Hoxha: Vrasja e Fatmir Haklajt me plumb pas shpine, shënoi luftën e hapur mes palëve në Tropojë

Nga Artan Hoxha June 23, 2013 12:56

Hoxha: Vrasja e Fatmir Haklajt me plumb pas shpine, shënoi luftën e hapur mes palëve në Tropojë

Speciale nga gazetari investigativ Artan Hoxha, Dosja ‘Tropoja’. Prita e 4 nëntorit kundër Fatmir Haklajt e shokëve në afërsi të kullës së Mulosmanëve, ku Fatmiri u vra me plumb pas shpine, vdiq nga breshëritë Sami Kërnaja dhe u plagos Jaho Mulosmani. Dëshmia e Aishe Bashës, motrës së Fatmir Haklajt dhe denoncimi i vrasësve nga ana e saj

Krimi ndodhi rreth orës 19:15 të datës 4 nëntor në një pritë të organizuar nga kundërshtarët në afërsi të kullës së Mulosmanëve. Sami Kërnaja gjeti vdekjen e menjëhershme pasi u godit me një plumb në ballë, ndërsa Fatmir Haklaj u qëllua pas shpine dhe në brinjë, pa mundur të reagojë. Jaho Mulosmani i ka shpëtuar breshërisë së parë vetëm me dy plumba në ije dhe në krahun e majtë

 

Pasditen e 25 tetorit 1999 postblloku i forcave speciale në Tropojë, i stacionuar afër varrezave të dëshmorëve, ndalon Sali Mulosmanin. Ai po udhëtonte me autoveturë drejt Bajram Currit për të shkuar në punë si çdo mëngjes. Mulosmani reagoi fillimisht duke kundërshtuar kontrollin, pasi ishte shofer i SHIK-ut të Tropojës, por kur hasi në këmbënguljen e specialëve, i lejoi të kontrollonin mjetin. Gjatë kontrollit, përveç armës që kishte me leje, iu gjetën dy automatikë Kallashnikovë. Menjëherë u bë shoqërimi i tij në komisariat. Mulosmani tha se ishte i detyruar të lëvizte i armatosur, pasi kishte probleme hasmërie. Ky justifikim nuk ia mbushi mendjen Gani Malushit, që kërkoi izolimin e shoferit të SHIK-ut. Vetëm pak minuta më vonë, Malushin e telefonuan në zyrë nga dega e SHIK-ut në Kukës dhe nga Tirana, duke i kërkuar ta lironte punonjësin e tyre. Malushi refuzoi ta lironte. Ai deklaroi se “nëse njerëzit e SHIK-ut lëviznin gjithandej me armë pa leje, kujt t’i ruhem më parë, shik-asve apo atyre që janë në kërkim”. Pavarësisht rezistencës së Malushit, prokuroria e Tropojës ndërhyri shumë shpejt dhe e liroi Mulosmanin nga burgu. Qëllimi i Malushit ishte të binte në gjurmët e Jahos, të cilin e kërkonte qysh pas vrasjes së Kolonel Jonuz Hykës, pasi kishte informacione se ai lëvizte nëpër Tropojë. Ngjarjet që ndodhën pak ditë më vonë i dhanë të drejtë komisarit të Tropojës.

 

KARREMI

Më datë 2 nëntor 1999, bashkëshortja e Jaho Mulosmanit, e shtruar në spitalin e Bajram Currit, lind vajzë. Pasditen e 4 nëntorit, Sali Mulosmani, nxjerr nga spitali nusen e Jahos dhe vajzën e saj për t’i çuar në Bujan. Sihariqi nuk mbërrin vetëm te Jaho, por dhe te personat që ishin vënë në kërkim të tij. Sapo morën vesh lajmin, pjesëtarët e komandos që po realizonin goditjet e njëpasnjëshme në Tropojë, u vunë në lëvizje për të shfrytëzuar rastin. Ata e dinin se Jaho ndodhej i strehuar diku në Tropojë dhe se ai nuk mund të rrinte pa shkuar në banesën e tij, aq më tepër kur i kishte lindur dhe vajza. Autorët e pritës, mes të cilëve kishte dhe efektivë të forcave speciale, vendosën ta presin Jahon pranë kullës së tij, duke u pozicionuar në një shteg nga sipër fshatit, rruga më e mundshme nga ai mund të hynte në banesë për shkak se në këtë drejtim ai nuk ekspozohej. Të pajisur më armatim, ushqime për disa ditë dhe veshje kamuflazhi, autorët e pritës kanë shfrytëzuar informatorët e tyre për të zbuluar se ç’ndodhte në kullën e Mulosmanëve. Për t’u kamufluar sa më mirë, ata janë ndihmuar dhe nga një pyll i vogël me pemë të larta, që ndodhet 100 metra mbi rrethimin e kullës së Jahos. Gjatë ditës ata kanë vëzhguar në distancë me dylbi të gjitha lëvizjet, ndërsa sa po errej i afroheshin banesës së braktisur të Haxhi Jakupit, që ndodhet shumë pranë shtegut nga pritej të vinte Jaho.

 

PRITA

Mbrëmjen e 4 nëntorit, Jaho Mulosmani, Fatmir Haklaj dhe Sami Kërnaja kanë lëvizur nga banesa e motrës së madhe të Haklajt në Dojan, drejt kullës së Mulosmanëve. Ata i kanë dalë fshatit nga sipër dhe i janë afruar kullës duke ecur në distancë me njëri-tjetrin, për të mos rënë të tre në pritë në të njëjtën kohë. Sapo i janë afruar vendit ku ndodhet banesa e braktisur, Jaho, Fatmiri dhe Sami Kërnaja, kanë menduar se e kaluan rrezikun dhe u bashkuan me njëri-tjetrin. Por pikërisht kur i janë afruar kullës, rreth orës 19.15, ranë viktimë e një zjarri me armë automatike të hapur nga disa persona që ishin pozicionuar vetëm pak metra nga shtegu. Sami Kërnaja gjeti vdekjen menjëhershme pasi u godit me një plumb në ballë, ndërsa Fatmir Haklaj u qëllua pas shpine dhe në brinjë, pa mundur të reagojë. Jaho Mulosmani i ka shpëtuar breshërisë së parë vetëm me dy plumba në ije dhe në krahun e majtë. Ai u shtri në tokë dhe i pozicionuar pas një guri, hapi zjarr në drejtim të autorëve të pritës. Breshëritë e armëve janë dëgjuar deri në Bajram Curri. Autorët e pritës janë tërhequr me shpejtësi për të dalë nga zona e ekspozuar e fshatit dhe kanë marrë drejtimin e fshatit Vatoc, për të kaluar më pas urën e Bujanit.

 

DËSHMITARËT

Motra e madhe e Haklajve, Aishja, sapo dëgjoi të shtënat, u shqetësua, pasi e dinte që Fatmiri sapo ishte nisur për te Mulosmanët. E shoqëruar dhe nga dy persona të tjerë, ajo ka marrë shtegun që të nxjerr te kulla e Mulosmanëve. Në afërsi të fshatit Vatoc ka parë pesë persona të veshur me uniforma ushtarake kamoflashi dhe me armë në duar duke kaluar një gardh. Pavarësisht faktit se i kanë pasur shumë afër, Aishja e dy shoqëruesit e saj nuk mundën të qëllonin mbi autorët pasi nuk kishin armë me vete. Kur ka mbërritur në vendngjarje ajo ka parë Fatmirin dhe Sami Kërnajën të vrarë, ndërsa Jaho Mulosmani ishte plagosur. Aishja dhe dy personat që ishin me të kanë njohur grupin që kishte organizuar pritën, që rezultoi se ishte gati e njëjta dorë si në rastin e minave, duke patur në përbërje të tij dhe pjesëtarë të forcave speciale. Komisar Gani Malushi mbërriti shpejt në vendngjarje dhe pas hetimeve të para i kërkoi Ministrisë së Rendit që të verifikonte vendndodhjen e dy efektivëve të forcave speciale dhe nëse ata nuk ndodheshin në repart, të bënte arrestimin e tyre. Pavarësisht se informacioni që dha Malushi te shefat e tij ishte i detajuar dhe me emra konkretë, askush nuk e vuri ujin në zjarr.

 

PROVAT

Nga provat e shumta materiale të gjetura në vendngjarje, deklarimet e dëshmitarëve okularë dhe ekspertiza balistike, rezultoi se njëra nga armët ishte përdorur dhe në pritën e Qafë Luzhës. Kaq mjaftoi që Haklajt të kompletonin skenën e pritës dhe të njoftonin prokurorinë për emrat e personave konkretë që kishin marrë pjesë në këtë pritë. Pavarësisht provave të shumta dhe dyshimeve për autorët e vrasjes, kjo çështje nuk është gjykuar kurrë dhe aktualisht ndodhet e arshivuar në kartotekën e prokurorisë. Më në fund, pas 7 pritash dhe atentatesh Fatmir Haklaj i kishte mbyllur sytë përgjithmonë, por lajmi për vrasjen e tij ende nuk besohej nga bashkëpatriotët. Gjithsesi këtë radhë autorët e kishin kalkuluar mirë pritën që të mos u shpëtonte më Fatmir Haklaj, i cili mori me vete telashet që u kishte hapur politikanëve të majtë dhe atyre të djathtë.

 

HAKLAJT

Vrasësit për t’u siguruar se objektivi këtë radhë ishte goditur njëqind për qind dërguan njeriun e tyre, banor i Bujanit, të interesohej pranë kullës së Mulosmanëve. Kur u bindën se Fatmir Haklaj ishte vrarë, autorët e pritës lëvizën drejt një baze më të sigurt. Pas shumë përpjekjesh ata ia dolën mbanë të realizonin një mision që dukej i pamundur. Njeriu më i fuqishëm i Tropojës, Fatmir Haklaj, më në fund kishte vdekur, duke i bërë rivalët e tij të merrnin frymë thellë. Qysh nga ky moment ai u kthye gati në një legjendë. Historia e përgjakshme e “Dosjes Tropoja” nuk mori fund këtu, ajo vazhdoi serish me një numër viktimash në rritje. Por tani kishte dalë nga skena një nga protagonistët kryesorë duke prishur ndjeshëm ekuilibrin mes palëve të përfshira në këtë konflikt. (Vijon nesër) 

 

Aishe Basha: S’më kanë thirrur kurrë të dëshmoj për vrasësit e vëllait tim

 

Motra e Viktimës: Ja kush janë dhe pse nuk i arrestojnë vrasësit e Fatmirit!

Aishe Basha, motra e Fatmir Haklajt thotë: “Askush përveç Gani Malushit, nuk hetoi për të zbuluar vrasësit e vëllait tim, Fatmir Haklaj. Provat dhe dëshmitarët nuk mungonin, por mesa duket vrasësit nuk duhej të zbuloheshin. Ndoshta se pas tyre mund të dilnin dhe emrat e urdhëruesve të vërtetë të vrasjes!” Ajo është dëshmitare mjaft e rëndësishme për hetimin e këtij krimi, por askush në këto vite nuk i ka kërkuar të dëshmojë, jo vetëm Aishes, por as Jaho Mulosmanit që i pa me sytë e tij vrasësit.

 

Ku ishte Fatmiri më 4 nëntor 1999?

-Më 4 nëntor 1999, Fatmiri ishte bashkë me dajën e tij, Jaho Mulosmanin dhe një shok, Sami Kërnajën në banesën time. Rreth orës 19.00-19.15 u nisën nga banesa ime në drejtim të shtëpisë së Sali Mulosmanit dhe i ranë nga sipër fshatit. U nisën njëri pas tjetrit.

 

Përse do të shkonin tek banesa e Jahos?

-Qëllimi i tyre ishte të shkonin në banesën e Jahos, sepse atij një ditë më parë i kishte lindur gocë. Kur kanë ardhur afër banesës së braktisur të Haxhi Jakupit, që ndodhet 100 metra nga kulla e Jahos, u kanë bërë pritë. Autorët e pritës duhet të kenë qëndruar aty qysh gjatë ditës duke u fshehur në një pyll të vogël që ndodhet pas banesës së Haxhi Jakupit. Ata ishin të pozicionuar në dy vende të ndryshe. Ndoshta janë ndihmuar dhe nga ndonjë informator i tyre në fshat. Them se kanë qëndruar gjatë në pritë, pasi në vendngjarje janë gjetur një çantë me ushqime, të cilën e kishin konsumuar plotësisht, si dhe një shishe plastike me ujë.

 

Si u vra vëllai juaj Fatmiri dhe Sami Kërnaja? 

-Fatmiri, Samiu dhe Jaho u qëlluan sapo u bashkuan me njëri-tjetrin. Fatmiri u godit nga pas, pasi të gjithë plumbat i ka në shpinë. Ndërsa Sami Kërnaja ka qenë pas tij dhe plumbi e ka marrë në kokë. Jaho ka marrë dy plumba, një në anën e majtë afër zemrës dhe një tjetër në krahun e majtë. Jaho ka qenë më i aftë dhe si duket ka rezistuar. Ai ka qëlluar dhe i ka detyruar autorët të ngrihen nga prita”.

 

Çfarë provash u gjetën në vendngjarje?

-Kur policia ka ardhur në vendngjarje, gjeti një çantë me ushqime në vendin ku ishte ngritur prita. Pak me lart ka gjetur një karikator automatiku me 4 fishekë dhe disa metra më tej gjeti një kapele në të cilën kishin mbetur disa fije floku të personit që e mbante në kokë. Ajo kapele nuk ishte e një personi me kokë të madhe, por e një burri me kokë mesatare. Atë kapele e kam provuar dhe vete duke e vënë në kokë. Kështu që policia veë analizave që duhej tu kishte bërë fijeve të flokëve të gjetur në atë kapele nga ku mund të nxirrte autorin e pritës, mund ta identifikonte atë dhe nga madhësia e kapeles së përdorur. Policia ka pasur dhe deklarimet e familjes në lidhje me personat e dyshuar si autorë të pritës. Veç provave materiale në vendngjarje policia kishte dhe një të mbijetuar nga prita, Jahon. Ndërsa unë jam dëshmitare okulare së bashku me dy persona të tjerë që më shoqëruan kur kam dalë nga banesa në Dojan për të shkuar drejt banesës së Jahos në Bujan. Sapo dëgjova krismat dola nga banesa sepse sapo ishte larguar vëllai Fatmiri, kështu që edhe unë di diçka në lidhje me këtë ngjarje”.

 

A ju ka pyetur ndonjëherë prokuroria për këtë ngjarje?

-Askush nuk më ka kërkuar të jap deklarime për ngjarjen, qoftë nga prokuroria, qoftë dhe nga policia. I vetmi është i ndjeri Gani Malushi, shef i komisariatit të Tropojës që pas ngjarjes kërkoi të më takonte, por unë ndodhesha në gjendje jo të mirë psikologjike pas vrasjes së vëllait, kështu që nuk pati mundësi të më takonte. I vetmi i interesuar për të zbardhur këtë ngjarje ka qenë Gani Malushi, askush tjetër.

 

 

Zinxhiri i krimeve, atentate e vrasje të tjera në Tropojë

22 qershor 1997

Fatmir Haklaj i shpëton një prite të organizuar në afërsi të Milotit. Në këtë pritë u vra djali i xhaxhait të Fatmirit, Sokol Haklaj, ndihmësgjyqtar në Skrapar dhe efektivi i Gardës Ibrahim Rustemi. Fatmir Haklaj dhe Agron Gjyriçi shpëtuan, pasi Haklaj vrau njërin nga autorët e pritës.

6 maj 1999

Fatmir Haklaj ishte objektivi i një atentati me mina të telekomanduara në vendin e quajtur Varret e Shalës. Nga shpërthimi i eksplozivit u vra nipi i Haklajve, Eduart Haklaj, ndërsa Fatmir Haklaj, Sami Kërnaja dhe Shpëtim Gjyriçi mbetën të plagosur duke i mbijetuar vdekjes

4 gusht 1999

Gjatë një atentati me mina të telekomanduara në vendin e quajtur Brinja e Cërnicës u vranë Halil Haklaj dhe Feriz Kërnaja. Ndërsa Fatmir Haklaj, Fatmir Daka dhe një polic tjetër i komisariatit të Bajram Currit, mbetën të plagosur nga aktivizimi i katër nga një grup personash të panjohur.

4 nëntor 1999

Në një pritë të organizuar në fshatin Bujan, 100 metra nga kulla e Sali Mulosmanit, mbetën të vrarë Fatmir Haklaj dhe Sami Kërnaja, ndërsa Jaho Mulosmani u plagos me dy plumba, por i mbijetoi vdekjes. Autorët dyshohet të kenë qenë pesë persona mes tyre dy efektivë të forcave speciale.

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Pas vrasjes së Fatmir Haklajt, ekzekutohet Anton Gjergji, truproja i Fatos Nanos. Çfarë ndodhi para dhe pas krimit të mbrëmjes së 11 nëntorit.

-Kush u akuzua për vrasjen e truprojës së Nanos, persona të akuzuar njëkohësisht dhe për vrasjen e Nexhat Zyhos, kushëririt të Bujar Bukoshit.

-Këmbëngulja e Kolonel Gani Malushit për ndëshkimin e vrasësve dhe kërkesa e tij që u refuzua nga eprorët për arrestimin e dy komandove.

Nga Artan Hoxha June 23, 2013 12:56
Komento

14 Komente

  1. elio June 23, 20:37

    pabesira malokesh!

    Reply to this comment
  2. sazan June 24, 01:54

    Fatmirit kot i shpetoj Sali qeni

    Reply to this comment
  3. agbi June 24, 09:50

    Nje gje nuk kuptoj ne gjithe kete histori. Zihen ne goje vetem emrat e te ndjereve qe kane lene kete bot dhe megjithese lexon kudo qe ,njihen se kush beri priten , njihen personat e forcave speciale qe ishin pjese e bandave , njihen emrat ketu e njihen atje dhe si perfundim nuk hedh askush nje emer ne shkrim qe te dalin edhe lidhjet e krimit me njerez qe jane ne pushtet.

    Reply to this comment
  4. primc March 21, 23:29

    vllau im fatmiri me mungon shum eme mungon shkelqimi me mungojn te gjith vllezrit emi hakaj gjaku i vetmi ne shqiptari qe formoj shtetin shqipatr ,e zez ju shkoft jeta ne dy dynjat komplet atyre familjev qe qelluan vllaznit emi.jen do jeni ter jeten ne shpirtin dhe ne zemren time vllezrit emi hakal ju dua de shum respekt

    Reply to this comment
  5. primc March 21, 23:31

    ju paranjoftoj sje nuk jemi shym drit shpije kan edhe niprin princin nga amerika 19 vjecar do vje dita ta la tikon edhe une mbrapa do hakmirrem shum shpejt per gjakun tim qe qelluan tradhtart e shtetit , mos jetoni te lutmur ju armiq te shqiptaris se edhe nje gjak ekan gikun ne fund bote vllaznit emi hakalj ekeni ni nip o ju dajt emia qe do hakmeret dupllo per besen e zotit sdo ju le kurr qe te harroheni

    Reply to this comment
  6. franci September 28, 00:21

    do zoti nipi i haklajve merr hak ke sali berisha ose ke femijet e berishes ta shofi berisha se cdo te thot te humbesh njerzit e tu te dashur se edhe azem hajdarin ai e nxorri ne prit edhe gruas te azemit zor ti vi qe rri byth e brek me berishen duke e ditur qe ai ja ka nxjerr ne prit fatmir haklajt rrezik ja ben qefin berisha ne krevat gruas se azemit

    Reply to this comment
  7. [email protected] May 23, 18:43

    nuk lind me nena fatmir haklaj i paharuar qoft kujtimi i tij

    Reply to this comment
  8. kapedani September 13, 01:07

    shume gabime ka ba sali berisha

    Reply to this comment
  9. AM kosov September 21, 13:45

    Respekt families haklaj ,ksii mashqi trima slind nena allahi I shoerbleft mashqit haklaj respekt M H me familje.

    Reply to this comment
  10. AM kosov September 21, 13:48

    Respekt families haklaj ,ksii mashqi trima slind nena allahi I shoerbleft mashqit haklaj respekt M H me familje.

    Reply to this comment
  11. Une November 23, 19:42

    Fatmir Haklaj i mungon gjithe shqiptaris

    Reply to this comment
  12. AL. December 23, 13:54

    Si ka mundesi qe Jaho i shpetoi atentatit por Fatmiri dhe Samiu u vrane?Ata qe u kishin zene prite veshtire se lajthisnin ne objektiv

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*