Hoxha: Pse dështoi më 18 mars 1995 sulmi i dytë i komandos greke mbi postën kufitare shqiptare

Nga Artan Hoxha July 17, 2013 16:15

Hoxha: Pse dështoi më 18 mars 1995 sulmi i dytë i komandos greke mbi postën kufitare shqiptare

Dosja ‘Masakra e Peshkëpisë” nga gazetari investigativ Artan Hoxha.

Si u përgatit dhe pse dështoi paraditen e 18 marsit 1995 sulmi i dytë i komandos greke, celula e armatosur e organizatës ultra nacionaliste greke “MAVI” mbi postën kufitare shqiptare. Si nisi dhe si u realizua ‘Fshesa’ greke mbi emigrantët shqiptarë pas masakrës. Operacionet në Greqi dhe arrestimi i 7 anëtarëve të komandos terroriste

 

Artan Hoxha: Pas masakrës së Peshkopisë, në Greqi nisi ‘Fshesa’ masive ndaj emigrantëve shqiptarë. Ndërkohë, më 18 mars të vitit 1995, komando terroriste greke tentoi sulmin e dytë mbi postën kufitare shqiptare. Policia greke identifikon dhe arreston 7 anëtarët e bandës terroriste që që kreu krimet e rënda në Peshkëpi. Gjyqi farsë i drejtësisë greke të terroristët e ‘MAVI’

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Ndërsa terroristët grekë të Frontit për Çlirimin e Epirit të Veriut po festonin triumfin e sulmit të tyre, qeveria shqiptare e drejtoi gishtin drejt fqinjit të saj jugor. Në deklaratën zyrtare të qeverisë thuhej: “Pas sulmit, komandoja u largua e ndjekur nga forcat kufitare shqiptare dhe kaloi kufirin grek. Gjurmët të çonin te posta kufitare greke. Të gjitha rrethanat e këtij krimi të bëjnë të mendosh se ai ishte një akt i paramenduar kriminal, i forcave speciale greke, për të cilën qeveria greke e mban gjithë përgjegjësinë. Ai është një akt që përbën një cënim të rëndë të sovranitetit të shtetit shqiptar, të cilin qeveria shqiptare e denoncon pranë qeverive të shteteve të tjera dhe organizmave ndërkombëtare dhe u kërkon atyre të ushtrojnë presion ndaj qeverisë greke, për t’u dhënë fund këtyre akteve kriminale, që kanë prapamendime tepër të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, që bëjnë pjesë në strategjinë e destabilizimit të Ballkanit dhe synojnë të rrisin tensionin në Jug të tij. Duke protestuar me forcë ndaj qeverisë greke për këtë akt të ulët terrorist, qeveria shqiptare do të marrë të gjitha masat e duhura dhe njëkohësisht, kërkon prej saj të zbulojë autorët e këtij krimi”.

Pavarësisht reagimit të ashpër të qeverisë shqiptare, dukej qartë dëshpërimi për atë që kishte ndodhur. Ajo që thuhej në deklaratën zyrtare se rojet kufitare shqiptare e ndoqën komandon greke nga pas, ishte në të vërtetë një gënjeshtër. Askush në zonën ku ndodhi sulmi nuk e ndoqi nga pas komandon greke, e para, sepse ata që duhej ta ndiqnin ishin çarmatosur më parë nga vetë qeveria shqiptare që i kishte lënë me armë pa fishekë. E dyta, repartet e tjera të mbrojtjes së kufirit ndodheshin në distancë të largët nga Peshkëpia dhe sikur të donin nuk kishin mundësi praktike të ndiqnin nga pas terroristët e ardhur nga Greqia.

 

RINIS ‘FSHESA GREKE’

Masakra e Peshkëpisë u pasua me një ngrirje të marrëdhënieve diplomatike me Greqinë. Qeveria shqiptare protestoi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa pala greke u mundua ta kalonte në qetësi. Për ta vënën nën presion qeverinë shqiptare, menjëherë pas ngjarjes policia greke nisi operacionin “fshesa” duke rikthyer në kohë rekord dhjetëra mijëra emigrantë shqiptarë. E vënë nën presion ndërkombëtar Qeveria Greke nisi një hetim sa për sy e faqe, pasi askush nuk u arrestua si organizator apo autor i sulmit të repartit të Peshkëpisë. Ky fakt dëshmonte sesa e pa interesuar ishte pala greke për ti shkuar deri në fund kësaj historie. Do të duhej gati një vit që të zbuloheshin emrat e autorëve të masakrës së 10 prillit 1994. Komando e njohur me emrin ‘Pirro i Parë’ organizoi një sulm të dytë në jug të Shqipërisë, këtë radhë për të goditur në të njëjtën mënyrë repartin e mbrojtjes së kufirit në fshatin Llongo të Gjirokastrës.

SULMI I DYTË I KOMANDOS

Sulmi i dytë u programua në kohën kur marrëdhëniet shqiptaro – greke ishin në krizën më të thellë qysh pas fundit të viteve ‘60. Pas ngjarjes së Peshkëpisë policia greke ktheu apo depërtoi në Shqipëri mbi 150 mijë emigrant nëpërmjet një operacioneve masive të quajtur “Fshesa”. Në Tiranë gjatë kësaj kohe vazhdonte gjyqi maratonë ndaj disa krerëve të minoritetit grek. Një gjyq, rezultati i të cilit kishte në sfond edhe zgjidhjen për pikëpyetjen e madhe të ardhmërisë së marrëdhënieve shqiptaro-greke. Pikërisht në një kohë të tillë të trazuar, madje të acaruar për marrëdhëniet mes dy shteteve, celula e armatosur e organizatës ultra nacionaliste greke “MAVI” tentoi sulmin e dytë ndaj një poste kufitare shqiptare.

Pjesëtarët e skuadrës Pirro i Parë pasi kishin marrë informacionin e duhur për vend ndodhjen e pikës kufitare në fshatin Llongo, për personelin, armatimin, mënyrën e shërbimit të rojës u hodhën në veprim. Paraditen e 18 marsit 1995 pjesëtarët e kësaj komandoje iu afruan kufirit greko-shqiptar me dy automjete. Të armatosur me armë këmbësorie, me mjete komunikimi në distancë, dylbi për natën dhe uniforma ushtarake kamuflazhi ata iu afruan brezit të gjelbër në pritje të natës për të kryer sulmin e dytë ndaj rojeve kufitare shqiptare.

 

18 MARSI I VITIT 1995

Disa orë para se të zbardhte e diela e 18 marsit 1995, banorët e fshatit grek të quajtur Kastani, që ndodhet ngjitur me kufirin shqiptar, u zgjuan nga të shtëna me armë zjarri. Fshatarët, që ishin mësuar shpesh herë me zhurmë armësh gjahu, nuk u vunë rëndësi këtyre krismave. Ndërkaq, njësiti i përgjimeve kufitare të ushtrisë greke, duke njohur llojin e krismave, që ishin nga armë luftarake, vuri në alarm të gjithë njësitet ushtarake, duke kujtuar për ndonjë sulm nga pala shqiptare kundër kufirit grek, apo ndonjë përpjekje të panjohur me armë. E gjithë zona u vu në gjendje luftarake dhe u bllokuan të gjitha rrugët dhe shtigjet, sikur të ishte gjendje lufte. Sikurse u mësua më pas, shtatë anëtarë të organizatës “MAVI” kishin hyrë në territorin e Shqipërisë për të ndërmarrë akte terroriste kundër integritetit të saj, me synim kryesor të vrisnin ushtarakë të postave të kufirit.

 

REAGIMI I KUFITARËVE SHQIPTARË

Grupi i armatosur ishte pikasur në kohë nga trupat kufitare shqiptare, të cilat ishin informuar qysh më parë për ardhjen e tyre nga shërbimet inteligjente. Pas ngjarjes së Peshkëpisë ishte rritur në mënyrë të ndjeshme gatishmëria dhe vigjilenca për çdo lëvizje në kufirin me Greqinë. Autoritetet shqiptare të kapura gafil në Peshkëpi kishin marrë masa të rrepta për të parandaluar një sulm të dytë që do të kishte pasoja të rënda. Sapo rojet shqiptare të kufirit pikasën në lëvizjen e personave të dyshimtë me uniforma ushtarake hapën zjarr. Si rezultat i zjarrit nga ushtarët shqiptarë, komando e frontit për Çlirimin e Vorio Epirit u tërhoq me shpejtësi në drejtim të territorit grek për të mos lënë pas viktima. Komando u kthye në vendin ku kishin lënë mjetet e transportit, në afërsi të fshatit Kostani.

 

OPERACIONI NË TOKËN GREKE

Pasi heqin nga trupi uniformat ushtarake greke, hipën në automjetet e tyre dhe u drejtuan në aksin rrugor Kakavijë – Kallpaqi. Por pa dalë nga zona e Delvinaqit, ata u ndeshën me një patrullë të përforcuar ushtarake – policore, e cila kishte bllokuar tërësisht këtë rrugë për një kontroll të rreptë. Automjeti i parë ndaloi. Gjatë kontrollit nga policia u gjetën 9 copë uniformat ushtarake, por dokumentacioni i mjetit dhe personal i personave që udhëtonin në të ishte i rregullt. Në këto kushte ata u lanë të lirë. Pak minuta më vonë në të njëjtin postbllok u afrua automjeti i dytë, në të cilin ndodhej armatimi. Duke e parë rrezikun drejtuesi i mjetit thye postbllokun dhe u largua me shpejtësi në drejtim të qytetit të Janinës. Menjëherë u dha alarmi për të bllokuar të gjitha akset rrugore të zonës, ndërsa mjete të policisë greke u vunë në ndjekje të makinës së dytë. Duke parë se nuk kishin rrugë tjetër terroristët grekë u detyruan të dorëzohen. Pas ndalimit të tyre u kërkoi dhe bllokimi i automjetit të parë që kishte kaluar postbllokun pas kontrollit të policisë. Personat e ndaluar u shoqëruan në rajonin policor të Delvinaqit, pranë kufirit me Shqipërinë. Ata u munduan të kamufloheshin si një grup gjuetarësh, por policia i ndaloi për armëmbajtje pa leje. Gjatë marrjes në pyetje u zbulua dhe identiteti i tyre. Komando e njohur me emrin Pirro i Parë përbëhej nga
Jorgo Anastasulis, 34 vjeç, oficer i ushtrisë greke me gradën toger.
Apostolos Karvelas, 26 vjeç, punonjës i policisë greke zëvendës komandant i grupit. Mario Kutulla, 25 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, punëtor. Fredi Bejleri, 23 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, me profesion hidraulik. Jorgo Kristo, 26 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë.   Harallamb Papa, 21 vjeç, shtetas shqiptar, banues në Athinë, punëtor ngarkim – shkarkimi dhe vëllai i tij Jorgo Papa, 30 vjeç me profesion teknik frigoriferësh, të dy shtetas shqiptarë nga zona e minoritetit.
Në kontrollin që iu bë dy makinave, të cilat drejtoheshin nga oficeri grek Jorgo Anastasulis dhe polici Apostolos Karvelas u gjetën armët e sulmit. Sipas raport-shërbimit me numër 1057/9 të datës 19 mars 1995 të rajonit policor të Delvinaqit: thuhet se janë kapur 6 automatik “Kallashnikov”, 878 fishekë të kalibrit 7.62 mm, dy pistoleta, një palë dylbi për natën, aparat fotografik, radio marrëse-dhënëse, gërshërë për të prerë tela etj, etj. I gjithë inventari kishte 32 pajisje, të gjitha për qëllime ushtarake. Arrestimi I autorëve të sulmit ndaj postës së Peshkëpisë u mbajt në fshehtësi nga autoritetet greke, por mediat e vendit fqinj edhe pse e mësuan lajmin me pak vonesë nxituan që ta publikonin atë si një ngjarje të bujshme.

 

ARRESTIMI I KOMANDOVE GREKE

Tri ditë pas arrestimit të komandos terroriste të Frontit për Çlirimin e Vorio Epirit në zonën e delvinaqit, agjencia shtetërore e lajmeve të Greqisë (ANA) raportonte se: “Shtatë personat e armatosur të arrestuar në afërsi të kufirit greko shqiptar ditën e diel dolën përpara një hetuesi në Janinë të akuzuar për armëmbajtje pa leje. Të shtatë, të arrestuarit aktualisht janë duke u mbajtur në Rajonin policor të  Janinës. Ata u arrestuan nga një patrullë e policisë greke në afërsi të fshatit Delvinaqi në veriperëndim të Greqisë dhe u kapën me nëntë e armëve luftarake si dhe municionin përkatës. Zëdhënësi i qeverisë Greke deklaroi se Kryeministri Andreas Papandreu shprehu shqetësim e tij një ditë pas arrestimit të të shtatëve dhe se kishte urdhëruar një hetim tërësor, mbi përpjekjet e mundshme për të destabilizuar marrdhëniet ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë. Ka shumë anë të errëta çështja. Ky është një akt e provokim i qartë”, tha Papandreu.

 

GJYKIMI I KOMANDOVE

Gjykata e Janinës pasi shqyrtoi kërkesën e prokurorisë dhe dëgjoi pretendimet e shtatë të arrestuarve vendosi masën e sigurisë të arrestit me burg. Ky vendim u dha mundësi hetuesve grekë të zbulonin kush fshihej pas kësaj komandoje terroriste, kush i kishte urdhëruar ata për të bërë masakrën e Peshkëpisë. Autoritetet greke u munduan që ta mbanin larg syve të medias arrestimin e pjesëtarëve të komandos terroriste të MAVI-së, por edhe pse me vonesë kjo ngjarje u përcoll me mjaft interes nga gazetat dhe televizionet e vendit fqinj. Ditën që gjykata e Janinës vendosi masën e sigurisë të arrestit me burg për 7 anëtarët e komandos terroriste, më 22 mars 1995, agjencia shtetërore e lajmeve të Greqisë ANA raportonte gjerësisht mbi ngjarjen. Pasi jepte të dhëna në lidhje me aksionin e policisë dhe identitetin e të arrestuarve agjencia Greke e lajmeve ANA citonte: Lidhur me këtë çështje, qeveria tha se kishte tërhequr dje një anëtar i stafit të saj në ambasadën greke në Tiranë. Zëdhënësi i qeverisë, Evangelos Venizellos citohej të kishte thënë se: “u krye rikthimi i diplomatit Panajotis Mulieris, i cili ishte arrestuar më parë nga policia shqiptare për shpërndarjen e fletëpalosjeve të Frontit për Çlirimin e Verio Epirit.” Moulieris u lirua nga autoritetet shqiptare për shkak të imunitetit të tij diplomatik. Duke iu përgjigjur pyetjeve, Venizelos shtoi se marrëdhëniet me Shqipëria kishin hyrë në një fazë veçanërisht positive. Në raportin e agjencisë greke të lajmeve thuhej se po vazhdojnë hetimet në gjithë vendin, por ato janë përqëndruar kryesisht në Athinë dhe në veri-perëndim të Greqisë. Nga hetimet paraprake rezulton se drejtues të grupit të armatosur janë oficeri i ushtrisë greke Jorgos Anastasoulis dhe polici Apostolis Karvelas.

Menjëherë sapo u njoftua për ngjarjen në fshatin kufitar Llongo, qeveria shqiptare kërkoi detaje si nga agjentët e SHIK-ut ashtu dhe nga reparti ushtarak që kishte shkëmbyer zjarr me komandon e ardhur nga Greqia.

 

REAGIMI SHQIPTAR PËR ARRESTIMIN

Lajmi se policia Greke kishte arrestuar pjesëtarët e komandos terroriste u përshëndet nga Tirana zyrtare. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Agron Musaraj deklaroi se: “Veprimi i ndërmarrë nga autoritetet greke shënon një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë.” Ndërsa Ministri i Jashtëm Alfred Serreqi e shpreh se, “kjo ngjarje erdhi në një moment kur të dy vendet po rrisin përpjekjet për të fituar kohën e humbur.” Deklarata që dënonin sulmin e dështuar të komandos së MAVI-së u bënë dhe nga disa organizata ultra nacionaliste greke, të cilat nuk donin të përfundonin në bankën e të akuzuarve.

 

(Vijon nesër)

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Çfarë u gjet dhe u sekuestrua nga policia greke në banesat e 7 komandove të organizatës ‘MAVI’ që kryen masakrën në Peshkëpi të Gjirokastrës mesnatën e 10 prillit 1994.

-Investigimi i gazetarit Hoxha: Si u organizua organizata kriminale ‘Mavi’ për terror në zonat jugore të Shqipërisë, hartimi dhe realizimi i skenarit për të dy operacionet.

-Skandali i drejtësisë greke: Anëtarët e masakrës së Peshkopisë dënohen vetëm për armëmbajtje pa leje. Qëndrimi nënshtrues i strukturave shqiptare për ngjarjen dhe harresa 19 vjeçare e kësaj masakre.

Nga Artan Hoxha July 17, 2013 16:15
Komento

2 Komente

  1. preshi July 17, 22:39

    Mire qe shkruani juve te medias , qe i fiksoni ngjarjet , qe te mos humbase historia faktet , sepse po te jete per keta bythemuterit e politikes sone , keta shkruajne ne libra qe e pushtuam neve Perandorine Osmane sepse Ibrahim Pasha ishte vezir i Madh ne Stamboll dhe ishte shqiptar nga Parga ! Madje i shtypte edhe motren sulltanit !!!!! Se keshtu ia kerkon vellai Erdogan ….!

    Kaq e pacipe dhe jo shqiptare eshte politika jone dhe keta eunuket e saj ! Ne vend qe ta vendosin Shtetin Shqiptar ne pozita nderi dhe te barabarta me shtetet e tjere ! Po kush do te beje pushimet ne Korfuz dhe ne Izmir pastaj , apo ne Antalia dhe ne Krete ?

    Plerhanet !

    Reply to this comment
  2. AL-Boston July 18, 12:33

    Jam i bindur se qelbesirat nga Himara pjestar te kesaj bande kriminelesh,kane hyre me vone ne shqiperi per te bere fushat elektorale pa i prekur njeri.Kam mendimin qe keta persona pamvarsisht qe kane kaluar shume vite nga kjo ngjarje, duhet te vihen para drejtesis.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*