tij. Keta njerez pa tru duan te na mbushinmendjen se meqe Konica hante vetem pule shume te fresket dhe nderronte kostumet dy here ne dite, ka qene njeri I madh, me kulture dhe gjeni. Po kush e paguante Konicen , I cili nuk punoi asnje dite ne jeten e vet? Ishte I shitur, kishte shitur jo mendjen , po dhe shpirtin. Prandaj zgjuaresia dhe kopilet e tij nuk na hyjne shume ne pune . Eshte mbushur tregu I librit me gomarlleqe dhe budallalleqe si asnjehere,qe nga shek. XV. Gri sallate, harxho leter, boto, shpif, denigro, shkatero gjithcka shqiptare qe eshte bere me sakrifica te pashembullta. As greku, as serbi nuk na kane bere kaq te keqia sa keta shqiptare pa tru, ose te shitur, qe qeveria jine I ben ambasadore e pertej. U shofte gjithe raca antishqiptare, qe ka mbire si kerpudhe e keqe, e helmet ne trupin e Shqiperise se gjore. Shko blije tere librin tend Fotaq dhe digje me doren tende qe te lash turpin qe I ke bere atdheut. Nuk shkruhet historia duke u argalisur zyrave shqiptare me injorance dhe pa pergjegjesi. Faleminderit zotit qe akoma kemi disa studjues me culture dhe tru si Gazmend Shpuza etj per te nxjerrw nga tregu parane kallp Fotaq Fotaqi.

    Reply to this comment
    • Bardha October 7, 06:25

      Çfar je ti moj anonime?! Çfar lidhje ka autori perkthyesi i nderuar Fotaq Andrea me çimka katundi si ty? As sa dhelpra e fabules me rrushin lart ne peme nuk ke vlere. Po ben serbet dhe grekerit te mire, moj e lojtur nga mendte?!!??! Librat e Fotaqit dhe te Faik Konices nuk jane per zagaret e serbeve dhe grekerve si ty apo si levantini rreshter (çaush) Fitimi.

      Reply to this comment
  4. Thanas L. Gjika October 5, 19:56

    Artikulli i z. Caushi më duket tendencioz me synim denigrues si ndaj Faik Konicës dhe ndaj studiuesit Fotaq Andrea.
    Atdhetarët tanë të së kaluarës, duhen vlerësuar duke analizuar në kontekstin historik veprat e tyre më të mira. Kështu dhe Faik Konica, nuk mund të vlerësohet duke u mbështetur në disa artikuj, por duke analizuar në tërësi kryeveprat e tij. Dhe të tilla kryevepra prej penës e mendjes ndricuese të Faikut kemi koleksionin e plotë të revistës “Albania”, romanin “Doktor Gjëlpëra…”, “Katër përralla nga Zululandi”, etj, etj, si dhe disa të tjera, të cilat për fat të keq nuk janë zbuluar ende.
    Z. Fotaq Andrea duhet përgëzuar për gjetjen, përkthimin, përgatitjen për botim të dy romaneve të Faik Konicës që nuk njiheshin deri sot. Studimet e tij “Fletore Koniciane” kanë sjellë shumë saktësime në jetën dhe vlerat intelektuale dhe artistike të Faik Konicës. Ai e ka kthjelluar qartë Konicën si një nga penat vërtet brilante të gjuhës shqipe.
    Nuk duhet nënvlerësuar fakti i madh se ne sot shkruajmë me alfabet krejt latin si e praktikoi ai që më 1896 dhe shkruajmë një gjuhë letrare si shkruante Faik Konica.
    Natyrisht ky atdhetar ka berë dhe gabime, të cilat kanë nevojë të sqarohen e të vlerësohen objektivisht e jo me një fryme partishmërie si deri dje.
    Të shkruash me mllef e sharje si bën autori i artikullit kundër punës madhore të Fotaq Andreas nuk është një punë për t’u përkrahur.
    Faik Konicën e kanë vlerësuar lart Gjergj Fishta, Fan Noli, Ahmet Zogu, Jup Kastrati, Rexhep Qosja, e shumë të tjerë, si dhe autori i këtyre radhëve në dy studime të përmbledhura në librin e tij “Mosdënimi i krimit është krim i ri” (OMSCA-1 Tiranë 2016, 450 fq.)

    Reply to this comment
  5. Zani Burimi October 5, 21:01

    Ky “diplomati” Fotaq Fotaqi, me falni Fotaq Andrea, ka shoke dhe ne Ministrine e Arsimit. Lemeritesh te shohesh ne librin e leximit klases se tete nje fragment nga “romani” i Faik Konices per Mamurrasin. Eshte lebeti fare dhe kete e kane bere ca autore libri me tituj qe vetem emrin ia ka ne degjuar Faik Konices dhe se e “ka ndaluar diktatura komuniste” dhe , o burra, t’u tregojme nxenesve Konicen me prozen moderne! Por nxenesit lemerise nga “shqipja” qe e kane pasur per turp fshataret e Mamurrasit t’ua vesh ne gojen e personazheve gjoja prej aty.
    Si Ky Fotaqi (na mbyten dhe tani keto Fotaqet!) ka dhe kunguj ne letersi qe duan ta ngrene me zor si letrar ate Faik bej, qe nuk mbaroi tamam nje tregim dhe jo me per te punuar si NOLI I MADH me shoke per Letersine Shqipe.
    Tungjatjeta studiuesit Fitim Çaushi!

    Reply to this comment
  6. Mëno October 7, 00:46

    Faiku ke qene nje shqiptar qe ne venat e tij qarkullonte gjaku i Perandorise Osmane. Vaprinaria e tij antishqiptare veç atyre qe citon me te drejte Z. Çaushi, ka te beje edhe me shperberjen e Vatres. Faiku u perpoq ta kthente Vatren nga nje organizem i fuqishen ne mbroitje te memedheut, ne nje shoqate per perfitime personale. Po ashtu lufta e Faikut kunder Nolit dhe raportimet e tij dashakeqe te organet e FBIs perbejne nje tjeter tipar te dyfytyresise se anadollakut Faik Konica. Ky Fotaqi, diplomati i”Madh”, ose eshte injorant ne njohjen e figures kontraverse te Faikut, ose eshte i paguar nga pasardhesit e kolaboracionisteve per ti bere hosanara.

    Reply to this comment
  7. Mehmet Metaj October 7, 14:13

    Mehmet Metaj
    Aferim Z. Fitim Çaushi, kjo mendoj eshte nje synopsis e plote dhe e paanshme dhe jo-patetike per figuren shumedimensionale por dhe kaleidoskopike te Faik bej Konices…ajo qe mbetet nga ai mendoj se eshte kontributi per gjuhen shqipe dhe himnin-flamurin kombetar etj!!!Vetem nuk keni permendur takimin e Faik Konices me Ministrin Britanik te Kohes David Lloyd George, me 1913’en I ardhur nga Amerika ku ju bashkua delegacionit tone te kryesuar nga vllaj i vete, Mehmet bej Konica, asokohe Minister i jashtem, ne perpjekje-bisedime para Konferences-marrevshjes se fshehte te Londres…

    Reply to this comment
  8. alphade January 2, 13:10

    O zot ,ruajna nga te tille brekdhjere diplomate qe per-
    piqen t’u imponojne mediokritetin e tyre gjyhnahqjare
    intelektualeve te mirefillte shqiptare te te gjitha kohrave .
    Fotaqo merru me mire me zanatin tend,nese vertete je
    i ketij zanati dhe jo si ato ” plepistat e Sales” …!
    Nje shprehje spanjolle thote: ” Zapatero a tus zapatos” !
    Haxhi Qamili i shkrete nje here tha : ” duam baba dovle-
    tin” dhe nuk e lene as sot kesaj dite te prehet ne varr,
    ndersa ” kaloresi” yt Konica e ka deklaruar me dhjetra e
    qindra here ne shtyp dashurine e tij te zjarrte per “Baba
    Dovletin” dhe ju zoti ambasador i se ” ardhesmesh se
    ndritur te Shqiperise” fale kontributit tuaj si diplomat . Eshte sinqerisht e dhimbeshme qe ka ” intelektuale” sot
    qe e masin veten me hijen e akshamit para se te peren-
    doje dielli qe ngroh te gjithe boten ! Kjo eshte nje fatkeqe-
    si e madhe e shqiptareve intelektuale qe u duket vetja se
    kane zbuluar ” vezen e Kolombit” dhe dihet perse e bejne
    nje gje te tille : per te mbushur thase me balte e zift per te
    nxire sa me shume nje te kaluar qe u vetdenua duke asgjesuar vetveten,nje sistem qe deshtoi ne fusha te cak-
    tuara ,sidomos ne ate ekonomike por jo ne vleresimin
    apo denimin e figurave poltike,diplomatike,sociale,etj.etj.
    Zoti Caushi i ka bere nje analize te shkelqyer per mendimn tim te gjithe veprimtarise se Konices si politikan
    dhe diplomat dhe nuk na le vend per te shtuar apo komentuar por do te permend vetem nje shprehje te Ko-
    ces kur thote: ” Shqiperi te kam dhjere ,s’ te kam kuptuar
    asnjehere” ! Sa perbuzes eshte ky njeri ndaj vendit te vet
    qe e lindi dhe e rriti ?! Si te duket shprehja e Fishtes qe sot injorohet per aresyet qe ta nxjerrin ate ” diafan” para
    vulgut si kampion te letersise shqipe dhe qe realisht eshte: ” Le ta dije e gjithe bota mbare se pater gjergj Fishta s’eshte me shqiptar” … Keto shprehje kurre nuk i
    tha Naimi,Abdyli,Vaso Pasha , Cajupi,etj.etj. Atehere
    perse nuk i thuhen ketyre intelektualeve te rilindjes edhe
    difektet tyre serioze kunder interesave te shqiptareve qe
    po luftonin per pavaresine e Shqiperise ?!
    Diplomati yne nuk i thote keto por vetem se derdh zjarr e
    hekur si Zeusi kunder nje te kaluare qe paskish injoruar
    vlerat e ketyre kampioneve te intelektualuzmit shqiptar.
    Sot ,ne keto kohra, ka nje realitet qe cdo njeri mund te
    flase,te shkruaje, te ofendoje ,te pjerdhe si te doje dhe kush nuk guxon te thote dale more karabush se nuk ke
    te drejte per kete apo ate vleresim qe ben dhe shembull
    tipik per kete kemi parlamentin tone te ” nderuar” ku cdo
    deputet,sidomos deputeti yt, nuk le fjale te ndyre te nxjerre nga fjalori per te ofenduar koleget e tij, nje fjalor
    tipik rrugacesh qe mund t’i krahasosh vetem me fjalorin
    e ” Letres se zaporozhjeve drejtuar sulltanit te Turqise” !
    Kjo menyre e eger,vandale,barbare e te sjellurit ne ate qe
    fatkeqesisht quhet “foltore” na ben te ndjehemi te desh-
    peruar thellesisht per cka po ndodh ne vendin tone ku
    disa figura ,ne se guxojme t’ i quajme te tilla, mbajne peng me perversitetin e tyre nje komb te tere brenda dhe
    jasht kufijve shteror te Shqiperise. IMadhi Vaso Pasha
    shkruan : ” Moj Shqypni e mjera Shqypni , kush te ka
    qitun me kry ne hi, Ti ke pase kene nje zonje e rende
    Burrat e Dheut te qushin Nene …… ”
    Konica ka qene dhe mbetet po Ai qe shenohet ne parane
    shqiptare : i jepet pruresit me te pare” dhe Konica ishte
    nga ata qe dinte ta ” qeronte qepen pa derdhur lot ” ,ashtu sic thone spanjollet qe ne kete bote mjerane dinte
    ta kercente tangon ne menyre te shkelqyer dhe per keto
    s’ja hante qeni shkopin… Te tjerat le te merren kritiket si
    puna jote more zoti Fotaq …!

    Reply to this comment
  9. alphade January 2, 13:25

    Komentin tim,please …..

    Reply to this comment
  10. Mashtrimi qe Vazhdon July 12, 04:52

    Edhe ish-komunistet kane perfituar prej Lirise se Pluralizmit: psh, ata nuk jane te detyruar te citojne me shokun Enver, jo me vetem shokun Enver, sic benin deri dje, (edhe per te share Konicen!), por tashme citojne vetem njeri tjetrin, dmth ish komunistet e tjere te sektorit te Edukimit!

    Vertete e ke zoti Fitim kur shkruan: “Si shpjegohet që populli dhe totalitarizmi 50 vjeçar, nuk mohoi Rilindësit e tjerë: …De Radën, ….Seremben, Naim e Sami Frashërin, …Petro Nini Luarasin, Shirokën, Migjenin, Mjedën,…, Gurakuqin… Poradecin, Çabejn, e të tjerë “?!
    Na kishe treguar ti mahere se cfare lidhje kishin rilindasit Frasherllij me ata Frasherllijte e tjere qe ju i quanit, dhe i quani, colaboracioniste?! Na kishe treguar ti se Lasgushi ende s’kishte vdekur, tjeter se nuk e ngjyeu me penen per ju Kuqot?! E quan te nderuar Cabejn ti?!

    S’ju vjen gjynah qe po moshoheni dhe nuk ndjeni mungesen e urtesise, aq te nevojshme per t’u lene pasardhesve nje shenje se vertete jeni marre me libra?!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*