Humbja e Arsyes

November 15, 2017 23:59

Humbja e Arsyes

Zhvillimet që prekin shtetin e së drejtës në Poloni, janë në fokus të shqetësimeve evropiane. Parlamenti Evropian ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm ndaj Polonisë, për të nisur fazën e parë të procedurës që lidhet me aktivizimin e “Nenit 7”. Sot u vendos të  përgatitet një kërkesë formale që Këshilli të aktivizojë këtë mekanizëm. Nëse situata përkeqësohet dhe autoritetet polake refuzojnë të respektojnë rekomandimet e BE-së, procedura do të çojë në pezullimin e të drejtës së votimit të Polonisë në Këshill. Mekanizëm që synon të sanksionojë një vend anëtar, kur ai prezanton një rrezik të rëndë të dhunimit të vlerave evropiane. Pak kohë më parë, në muajin maj, Parlamenti do të miratonte gjithashtu një kërkesë të ngjashme për Hungarinë, procedurë që është në proces.

Qëllimi është të detyrohet Këshilli të veprojë mbi bazën e Nenit 7. Komisioni Evropian nuk i ka reshtur përpjekjet për të rifutur qeverinë polake në shinat e shtetit të së drejtës, por qeveria polake është pozicionuar në refuzim të vazhdueshëm, duke mos reaguar në këtë drejtim. Për Komisionin Evropian, reforma e gjyqësorit në Poloni shfaq një kërcënim serioz për funksionimin e shtetit të së drejtës, pasi shkatërron pavarësinë e sistemit gjyqësor në vend. Katër ligje të miratuara nga parlamenti polak shfaqin shqetësim. Dy prej tyre edhe pse u bllokuan nga Presidenti i vendit kanë një të ardhme të paqartë, ndërsa dy ligjet e tjera që u miratuan përfundimisht mbartin probleme serioze. Dhe bëhet fjalë për ligjin mbi Shkollën Kombëtare të Gjyqësorit, ligji mbi Organizimin e Gjykatave të Zakonshme, ligji mbi Gjykatën Supreme dhe ligji mbi Këshillin Kombëtar të Gjyqësorit.

Do të ishte 26 korriku i këtij viti, kur Komisioni Evropian do t’i dërgonte rekomandimin e tretë Polonisë mbi shqetësimin e reformës në sistemin e drejtësisë, duke i kërkuar autoriteteve polake  rivendosjen e pavarësisë dhe të legjitimitetit të Gjykatës Kushtetuese si garantuese e Kushtetutës në vend. Duke i kërkuar njëkohësisht adresimin e këtyre shqetësimeve brenda afatit kohor një mujor. Dy ditë më vonë, Komisioni nisi edhe një procedurë shkelje kundër Polonisë, për thyerje të ligjeve të BE-së, në lidhje me ligjin mbi organizimin e gjykatave të zakonshme në vend, pas publikimit të tij po në të njëjtën ditë.

Përgjigjja e autoriteteve polake ka qenë në vijimësi refuzim për ndjekjen e rekomandimeve të propozuara nga Komisioni Evropian.

Po pse është kaq i rëndësishëm për BE-në, sundimi i ligjit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës në Poloni?

Në një reagim në fund të muajit gusht në Komisionin e Lirive Civile në PE, zv. Presidenti i Komisionit Evropian, Frans Timermans, do të vlerësonte jo vetëm rëndësinë që ka funksionimi i demokracisë në një vend të BE-së, por ai do të shfaqte edhe vendosmërinë që ekziston në logjikën e vendimmarrjes evropiane, për të bërë të mundur arritjen e këtij objektivi:

“Kur ne flasim sot, për sundimin e ligjit në Poloni, ne flasim mbi fatin e këtij kontinenti, fatin e Evropës. Kjo nuk ka lidhje vetëm me Poloninë…..Kjo është shumë serioze….Ne jemi të hapur për dialog dhe nuk dua t’ia di nëse ata duan të vazhdojnë të më sulmojnë personalisht dhe të më quajnë budalla, të paaftë, etj. Unë ende do të jem atje për dialog, pasi çështja është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Evropës…Por, do të vijë një pikë, kur ne do të duhet të bëjmë një zgjedhje. A do ta lëmë ne këtë çështje pasi politikisht është shumë e vështirë? Apo do të përdorim të gjithë instrumentet që kemi në dispozicionin tonë? Dhe po ju them, sot këtu, dhe le të mos ketë asnjë keqkuptim, nuk ka asnjë shans që ne ta lëmë këtë çështje sepse politikisht është shumë e vështirë, pasi pasojat për BE-në në tërësi, kur ndarja e pushteteve vihet në dyshim, janë shumë të rënda. Dhe Komisioni do të përdorë çdo instrument në dispozicion të tij, kur ndarja e pushteteve është në rrezik…..Ajo çka ne mund të bëjmë dhe duhet të bëjmë, kur jemi të detyruar ta bëjmë është të themi kur jemi të mendimit se traktatet e nënshkruara dhe të ratifikuara nga vendet anëtare janë dhunuar. Ne duhet të ndalojmë dhe të themi se ky është rasti në fjalë…”

Rezoluta e miratuar nga Parlamenti Evropian, i kërkon shprehimisht qeverisë dhe parlamentit të Polonisë: të mos vijojnë me zbatimin e ligjeve të reja, veçse nëse ato garantojnë plotësisht pavarësinë e gjyqësorit; të venë në zbatim të gjithë rekomandimet e adresuara nga Komisioni Evropian dhe nga Komisioni i Venecias; të pozicionohen në përputhje me masat e imponuara nga Gjykata e Drejtësisë e BE-së, dhe të pezullojnë në mënyrë të menjëhershme shfrytëzimet pyjore në shkallë të gjerë; të respektojnë të drejtën e lirisë së tubimit; të dënojnë qartazi marshimin ksenofobik dhe racist, që ndodhi në Varshavë të shtunën më 11 nëntor 2017; të pozicionohen qartazi mbi të drejtat e grave, duke iu siguruar atyre kontracepsion falas, pa dallim, pa diskriminim dhe duke iu mundësuar qasje ndaj kontracepsionit emergjent, pa recetë të mjekut.

Për të majtët evropianë, pika e fundit, ka përbërë një shqetësim të veçantë pasi nuk figuronte paraprakisht në tekstin e rezolutës, ndërsa për të djathtët shqetësues shfaqej mos distancimi i duhur i qeverisë polake nga manifestimet e ekstremit të djathtë, që u zhvilluan të dielën, më dt. 11 nëntor me rastin e festës së pavarësisë, ku rreth 1 mijë ekstremistë protestuan, duke kërkuar një “Evropë të bardhë të vëllazërisë së kombeve”, një “Poloni të pastër dhe të bardhë”, me pankarta në duar ku shkruhej se “Evropa duhet të jetë e bardhë ose e shkretuar”, “gjak i pastër, mendje e pastër”, “lutu për holokaustin islamik”, etj.

Ç’po ndodh aktualisht në Poloni ?

Mënyra se si është pozicionuar Partia për Ligj dhe Drejtësi (PLD) që me marrjen e pushtetit në tetor të vitit 2015, ndaj politikave të Bashkimit Evropian nuk e ka ndihmuar aspak opinionin publik në përballimin e sfidave të një Unioni ku ato janë pjesë e tij. Opinioni publik në Poloni, nëse i referohemi sondazheve të vazhdueshme të Eurobarometër, shfaq një mbështetje pa ekuivok ndaj anëtarësimit të vendit në BE si edhe ndaj përfitimit që vendi ka pasur duke qenë pjesë e Unionit, dhe njëkohësisht imazhi i tyre ndaj tij është shumë pozitiv. Por, qytetarët polakë shprehen në shumicë kundër disa politikave të caktuara të BE-së, siç është imponimi i kuotave të shpërndarjes së refugjatëve, apo politikat e integrimit të thelluar me disa nivele, apo edhe politika e monedhës së përbashkët.

Çështja e refugjatëve dhe e migrimit në Poloni, shikohet e lidhur me çështjen e terrorizmit. Refuzimi ndaj pranimit të tyre në territor është shumë i lartë dhe në terren është formësuar një qasje negative në këtë pikë ndaj Unionit, që shikohet si imponuesi kryesor i kësaj politike. Këtu, ku është i nevojshëm roli që duhet të luajë politika kombëtare për të ndërgjegjësuar dhe qetësuar opinionin publik në lidhje me frikën jo objektive që ekziston, ajo është vëzhguar se luan pikërisht një rol të kundërt, duke shfrytëzuar në maksimum përfitimet që ajo sjell. Pra, nga njëra anë PLD përdor kartën e luajtjes me frikën në opinionin publik, duke shënjestruar Bashkimin Evropian si shkaktarin kryesor të kësaj politike dhe nga ana tjetër, duke rritur dyshimet ndaj BE-së, synon të vërë në dyshim imponimin e politikave të Brukselit ndaj politikave kombëtare si imponime të padrejta, teksa BE përpiqet të fusë Poloninë në shinat e shtetit të së drejtës. Dhe duke rritur dozat e propagandës dhe retorikës politike ndaj BE-së, përpiqet të shuajë zërat e brendshëm që mund të shikojnë si të paligjshëm uzurpimin e pushtetit gjyqësor nga qeveria në pushtet.

Situatë që konfirmohet edhe nga sondazhe të brendshme, ku edhe pse protestat ndaj futjes nën kontroll të gjyqësorit nga ekzekutivi kanë vazhduar gjatë gjithë vitit 2016, opinioni publik ishte i luhatur. 60% e të anketuarve në një sondazh të fundit, ranë dakord me deklaratën se qeveria e PLD-së, donte të nënshtronte gjyqësorin dhe të merrte të gjithë pushtetin për vete, por se të pyetur për paanshmërinë e institucioneve evropiane ata u shprehën në 53% se ata ishin të njëanshëm me qeverinë.

Pozicionimi i PLD-së në pushtet është pro politikës dhe retorikës që bie ndesh me Bashkimin Evropian, pasi kjo përplasje e ndihmon të legjitimojë daljen nga korniza ligjore në politikën kombëtare, por se nuk ndihmon aspak opinion publik në Poloni, duke thelluar më tej polarizimin e tij.

Në një studim të fundit të këtij muaji “Pakti i ri për Evropën” të kryer nga një grup kombëtar reflektimi në Poloni, vlerësohet se Polonia ka zbatuar ndryshimin më të madh në politikën e saj të jashtme dhe evropiane që nga fillimi i tranzicionit demokratik. Se, për herë të parë në më shumë se dy dekada në retorikën e partisë në pushtet, integrimi evropian paraqitet si një kërcënim, jo si një mundësi. Sipas kësaj retorike zyrtare, BE udhëhiqet nga elita që nuk dëshirojnë të dëgjojnë shqetësimet e shprehura jo vetëm nga qytetarët, por edhe më e rëndësishmja nga shtetet anëtare. Breksit tregohet si shembull i një rebelimi të justifikuar kundër tiranisë së BE-së, që ka refuzuar të trajtojë shqetësimet e ligjshme britanike.

Sipas studimit, në sytë e partisë në pushtet, përpjekjet e Komisionit Evropian për të trajtuar problemin e sundimit të ligjit në Poloni, kanë shërbyer si dëshmi e shkeljes progresive të BE ndaj sovranitetit kombëtar. Përveç kësaj, mediet e kontrolluara nga qeveria, e kanë përshkruar Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk një rival politik i udhëheqësit de facto të Polonisë, Jarosłav Kaçjinski, si një “kandidat gjerman” i cili ishte zgjedhur në sajë të presionit gjerman në shtetet e tjera anëtare. Po aty, theksohet pak më tej se në sytë e politikanëve të PLGJ-së, skema e zhvendosjes së refugjatëve ishte imponuar nga qeveria gjermane, e cila po përpiqej të shpërndante kostot pasi vendosi njëanshmërisht të pranonte mijëra refugjatë.

Megjithatë, grupi kombëtar i reflektimit në Poloni, gjykon se përkundër këtyre kritikave të BE-së dhe mungesës së një retorike pozitive mbi të ardhmen e Evropës, ideja e një të ashtuquajturi “Polexit” në përgjithësi është hedhur poshtë në fjalimin publik dhe se drejtuesit në vend kanë mohuar se PLD ka për qëllim të tërhiqet nga BE.

I rëndësishëm shfaqet edhe vlerësimi i tyre në kuadrin e adresimit të sfidave populiste, teksa theksojnë nevojën e aktivizimit të Nenit 7:

“Ato qeveri kombëtare, që refuzojnë të ndjekin vlerat dhe rregullat e Traktateve dhe të legjislacionit të BE-së, duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Nëse presioni i dyanshëm (cilësim-turpërim) dështon në korrigjimin e sjelljeve të tyre, institucionet e BE-së duhet të përdorin gjithmonë mjetet ligjore që disponojnë, duke përfshirë edhe aktivizimin e Nenit 7 të traktatit të Bashkimit Evropian.”

DITA

November 15, 2017 23:59