Hrushovi kërcënon Enverin: Nuk pranojmë shpifjet tuaja brutale e të ulëta, do u ndëshkojmë!

Përgatiti: Kujtim Boriçi August 26, 2013 15:53

Hrushovi kërcënon Enverin: Nuk pranojmë shpifjet tuaja brutale e të ulëta, do u ndëshkojmë!

Fillimi i nëntorit të vitit 1961 shënon pikun e përplasjes diplomatike Shqipëri-Bashkimi Sovjetik, përplasje në të cilën Hrushovi angazhon jo vetëm diplomatët e tij në shtetet e Paktit të Lindjes, por dhe krerët e diplomacinë e këtyre vendeve vasale ndaj politikës ruse. Më 11 nëntor 1961, Hrushovi urdhëron diplomatin e tij në Tiranë që të kontaktoj drejtuesit e Shqipërisë dhe tu konfirmoj mospranimin e promemories së tyre me argumentin se ‘ka fyerje, shpifje, jo në gjuhën diplomatike dhe është e pa pranueshme’. Njëkohësisht, në arkivat sekrete ruse të kësaj kohe(dokumente të përfshira në studimin e autorëve Hamit Kaba e Ethem Çeku), përveç udhëzimit të Hrushovit të 11 nëntorit 1961, jepet dhe biseda sekrete e 17 shkurtit 1962 e këshilltarit të ambasadorit të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike në Republikën Popullore Federale të Jugosllavisë P. S. Dedushkin me Drejtorin e Sektorit të I-rë Politik të Punëve të Jashtme të RPF të Jugosllavisë….

(Udhëzim i Presidiumit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik për ambasadorin sovjetik në Republikën Popullore të Shqipërisë, lidhur me notën e protestës dhe promemoriet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, të datës 16 shtator 1961

Më 11 nëntor 1961

P 350/13

Tepër sekret

Sekretariati i PKBS

N. Hrushov

(Shtojcë 1)

Tepër sekret

Ekzemplar nr. 1

Tiranë    

Ambasadorit sovjetik.

Vizitoni Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe deklaroni verbalisht sa më poshtë:

“Pala sovjetike u njoh me notën e protestës dhe dokumentet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë, të 16 shtatorit të këtij viti, për sa i përket ndryshimit të pagesës për përgatitjen e shtetasve shqiptarë në institucionet e larta mësimore të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike lidhur me deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike dhe ambasadës sovjetike në Tiranë mbi faktet e qëndrimit të padenjë të studentëve shqiptarë dhe ushtarakëve që studiojnë në Bashkimin Sovjetik.

Të tërheq vëmendjen fakti që të gjithë dokumentet e lartpërmendura janë plot me shpifje të ulëta, të hartuara me tone brutale dhe krejtësisht të papranueshme me praktikën ndërkombëtare. Lidhur me këtë pala sovjetike ka ndërmend që t’i shqyrtojë hollësisht këto dokumente.”

Realizimi telegrafik.

(Burimi: KPSS, RGANI, F. 3, Op. 14. D. 513. L. 71. 77. Nr. 84. Origjinal).

 

*       *       *

(Shënim i zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të BRSS, V.V. Kuznjecov për KQ të PKBS)

Më 6 dhjetor 1961

Sekret

Ekzemplar nr. 1

Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik!

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë më 16 shator të këtij viti, i dorëzoi ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë një notë proteste, lidhur me ndryshimin e sistemit të pagesës për përgatitjen e shtetasve shqiptarë në institucionet e larta mësimore të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike dhe dy promemorie, në përgjigje të deklaratave të palës sovjetike, mbi faktet e qëndrimit të padenjë të disa studentëve e ushtarakëve, të cilët studiojnë në institucionet mësimore të Bashkimit Sovjetik.

Këto dokumente karakterizohen nga një ton brutal, krejtësisht i palejueshëm në praktikën ndërkombëtare dhe që përmbajnë trillime e shpifje të zakonshme të udhëheqësve shqiptarë ndaj qeverisë sovjetike.

Duhet pasur parasysh fakti, që pala shqiptare e përdor korrespondencën diplomatike me qëllim që të shpifë në adresë të qeverisë sovjetike. Ministria e Punëve të Jashtme e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike do ta konsideronte të papërshtatshme shqyrtimin e dokumenteve të mësipërme të palës shqiptare, gjë për të cilën të vihet në dijeni dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë.

Projekt-Vendimi bashkëngjitur.

Ju lutemi që të shqyrtohet nga ana Juaj.

(Burimi: KPSS, RGANI, F.3, Op. 12, D. 989, L. 48. Nr. 84. Origjinal).

 

*       *       *

(Bisedë e regjistruar e këshilltarit të ambasadorit të Bashkimit

të Republikave Socialiste Sovjetike në Republikën Popullore Federale të Jugosllavisë P. S. Dedushkin me Drejtorin e Sektorit të I-rë Politik të Punëve të Jashtme të RPF të Jugosllavisë, V. Milatoviç, mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, shqiptaro-greke dhe sovjeto-jugosllave

Më 17 shkurt 1962

Sekret

Ekzemplar nr. 2

Sot pata një bisedë me Milatoviçin, nga e cila sipas mendimit tim meriton vëmendje sa më poshtë:

1. Milatoviç njoftoi, se kohët e fundit marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare jo vetëm nuk janë përmirësuar, por kanë shfaqur disa shenja të përkeqësimit të tyre të mëtejshëm. Të tilla shenja ai konsideron forcimin e propagandës antisovjetike në Shqipëri, gjë e cila bëhet me dijeninë dhe këshillat e udhëheqjes kineze. Veçori karakteristike e artikujve të fundit antijugosllavë në shtypin shqiptar është fakti, tha ai, se në to bëhen njëkohësisht akuza ndaj Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike dhe Jugosllavisë, si edhe ndërmerren përpjekje për të acaruar marrëdhëniet sovjeto-jugosllave.

Sipas fjalëve të Milatoviçit, pala jugosllave do të bëjë gjithçka është e mundur, që të mos lejojë acarimin e mëtejshëm të marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare. Ndërkaq, ajo nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj akuzave brutale të shqiptarëve. Me këtë mund të shpjegohet dalja e shumë artikujve në shtypin jugosllav, të cilët përmbajnë përgjigje ndaj kritikës shqiptare.

Duke gjykuar për të gjitha këto, theksoi ai, vështirë që në një të ardhme të afërt, të mund të shpresohet për njëfarë përmirësimi të marrëdhënieve midis Republikës Popullore Federale të Jugosllavisë dhe Shqipërisë.

Duke iu përgjigjur pyetjes time lidhur me gjendjen aktuale të marrëdhënieve shqiptaro-greke, Milatoviç tha se sipas të dhënave të tyre për këtë çështje, vihet re një aktivizim dhe interesim i caktuar nga të dy palët. Seksioni i Punëve të Jashtme i Republikës Popullore Federale të Jugosllavisë, ka marrë informacion për faktin se, ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë e grekë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara janë vendosur kontakte gjysmëzyrtare, qëllimi i të cilave është përpunimi i strategjive për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Me sa duket, grekët janë të prirur të rishikojnë qëndrimin e tyre për vendosjen e marrëdhënieve zyrtare diplomatike me vendin e tyre fqinj. Milatoviç iu përgjigj negativisht pyetjes mbi kontaktet e mundshme midis ambasadës greke dhe misionit shqiptar në Beograd, për çështjen e rivendosjes së marrëdhënieve, sepse, theksoi ai, ata, këtu, ndjekin me imtësi lidhjet e shqiptarëve me përfaqësuesit grekë e italianë, ndërkaq, nuk kanë vënë re ndonjë shenjë aktivizimi të këtyre lidhjeve. Sipas fjalëve të tij, qëndrimi i Greqisë dhe Jugosllavisë në çështjen shqiptare parimisht është i ndryshëm, dhe me këtë shpjegohet “ftohja” e marrëdhënieve jugosllavo-greke. Ata, jugosllavët, mendojnë gjithashtu, se në kushtet e tanishme udhëheqjes shqiptare nuk i intereson që të shpejtojnë zhvillimin e këtyre marrëdhënieve me Italinë dhe veçanërisht me Greqinë, sepse ky proces do të bëhet ngadalë, duke marrë parasysh edhe gjendjen e marrëdhënieve sovjeto-kineze.

2. Milatoviç u bëri vlerësim pozitiv konkluzioneve të bisedimeve tregtare sovjetiko-jugosllave, të cilat përfunduan para pak kohësh në Moskë, si dhe shprehu kënaqësinë e madhe, për mbërritjen e delegacionit të Bashkimit të Rinisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në Jugosllavi. Sipas fjalëve të tij, vetë fakti i ardhjes së delegacionit të Komsomolit në Beograd, ashtu edhe përmbajtja e bisedave e takimeve me të, lanë një përshtypje shumë të kënaqshme tek rinia jugosllave.

Sipas linjës së Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, tha ai, u dha porosia që delegacionit të rinisë sovjetike t’i krijoheshin mundësi të mëdha, për t’u njohur me realitetin jugosllav, të evitohej çdo mundësi e lindjes së ndonjë konflikti gjatë kohës së takimeve e bisedimeve, të vazhdohej me sukses puna për zgjerimin e kontakteve dhe lidhjeve midis Bashkimit të Rinisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Lidhjes së Rinisë Jugosllave. Me qëllim që t’i jepej rëndësia e duhur politike vizitës u vendos që, delegacionin sovjetik të Konsomolit, ta priste edhe udhëheqja e partisë.

Sipas vlerësimit të organizatave përkatëse jugosllave, tha Milatoviç, qëndrimi i delegacionit të Bashkimit të Rinisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në Republikën Popullore Federale të Jugosllavisë ishte jo vetëm i suksesshëm, por reciprokisht i vlefshëm. Rezultatet e bisedimeve, hodhën një bazë të mirë për të ardhmen, në çështjen e bashkëpunimit të gjithanshëm ndërmjet organizatave të rinisë të dy vendeve. Në këtë plan, nënvizoi ai, do të ishte shumë e dëshirueshme që delegacioni i rinisë jugosllave, të kishte një ftesë për pjesëmarrje në Kongresin e Bashkimit të Rinisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Sipas fjalëve të tij, fakti i pjesëmarrjes apo jo të delegacionit të tyre, në Kongresin e Komsomolit, ka lidhje direkt me zhvillimin e marrëdhënieve politike midis vendeve tona, pas zhvillimit të punimeve të Kongresit XXII të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.

Unë iu shmanga diskutimit të problemit të fundit, duke thënë se kjo është çështje e vetë organizatave të rinisë të dy vendeve, dhe personalisht unë nuk kisha informacion mbi ftesat e parashikuara për delegacionet e huaja për pjesëmarrje në Kongresin e Bashkimit të Rinisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.

Më tej, Milatoviç vuri në dukje, se në aktivin e Partisë së Lidhjes Komuniste Jugosllave bëri përshtypje “të rëndë” kritika e drejtuesve të katedrave të shkencave shoqërore ndaj revizionizmit jugosllav në mbledhjen, që ishte zhvilluar pak kohë më parë në Moskë. Sipas fjalëve të tij, fakti që për herë të parë, pas Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik kritika në adresë të udhëheqjes jugosllave ishte përfshirë në fjalimin e M. A. Susllov, merr rëndësi të veçantë. Ata janë të prirur ta shqyrtojnë atë si simptomë që dëshmon gjoja mbi “qëndrimin e ri” në lidhje me perspektivat e marrëdhënieve politike jugosllavo-sovjetike. Lidhur me thëniet e Sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në mbledhjen e cituar më sipër, tha Milatoviç, udhëheqjes së tyre i ka lindur “alarm e dyshim” për perspektivat e marrëdhënieve tona.

Para së gjithash, udhëheqja e Lidhjes Komuniste Jugosllave nuk mund të pajtohet me pohimin se, pas Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik ajo nuk “ka forcuar” propagandimin e programit të saj revizionist. Një gjë e tillë jo vetëm nuk i përgjigjet gjendjes faktike të punëve, por dhe krijon përshtypje jo të drejtë, mbi qëndrimin e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë lidhur me vlerësimin e konkluzioneve të Kongresit XXII të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Sipas pohimeve të tij, udhëheqja jugosllave jo vetëm vlerësoi pozitivisht konkluzionet e Kongresit, por se gjoja iu ka dhënë udhëzime organizatave përkatëse jugosllave, që të mos “paraqesin” në punën propagandistike ato teza të programit të Lidhjes Komuniste Jugosllave, ku bëhet fjalë për divergjencat me vijën e Kongresit XXII të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.

Unë, nga ana ime, vura në dukje se kritika e revizionizmit në mbledhjen e lartpërmendur, ishte në përputhje të plotë me vijën e Kongresit XXII të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe zor se është diçka e papritur për aktivin e Partisë së Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Prandaj, për mua personalisht, duket i çuditshëm një interpretim i tillë i fjalimit të shokut M. A. Susllov, në mbledhjen e drejtuesve të katedrave të shkencave shoqërore. Aq më tepër që praninë e divergjencave ideologjike midis partive tona, nuk e ka mohuar as vetë udhëheqja jugosllave, duke vazhduar që t’i përmbahet koncepteve të veta të mëparshme të gabuara.

Milatoviç u përgjigj se e gjithë kjo, në përgjithësi është e vërtetë, por, nuk duhet shkuar në rrugën e “ndryshimeve të shpejta”, se divergjencat ideologjike midis partive tona “nuk janë kaq të mëdha” dhe ato nuk ia vlen “të ekzagjerohen”. Se udhëheqja e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë është për kapërcimin e këtyre divergjencave dhe shpreson në rivendosjen e lidhjeve midis partive të dy vendeve tona në të ardhmen. Prandaj, ata, jugosllavët, do të dëshironin nga ana jonë mirëkuptim reciprok më të madh për këto probleme.

Më poshtë ai tha, se gjoja e kanë të vështirë që t’u shpjegojnë aktiveve të Partisë së tyre, se përse në mbledhjen e drejtuesve të katedrave të shkencave shoqërore në Moskë, vëmendja kryesore iu kushtua luftës me revizionizmin, si rrezik kryesor në Lëvizjen Komuniste Ndërkombëtare, ndërkohë që faktikisht tani luftën aktive kundër vendimeve të Kongresit XXII të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik e bëjnë dogmatikët dhe sektarët. Në këtë rast, Milatoviç tha se jo shumë kohë më parë ai, personalisht shkoi me detyrë të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë në qytetin Zrenianin, ku mbajti raportin mbi konkluzionet e Kongresit XXII të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, para aktivit të Lidhjes Komuniste Jugosllave të qarkut. Aktive të tilla tani zhvillohen në të gjithë vendin. Duke gjykuar sipas problemeve të dhëna dhe sipas fjalimeve, theksoi ai, komunistët jugosllavë jo vetëm që aprovojnë konkluzionet e Kongresit, por shprehen edhe për rivendosje sa më të shpejtë të kontakteve midis partive tona. Krahas kësaj, shumë komunistë sikur e kanë pyetur atë, se përse në shtypin sovjetik proklamohet zyrtarisht revizionizmi si rrezik kryesor, kurse në praktikë, bëhet një luftë e ashpër dhe e hapur kundër dogmatizmit shqiptaro-kinez.

I kujtova Milatoviçit se vendimet e Kongresit XXII, parashikojnë luftën kundër oportunizmit të të gjitha ngjyrave, sikundër revizionizmit, ashtu edhe kundër dogmatizmit. Me këtë rast, theksova se “kapërcimi” i kontradiktave ideologjike midis Lidhjes së Komunistëve Jugosllavë dhe Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ku ai e përqendroi vëmendjen, varet plotësisht nga qëndrimi i udhëheqjes jugosllave dhe dëshirave të saj për të rishikuar konceptet e veta të gabuara revizioniste.

3. Duke vlerësuar deklaratën e bërë pak kohë më parë nga Din Rasku, lidhur me marrëdhëniet amerikano-jugosllave, Milatoviç tha se amerikanët, duke i dhënë ndihmë ekonomike Jugosllavisë, përpiqen me të gjitha mënyrat që t’i kundërvihen vendeve të tjera socialiste.

Fjalimi i Raskut, në Komisionin e Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhet jo vetëm me një farë ndryshimi të politikës amerikane në drejtim të shteteve neutrale pas Konferencës së Beogradit, por kanë për qëllim të mos lejojnë afrimin e Jugosllavisë me Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike, në dritën e konkluzioneve të Kongresit XXII të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Sipas fjalëve të Milatoviçit, Jugosllavia, duke patur vështirësi të caktuara, është e detyruar t’i drejtohet për ndihmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, megjithëse buka e marrë nga amerikanët është mjaft “e hidhur”.

Në tërësi, marrëdhëniet midis Republikës Popullore Federale të Jugosllavisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këto tre vitet e fundit, janë përmirësuar dukshëm, por zor se mund të jenë “stabël”. Mosbesimi reciprok dhe dyshimi i të dy palëve, tha Milatoviç, është shumë i madh. Kjo shpjegon lëkundjet e shpeshta në marrëdhëniet amerikano-jugosllave.

Këshilltari – i dërguar i BRSS në RPF të Jugosllavisë.

P. S. Dedushkin

Shënim: Material informativ. Në arkiv. V. Lesakov. 20. IV. 1962.”

(Burimi: Kpss, rgani, F. 5, Op. 49, D. 520, L. 42-46. Nr. 85. Origjinal).

 

(Vijon nesër)

Përgatiti: Kujtim Boriçi August 26, 2013 15:53
Komento

3 Komente

  1. beni August 26, 17:47

    Ku i gjete keta Kriminele o Nikta te qeshesh me ta !
    Keta duheshin varrur ne litar si Mehmeti e Enveri!

    Reply to this comment
    • preshi August 26, 20:54

      He qerrata , qerrata , ta ka qejfi eeee ? Epo je kujtuar ca si vone ! Po ku mundet te haje breshka luanet ??? Breshka edhe me ndihmen e tradhtareve si ty , mblodhi kembet dhe koken dhe humbi pa gjrume andej nga Azia …..

      Reply to this comment
  2. Sotiri... August 26, 21:26

    Dokumentet arkivore ruse, flasin qarte per disa te verteta te kohes. Kushdo mund te gjykoj mbi ‘ta e mund te shtoj dijet qe ka… Personazhet qe sjelle ‘Dita’ nepermjet ketyre dokumente arkivore, jane me interes… Jo vetem per Benin… dhe Preshin….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*